Nishani i kthen ligjin për kamerat maxhorancës, argumentet jep presidenti

Publikuar tek: politike, më 14:36 04-04-2016 Nishani i kthen ligjin për kamerat maxhorancës, argumentet jep presidenti

Presidenti i Republikës Bujar Nishani i kthen në Kuvend ligjin maxhorancës për kamerat në mjediset publike. Sipas Nishanit ligji cënon privatësinë.  “…cënohet e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga neni 35 të Kushtetutës së R.SH­së dhe neni 8/1 i KEDNJ­së”, arsyeton presidenti.

ARGUMENTIMI I NISHANIT:

Presidenti i Republikës është plotësisht i angazhuar në zbatimin e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe në plotësimin e detyrimeve referuar nenit 79 të MSA­së në drejtim të mbrojtjes të jetës private dhe familjare.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:

Së pari: Përmes këtij ligji, duke përcaktuar masa shtesë të sigurisë, përmes vendosjes së kamerave të sigurisë të cilat përfshijnë sheshe të hapura, parqe, kënde lojërash, mjedise të hapura apo të mbyllura publike, mjedise të punës ku ushtrohet një biznes privat, mjedise të hapura dhe të mbyllura për fëmijë cënohet e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga neni 35 të Kushtetutës së R.SH­së dhe neni 8/1 i KEDNJ­së.

Neni 35 i Kushtetutës përcakton se: ‘Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj’. Ndërsa neni 8/1 I KEDNJ­së përcakton se :’Çdo person ka të drejtë që t’i respektohet jeta e tij private dhe familjare, vendbanimi dhe korrespondenca e tij’.

Konventa dhe jurisprudenca e GJEDNJ­së kanë përcaktuar subjektet dhe interesat të cilat mbrohen nën nenin 8/1 të KEDNJ­së, të cilat janë: (i) Jeta Private që përfshin identitetin personal, integritetin moral dhe fizik, hapësirën private, mbledhjen dhe përdorimin e informacionit, aktivitetin seksual, jetën sociale dhe marrëdhëniet me të tjerat; (ii) Jeta Familjare; (iii) Shtëpia apo Vendbanimi, i cili referuar vendimit Niemietz k. Gjermanisë i referohet jo vetëm shtëpisë, por edhe zyrave apo ambienteve të punës ku personat kalojnë një pjesë të kohës së tyre ; (iv) Korrespondenca.

Sipas nenit 8/1 të Konventës, nga njëra anë Shtetet kanë detyrimin pozitiv që të mbrojnë sa më realisht të drejtat sa më sipër të shtetasve përmes organeve të tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, por nga ana tjetër kanë edhe detyrimin negativ që autoritete publike të mos ndërhyjnë në jetën private dhe familjare .

Edhe Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka arritur në përfundimin se :

“E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare përbën edhe sot një nga sfidat e shteteve të lira e demokratike, veçanërisht të demokracive të reja. Garantimi i kësaj të drejte themelore është edhe një reflektim ndaj përvojës negative të regjimeve totalitare e diktatoriale, tendenca e të cilëve ka qenë ndërhyrja ekstreme edhe në çështjet apo vendimet intime personale apo familjare. E drejta për respektimin e jetës private në thelbin e saj duhet t’I sigurojë individit një hapësirë, brenda së cilës, ai do të mund të zhvillonte dhe plotësonte në mënyrë të pavarur personalitetin e tij. Sigurisht, që këtu, përfshihet edhe zhvillimi apo ruajtja në një masë të caktuar e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë. Pra, respektimi i jetës private kërkon në parim mosndërhyrjen në vendimet që merr vetë individi rreth mënyrës së bërjes së jetës së tij.”

Referuar Komisionit të Ligjeve dhe Opinionit të dhënë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë hedhur dyshime në lidhje me respektimin e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve nga aplikimi i masave të parashikuara.

Së dyti: Ndërhyrja në të drejtën për jetë private dhe familjare permes masave të parashikuara në nenin 8 të Ligjit nuk është e justifikueshme, e domosdoshme dhe proporcionale. Neni 35 i Kushtetutës, krijon mundësinë e bërjes publike të të dhënave personale edhe pa pëlqimin e personit, nëse një gjë të tillë e “kërkon ligji” (paragrafi 1) ose në rastet e “parashikuara me ligj” (paragrafi 2). Një kufizim i tillë, në kushte të caktuara, gjen mbështetje edhe nga neni 17 i Kushtetutës (kufizimi të bëhet “…vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve…”

Në rastin konkret, referuar dokumenteve parlamentare nuk del e qartë se përse masat e deritanishme nuk kanë sjellë rezultate dhe përse pikërisht përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë publike, zhdukjen e paligjshmërisë dhe informalitetit.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj 52/2011 sa i takon kombësisë, arriti në përfundimin se ligji nuk parashikon garanci për sa i përket marrjes, mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave personale “sensitive”. Në rastin në fjalë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se:’Të dhënat që sigurojnë informacion për analiza demografike, të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe social apo për qëllime të politikave shtetërore për të nxitur ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor të pakicave etnike, mund të merren nëpërmjet procedurave të tjera përkatëse, në përputhje me garancitë ligjore që parandalojnë shpërdorimin e të dhënave të mbledhura, si dhe përcaktojnë saktësisht rregullat e veçanta të përpunimit.’

Policia është përgjegjëse vetëm për survejimin e ambienteve publike me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Përmes ligjit 19/2016 bëhet i detyrueshëm survejimi edhe i ambienteve private, duke lënë në gjykimin e policisë se kush duhet të survejuar dhe ku duhet të instalohen kamerat. Nuk ka përcaktime në lidhje me mënyrën e vendosjes së kamerave, të cilat në rast se janë të lëvizshme mund të filmojnë edhe ambiente të tjera apo të personave të ndryshëm që nuk kanë lidhje me qëllimin. Kjo krijon hapësirë për abuzime dhe cënim të rëndë të privatësisë si një e drejtë themelore kushtetuese.

Ligji nuk përmban asnjë dispozitë që të garantojë të dhënat e përftuara nga vendosja e mjeteve të regjistrimit­përgjimit. Kështu që, mundësia e keqpërdorimit të pamjeve filmike dhe të dhënave personale, shfrytëzimit për qëllime që nuk kanë lidhje me sigurinë, apo mundësia e keqpërdorimit të tyre nga ana e strukturave policore si mjet kërcënimi, diskreditimi publik apo për shantazh është evidente. Pra, ligji i miratuar nuk jep asnjë garanci lidhur me ruajtjen e privatësisë së qytetarëve.

Së treti:  Inspektimi në lidhje me këtë detyrim ligjor i takon Komisionerit, ndërkohë që në nenin 15 të ligjit kjo competence i njihet ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike. Neni 6 i Ligjit i jep pushtet të pakufizuar Policisë së Shtetit për të vlerësuar instalimin e sistemit të kamerave të sigurisë kudo nëse përbën ‘burim rreziku të shtuar’, ndërkohë që nuk janë përcaktuar as kriteret mbi bazën e të cilave kufizohet apo përcaktohet lloji dhe masa e rrezikut.

Me respekt,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Meta flet për prestigjozen ‘’The National Interest’’:Nëse situata s’trajtohet me vëmendjen e duhur, trafikantët do e shfrytëzojnë
“Panama Papers”, Mero Baze tregon kush deputet fshihet pas Ismail Mulletit »
Article Logic
Execution time: 0.037876129150391
array(1) { ["section"]=> string(78) "nishani-i-kthen-ligjin-per-kamerat-maxhorances-argumentet-jep-presidenti-36799" }