Nishani mesazh urimi për Krishtlindjet: Të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin

Publikuar tek: politike, më 18:57 24-12-2015 Nishani mesazh urimi për Krishtlindjet: Të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin

Me anë të një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u uron Festën e Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve shqiptarë kudo ku ndodhen:

“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ndodheni!

Në këtë prag Krishtlindjesh, besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe kudo në botë janë duke u përgatitur për të festuar mrekullinë e lindjes së Jezu Krishtit.

Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore.

Sonte urojmë familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e krishterë ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.

Në këtë ditë të bekuar, mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore.

Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim!

Le të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin, duke qenë prindër, fëmijë, miq, fqinjë dhe qytetarë të mirë, duke mbështetur e zhvilluar komunitetin ku secili prej nesh jeton dhe punon.

Këtë vit nën shkëlqimin e dritave të Krishtlindjeve shohim me dhimbje errësirën e akteve terroriste që tronditën Evropën, luftërat që shkatërruan Sirinë e largët, klithmat e emigrantëve që humben jetën deteve dhe oqeaneve; dhe shpresojmë e lutemi që paqja dhe mirësia të mbizotërojë zemrat e njerëzve kudo që janë.

Uroj që gjithë bota mbarë të bashkojë forcat, mendjet, shpirtrat e të bëjë përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja!

E gabuara dhe e keqja le të dështojnë dhe e drejta të triumfojë!

Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjet dhe jua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Presidenti Nishani dekreton buxhetin e 2016-ës
Eduart Ndocaj zgjedh qendrën e Tiranës për të uruar Krishtlindjet, shihni videon e tij »
Article Logic
Execution time: 0.18129801750183
array(1) { ["section"]=> string(84) "nishani-mesazh-urimi-per-krishtlindjet-te-kujdesemi-me-teper-per-njeri-tjetrin-28487" }