Nishani: Militantë ekstremistë politikë janë përfshirë në reformën në drejtësi

Publikuar tek: politike, më 07:24 18-08-2015 Nishani: Militantë ekstremistë politikë janë përfshirë në reformën në drejtësi

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i cilëson sulme politike reagimet e përfaqësueseve të qeverisë pas kthimit për rishqyrtim nga kreu i shtetit i ligjit për arsimin e lartë dhe atë për turizmin. Në një intervistë të dhënë dje për “Tv Klan”, kreu i shtetit deklaron se ka bërë detyrën e tij kushtetuese për të mos mbyllur sytë përballë paligjshmërisë dhe zhbërjes së standardeve të cilat vërehen sipas tij në dy ligjet të cilat nuk morën pëlqimin e tij.

Mungesë të standardeve kreu i shtetit sheh edhe në reformën në drejtësi. Ai thotë se po shmangen ekspertët dhe kjo reformë e rëndësishme po u lihet në dorë militantëve ekstremistë politikë. Sa i takon dekriminalizimit, Presidenti thotë se alternativa e vetme që ka politika është të pastrojë radhët e saj nga të inkriminuarit dhe në këtë pikë ka dhe një mesazh për këdo që mendon ndryshe.

Në pikun e sezonit turistik, në pritje të fillimit të vitit të ri akademik, ju ktheni dy ligje shumë të rëndësishme: Ligjin për arsimin e lartë dhe ligjin për turizmin. Reagimi i mazho-rancës ka qenë shumë i fortë. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ju akuzon se ju u bëtë palë me pakicën ndërkohë që Zv/kryeministri Niko Peleshi ju ka kërkuar që mos të keni sjellje partizane për sa u takon këtyre reformave të rëndësishme. Si e shikoni këtë z.President? Është një lloj presioni ky qëndrim i mazhorancës ndaj jush?

Unë e kam denoncuar edhe herë të tjera. Në fakt sulmet politike, dhe për fat të keq, edhe një fjalor edhe banal herë pas here, është një daulle që shqiptarët kanë dy vjet që e dëgjojnë nga qeveria aktuale ndaj Presidentit të Republikës. Gjithsesi unë besoj se as sulmet politike dhe as ky lloj fjalori që përdoret në mënyrë frekuente ndaj Presidentit të Republikës nuk mund të fshehin qoftë zhbërjen e standardeve dhe qoftë pjesë paligjshmërie në aktet që miratohen nga mazhoranca apo qoftë edhe nga qeveria. Nëse janë kthyer një, dy apo tre ligje, janë me dhjetëra të tjera të dekretuara nga Presidenti. Çfarë do të thotë kjo? Që në rastet kur Presidenti dekreton këto ligje është në krahun e qeverisë? Është në krahun e mazhorancës? Aspak, sepse Presidenti në këtë rast ka bërë detyrën e tij! Në të gjitha rastet kur Presidenti i Republikës gjykon që nene dhe pjesë të caktuara të një ligji nuk janë në përshtatshmëri me Kushtetutën e vendit, janë në kundërshtim me nene të caktuara, me parimet, me frymën dhe me germën e Kushtetutës, është një detyrim kushtetues, një detyrë institucionale e Presidentit të Republikës t’i kërkojë Parlamentit për ta rishqyrtuar, gjithnjë duke paraqitur argumentet në relacionin shoqërues të ligjit që kthen për rishqyrtim. Por unë nuk mundem as të tejkaloj dhe as të toleroj ato nene dhe ato pjesë të ligjit, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e vendit, me parimet kushtetuese. Prandaj kam bërë detyrën dhe do të vazhdoj të bëj detyrën, pavarësisht, e thashë, kësaj daulleje politike që kemi dy vjet që e dëgjojmë nga qeveria aktuale. Por e përsëris edhe njëherë me forcë se kjo as nuk e shurdhon dhe as nuk e justifikon tendencën për paligjshmëri apo për zhbërje standardesh në nene dhe në pjesë të veçanta të legjislacionit.

Por z.President, në të gjitha rastet që ju i keni kthyer mbrapsht për rishqyrtim në Parlament këto ligje, mazhoranca i ka votuar pa u bërë asnjë ndryshim...

Ashtu siç ka Presidenti të drejtën e tij kushtetuese të interpretojë nga pikëpamja kushtetuese një ligj që i shkon për dekretim, edhe mazhoranca, edhe Parlamenti kanë të drejtën e tyre kushtetuese për të gjykuar mbi dekretin e Presidentit të Republikës. Por nëse ka një ligj, i cili është kthyer në Parlament, ai ka argumentet përse është kthyer. Nëse i referohemi Ligjit për Arsimin e Lartë, nuk i kam hyrë dhe nuk mund t’i hyj dot debatit politik. Por unë nuk mund të hesht dhe nuk mund të tejkaloj cenimin flagrant të parimit të së drejtës për arsimim që iu bë të rinjve shqiptarë përmes kufizimit apo mbylljes së hapësirës për të provuar veten e tyre në arsimin e lartë duke rritur pagesat, duke rritur barrën fiskale. Unë jam dakord që arsimi i lartë ka nevojë për reforma shumë të thella, por nuk mund të pranoj parimin që politika dhe vendimet politike duhet të kufizojnë të drejtën e aksesit të studentëve shqiptarë për arsim të lartë. Duhet të jetë mekanizimi. Duhen të jenë kriteret e forta. Duhet të jetë trupa akademike dhe duhet të jetë vlerësimi i tyre që duhen të skartojnë të gjithë ata të cilët nuk i përballojnë kriteret dhe cilësinë e arsimit që ofrohet në auditoriumet e universiteteve tona. Pra nuk mund të pranoj që të reduktohet numrin e të rinjve që duan të shkojnë në universitet përmes rritjes së tarifave të shkollimit të tyre. Dhe së dyti: autonomia e universiteteve është një parim bazë i Kushtetutës sonë. Dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese jo vetëm për t’u zbatuar, por edhe për t’u respektuar në çdo hap të ndërtimit të legjislacionit. Shkojmë tek ligji për turizmin. Unë nuk mund të pranoj cënimin e rëndë të marrjes së pronës në administrimin e pushtetit vendor t’i kalojë kjo pronë tashmë administrimit dhe vendimmarrjes së qeverisjes qendrore në një kohë që parimi i decentralizimit jo vetëm që është sanksionuar në Kushtetutën e vendit, por është një detyrim, një standard që e kemi arritur dhe duhet ta thellojmë akoma edhe më tej. A ka më koncept të autonomisë së qeverisjes vendore në këtë mes? Nuk ka! Pra në këto raste flagrante, Presidenti i Republikës nëse nuk do ta mbrojë parimin kushtetues dhe nëse nuk do të reagojë, ai nuk ka kryer detyrën e tij institucionale. Pra për të qenë edhe njëherë mjaft i hapur dhe i thjeshtë në konkluzion: Në të gjitha rastet kur Presidenti i ka kërkuar Parlamentit të rishqyrtojë një ligj të caktuar, këtë e ka bërë për nene të caktuara, për çështje të caktuara, të argumentuara.

Prej më shumë se një viti tashmë flitet kaq shumë për dekriminalizimin. Si po shkon deri tani ky proces? A shikoni që ka një vullnet real për t’u bërë ky dekriminalizim?

Është e papranueshme, e patolerueshme nga qytetarët shqiptarë, nga sistemi i cili e kërkojmë të ndërtojmë, nga parimet e demokracisë së cilës ne i adresohemi çdo ditë dhe ende nuk po e konsolidojmë në standardet që shqiptarët meritojnë, që individë të tillë, të cilët janë të identifikuar me rekorde, dhe kur them me rekorde, ato janë të regjistruara, të hetuara, të gjykuara, të përfshirë në aktivitete të rënda kriminale, këta pastaj të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse në të gjitha nivelet. Ata që mendojnë që mund të tejkalojnë kohën, proceset, etapat dhe të tolerojnë praninë e personave të tillë, ata jo vetëm që kanë minuar demokracinë në vend, por ata njëkohësisht kanë shërbyer për humbjen e besimit të madh të qytetarëve shqiptarë ndaj institucioneve. Gjithsesi mbetet për t’u parë, mbetet për t’u provuar thellësia e ndërhyrjes dhe shtrirja e seriozitetit në këtë proces.

Mendoni se duhet bërë pjesë e ndryshimeve kushtetuese që do të vijnë si pasojë e reformës në drejtësi, procesi i dekriminalizimit?

Sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reformë të thellë, imediate, të vërtetë dhe nuk ka nevojë dhe do të mbetet i kërcënuar nëse nevojat për reformë amplifikojnë apo fshehin qëllime të caktuara, nga segmente të caktuara që përmes paligjshmërisë dhe zhbërjes së standardeve, të vendosin nën influencën politike mekanizmat shtetërorë përfshirë dhe atë të drejtësisë që është një nga më të rëndësishmit dhe një nga më madhorët të një shoqërie dhe të shtetit të së drejtës dhe shtetit ligjor. Reforma në siste-min e drejtësisë së pari duhet të përfshijë specialistët dhe profesionistët e pavarur të fushës së jurisprudencës në Shqipëri. Nuk mund të realizohet dhe nuk do të ketë besueshmëri dhe as cilësi ndërmarrja e hapave dhe propozimeve që vijnë nga ndërgjegje prej njerëzve militantë politikë. Nuk mund ta realizojnë dot në mënyrë të vërtetë reformën në drejtësi militantët ekstremistë të politikës.

Kjo po bëhet deri tani….

Ka pasur shenja shumë serioze duke filluar nga shmangia e institucioneve të rëndësishme siç është Institucioni i Presidentit të Republikës, nga shmangia e zërave profesionistë dhe tërësisht të pavarur për të dhënë mendimin e tyre. Ne kemi nevojë jo për modele hibride. Ne kemi nevojë për të implementuar dhe aplikuar modelet e praktikave më të mira që ekzistojnë sot në vendet e BE.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Bregu: Pse nuk duhet lënë e qetë familja Kajtazi
PS, Ismaili: Humbja në Mallakastër, faji i LSI-së »
Article Logic
Execution time: 0.018321990966797
array(1) { ["section"]=> string(83) "nishani-militante-ekstremiste-politike-jane-perfshire-ne-reformen-ne-drejtesi-18607" }