Nishani në Baku: Zgjidhja e krizës së refugjatëve gjendet te burimi i saj

Publikuar tek: politike, më 20:03 10-03-2016 Nishani në Baku: Zgjidhja e krizës së refugjatëve gjendet te burimi i saj

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Forumit të 4-t Global të Bakusë të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi”, duke përshëndetur me një fjalë të veçantë, krahas shumë krerësh të tjerë shtetesh dhe qeverish si dhe një numër i konsiderueshëm akademikësh nga vende të ndryshme të botës: si Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, Presidenti i Republikës së Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili, ish-Presidentja e Letonisë, Vaira Vike-Freiberga, Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova. Gjithashtu, Forumin e përshëndeti me një mesazh të shkruar edhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron.

Gjithashtu Presidenti Nishani ishte pjesë e panelit të parë të këtij forumi, me temë: “Gjendja e botës sot dhe për çfarë kemi nevojë që të trajtojmë çështjet më të mprehta për nesër”, ku folësit kryesorë ishin gjithashtu edhe: Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Mladen Ivaniç; Presidenti i Republikës së Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili; Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç; Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov; ish-Kryeministrja e Norvegjisë, Gro Harlem  Brundtland; dhe ish-Presidentja e Finlandës, Tarja Halonen.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Nishani u ndal në ndryshimet që ka pësuar bota në 25 vitet e fundit, pas rënies së perdes së hekurt dhe mbarimit të Luftës së Ftohtë, duke theksuar se liria, zhvillimi teknologjik dhe kibernetik, shfrytëzimet e koordinuara të burimeve natyror, ekonomia e tregut dhe tregtia e lirë, intensifikimi i shkëmbimeve ekonomike e kulturore, e shumë aspekte të tjera, kanë sjellë një zhvillim të panjohur më parë për mbarë njerëzimin. Presidenti Nishani vlerësoi se këto zhvillime e kanë bërë imperative nevojën e adoptimit të qëndrimeve dhe të veprimeve të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.

Kreu i Shtetit duke iu referuar këtyre ndryshimeve që ka pësuar bota, si dhe kërcënimeve dhe sfidave të reja me të cilën përballet shoqëria njerëzore sot, theksoi se falë këtyre ndryshimeve tendenca e zhvillimit po shkon drejt një bote shumëpolare. “Pyetja që shtrohet është: Sa kanë vullnet dhe sa janë të gatshme këto fuqi në rritje të bëjnë aleanca dhe të ndajnë përgjegjësi për të ardhmen e përbashkët të planetit?” – u shpreh Presidenti Nishani.

Ndërsa në ndërhyrjen e Tij në panel, Kreu i Shtetit u ndal në sfidat me të cilat përballet bota në përgjithësi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmit, ndryshimet klimaterike, si dhe flukset e paprecedenta migratore, për të cilat u shpreh se: “Këtyre sfidave duket se nuk po i shpëton asnjë rajon i botës dhe praktikisht çdo vend mbetet i rrezikuar”.

Në mënyrë të veçantë Presidenti i Republikës u ndal në kërcënimet me të cilat po përballet edhe Ballkani Perëndimore prej terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luajnë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe komunitetet lokale dhe ato fetare në përballimin e këtyre kërcënimeve. Presidenti Nishani e njohu auditorin me eksperiencën e shkëlqyer të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston prej shekujsh në Shqipëri, duke theksuar se falë kësaj eksperience, por edhe si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në BE, sot Shqipëria është një aktore aktive në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Duke iu referuar sfidave të përbashkëta në nivel rajonal, Presidenti Nishani evidentoi edhe vëmendjen e veçantë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal, përmes një kontributi të qenësishëm për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm. Duke iu referuar eksperiencës së hidhur të së kaluarës së afërt, me konflikte të armatosura dhe urrejtje e spastrime etnike e fetare, Presidenti Nishani u shpreh se: “Rajoni i Ballkanit Perëndimor më shumë se kurrë sot ka nevojë për dialog dhe mirëkuptim”. Presidenti theksoi gjithashtu se Shqipëria është e vendosur dhe e përkushtuar për të vijuar politikën e saj të pandryshuar në dobi të fqinjësisë së mire, dialogut dhe mirëkuptimit.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e të gjitha vendeve të rajonit dhe frymën e re të bashkëpunimit që po demonstrohet në vitet e fundit, veçanërisht në kuadër të nismave rajonale si Procesi i Brdo-Brijunit, Iniciativa e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe të Procesit të Berlinit.

Presidenti Nishani në ndërhyrjen e Tij trajtoi shkurtimisht edhe çështjen e flukseve të paprecedenta migratore, dhe krizën që po përballojnë shumë vende ballkanike dhe fqinje të Shqipërisë, përmes së ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike”. Presidenti i Republikës u shpreh se kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm edhe në sigurinë dhe stabilitetin social të këtyre vendeve dhe të rajonit në përgjithësi. Gjithashtu, Presidenti Nishani theksoi se “nisur nga eksperienca e hidhur me mbi 1 milionë refugjatë nga Kosova si rezultat i regjimit të Millosheviçit, por edhe nga kriza aktuale që vendet fqinje po kalojnë, duhet që zgjidhja të gjendet tek burimi i kësaj krize. Sa më shpejt aq edhe më mirë.”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Taulant Balla fiton gjyqin, Argita Malltezi: Gjyqtari dhe Balla manipuluan procesin, kam fakte
Reagon Taulant Balla për zgjedhjen e ish-truprojës së Berishës në Komisionin e Etikës së Futbollit »
Article Logic
Execution time: 0.020961046218872
array(1) { ["section"]=> string(78) "nishani-ne-baku-zgjidhja-e-krizes-se-refugjateve-gjendet-te-burimi-i-saj-34779" }