Nishani në Sarajevë, kërkon njohjen e Kosovës

Publikuar tek: politike, më 17:06 24-02-2016 Nishani në Sarajevë, kërkon njohjen e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani filloi sot vizitën e tij zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u përshëndet me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje nga Kryesuesi i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Dragan Čović, si dhe dy anëtarët e tjerë të kësaj Presidence, Bakir Izetbegović dhe Mladen Ivanić.

Pas ceremonive zyrtare, përshëndetjeve dhe nderimeve ushtarake të rastit, si dhe interpretimet e himneve kombëtar të të dy vendeve, Presidenti Nishani zhvilloi një bisedë konfidenciale me të tre përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, për të vijuar më pas të kryesonte delegacionin shqiptar në bisedimet zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve.

Në mbyllje të takimit zyrtar, Presidenti Nishani dhe Kryesuesi i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Dragan Čović, zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi.

Presidenti i Republikës gjatë bisedimeve zyrtare me përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, evidentoi vullnetin dhe dëshirën e Shqipërisë për të nxitur bashkëpunimin me Bosnje dhe Hercegovinën, si në plan dypalësh ashtu edhe në atë rajonal dhe shumëpalësh.

Kreu i Shtetit i kushtoi një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ekonomik, duke përshëndetur kuadrin e përbashkët ligjor në fuqi, si dhe duke theksuar nevojën e nxitjes së institucioneve të të dy vendeve për të eksploruar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit, si në aspektin dypalësh ashtu edhe të përfshirjes në projektet rajonale, veçanërisht energjetike dhe të infrastrukturës.

Ndërsa në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, Presidenti Nishani theksoi se: është shumë e rëndësishme përfshirja e të gjitha vendeve pa përjashtim, si dhe krijimi i lehtësirave të komunikimit mes qytetarëve të vendeve të rajonit. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani përshëndeti iniciativën e Bosnje dhe Hercegovinës për të organizuar këtë vit Samitin e Krerëve të Shteteve të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, ku edhe Kosova është e pranishme.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani kërkoi rishikimin e qëndrimit nga Bosnja dhe Hercegovina për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të të dy vendeve përmes njohjes së dokumenteve reciproke, duke i siguruar bashkëbiseduesit se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte një kontribut shumë i qenësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.

Nga përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës u premtua që shumë shpejt do të gjendej një zgjidhje për njohjen e dokumenteve të Kosovës, duke premtuar mbajtjen e një takimi me përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Podgoricë të Malit të Zi.

Nishani zhvilloi gjithashtu edhe një takim me Borjana Krišto, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje-Hercegovinës.

Deklarata e plotë e Nishanit:

“I nderuar Kryesues i Presidencës, zoti Çoviç,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Që në fillim dëshiroj që t’i shpreh edhe njëherë, në këtë konferencës shtypi, falënderimet e mia më të sinqerta Kryesuesit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, zotit Coviç, si dhe dy anëtarëve të tjerë të Presidencës, zotërinjve Izetbegoviç dhe Ivaniç, për ftesën, mikpritjen dhe atmosferën miqësore që më rezervuan mua dhe delegacionit që më shoqëron, në këtë vizitë zyrtare në Sarajevë.

Dëshiroj të shpreh kënaqësinë e veçantë për bisedimet e zhvilluar sot mes dy delegacioneve tona, duke u fokusuar, si në agjendën tonë dypalëshe, ashtu edhe atë rajonale dhe euroatlantike.

Jemi dy vende të të njëjtit rajon dhe me lidhje të vjetra historike e kulturore, por që në dekadën e fundit, marrëdhëniet janë ridimensionuar, duke u përshtatur me  zhvillimet dhe frymën e re pozitive të bashkëpunimit që është krijuar në rajonin tonë, por edhe të vizionit të përbashkët euroatlantik.

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të mira, miqësore e bashkëpunuese, dhe gjatë bisedimeve të sotme rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnje dhe Hercegovinës.

Pavarësisht se në një kohë relativisht të shkurtër, së bashku kemi demonstruar dëshirë dhe vullnet për ta intensifikuar dialogun politik dhe kontaktet në të gjitha nivelet. Ftesa e mikpritësve të mi dhe vizita ime sot në Bosnje dhe Hercegovinë, janë dëshmi e qartë e këtij vullneti.

Mes dy vendeve kemi një kuadër ligjor të konsiderueshëm bashkëpunimi në fuqi, me rreth 23 marrëveshje e protokolle bashkëpunimi, ku një pjesë e mirë e tyre është në funksion të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Në vitet e fundit ka një rritje të vogël të shkëmbimeve tregtare dhe ka ende shumë mundësi të pashfrytëzuara, si në aspektin e bashkëpunimit ekonomik ashtu edhe të shkëmbimit të mallrave. Në Shqipëri operojnë rreth 16 kompani boshnjake, me kapital tërësisht boshnjak ose të përbashkët shqiptaro-boshnjak, që operojnë në fushën e tregtisë, pajisjeve elektronike, shërbime, industrinë e lehtë dhe prodhimit të këpucëve, materiale ndërtimi, prodhimin, transmetimin dhe tregtimin e energjisë elektrike dhe në fusha të tjera.

Ramë dakord që të punojmë më shumë në nxitjen e Qeverive dhe institucioneve të vendeve tona për eksplorimin e të gjitha mundësive të bashkëpunimit ekonomik e  tregtar, që nga mundësia e thirrjes së komisionit të përbashkët ekonomik e deri tek lehtësimi i kontakteve mes Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe agjencive të nxitjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe eksporteve.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona mund të harmonizohet shumë mirë edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik rajonal, përmes përfshirjes në projekte zhvillimore rajonale infrastrukturore e energjetike, ku ndër më të rëndësishmet mbeten Korridori Blu, projekti i gazsjellësit IAP, etj.

Gjithashtu, sot pata mundësinë që të shpreh qëndrimin e palës shqiptare për nxitjen e lëvizjes së lehtësuar mes qytetarëve të dy vendeve tona. Gjykoj se ka ardhur koha që qytetarët e dy vendeve tona, si vende Kandidate apo potenciale kandidate në BE, të lëvizin në vendet respektive vetëm me karta identiteti, pa pasur nevojë për pasaportë. Arritja e kësaj marrëveshje, ashtu si edhe mes shumë vendeve të tjera të rajonit, do të ndihmonte përfaqësuesit e bizneseve dhe në përgjithësi qytetarët e të dy vendeve tona për të lëvizur sa më lehtësisht.

Një vëmendje të veçanti ia kushtuam edhe orientimit tonë evropian dhe euroatlantik.

Pata rastin që të përshëndes aplikimin e dorëzuar vetëm pak ditë më parë nga mikpritësi im në këtë vizitë zoti Çoviç, për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Vendi im e ka kaluar këtë fazë, ka marrë statusin e vendit kandidat dhe është në pritje të vendimit të Unionit për hapjen e negociatave të aderimit. Për këtë arsye i urova Presidencës, e përmes tyre të gjitha institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës, përmbushjen me sukses të reformave të nevojshme për marrjen sa më parë të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Rikonfirmova edhe njëherë mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në NATO, si dhe të të gjitha vendeve të rajonit që aspirojnë një gjë të tillë. Shqipëria, si vend anëtar i Aleancës, e ka shprehur qartë mbështetjen e saj për politikën e dyerve të hapura dhe i mbështet dhe i inkurajon institucionet e Bosnje-Hercegovinës për të vijuar me hapat e nevojshme dhe aktivimin e ciklit të parë të MAP-it (Planit të Veprimit për Anëtarësim).

Kërkova që në frymën e re të krijuar në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit, të jepet konsensusi edhe nga Bosnja dhe Hercegovina për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut. Kjo kërkesë do t’i shërbente konsolidimit të mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë të përbashkët.

Sigurisht që marrëdhëniet në dy dekadat e fundit kanë qenë të kushtëzuara dhe të influencuara edhe nga zhvillimet rajonale, të cilat sot kanë hyrë në një fazë të re dhe shumë bashkëpunuese.

Në këtë kuadër pata mundësinë që të rishpreh edhe në format bilateral, qëndrimin e vendit tim për bashkëpunimin rajonal. I sigurova mikpritësit e mi se Shqipëria është e vendosur në politikën e saj shumë të konsoliduar të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit, me të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore.

Theksova se bashkëpunimi rajonal kërkon përfshirjen e të gjitha vendeve pa përjashtim dhe krijimin e lehtësirave të komunikimit mes qytetarëve të vendeve tona. Agjenda jonë e përbashkët evropiane dhe bashkëpunimi rajonal, kanë nevojë për hapa e veprime konkrete.

Përshëndeta agjendën e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës për iniciativën dhe organizimin në fund të muajit maj të këtij viti të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit në Sarajevë, duke e konsideruar atë pjesë të kontributit që jep Bosnje-Hercegovina për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë.

Në këtë aspekt, kërkova rishikimin e qëndrimit nga Bosnja-Hercegovina për njohjen e Republikës së Kosovës dhe të dokumenteve të saj, duke shprehur besimin se ky veprim jo vetëm që do t’i hapte rrugën normalizimit të marrëdhënieve mes Bosnje-Hercegovinës e Kosovës, por do të kishte një impakt shumë të rëndësishëm e pozitiv, për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Sigurisht, një vend të veçantë ia rezervuam edhe sfidave dhe kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, flukset e paprecedenta migratore dhe të refugjatëve nga zonat në konflikt si Siri, Irak e Afganistan, si dhe domosdoshmërisë për të bashkëpunuar e koordinuar si në nivel dypalësh ashtu edhe me partnerët e tjerë euroatlantikë për përballimin e tyre.

Në mbyllje dëshiroj të falënderoj dhe njëherë mikpritësit e mi, si dhe të shpreh bindjen se kjo vizitë do të jetë një kontribut më shumë në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona! ”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Kryetari i Kuvendit Meta, pas Suedisë vizitë pune në Danimarkë
Rama takim “kokë më kokë” në Kryeministri me 5 biznesmenë të fuqishëm, e pranishme edhe Shehaj »
Article Logic
Execution time: 0.023455142974854
array(1) { ["section"]=> string(50) "nishani-ne-sarajeve-kerkon-njohjen-e-kosoves-33439" }