Një arsye pse Nishani nuk beson te Reforma në Drejtësi

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:28 07-03-2016 Një arsye pse Nishani nuk beson te Reforma në Drejtësi

Nga Mero Baze

Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të mblidhet nesër për të emëruar gjashtë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Administrativ dhe kryetarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, në një klimë debati të fortë për reformën e pritshme në drejtësi, duke injoruar shpresat që mund të vijnë nga këto ndryshime.

Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani, ka injoruar reformën në drejtësi dhe shpresën se ajo mund të miratohet pas disa javësh, dhe po nxiton të bëjë emërime të disa gjyqtarëve, të cilët nuk plotësojnë asnjë standart etik, profesional dhe arsimor për ato vende.

Kështu, sipas gjithë gjasave, Bujar Nishani do t’i japë mbështetje për në krye të Gjykatës së Apelit, gjyqtarit Hysni Demiraj. Demiraj, përveçse është një i shkolluar me “kursin e plepave” dhe një militant politik, ka probleme me të shkuarën e tij si gjyqtar, për çështje hapatazi korruptive në favor të njerëzve të trafikut të drogës. Nga ana tjetër, nëse ai detyrohet të plotësojë formularin e dekriminalizimit, duhet të jetë i kujdesshëm kur të përshkruajë periudhën kur ka qenë në Gjirokastër, pasi kolegë të tij mund të kenë dëshmi që e implikojnë në vepra penale.

Por mbi të gjitha, Hysni Demiraj është gjyqtari i famshëm, që së bashku me Gjin Gjonin, më 4 mars 2011, i caktuan masë sigurie shtetasit turk, Abdulsalem Turgut, akuzuar për tarfikun e gjysmë ton droge në Gjermani, që të dënohej me “arrest shtëpie”, “në godinën e ndodhur në Kthesën e Kamzës, kati i tetë”.

Fjalë për fjalë, kjo është shprehja e cituar nga vendimi. Dhe sapo ju hoqën prangat, shtetasi turk iku nga godina në “Kthesën e Kamzës, në katin e tetë”, dhe nuk u gjend dot nga policia më, pas një ore.

Mjafton një vendim i tillë haptazi favorizues për një trafikant ndërkombëtar droge, që ky gjyqtar të mos merrej në konsideratë për këtë kandidaturë. Në fakt, ai është në konsideratë nga presidenti i Republikës, me ndërhyrje të familjes Berisha për, kryetar Apeli në Tiranë.

Po kaq e diskutueshme mbetet dhe lista e gjyqtarëve të Apelit Administrativ, që po shtohen, por që ata të mos paragjykohen, duhet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ose të shtyjë mbeldhjen e emërimit të tyre pas reformës në drejtësi, ose të fillojë të aplikojë paraprakisht kritere që parasheh reforma në drejtësi, me qëllim që i gjithë ky debat të mos jetë hipokrizi.

Hipokrizia e presidentit të Republikës me reformën në drejtësi është e qartë dhe ilustrohet vetëm me propozimin që ai duket se do të mbështesë për kryetar Gjykate të Apelit.

Nëse sot do të ishte miratuar reforma në drejtësi dhe këto kanditatura që konkurrojnë nesër, do t’i nënshtroheshin procesit të “vetingut”, si nga ana profesionale, nga edukimi, ashtu dhe nga testi i integritetit, ata do ta humbisnin atë.

Atëhere përse duhet të votohen disa javë para reformës njerëz që mund t’i heqë reforma në drejtësi?

Përgjigjia është e qartë. Bujar Nishani është i sigurtë dhe i siguruar, se nuk do të miratohet reforma në drejtësi dhe është duke vazhduar punën e tij për kapjen e sistemit me njerëz të komandueshëm nga Familja. Ky është ilustrimi më i mirë i asaj që ai vet nuk beson tek reforma në drejtësi dhe as tek kriteret e ligjit të dekriminalizimit.

Dorën për këta gjyqtarë do ta ngrejnë mes të tjerësh anëtarë të KLD që janë në listat e zeza të SHBA, apo që kanë konflikt të hapur interesi me kandidaturat. E gjitha kjo është një tallje publike me reformën në drejtësi dhe një shenjë, që ajo është ende larg zyrës së presidentit, i cili vazhdon të komandojë dhe korruptojë sistemin e drejtësisë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.022127866744995
array(1) { ["section"]=> string(60) "nje-arsye-pse-nishani-nuk-beson-te-reforma-ne-drejtesi-34425" }