Një kartolinë për prindërit e mi

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:06 22-12-2015 Një kartolinë për prindërit e mi Anila Basha me prindërit

Nga Anila Basha

Shumë i shtrenjti babi im,

E palodhura nëna ime,

Ky vit për mua nuk erdhi si të gjithë të tjerët. Do të doja shumë që paqen, harmoninë, gëzimin, rehatinë, suksesin, dëshirat, t’i trokisnim jo vetëm në një gotë të vetme, por në një vit të tërë.

Po ja iku dhe një vit që na vuri përballë sfidash disi të vështira, por jo të pakapërcyeshme. Unë dhe ju të dy, jemi në “luftë” me kohën.

Nuk di sesi do ta lexojnë këtë kartolinë të gjatë urimi, prindërit e tjerë, që kanë vajza e djem që çdo ditë të vitit punojnë e luftojnë shumë të kapin kohën, atë që kanë humbur për të rikuperuar sadopak nga ato që nuk kanë bërë edhe pse i kanë dëshiruar shumë.

Më besoni, brenda vetes e ndjej se ndoshta nuk kam qenë vajza e përsosur. Ka netë që ju kam lënë pa gjumë, të tjera netë, jeni shqetësuar pse unë jam vetëm; në të tjera, keni menduar se çfarë do të donit ndryshe dhe padyshim, besoj, se ka shumë gjëra që do t’i donit të ishin ndryshe.

Por, jo çdo gjë e bëjmë me një të rënë të lapsit. Premtoj që vitin tjetër, do të mund të ndryshoj më të madhen e atyre që ju kërkoni, e që sigurisht, varen nga unë, dhe jo nga fati.

Tani, do të them dy fjalë për ju.

Po e filloj me ty, mami,

Unë nuk e di se ku e gjen forcën një grua si ty, që vitet e jetës të kanë lodhur pafund në një familje të madhe, me derën gjithmonë të hapur ndërsa prisje e përcillje pa fund njerëz pa thënë njëherë “boll”. Ti, që kur të shoh herë pas here (jo përditë sepse nuk mund të udhëtoj çdo ditë në Lushnje), pra, sa herë që të shoh, të shoh me një rrudhë të shtuar në fytyrë. Më thua shpesh se kur ke qenë vajzë e re këto nuk i ke pasur, dhe fotot, ato që na kthejnë pas në kujtime, e tregojnë më së miri këtë gjë. E ndërsa unë nuk jam e përsosur, ti ke qenë nëna e përsosur, e dhembshur, plot dashuri, e palodhur “deri në dhimbje” siç thotë Kadare.

Ti, nëna ime e shtrenjtë, edhe pse vitet të lodhën aksioneve kolektive të detyruara, e ndërkohë, pushteti të qërronte sytë deri në ekstrem për të bërë normën poshtë një makine qepëse, nuk je lodhur në asnjë çast për t’u kujdesur nga gjërat e vogla, tek ato më të mëdhatë, për familjen tënde të madhe.

Të garantoj, sot për sot, ti je motivi që familja jonë e madhe mban dhe ruan optimizmin dhe shpresën se familja s’mund të ketë gëzim më të madh, sesa ai për nënën.

Unë nuk dua ti kujtoj lotët e tu të fshehur, kur ndërsa ndez zjarrin e sobës çdo mëngjes, i derdh në fshehtësi, pa të parë kush, sepse ti nuk do ta tregosh trishtimin që të kap ndonjëherë. Nëpërmjet kësaj kartoline, dua të të them: lëri lotët, unë e di se çdonjëri që pikon për mua dhe për fëmijët e bashkëshortin tend, janë dhimbje. Por, nuk kemi nevojë për to. Kemi nevojë për ty, babi, unë, fëmijet e nipërit e mbesat që ti i ke, dhe që ta bëjnë çdo ditë e më të bukur jetën, sa herë i dëgjon në telefon apo i shikon përballë. Praktikisht mama, ti je gruaja që punon 24 orë në 24, pa u paguar në vlerë monetare, por e shpërblyer me dashurinë, respektin, afeksionin dhe ndriçmimin që kanë sytë e tu. Ndaj sa herë kur të shoh, të puth sytë.

Tani, babi dy fjalë dua të ti them ty…

Nuk kam njohur dhe nuk do të njoh një burrë me kaq kurajo sa ti. Ndonjëherë them se Zoti duhet të më japë forcë të bëhem si ty. Kur për herë të parë mësova për sëmundjen tënde, doktorët, as mi ndalnin dot lotët që rridhnin faqeve parreshtur, kur duhet të qetësohesha dhe s’gjeja kurajon; kur duhet të vrapoja për të të ardhur në shtratin e spitalit dhe të të thosha se nuk kishe asgjë dhe analizat kishin dalë shumë mirë.

Pastaj m’u desh pak kohë të mendohesha, dhe në një shëtitje disi të gjatë në makinë, të fola për sëmundjen, dhe të thashë: babi, këtë sëmundje, do ta mundim bashkë: ti me dëshirën dhe vullnetin për të jetuar, dhe unë pranë teje për të asistuar në çdo moment.

E që nga mesi i vitit, kështu ka kaluar kjo gjysma e vitit 2015, mes përpjekjesh dhe vështirësish, por ti, ndryshe nga unë, je më i fortë.  Asnjëherë nuk ankohesh, dorëzohesh, idhnohesh, apo inatosesh. Ti, nuk u lodhe nga operacioni i vështirë, siç ndodhi me mua, as nga kurat e vështira që të duhet të përballosh dhe që të mundojnë shumë dhe unë e di.

Pyes veten ndonjëherë se ku e gjen forcën, ti ati im. Dhe e gjej përgjigjen. Te vitet e rënda të vuajtjes gjatë komunizmit kur punoje orë e paorë për të mbajtur familjen e madhe vetëm me një tollonë. Kur detyrat dhe detyrimet, nuk ishin vetëm për familjen tënde të madhe, por edhe reagimin në shoqëri. Kur nuk harroje të përfundoje punën e të vije në takimet e shkollës e të pyesje mësuesit për tre fëmijët e tu. Kur luftoje për të mbajtur marrëdhëniet me miqtë e shokët, që edhe sot, të nderojnë e të respektojnë në qytetin ku u rritëm. Pra ti, gjithë këtë forcë e ke të akumuluar ndër vite. Edhe në kohën kur fillimi i tranzicionit të gjeti në emigracion. Që edhe pse në një moshë të konsiderueshme, t’u desh të punoje pa fund. Ndaj ti babi im, ke admirimin tim të madh deri në adhurim, për forcën, vullnetin, arsyen e argumentin që nuk të mungon.

Sot më vjen mirë që në këto ditë të vështira unë dhe dy fëmijët e tu të tjerë janë krah teje. Për të përballuar bashkë këtë sëmundje të keqe që na trokiti në derë, dhe me dashurinë, vullnetin e forcën që na karakterizon, ta hedhim tutje. Nuk do të ketë kartolinë më të bukur për mua sesa vitin 2016 të trokasim gotat sërish për t’i thënë njëri tjetrit Gëzuar, jo se kaloi edhe një vit, por sepse ky vit na bëri më të fortë bashkë.

Sepse familja jonë e madhe, është model e shembull për familjet shqiptare. Dhe më besoni, shkruaj e raportoj përditë lajme dhe ngjarje tragjike nga familjet shqiptare: ku vëllai vret vëllain për një rryp toke; ku djali dhunon nënën e motrën se kërkon të marrë edhe qindarkat e fundit nga shtëpia; ku fëmijët kërkojnë t’i çojnë prindërit e tyre në azil apo ti nxjerrin në rrugë sepse nuk duan të ndajnë pasurinë; ku të pasurit, mendojnë të shkojnë me pushime jashtë vendit pa e kthyer kokën për të parë prindërit e tyre në festat e fundvitit, e ku të varfërit, mbledhin edhe kafshatën e fundit për ta ndarë mes njëri tjetrit.

Jetojmë në një shoqëri ku fëmijët nuk duan të studiojnë e të lexojnë më, ndërsa nipi im do të diplomohet doktor në Athinë e ime mbesë një juriste e shkëlqyer në Tiranë. Jetojmë në një shoqëri ku djali nuk do që të punojë, por të jetojë me pensionin e të atit, e vajza ankohet për persekutimin nga familja e burrit. Tek familja jonë e madhe, kjo nuk ekziston.

Ndaj kjo kartolinë urimi në këtë fundvit vjen për ju të dy, mami dhe babi, si modeli i prindërve që ditët në ditë të vështira e të mira, të mbani këtë familje të madhe, të fortë, plot optimizëm, pasion, dëshirë e dashuri për librin e punën, jo për paratë e luksin; ju ditët të mbanit këtë familje të madhe duke na folur për sinqeritetin dhe harmoninë, jo për sherrin dhe inatet; ju ditët të mbani këtë familje të madhe për kurajon dhe iniciativën; jo për apatinë, zymtësinë e rënien në pesimizëm…

Shpresoj që këto fjalë zemre të mos jenë vetëm për ju. Por edhe për të gjithë prindërit e tjerë që me vullnet, pasion, energji e dashuri, mbajtën të bashkuara familjet e tyre, pavarësisht vështirësive të vitit që sapo lamë pas. Dhe me urimin e madh që viti tjetër të na gjejë të gjithëve kështu, të bashkuar, për të qenë një model sesi duhet të jetë një familje shqiptare.

Gëzuar!

nila2.jpg

prinder.jpg

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.006950855255127
array(1) { ["section"]=> string(38) "nje-kartoline-per-prinderit-e-mi-28337" }