Një kurs gazetarie, si ky i yni, nga politika, gazetaria, menaxhimi e emigrimi (PERSONAZHE)

Publikuar tek: kulture-art, më 12:43 01-09-2017 Një kurs gazetarie, si ky i yni, nga politika, gazetaria, menaxhimi e emigrimi (PERSONAZHE) Ish-studentët e gazetarisë të viteve '95-'99

Vitet për ne vrapuan furishëm, por nuk u harruam. Ja ku jemi thuajse të gjithë pas 18 vjetësh, ish-studentët e gazetarisë të viteve '95-'99. Koha ndali diku në një prej restoranteve në zemër të Tiranës.

Dikur, ndoshta do të kishim ëndërruar edhe për këtë vit, por për ne, e ardhmja u bë sot. Atëhere 18 vjeçarë të zhurmshëm, rebelë dhe plot pasion, që kishim fituar degën e gazetarisë, ndërsa sot pas 18 vitesh me më shumë eksperiencë dhe maturi.

Thuajse të gjithë përpiqen të ruajnë ekuilibrin mes fëmijëve, familjes, punës dhe plot angazhimeve të tjera. Darka që vazhdoi deri në të gdhirë, më shumë se çdo gjë kishte mall dhe shumë dashuri. Të gjithë e kanë përshkuar rrugëtimin si gazetarë, disa vazhdojnë t’i qendrojnë besnikë e disa jo, por mos e shihni si "tradhëti", idealet e rishtarit nuk i përngjisin realitetit.

Ne, studentët e viteve '95-'99 të cilësuar si ndër grupet më të mira të dalë nga Dega e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës ishim përpara pasqyrës.

Historia e parë që na habiti ishte ajo e Suela Minos, nënë e dy fëmijëve e cila e braktisi Tiranën për Lezhën. Pasioni i saj ishin librat dhe mes tyre ishte, si drejtore e biblotekës së Lezhës. Me të njëjtën çiltërsi, na foli për projektin e biblotekës lëvizëze që nuk ishte aplikuar në bashki të tjera. Ajo vetë udhëtonte në çdo fshat dhe takonte fëmijë të entuziasmuar e plot dëshirë për të prekur e lexuar librat. Goo Suela!

Gentina Kasi, nënshtetase kanadeze është vajza që u bë sebep të na mblidhte. Sot, nënë e dy fëmijëve, ajo bashkë me familjen ishin vendosur në Mynih, ku dhe jepte mësimin e gjuhës angleze në një shkollë fillore, pas një eskperience tw gjatë si mësuese anglishteje dhe frëngjishteje ne Kanada. Vetëbesimi tregonte se sfidat ishin kaluar me sukses.

Alma Bici, ish-studentja lozonjare dhe çapkëne ka "çimentuar" prej vitesh pozicionin e saj si drejtore e Marrëdhënieve Publike, në një prej kompanive private më prestigjoze në vend. E shohim në çdo panel dhe komunikimin me median, por sfida e saj ishte tjetër. "Do të punoj këto muaj me orar të shkurtuar- tregon ajo- për të përfunduar doktoraturën e nisur në një prej universiteteve të Britanise së Madhe, pikërisht për punën që kryej" - dhe sytë i shkëlqenin. Suksese Alma!

Elton Tafaruçi është shumë i qartë për të ardhmen. Megjithëse përfundoi shkollën për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike në Itali, atij nuk i humbi pasioni për gazetarinë dhe iu rikthye sërish asaj. Mungesa e vlerësimit të gazetarëve në disa prej newsroom-eve ku ai punoi, e detyroi të sfidonte me sukses veten në menaxhimin e një kompanie private, larg zallamahisë së gazetave dhe gazetarëve. Ec aty Toni!

Ada Heqimi, gazetarja jonë organizative e palodhur dhe gjithnjë dashamirëse ka zgjedhur një profesion jo shumë larg medias, pas viteve te gjata si gazetare e lajmeve ndërkombetare. Sot, punon më një projekt të USAID-it për Drejtësinë në pozicionin e koordinatores për median. Ashtu siç ka dashur gjithnjë, e orientuar nga njerëzit ajo është në kontakt të vazhdueshëm me gazetarët dhe organizatat e shoqerisë civile në të gjithë vendin.

Armela Imeraj Krasniqi është vajza që e kemi parë gjithnjë në krah të Edi Ramës.Prej shumë vitesh drejton zyrën e shtypit të kryeministrit. Është ajo me listën me të gjatë të numrave të telefonit dhe e-maileve në vend, vec atyre tonave. Nuk është pak të punosh me PR e Kryeministrit, por ja që këtë punë, e kryen më së miri Armela.

Alida Cenaj dikur gazetare në TVA dhe kryeredaktore e disa revistave prestigjoze në vend, ka zgjedhur më në fund atë që pëlqen më shumë, të jetë pjesë e zhvillimit të zonave turistike dhe promovimit të vlerave turistike, trashëgimisë dhe kulinarisë. Vështirë ta gjesh në zyrë, Alida është gjithnjë në lëvizje. Mes nesh e kemi quajtur "gjermane" për mendimet e vendimet e prera dhe kur ja përsërisim sot, ajo shpërthen me të qeshurën e ndonjë fjali thumbuese.

Nuk besoj se ka nga ata që nuk e njohin Lindita Çelën, gazetarja e agjencisë investigative Birn, e cila ka nderuar komunitetin e gazetareve investigative me çmimin SEEMO për investigimin më të mirë të vitit. "Në fund të vitit do të udhëtoj në Johanesburg, atje ku do të mbahet edhe konferenca e gazetarëve investigativë të të gjithë globit” thotë Lindita, jo pa krenari, që do të përfaqësojë Shqipërinë atje. Bravo Lindita!

Lutjana Konomi nuk e ka hiç pishman që nuk është pjesë e gazetarisë së shkruar. Sot, është Drejtoreshë e Marketingut të një prej bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Ishte ajo që na bëri suprizë fotot e festës së pas-diplomimit, duke kërkuar të riprodhonimit të ngjashëm, njësoj si pas 18 vjetësh. Lutjana duket se e ka gjetur ekuilibrin mes familjes dhe punës, ndërsa ne e ngacmojmë për këtë kalim nga “letrat” tek “lekët”. Përpara Luti!

Alida Tota nuk është vajza e panjohur për lexuesit. Me një eksperiencë të gjatë si gazetare, ajo mbetet një nga vajzat më të dashura të grupit. Kujtuam gjatë festës fletoret e saj aq të rregullta, që pa kursim ua jepte të gjithëve. Lexuesit e njohin si gazetaren që u pushua nga puna me një televizion privat për investigimin e ndërprerë mbi vdekjen e djaloshit Ardit Gjoklaj në fushën e grumbullimit të plehrave në Tiranë.

Denion Ndrenika nuk i ndahet gazetarisë. Ai vazhdon të punojë për “Ilyria”, një agjenci lajmesh shqiptare, me qendër në SHBA. Një opozitar i pandreqshëm, nuk ka hequr dorë nga gazetaria, me lajmet ecën bashkë çdo ditë. Ne na bën gjithmonë të qeshim sepse formon një dyshe debati të pandalshëm me Armelën, që më shumë se çdo gjë, na bëjnë të qeshim me lot.

Juli Prifti, një nënë dhe profesioniste e përkushtuar. Ajo nuk i është ndarë gazetarisë dhe aktualisht drejton redaksinë e korrespondentëve në televizionin privat “Ora News”. Profesionin ajo e do përtej vështirësive dhe përpiqet të zgjojë cdo ditë pasionin për punën. Shkëlqimi nuk ishte shuar syve të saj dhe e tregoi me fjalë sa e lumtur ishte për këtë ribashkim. Na ke në whatsapp Juli!

Megjithëse nuk ishte e pranishme në festën tonë, Floriana Koka, kryebashkiakja e Sarandës na përshendeti të gjithëve me shumë dashuri përmes grupit të hapur në whatsapp. Ajo drejton një bashki me plot problematike, e anatemuar dhe shpeshherë e pambrojtur. Me elokuencën dhe përulësi ka ditur t’u japë përgjigje të gjitha akuzave kundër saj, e vetme në betejë, pa pasur ndonjë mbështetje të madhe.

Shpirti latin, vajza energjike Erisa Zykaj na mungoi kësaj herë në shumë kuptime. Ajo është korrespondentja nga Brukseli që flet gjithmonë për integrimin e Shqipërisë në BE, duke mbuluar takimet e larta, por duke mos harruar komunitetin e shqiptarëve në Belgjikë. Me flokët kaçurrela, ajo na shfaqet në shumë kronika në median private kombëtare. Për ne është jo vetëm mikëpritësja në Bruksel, por një “watchdog” nga kryeqyteti europian. Zv.Presidente e Press Club Brussels, anëtare e Këshillit të Shoqatës Ndërkombëtare të Shtypit dhe tashmë një doktoraturë për BE-në, duket se plotëson gjithë kuadrin që Erisa, të jetë ndoshta gazetarja shqiptare që na përfaqëson më shumë në Evropë. Ole Erisa!

Suela Musta, vajza këmbëngulëse e bankave të shkollës por më pas edhe çdo lloj detyre tjetër që mori përsipër të bëjë, na mungojë te tavolina jonë e festës; por në fakt, nuk mungoi me mesazhet e saj gjatë gjithë mbrëmjes. Këmbëngulëse në shkollë, këmbëngulëse në jetë, Suela pas një eksperience të gjatë në kuvendin e Shqipërisë, tashmë, është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të AMA, (Autoriteti i Mediave Audiovizive); duhet thënë, kujdeset për të na vënë në “brazdë” të gjithëve, edhe pse dyshojmë se është paksa e vështirë!!!

Nuk do të kishte patur kuptim kjo festë pa djemtë nga Kosova, Naser Haziri, përgjegjes për Mbrojtje dhe Shpëtimin në Komunën e Vitisë, Besnik Kada, Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë i Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bekim Hasanit, këshilltar për skemën programore të RTK-së dhe President i Unionit të Radiotelevizioneve Internacionale (URTI) . I kemi dashur shumë çunat e Kosovës dhe krenohemi me këtë lidhje të pashkëputur me ta. Ata vetëm për të qëndruar 8 orë me ne, udhëtuan dhe u kthyen brenda natës. Të duam Kosova!

Dhë në fund, sheqeri i të gjithë grupit mbetet Rezarta Delisula, për të cilën koha duket se nuk ka lëvizur fare. Ashtu siç ka qenë në fakultet, e shkathët, lozonjare dhe plot humor mund të drejtojë me po të njëjtën energji, tavolinat deri në të gdhirë. Sot ka përgjegjësinë e drejtimit të Gazeta Shqiptare, dhe pavarësisht vështirësive që na tregon për mbajtjen akoma gjallë të frymës të shtypit të shkruar, ajo vazhdon me po të njëjtin përkushtim tu përgjigjet njerëzve dhe kolegëve të redaksisë. Mos ndrysho Delisula!

Anila Basha nuk do ta kishte shkruar dot vetë këtë, meqë po publikohet në newsbomb, nuk po e themi autorin, por nuk mund të mbetet jashtë këtij grupi “zhurmaxhi”. Ajo është sot sipërmarrëse në gazetari, është vajza luftarake që nuk dorëzohet për asnjë sekondë. Vrapon çdo mëngjes dhe po ashtu edhe me shpirt. Basha na është gjendur të gjithëve, mbi të gjitha me zemrën e saj të mirë. Dolli për Bashën!

Përshendesim me shumë dashuri djemtë e sukseshëm nga Maqedonia, Naser Pajazitin e RTV21 në Shkup, Dashnim Hebibinin që nga media kaloi në Institutin Shkencor Helvetik për Europën Juglindore dhe Shemsedin Ibrahimin, qe drejton marrëdhëniet publike në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë dhe gazetaren Aurora Velajn, nënshtetase kanadeze që nuk mundi të ishte në festën tonë.

Festa vërtetë mbaroi, por sot vërshuan në grupin e whatsapp-it urimet për “Kurban Bajramin” nga të gjithë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Ky është grupi ’95-’99, këta jemi ne.

*Ky shkrim eshte kontribut i te gjithe gazetareve te brezit 1995-1999 te Universitetit Histori – Filologji ne Tirane, dega Gazetari

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ju bezdis klori në ujë? Kjo është zgjidhja efikase që ju ndihmon ta largoni
Djali që lante sallatën në Tiranë, shef guzhine në jug...Përjetimet e pushimeve nga një kryeguzhinier »
Article Logic
Execution time: 0.014332056045532
array(1) { ["section"]=> string(91) "nje-kurs-gazetarie-si-ky-i-yni-nga-politika-gazetaria-menaxhimi-e-emigrimi-personazhe-90841" }