Një SHQIPTAR i madh është INXHINIERI I VITIT 2018 për të gjithë Evropën, ky është KARL GEGA

Publikuar tek: kulture-art, më 19:13 23-03-2018 Një SHQIPTAR i madh është INXHINIERI I VITIT 2018 për të gjithë Evropën, ky është KARL GEGA Karl Gega, Inxhinieri Gjeodet i vitit 2018

Viti 2018, i cilësuar si viti i heroit tonë kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeut” është me të vërtetë një vit jubile po aq edhe i veçantë.

Madhështisë së këtij viti i shtohet edhe përkujtimi i një prej kolosëve me origjinë shqipëtare, inxhinieri i madh Karl Gega.

Shoqata profesionale e Inxhinierëve Gjeodet të Shqipërisë në bashkëpunim me Dhomën e Inxhinierëve Austriak me seli në Vjenë, gjatë asamblesë së përgjithshme të CLGE-së (The Council of European Geodetic Surveyors) të mbajtur në Tiranë në datat 17-19 Mars 2016, propozuan pranë këtij Këshilli që Inxhinieri i vitit 2018 të ishte Karl Gega. Ky propozim u mbështet në unanimitet, fillimisht në bordin e CLGE e më pas në asamble, ku marrin pjesë rreth 30 përfaqësues shtetesh europiane.

Lajmi që Karl Gega do të ishte Inxhinieri Gjeodet i vitit 2018 na gëzoi pa masë duke qenë se nismëtar të këtij propozimi ishim pikërisht ne profesionistët shqiptar, por duke pasur edhe bashkëpunimin e kolegëve austriak, italian, etj. Gjatë gjithë periudhës së organizimit, për këtë event janë mbajtur takime në Tiranë, Kosovë, Vjenë, Bruksel por edhe në shumë vende të tjera anëtare të CLGE. Fati i madh i joni dhe jo rastësisht është se Këshilli i Gjeodetëve të Europës (CLGE) do të zhvilloj mbledhjen e asamblesë së përgjithshme në Kosovë, po në vitin 2018. Mbledhje e cila ishte propozuar kohë më parë nga Murat Hoxha, Kryetar i Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës.

Pra mbledhja e asamblesë së përgjithshme në Kosovë do të hap punimet e saj në një sallë ovale, duke zbuluar posterin zyrtar të Karl Gegës, të miratuar tashmë dhe zgjedhur prej CLGE. Për punën e organizimit te eventit dhe hartimit të posterit është marrë kryesisht stafi i udhëhequr nga Jean-Yves Pirlot, ish presidenti i CLGE, mik i Gjeodetëve Shqiptar si dhe anëtar nderi i strukturës tonë profesionale.

Gjithashtu një meritë dhe kontribut shumë të madh në punët organizative por jo vetëm, ka edhe kolegu jonë Julian Ismaili i cili është përfaqësuesi i zërit të Gjeodetëve Shqiptar për europën. Për këtë event janë ftuar të jenë pjesë ambasadorët e Shqipërisë dhe Austrisë në Kosovë si dhe një numër i madh i delegatëve të asamblesë së CLGE nga gjithë europa.

Strukturat inxhinierike profesionale të Gjeodetëve janë të strukturuara qoftë në përfaqësim europian ku bëjmë pjesë edhe ne, por gjithashtu edhe në përfaqësim botëror. Struktura botërore e inxhinierëve në bashkëpunim me Këshillin e Gjeodetëve të Europës janë dakordësuar që inxhinieri Gjeodet i vitit mos të festohet në rang europian, por duke u zgjeruar në rangje profesionale botërore.

Ky ishte një lajm me të vërtetë i paparashikuar po aq edhe emocionues për të gjithë ne. Inxhinieri i vitit me origjinë shqiptare shpalohet në Amerikë dhe më konkretisht në Washington në zyrat qëndrore të Bankës Botërore e cila organizoi konferencën e tokës dhe varfërisë: “Qeverisja e tokës në një botë të ndërlidhur”.

Kush është Karl Gega: Më posht po paraqes një përmbledhje të shkurtër të jetës dhe veprës së Inxhinierit Karl Gega, marrë nga libri “Personalitete të Gjeodezisë Shqiptare” me autor Bledi Stefa.

Për të interesuarit libri gjithashtu ndodhet në bibliotekën kombëtare dhe atë të Fakutetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Informacioni për jetën dhe veprën e Karl Gegës është marrë edhe nga burime te tjera.

Karl Anton (Antonio) Gega Carl Ritter von Ghega Ritter von, titulli “Kalorës” (dekret mbetëror i dhënë nga Perandori Franc Jozef) Karl Gega lindi më 10 Janar të vitit 1802 në Venedik, vdiq më 14 Mars të vitit 1860 në Vjenë, mbas një sëmundje që për termat e kohës mund të konsiderohet si tuberkulozi.

Ishte inxhinier me prejardhje shqiptare, ndërtues i hekurudhës së Semmering-ut prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag në Austri. Prindërit e tij kishin prejardhje shqiptare. Babai i tij Antonio, punonte si zyrtar gubernial në administratë. Rreth 1820 braktis Venedikun duke ndaluar ne Austri. Këtë herë me një profesion tjetër, toger dhe kapiten në Marinën e Perandorisë Austriake.

Antonio kishte parashikuar që djali i tij do të bëhej oficer marine, duke ndjekur gjurmët e tij dhe duke kontribuar në Marinën e Perandorisë Austriake. Por kjo gjë zgjati vetëm 12 vjet. Karl Gega kishte tre motra dhe në këto kushte pritshmëria e babait të tij ishte shumë e madhe.

Në një kohë të shkurtër, rrethanat e përgjithshme dhe pozitat e të atit ndryshuan. Në këto kushte ai e mirëpriti mundësinë që ju dha duke ndjekur aftësitë e djalit të tij.

Karl Gega studioi në Padova (Itali), ku në moshën 17 vjeçare mori titullin doktor i shkencave matematikore (viti 1819). Ndërsa në vitin 1820 i vdes i ati duke e lënë të vetëm mes katër femrave, e ëma dhe tre motrat.

Karrierën si inxhinier e filloi me ndërtime rrugësh, ujësjellësash dhe ndërtime civile, në Venedik. Ndër të tjera ndihmoi në ndërtimin e rrugës “Strada d’alemagna”, rrugës nga Treviso për në Cortina d'Ampezzo. Prej vitit 1836 deri më 1840 ishte udhëheqës i ndërtimit për pjesën e rrugës hekurudhore “Kaiser-Ferdinand-Nordbahn” prej Ludenburg deri në Brünn (Brno). Gjatë kësaj kohe (1836 – 1837) studioi shkencat hekurudhore në Angli dhe në shtete të tjera evropiane.

Ai fliste tre gjuhë të ndryshme, Italisht, Frengjisht dhe Gjermanisht. Në vitin 1833 Karl Gega shpik një instrument matës që shërbeu për tërheqjen e linjave harkore.

Kjo risi linte të kuptonte që (për kohën) Karl Gega tashmë ishte një Gjeodet i cili po shpikte dhe po aplikonte gjeodezinë dhe punimet e saj.

Në vitin 1842 Gega u emërua udhëheqës planifikimi për të gjithë Jugun e shtetit Austro-hungarez dhe për këtë arsye ndërmori një udhëtim studiues në Amerikë. Njohuritë nga kjo ekspeditë Gega nuk i përdori vetëm për planifikimin e hekurudhës së Semmering-ut, por i publikoi edhe në dy vepra.

Gega publikoi shumicën e shkrimeve të tij jo vetëm në gjuhën gjermane por në të njëjtën kohë edhe në italisht dhe frëngjisht. Pas kthimit të tij nga Amerika u ngarkua me planifikimin dhe ndërtimin e hekurudhës në drejtim të jugut, nga Mürzzushlag, nëpër Grac dhe prej aty deri në Trieste.

Tejkalimi i malit të Semmering-ut llogaritej nga shumë bashkëkohës të tij si shumë i rëndë edhe si i pamundur. Ai në vitin 1844 mbaroi planin, i cili parashihte kalimin e malit pa rrota me dhëmbë por me lokomotiva normale. Para se të vendosej për ndërtimin e hekurudhës, Gega nisi me konstruksionin e një lokomotive, e cila mund ti përballonte pjerrtësitë e tilla. Hekurudha filloi më 1848 të ndërtohet. Para mbarimit të saj më 1854, ai fitoi titullin “Ritter von” (Kalorës, dekret mbetëror i dhënë nga Franc Jozef, viti 1851).

Në vitet 1853-1854 Gega planifikoi tërë rrjetën e hekurudhave të të gjithë monarkisë Habsburgase. Mbas ndërtimit të hekurudhës së Semeringut, kredibiliteti i Karl Gegës rritet ndjeshëm dhe vlerësohet nga Perandoria Austriake. Në vitet më pas ju dha detyra e planifikimit të rrugës hekurudhore në Siebenbürgen mirëpo ai nuk arriti të përfundoj këtë projekt. Gega vdiq më 14 Mars 1860 në Vjenë nga pasojat e sëmundjes së tuberkulozit. Ceremonia fetare është zhvilluar në Katedralen kryesore të Vjenës, Shën-Stefan (Stephansdom), kurse trupi u varros në varrezat e Ëähringer-it ne Vjenë. Më 1887, kur këto varreza u shpërngulën, sarkofagu me eshtrat e Gegës u vendos në panteonin e njerëzve më te shquar të Austrisë, pranë Mozart-it, Beethoven-it, Schubert-it, Strauss-it, Brahms-it dhe Alois Negrell-it (projektuesit të kanalit të Suezit).

Shoqata e Inxhinierëve Austriak, me fondet e mbledhura ngre përmendoren e Gegës te varri dhe monumentin në stacionin hekurudhor Zemering. Me tepricën e fondeve u krijua Fondacioni “Gega” të hollat e të cilit shkonin për teknikët dhe nxënësit me rezultate të larta. Nga Ing. Bledi Stefa Koordinator i Përgjithshëm Shoqata e Gjeodetëve të Shqipërisë

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « ARBERESHËT “tundin” PALERMON, fillojnë festimet e “Javës së Madhe”, shihen me kuriozitet KOSTUMET
»
Article Logic
Execution time: 0.0048060417175293
array(1) { ["section"]=> string(97) "nje-shqiptar-i-madh-eshte-inxhinieri-i-vitit-2018-per-te-gjithe-evropen-ky-eshte-karl-gega-114299" }