Nuk ngjan kohë dëshmorësh, por ja që dëshmorë ka

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:25 06-05-2019 Nuk ngjan kohë dëshmorësh, por ja që dëshmorë ka Zarife Hasanaj

Nga Sonila Meço

Zarifja, 32 vjeçare, efektive e Forcave të Armatosura, në misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s në Letoni humbi jetën si pjesë e grupit xhenier në asgjësimin e municioneve dhe lëndëve eksplozive të paplasura.

Me të u plagosën Klodiani dhe Juliani.

Kur diplomacia dyshonte për nevojën e ekzistencës së NATO-s me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Shqipëria e vogël nxitonte të kapte rreshtimin në kahun e duhur të historisë. Dhe kish shumë rëndësi për ne, garanci, siguri, standarde të botës së civilizuar, mbrojtje e të drejtave të njeriut e mekanizmave të demokracisë.

Brenda Shqipërisë, burra me namuz të madh e krekosje gushpërpjetë nuk ia dolën të sakrifikojnë ca nga egoizmi dhe mania për pushtet, grykësia për pasuri dhe ambicja e shfrenuar për sundim absolut, për ta sjellë filozofinë e standardeve të NATO-s në Shqipëri.

Një vajzë, nëntetare, tashmë shuar shpërthimit, komandanti dhe rreshteri i Kontigjentit, të dy të plagosur dhe gjithë grupi shqiptar në mision, me devotshmëri, duke respektuar parimet e Aleancës, në emër të sigurisë së përbashkët, për garantim paqeje, jetë e të drejtash njeriu, përballeshin me vdekjen çdo ditë.

Do burrni të ndërtosh paqen në kohë e vende me gjurmë lufte, por të ndërtosh luftën në kohë e vende paqeje do vetëm maskarallëk. Zarifja na kujtoi çfarë sakrifice kërkon paqja, cfarë devotshmërie, disipline e përkushtimi, çfarë trimërie e besimi.

Në paçi dhimbje sot o njerëz që keni në dorë fatet e këtij vendi, nëse ju ka prekur e lënduar shuarja në krye të misionit e Zarifes, bijës që sot u pikëlloi shpirtin familjarëve e shqiptarëve, bëjini vetëm një nderim: premtojini se do të jeni si ajo! Misionarë të devotshëm të paqes dhe sigurisë për njerëzit në një botë standardesh demokratike. Dhe pranoni paburrërinë tuaj, që NATO-s nuk ditët t’ja ruani standardet brenda kufijve, po eksportuat në botë me djem e vajza të përkushtuar atë që s’ditët ta bënit për vendin tuaj.

Të qoftë dheu i lehtë në paqen e përjetshme Zarife!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026519060134888
array(1) { ["section"]=> string(54) "nuk-ngjan-kohe-deshmoresh-por-ja-qe-deshmore-ka-163165" }