ODIHR dhe raporti ynë i pazgjidhur me zgjedhjet

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:56 11-09-2015 ODIHR dhe raporti ynë i pazgjidhur me zgjedhjet

Nga Afrim Krasniqi

Misioni i ODIHR u publikoi raportin e tij mbi zgjedhjet lokale. Në një shkallë vlerësimi nga 1 (më i keqi) në 10 (më i miri) raporti ka notë kaluese 5 ose 6. Ai trajton të gjitha problematikat nga këndvështrimi i prioriteteve të ODIHR për zgjedhjet, pjesa më e madhe e të cilave përputhet edhe me prioritetet e demokracisë dhe të Shqipërisë. Natyrisht, ekzistojnë disa prioritete tonat të cilat nuk i gjejmë tek raporti, për shembull, mungon analiza, vlerësimi dhe rekomandimi për personat e inkriminuar që konkurruan dhe fituan në zgjedhje, mungon rekomandimi i qartë për një strukturë zgjedhore jopartiake (në zgjedhje dhe në funksionim), siç edhe nuk merr vëmendje sa duhet parimi ynë kushtetues i transparencës financiare apo çështje të tjera, si vota e emigrantëve, vota e shtetasve të BE rezident në Shqipëri, cilësia e përfaqësimit, kalkulimet elektorale me hartën e re territoriale, deformimi nga kuota gjinore në përfaqësimin real gjinor, etj.

ODIHR/OSBE vepron me dy nivele: politik dhe teknik. Në nivel politik zgjedhjet nuk janë vlerësuar as pozitivisht, as negativisht, duke mos dashur ti japin mbështetje pikëpamjes së qeverisë dhe as opozitës, por duke u dhënë njëherësh të dyjave alibi për të mbetur të kënaqur me raportin. Si një produkt kompromisi, raporti do të theksojë se zgjedhjet lokale mbeten argument i mjaftueshëm për ti thënë Shqipërisë se është ende shumë larg standardeve demokratike për anëtarësim në BE dhe për ti bërë presion politik elitës politike për më shumë reforma, seriozitet, akte demokratike dhe mbajtje premtimesh. Në nivel teknik raporti ndjek traditën, – sugjerime brenda kuadrit konsensual PS-PD, me risi kërkesën për depolitizimin e strukturës së administrimit zgjedhor. Më shumë se 20 rekomandimet e tjera janë dytësore, nuk prekin thelbin e problemit të përfaqësimit politik në Shqipëri dhe edhe nëse realizohen, nuk janë garanci se zgjedhjet 2017 do jenë më të mira. Sepse parakushti për 28 apo më shumë rekomandimet është e mbetet vullneti politik i partive, një nocion pa traditë, pa bazë qytetarie dhe pa themele morale e integriteti në Shqipëri.

Siç pritej, PD e cilësoi raportin më të keqin prej 12 viteve (duke harruar vlerësimin kategorik negativ të vitit 2011 apo skemën e Dushkut të madh 2005, deformuese për sistemin përfaqësues). Ajo u bazua në risinë e raportit, votuesit e intimiduar dhe blerjen e votës, diçka që ka ndodhur gjithnjë, por që në vitet e fundit është shndërruar në institucion. PS e cilësoi raportin më të mirin në 12 vite (duke harruar premtimin e Ramës se zgjedhjet e bëra prej tij do të jenë ndryshim radikal historik për standardin e votës dhe demokracisë). Ajo u bazua në faktin se raporti lavdëron ditën e zgjedhjeve dhe se thekson se numri i incidenteve ishte më i vogël se më parë (për shembull, për herë të parë nuk pati as të vrarë dhe as të plagosur me armë). I lexuar ashtu si nuk duhet, – përmes syzeve partiake, raporti i ODIHR humbi shansin të jetë pikë reflektimi dhe ndryshimi pozitiv për standardin që meriton një shoqëri e shtet kandidat për anëtarësim në BE. 48 orë pas retorikës pro e kundër, asnjë palë nuk flet më për të, dhe do duhet kohë që ndryshimet ligjore e administrative zgjedhore të kthehen në axhendën politike parlamentare.

Në vende si Shqipëria, kur bëhet rotacion politik ose ndryshohen ministrat nuk ndryshohet sistemi, shoqëria e kultura politike, por emrat e njerëzve në pushtet e në opozitë. Ndaj rotacioni 2013 humbi shansin të jetë ndryshim historik në cilësinë e zgjedhjeve. Zgjedhjet 2015 ishin zgjedhje të radhës, zgjedhje të traditës, një datë tjetër në historikun zgjedhor, asgjë më shumë. Për shumë arsye e njëjta pritshmëri do jetë edhe më 2017, sidomos edhe për shkak se atëherë do votohet pushteti dhe për pushtet, palët tona politike janë në gjendje të përdorin çdo mjet që justifikon qëllimin.

Atëherë çfarë mund të bëhet që të paktën të bëjmë një hap pozitiv përpara? Çfarë mund të ndryshohet brenda kësaj klime mosbesimi dhe mosndryshimi? Cilat janë çështjet kryesore që meritojnë përgjigje ligjore në Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin plotësues? Cilat janë problematikat që kërkojnë zgjidhje të pashmangshme, dhe që duhet bërë presion pozitiv të trajtohen në kohë, jo në ditët e fundit të mandatit parlamentar? Le të shohim çështjet kryesore.

Së pari, ndryshimi i sistemit zgjedhor. Kryeministri tha se Kuvendi nuk mund të jetë vend shkencëtarësh, në përgjigje të kërkesës civile që Kuvendi të mos jetë vend kriminelësh. Këta të fundit janë emëruar, nuk janë zgjedhur. Dekriminalizimi është opsion, nuk është garanci, – vetëm sovraniteti qytetar është e mbetet garanci. Një sistem i ri zgjedhor (proporcional me korrektim kombëtar dhe listë të hapur) duhet ti japë mundësi qytetarëve të zgjedhin individin dhe që vota të marrë të njëjtën vlerë në gjithë territorin. Përndryshe, le të mos bëjmë zgjedhje: marrim listat e gatshme të secilës parti dhe krijojmë një parlament të emëruar. Në praktikën e vitit 2013 u votua de facto vetëm për 25 deputetë, 115 de facto ishin zgjedhur pa u bërë zgjedhjet, nga vendosja në vendet e para të listës së partive kryesore.

Së dyti, vota e emigracionit dhe vota e lirë e qytetarëve. Shqipëria mbetet vendi i vetëm në kontinent që nuk lejon emigrantët e vet të votojnë. Formulë mund të jetë disa opsione: vota paraprake, vota e përqendruar, vota përmes asistencës së BE apo vota përfaqësuese me kuota fikse. Duhet vullnet dhe përgatitje në kohë (regjistrimi, identifikimi, infrastruktura, etj, etj), siç duhen më shumë garanci për votën qytetare në vend. Një legjislacion i qartë kundër politikave klienteliste dhe siç kryeministri thoshte në opozitë, që vjedh shtetin për të blerë vota për pushtetin, duhet ti japë përgjigje finale tregut të votave, kandidatëve dhe partive politike. Një model i thjeshtë organizimi që ti numërojë votat brenda 5-10 orëve, jo me ditë e javë siç fatkeqësisht është tradita jonë pengmarrëse në zona të veçanta zgjedhore. Modeli cek, polak, kroat apo slloven është pozitiv për tu ndjekur.

Së treti, për herë të parë Shqipëria meriton t’i japë fund praktikës së kontrollit bipartiak të administrimit zgjedhor. Shqipëria nuk ka nevojë për KQZ full time, le të kemi një sekretariat për zgjedhjet që vihet në punë kur kemi zgjedhje. Shqipëria nuk ka nevojë për militantë, bodigardë e drejtorë që numërojnë vota e kontrollojnë procesin. Le të reduktojmë komisionet nga 7 në 3 anëtarë, me punonjës vullnetarë, studentë, mësues, pensionistë, punonjës banke dhe një jurist nga gjykata/prokuroria/magjistratura në krye të tyre. Ata mund të ndjekin kurse kualifikimi zgjedhor, të cerfitikohen, të bëhen ekspertë për zgjedhjet (jo vetëm politike) dhe krijojnë traditën e administrimit profesional, – diçka ende e huaj për Shqipërinë. Shqipëria paguan 7.5 milion euro për trupën partiake zgjedhore, kur vende të tjera referuar numrit tanë të votuesve harxhojnë jo më shumë se 700-800 mijë euro, pra 10-11 herë më pak. Një llogari që duhet të konsiderohet për një vend të varfër dhe në krizë ekonomike si Shqipëria.

Së katërti, më në fund duhet gjetur zgjidhje për të zbatuar parimin kushtetues (neni 9) mbi transparencën financiare të partive politike dhe aktivitetit të tyre. Ato janë sot strukturat më informale në shoqëri, fushatat elektorale janë gropa më e madhe informale dhe korruptive, së bashku ato janë burimi më i madh i klientelës, abuzimit, deformimit, si dhe kërcënimi kryesor për sistemin e vlerave, transparencës dhe meritokracisë. Praktikat perëndimore janë të gatshme, le të marrim dhe ti zbatojmë edhe në Shqipëri.

Së fundi, a nuk është koha të debatojmë përse na duhen 140 deputetë, përse mbajmë një këmbë një sistem jo-përfaqësues në vlera e produktivitet, përse të kemi një parlament militant në vend të një modeli të maturuar parlamentar si struktura e reduktuar me dy dhoma (70 me 30), përse u kemi dhënë partive më shumë pushtet sesa u njeh Kushtetuta, përse mbajmë në këmbë struktura antikushtetuese si Kolegji Zgjedhor, përse nuk e liberalizojmë shansin për kandidatët e pavarur dhe grupimet e reja konkurruese, përse nuk zgjedhim Presidentin direkt nga qytetarët dhe përse çdo kandidat për kryeministër nuk kërkon votim nominal në procese zgjedhore? Janë pyetje luksi për mentalitetin tonë zgjedhor, por pyetje rutinë për të gjithë ata që shikojnë tej turmave, interesit ditor dhe kalkulimeve afatshkurtra.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.024144172668457
array(1) { ["section"]=> string(53) "odihr-dhe-raporti-yne-i-pazgjidhur-me-zgjedhjet-20544" }