Pakti Rama-Basha: Pasojat dhe pritshmerite politike

Publikuar tek: politike, më 10:07 12-07-2017 Pakti Rama-Basha: Pasojat dhe pritshmerite politike

Afrim Krasniqi 

Rreth dy muaj pas marrëveshjes ende teksti i plotë nuk është publik, ende palët nuk i kanë sqaruar elementët e “reformave” për të cilat kanë rënë dakord, ende opozita është politike në garë kundër kritikëve të kryetarit dhe bashkëqeverisëse teknike më kryeministrin e palës tjetër, ende mazhoranca fill pas zgjedhjeve politike vijon show mediatik “gju më gju me popullin” për të mësuar se çfarë mendojnë ata për qeverisjen, mendimet e arsyeshme e liberale vijojnë të refuzohen e gjuhen me gurë nga turma militante mavi ose blu, koha ka mbetur vendnumëro, sistemi politik është ende në krizë përfaqësimi dhe trafiku i votave e fut edhe në krizë legjitimiteti, kurse Shqipëria, vendi i liderëve të fortë dhe institucioneve të dobëta, vijon të vegjetojë në FB, në mbledhje partie ose në plazh!

Më poshtë gjendet analiza e plote e marreveshjes, vecorite e saj, impakti dhe pritshmerite ne "shtator". 

PAKTI RAMA-BASHA: PASOJAT DHE PRITSHMERITE POLITIKE

Marrëveshja, marrëveshja! Mesnatën e 17 majit dhe gjatë 18 majit 2017 dy kryetarët e partive të mëdha, Rama e Basha, zhvilluan bisedime, pasojë e të cilave ishte një marrëveshje politike. Natyrisht ishte ofertë më e mirë sesa thellimi i krizës. Dy palët e quajtën sukses historik. Secila shpalli fitoren e vet dhe secila tha se e bëri marrëveshjen, jo për veten, jo për partinë, por për Shqipërinë! Kështu kanë thënë 27 vjet autorët e mbi 61 marrëveshjeve të tjera politike, nga të cilat 16 të shkruara dhe pothuajse shumica të pazbatuara.

Marrëveshja e fundit ishte ndryshe dhe meriton të shihet ndryshe.

  • E para, sepse u bë në kulmin e një krize politike, ku opozita, përmes saj, pranoi dhënien fund të protestës part-time dhe hyrjen në zgjedhje.
  • E dyta, sepse krijoi eksperimentin me ministra teknikë opozitarë në një qeveri politike, të drejtuar nga kryetari i partisë tjetër.
  • E treta, sepse përcaktoi mënyrën e zhvillimit të fushatës elektorale dhe de facto i dha fund dilemave mbi rezultatin e pritshëm të votimit.
  • E katërta, sepse është e vetmja marrëveshje e pa firmosur nga palët dhe e pa miratuar në asnjë strukturë partiake respektive, as në PS dhe as në PD.
  • E pesta, sepse indirekt palët pranuan njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe legjitimitetit të tyre, pavarësisht se deri atë ditë njëra prej tyre ishte 100% kundër.
  • E gjashta, sepse marrëveshja i dha pushtet maksimal Ramës në PS dhe Bashës në PD, pra forcoi dukshëm pozitat personale të kryetarëve të partive politike.
  • E shtata, sepse i dha fund sistemit shumëpartiak politik dhe imponoi ecjen drejt sistemit dypartiak, duke penalizuar paraprakisht dhe përpara votimit, të gjitha partitë e tjera politike, përfshirë partitë e reja dhe partitë aleate tradicionale të dy partive të mëdha.
  • E teta, sepse për herë të parë pas 2005 PS e PD u rreshtuan kundër LSI, dhe programuan qeverisje të ardhshme pa mbështetjen e saj.
  • E nënta, sepse e shkaktuar nga debati i madh mbi kanabizimin dhe krimin politik në vend, marrëveshja pranoi se ato janë akte me mbështetje politike, ndaj përmes saj i dhanë fund këtij debati dhe zhduku nga retorika politike gjithçka që lidhej me kanabisin dhe krimin politik.
  • E dhjeta, sepse nxirri jashtë loje aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë EPP/PES dhe tregoi se kur bëhet fjalë për pushtet personal, liderit tanë politikë janë po kaq të aftë të bëjnë luftë e paqe.

A ka mbetur gjë tjetër pa u thënë nga marrëveshja? Ka dy detaje domethënës:

  • Së pari, dy kryetarët kanë rënë dakord të “institucionalizojnë dialogun mes kryetarit të mazhorancës dhe të opozitës”, pra jo midis partive, midis institucioneve politike, por midis atyre të dyve, nominalisht dhe personalisht.
  • Së dyti, dy kryetarët në vijim kanë rënë dakord që pas zgjedhjeve (në shtator 2017), të bëjnë së bashku reformë kushtetuese, reformë zgjedhore, reformë në prokurorime dhe reformë në menaxhimin e buxhetit shtetëror. E theksoj, pas zgjedhjeve, siç edhe citohet në variantin origjinal të marrëveshjes marrë nga faqja zyrtare e Partisë Demokratike, (me fillimin e legjislaturës së re). Kjo do të thotë, dy kryetarët nuk e kishin më prioritet rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, por projektuan post zgjedhjet dhe pushtetin e ri.

Zakonisht marrëveshje të tilla janë bërë edhe në vendet e tjera ish komuniste, kryesisht për një projekt të madh politik e kombëtar, si për shembull, për një projekt kombëtar të integrimit në BE apo për çështje të interesave kombëtare. Në marrëveshjen e 18 prillit nuk ka referim madhor, por aty thuhet se ky kontribut do jetë i vazhdueshëm dhe në funksion të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE! Pra, i “përbashkët dhe i vazhdueshëm”, gjë që i jep marrëveshjes vlerë afatgjatë.

marreveshja-politike.png

 

Cili ishte impakti i marrëveshjes në zgjedhjet e 25 qershorit? Ka disa lexime, por disa elementë tashmë janë provuar.

  • E para, kriza politike mori fund, zgjedhjet kaluan si ditëlindje gjimnazistësh, dy palët pranuan rezultatin, mazhoranca mori më shumë mandate sesa kërkonte, opozita humbi më shumë sesa priste, por dy palët janë konsensualisht të lumtura me rezultatin.
  • E dyta, dy kryetarët spastruan listat e tyre elektorale nga elementët kritikë, forcuan pozitat e tyre në partitë respektive, krijuan grupet e tyre preferenciale parlamentare dhe kështu, morën kontrollin politik për reformat “në fillimet e legjislaturës së re”.
  • E treta, elektorati e pati të vështirë të dallonte në fushatën elektorale vijën ku mbaronte PS e fillonte PD, të bënte diferencën midis Rilindjes dhe Republikës së Re dhe të zinte radhën për të hedhur votën. Ata, sidomos votuesit kritik ndaj qeverisë, zgjodhën protestën, heshtjen dhe refuzimin.
  • E katërta, marrëveshja nuk zgjidhi çështjen e sigurisë së votës, të fortët e të pasurit përsëri fituan mandate, ata më të pasurit blenë edhe më shumë vota, ata më me shumë pushtet e përdorën atë si edhe më parë, ca viktima burokratike, si 10-20 punonjës administrate të pushuar nga puna, nuk shënojnë ndonjë arritje cilësore, edhe pse klima e kontrollit nga task force u duk se ndaloi hovin revolucionar të militantëve të partive në zyrat e shtetit.

Çfarë pritet nga marrëveshja? Pothuajse pjesa më e madhe e saj nuk është konsumuar. “Në fillim të legjislaturës” do të duhet të shohim aktet konkrete. Vetë kryeministri arriti një sukses më të madh sesa 74 mandatet parlamentare, fitoren dhe kontrollin mbi opozitën, natyrisht me ndihmën e kësaj të fundit. Njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes flet për reformë kushtetuese, kalim në sistemin mazhoritar, sistemin me prim elektoral, uljen e numrit të deputetëve deri edhe zgjedhjet parlamentare cdo dy vjet, tjetri nuk i konfirmon asnjërën prej këtyre pikave, përkundrazi, projekton dialogun e “e përbashkët dhe të vazhdueshëm” me opozitën, pa marrë asgjë përsipër dhe pa jetësuar asnjë nga pritshmëritë publike të marrëveshjes.

Rreth dy muaj pas marrëveshjes ende teksti i plotë nuk është publik, ende palët nuk i kanë sqaruar elementët e “reformave” për të cilat kanë rënë dakord, ende opozita është politike në garë kundër kritikëve të kryetarit dhe bashkëqeverisëse teknike më kryeministrin e palës tjetër, ende mazhoranca fill pas zgjedhjeve politike vijon show mediatik “gju më gju me popullin” për të mësuar se çfarë mendojnë ata për qeverisjen, mendimet e arsyeshme e liberale vijojnë të refuzohen e gjuhen me gurë nga turma militante mavi ose blu, koha ka mbetur vendnumëro, sistemi politik është ende në krizë përfaqësimi dhe trafiku i votave e fut edhe në krizë legjitimiteti, kurse Shqipëria, vendi i liderëve të fortë dhe institucioneve të dobëta, vijon të vegjetojë ashtu sic di të bëjë më mirë, – në FB, në mbledhje partie ose në plazh, në dilema të mëdha midis ikjes, mbijetesës, apo shpresës se Zoti do të sjellë ditë më të mira!

Article Logic
Execution time: 0.016590118408203
array(1) { ["section"]=> string(56) "pakti-rama-basha-pasojat-dhe-pritshmerite-politike-85880" }