Panairi i të papunëve

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:23 04-05-2015 Panairi i të papunëve Edlira Gjoni

Pesë mijë vende pune u deklaruan si të hapura nga Panairi i Punës që u zhvillua javën e kaluar në Tiranë. Nëse janë apo jo kaq, ngelet ende e debatueshme. Por, çfarë nuk kundërshtohet dot është numri i aplikimeve në tre ditët e panarit, që e kaloi shifrën 15 mijë me formularët online apo të dorëzuar pranë stendave të kompanive pjesëmarrëse.

Ditën e dytë të panairit bëra një sondazh të thjeshtë në katin e parë. Mbi 25 stenda me grupime e sipërfaqe të ndryshme. Hapësirën më të madhe e zinin bankat. Numri i vendeve të punës që ofronin të kombinuara të gjitha bashkë nuk e kalonte 50-ën. Për nga hapësira, vendin e dytë e zinin kompanitë, zyrat apo projektet që promovojnë punët e tyre jo fort të kuptimta, por që ofrojnë zero vende punë në këtë panair. Pak më ngushtë, por dukshëm ishin edhe shkollat apo qendrat profesionale, që sërish, nuk ofrojnë punë, e as lidhje të drejtpërdrejta me biznesin në panair.

Po kush i ofronte pra këto 5 mijë vende pune?  Ngelet ende për t’u zbuluar, sepse kati i parë ofronte vetëm 650 vende pune dhe nga këto, rreth 600 i ofronin qendrat e shumta të Call Centres që zinin 2/3 e sipërfaqes në panair. Në po të njëjtin përpjesëtim ofronin edhe vendet e punës. “Sa përqind e punonjësve rrinë në kompani më shumë se një vit” – pyes në çdo stendë të qendrave telefonike. Përgjigja nuk vjen për pyetjen, por promovimi i punës dhe mundësive të arta që të rinjtë shqiptarë nuk duhet të humbasin, vjen me breshëri.

Pra nga 650 vende pune, 600 janë për në Call Center-a, me muaj të tërë prove trajnimi e stazhi, me pagesë në bazë të orëve të punës (jo ditëve), ose edhe pa pagesë fare. E në fund, paratë e premtuara mund të vijnë vetëm nëse je i zoti të kontribuosh në përqindje. Asgjë kundër punës në Call Centre apo kudo që të jetë. Por, kundër mashtrimeve në emër të punës, po. Dhe panairi i ngjante shumë një hiperbole me helium nga ekrani, e një trishtimi si fillim-vitet ’90 kur e përshkoje hap pas hapi.

Po pse në media thuhet 5 mijë vende pune kur maksimumi janë 650 në njërin kat e shumë më pak se kaq në krahun tjetër? Përse 57 vende gjithsej që kishte panairi për financiere, ekonomiste, infermiere, inxhinierë e punonjës administrate, nga mbi 20 kompani, trumbetohen si 5 mijë? Përfaqësuesit e disa stendave, me sofistikim të përsosur të modelit “Rakia bëhet nga rrushi” të shpjegojnë se vendet e punës nuk janë direkt në panair, por do të krijohen dhe nxiten përmes iniciativave dhe formulave magjike që do të shpikin hartuesit dhe shumëzuesit e mundësive të punësimit. Në përfundim të çdo iniciative të tillë të shpallur me zhurmë, shumëzimi bëhet me zero. Po deri atëherë panaire pune do vijë të ketë edhe më shumë.

Ku qëndron problemi? Ishin shumë pak vende punë, kishte shumë publicitet, ishin harxhuar shumë para për qeranë disa mijëra-euroshe që paguan gjithsecili pjesëmarrës për tendën e tij, dhe e gjithë zhurma mediatike e politike nuk e justifikon dot ironinë e mundësive të punësimit me kërkesën marramendëse për të.

Mbi 15 mijë aplikime për më pak se një mijë vende. Është tronditëse. Shumica e aplikantëve me diploma, por sipas punëmarrësve, pak prej tyre janë edhe me aftësi përveç diplomës. Ky është tjetër shqetësim, ama me apo atësitë dhe kompetencat e plota, të rinjtë kërkojnë dëshpërimisht punë. Se kategoria e të diplomuarve pas-universitarë nuk ka ikur ende në Gjermani. Ajo po provon shancin dhe po teston fjalët e politikës për t’u sistemuar në vendin që punë ka e puna do shtohet.

Nga ana tjetër, disa prej kompanive bezdiseshin t’i pyesje për punë. “Jemi këtu për të treguar se ne jemi lider në treg me shërbimet tona” – promovonte pa pikë pasioni një vajzë që mbante në dorë fletëpalosje të palexuara nga kompania e saj.

Pra interes të gjitha palët kanë: maxhoranca qeverisëse do aktivitete e mundësi të tregojë se me punësimin gjendja nuk është aq e zezë sa u duket shqiptarëve që ikin. Kompanitë duan të shesin shtrenjtë sapuni e tyre si djathë. Dhe punë-kërkuesit duan sadopak mundësi dhe shpresë së një ditë vërtet mund t’ju bjerë telefoni apo të ndizet sinjali tek e-maili dhe ndonjëra nga kompanitë e pakta prezente, do i thërrasë për intervistë pune. Kjo ndodh. Por si bora në gusht, shancet i goxha të rralla telefoni të bjerë për punë. Dhe gjithë propaganda e përvitshme që bëjnë qeveri që ikin e qeveri që vijnë për punësimin, shndërrohet në vrasës të ngadalë jo vetëm të besimit në mrekullinë “punë”, por edhe të shpresës se kjo mund të ndodhë pa ndërhyrjen e Zotit ( që në këtë rast mund të jetë i njohur, familjar, mik apo mik pas miku në çadrat partiake).

Panairi i punës lidhi kompanitë me politikën, qeradhënësit me Pallatin e Kongreseve, reklamën me konsumatorin, investimin me imazhin. Por, punë-dhënësit me punëmarrësit, akoma nuk ka ardhur ai panari që do i lidhë. Deri atëherë do vijojmë të kemi panairë pune që sipas organizatorëve “frymëzojnë, shpaloson vizione e bëjnë reflektime.” Punë? Akoma jo. Jo akoma panaire që të ofrojnë punë në masën hiperbolike që pretendohet.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025003910064697
array(1) { ["section"]=> string(27) "panairi-i-te-papuneve-10343" }