PD-ja, nxitimi me deklaratat dhe lobimi në Kuvend për Arsimin e Lartë

Publikuar tek: analiza-komente, më 23:25 31-01-2015 PD-ja, nxitimi me deklaratat dhe lobimi në Kuvend për Arsimin e Lartë

Nga shtypi mora vesh për deklaratën e zotit Luçiano Boçi, në emër të partisë demokratike, e cila mbështet qendrimin kritik të senatit të Universitetit të Tiranës ndaj projektligjit për arsimin e lartë.

 

Kërkoj ndjesë ndaj zotit Luçiano Boçi, ndonëse nuk e njoh personalisht, sepse nuk jam edhe as anëtar senati, veçse pedagog, por i shpreh mendimin tim sinqerisht se deklarata e tij është etikisht e pagjetur, politikisht e gabuar dhe kulturalisht pa vend.

 

Politikisht e gabuar. Përse? Sepse partitë politike nuk kanë për rol të vendosen pas qendrimeve të stafeve akademike. Përfaqësuesit e tyre në Kuvend, në komisione, etj., janë atje për të bërë debat politik me palët kundërshtare dhe të qëndrojnë atje në pozitat që deklarojnë. Debatin ta bëjnë mes tyre dhe jo duke mbështetur a kundërshtuar deklarata të operatorëve jopolitikë, e të vendosen pas tyre. Ata duhet të propozojnë dhe paraqesin një kundër - projekt që nuk po shihet duke shkaktuar inaktivizim. Qendrimi politik duhet të mbahet atje nga instancat e partisë dhe të grupit parlamentar me qendrime konkrete, jo me deklarata për shtyp përpara sesa ligji të paraqitet në Kuvend. Përse ky nxitim e kjo mbështetje flak e zjarr, brenda një çasti???

 

Etikisht e pagjetur. Përse? Sepse përpara se sa të bëjë kritikën e projektligjit, është me vend të shihet se çfarë problemesh janë akumuluar nga e kaluara, sesi universitetet dhe dija universitare është katandisur, sesi është rritur papunësia e studentëve pas shkolle e diplomimi, sesa këpurdha gjoja universitare janë përhapur dhe duhet bërë një qendrim autokritik i fortë duke parë edhe arritjet edhe të metat e këtyre viteve. Për të parë përpara pa pikë ndroje, por duke e parë situatën në sy sesa e rënduar dhe dramatike është bërë në këto vite.

 

Kulturalisht pa vend. Përse? Sepse pritet që përfaqësuesit e partisë demokratike në Kuvend ta lexojnë ligjin, ta studiojnë atë, të paraqesin institucionalisht dhe publikisht kritikat e tyre, dhe pastaj të shohin sesa përputhen ose jo qendrimet e tyre jo vetëm me qendrimet e senatit por edhe me ato të profesoratit në përgjithësi.

 

Si qenkan dakord publikisht me senatin, kur ende publikisht nuk janë pozicionuar për projektligjin?

 

Nuk ka nevojë që ad hoc dhe apriori të vendosen superpozime të nxituara mes qendrimeve të profesoratit dhe të partive politike.

 

Gjej rastin të shpreh mendimin tim individual se ky projektligj është nja dhjetë herë më i rëndësishëm për fatet e kombit sesa ai i organizimit territorial, i punonjësit publik, dhe shumë më i rëndësishëm se çdo shenjë dhune në Kuvend. Rasti është që për të të kërkohet jo vetëm një votim konsensual, ose të mos votohet fare, por edhe të insistohet që në Kuvend të vijnë masivisht profesorë dhe studentë që nga tribuna e tij të shprehin idetë dhe propozimet e tyre.

 

Këtë gjë e bëni dot, apo jo në mirëkuptim me shumicën ose kundër saj? Kjo është çështja. Kurse për të tjerat më duket se janë ngatërruar portat, ideja nuk është që opozita të përkrahë ad hoc senatin, por pasi të ketë qendrimin e vet për ligjin, ta zhvillojë betejën politike në Kuvend.

 

Ndërkaq dihet afërmendsh që të gjithë kritikët e këtij projektligji që mban aromë të vjetër e tejkaluar nga koha, do të kërkojnë dhe gjejnë brenda Kuvendit, të gjithë aletatët e mundshëm që i mbështesin pavarësisht krahut të tyre politik, po sikurse dihet që hapësira demokratike e veprimit, mendimit dhe shprehjes është sa brenda atij Kuvendi po edhe aq jashtë tij në gjirin e shoqërisë civile.

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.036119937896729
array(1) { ["section"]=> string(86) "partia-demokratike-nxitimi-me-deklaratat-dhe-lobimi-ne-kuvend-per-arsimin-e-larte-2041" }