Patozi: Edi Rama ka dalë jashtë kontrollit

Publikuar tek: politike, më 17:27 12-11-2015 Patozi: Edi Rama ka dalë jashtë kontrollit

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka thënë gjatë fjalës së tij në Parlament se Shqipëria rrezikohet nga një kryeministër që ka dalë jashtë kontrollit dhe këtë e demostron me tentativën e tij për t’i mbyllur gojën medias duke e rikthyer shpifjen si vepër penale.

Fjala e plotë e Astrit Patozit në Parlament:

Liria e shprehjes është element i rëndësishëm i të drejtave të njeriut për një vend demokratik. Deri këtu nuk ka asgjë të re. Por unë mendoj se rikthimi shpifjes në Kodin Penal të Republikës, është një shenjë e qartë e degradimit të kësaj mazhorance. E cila edhe pa këtë, mezi po mbahet në këmbë, pasi i ka hyrë uji nga të katër anët.

Falënderoj ministren Felaj që na qartësoi për mënyrën se si ka ardhur në Kuvend kjo nisma e re e qeverisë.

Për të qenë i sinqertë, ku lajmi mori dhënë, kam menduar pozitivisht se mund të ishte shpikje e ndonjë burokrati të papërgjegjshëm, që nuk merr vesh, as nga shtypi, dhe as nga politika. Në fakt, ministrja pa portofol ma hoqi dilemën dhe kureshtjen. Ajo qenka kryevepër e vetë Edi Ramës, kryeministrit de jure të Shqipërisë.

Ndryshe ndoshta nga shumë të tjerë, unë nuk jam i shqetësuar për shtypin, sepse ai i ka fituar të gjitha betejat e tij me politikën, që nga 90-ta e këtej. Për opozitën, jo e jo, sepse mendoj dhe besoj se ajo ia del vetë të përballet me të gjitha qeveritë. Ndryshe, nuk ka pse ekziston fare. Por edhe historia na ndihmon në këtë pikë. Asnjëherë në këtë vend pushteti nuk ia ka dalë që të nënshtrojë opozitën me ligj dhe mendoj se i vetmi shqetësim që mund të ketë ajo është autocensura apo paaftësia për t’i treguar si duhet të vërtetat e saj, por kurrsesi qeveria.

Por nëse është kështu, atëherë cili është shqetësimi?

Sipas meje, i vetmi problem është se kemi një kryeministër jashtë kontrolli dhe kjo është shumë evidente. Për mua si opozitar kjo mund të përbëjë shumë shqetësim, madje në një kuptim edhe mund të na interesojë, por për vendin kjo është katastrofë.

Sepse rikthehemi te një standard i tejkaluar tashmë dhe që vetëm i prish punë imazhit të vendit, por edhe vetë kësaj qeverie. Si nga brenda, ashtu nga jashtë. Është njësoj si t’i kthesh administratës rrogat e para 10 vjetëve dhe t’u thuash njerëzve që ju do merrni 300 mijë lekë apo 500 mijë lekë më pak në fund të muajit, por jo bëhet për të mirën tuaj dhe për të mirën e punës. Ne e dimë se ç’kemi hequr që të dekriminalizohej shpifja, sepse opozita e asaj kohe (paradoks më vete ky) e kishte të vështirë që ta pranonte. Por me gjithë historinë e palavdishme arriti një ditë që Fatmir Xhafaj tha PO në Komisionin e Ligjeve dhe shpifja u hoq si vepër penale nga Kodi. Tani do t’i duhet sërish kolegut Xhafaj që të mbrojë në komision të kundërtën. Natyrisht, nuk ka qenë as atëherë, dhe nuk do të jetë as në të ardhmen përgjegjësi e tij, një çështje që ka vetëm një autor, Edi Ramën.

Po pse them se kryeministri është jashtë kontrollit, kur dikush mund ta trajtojë si një lëvizje që ndoshta i intereson atij politikisht? Sepse, sikur të mos mjaftonte kjo faturë, unë mendoj se ky amendament është i pa votueshëm në këtë sallë dhe një pulitkan me inteligjencë nën mesatare nuk i futet kurrë një beteje, për të cilën është e sigurt se e humbet. Por ja që Edi Rama i ka hyrë këtij deti. Në këmbë sigurisht, dhe sot, duke e parë llucën ku është zhytur, tentoi që të dalë disi prej tij, por në fakt u zhyt më keq.

Sepse, mbrojtja e tij është më shumë se qesharake, dhe kjo e përforcon gjendjen jashtë kontrollit. Në një reagim të pazakontë për një kryeministër, tre statuse të njëpasnjëshëm që në pikë të mëngjesit, u përpoq të na shpjegojë se nuk e ka me shtypin, por e ka me pelikanët, dhe se gjithçka ka qenë një keqkuptim. Dhe kur thotë politikanët dhe zyrtarët e lartë, natyrisht, që nuk e ka fjalën për ministrat e vet, as për deputetët e PS apo për drejtoreshën e Tatimeve. Për ne e ka. Akoma më keq. Do të thotë me fjalë të tjera, që nëse shtypit nuk ka ç’ti bëje, opozitës edhe mund t’ia tregojë vendin.

Se si do ta ndajë politikanin nga gazetarët dhe qytetarët e tjerë, vetëm ai e di. Por edhe sikur t’i pranohej ky interpretim dhe ta nxirrte anijen në breg, pyetja është a do të sillte kjo ndonjë dobi për qeverinë e tij? Unë mendoj se jo, madje e kundërta do të ndodhte.

Në një farë mënyre, kryeministri jashtë kontrollit, po kërkon që ta mbrojë qeverinë e tij nga sulmet që mund t’i vijnë nga jashtë, me shpresën se kjo do ta shpëtojë. Në fakt, unë qëndron fjalës sime të herës së kaluar, se kjo qeveri ka rënë, kryesisht, sepse është e kalbur nga brenda dhe nuk kuptohet me çfarë logjike Edi Rama po e kërkon me zor armikun nga jashtë bedenave.

Kjo është një qeveri e rrëzuar për shkak të babëzisë bicefale dhe të paaftësisë së qartë të Edi Ramës për të menaxhuar rivalitetin e egër brenda llojit, i cili ka sjellë fundin e shpejtë të saj. Që prej të hënës kryeministrin real i Shqipërisë është Ilir Meta, por ky nuk besoj se është ndonjë lajm i mirë për vendin. Sepse edhe ky është një tjetër komponentiI humbjes së legjitimitetit të kësaj qeverie. Sepse shqiptarët nuk e kanë votuar për të tillë Ilir Metën dhe se marrja peng e kryeministrit nuk mund të jetë asnjëherë një rast për t’u gëzuar për një vend normal.

Natyrisht, që nuk më dhimbset fare Edi Rama për situatën dëshpëruese, që po kalon, sepse ai është duke korrur sot atë që ka mbjellë vetë. Por nga ana tjetër nuk është ndonjë kënaqësi e madhe të shikosh sesi po krekoset me pushtetin që i ka marrë rivalit të vet Ilir Meta, kryeministri real i vendit, i cili sikur të mos mjaftonte kjo, po na valëvit prej ditësh edhe flamurin e rreckosur të antikorrupsionit. Kjo e fundit, sigurisht që mund të kursehej, por në këtë marrëzi qeverisëse, ku timoni është lëshuar pa duar, gjithçka mund të presësh.

Me rikthimin e shpifjes në Kodin Penal, Edi Rama na jep edhe një shembull, tjetër se është politikan i dy standardeve, që flet ndryshe në opozitë dhe, ndryshe kur është në pushtet. Dhe kjo nuk mund të jetë kurrsesi shenjë force, por vetëm një demonstrim flagrant dobësie. Sepse ti nuk mund ë thuash se e dekriminalizoj shpifjen, kur jam në opozitë, dhe e rikthej atë kur jam në pushtet, që të disiplinoj shtypin dhe opozitën, sepse qenkan bërë të bezdisshëm.

Sado që politika nuk është shkencë ekzakte, ka nevojë për një minimumin koherence, sepse ndryshe bëhesh gazi i botës shumë shpejt. Siç po ndodh në fakt, me kryeministrin de jure të vendit. Por ky nuk është rasti i parë që Ed Rama na shfaq këtë pamje.

A ju kujtohet ndjesa publike për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008? E quajti gabim fatal atëherë, por që prej qershorit 2013 nuk e ka dëgjuar më njeri të flasë për to. Dhe sot po kërkon që të bëjë reformën në drejtësi me një parlament që është damkosur botërisht si i mbushur me personazhe të zhytur në botën e errët të krimit. Për meritën kryesore të atij vetë.

Praktikisht, ne sot kemi një kushtetutë të rrëzuar, që çuditërisht askush nuk e përmend më, por që të gjithë drejtojnë shikimin tek reforma e shumëpritur në drejtësi, a thua se pas saj në Shqipëri do të mbretërojë parajsa. Pse them se është e rrëzuar? Se për socialistët ka kërkuar falje Edi Rama, kurse LSI më 2008-ën ishte në grevë urie kundër saj, dhe nuk e kam dëgjuar ndonjëherë Ilir Metën, madje as Manjanin, që t’i bien hasha. E vetmja që nuk është shprehur për to është Partia Demokratike, por cilido qoftë opinion dhe vullneti I saj, ai nuk mjafton, sepse ne nuk kemi vota sot. Ndaj edhe nuk ka ndonjë rëndësi të madhe mosprononcimi i saj.

Edhe pse mund të mos e përfaqësoj qëndrimin e forcës sime politike, unë nuk mund të rri pa thënë se nuk kam asnjë fije shpresë tek reforma për drejtësi. E para, se qëllimi i qeverisë është qartësisht kapja e sistemit dhe jo reformimi i tij. Dhe këtu bëhet fjalë për një të ardhme 20 vjeçare, sepse e dorëzuar tek qeveria ajo është një tani. E gjitha. Por edhe sikur të trajtohej e gjitha në mirëbesim mes palëve dhe të votohej me konsensus të plotë, unë nuk mendoj që ajo do të ishte zgjidhje. Sepse ne sot po i përshtatim Kushtetutën një reforme, sado e rëndësishme qoftë ajo, ndërkohë që duhet të ishte reforma, që duhet t’i përshtatej kushtetutës.

Me çfarë tagri ne sot do luajmë rolin e shpëtimtarit për gjoja sistemin e drejtësisë, kur ne vetë jemi të zhytur në llumin e sëmundjes për të cilën themi se do të shpejtojmë gjyqësorin? Kam rezerva të tmerrshme për drejtësinë, për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, por nuk kam asnjë paragjykim të them se deformimet e rënda të sistemit janë më shumë pasoja, sesa vetë shkaku. Se ato kanë ardhur gradualisht për shkak të ndërhyrjes dhe presionit të politikës ndër vite. Dhe të paktën ne që jemi këtu, e dimë të gjithë këtë.

Nëse do donim vërtetë të ndrsyhonim ca gjëra për mirë në këtë vend, nuk mund ta bëjmë me arnime, qofshin këto edhe të tilla, që ndryshojnë njërën nga kollonat e shtetit, në këtë rast pushtetin gjyqësor. Po me dy këmbët e tjera cfarë do të bëjmë, do t’i lëmë kështu sic janë? Të kalbura dhe të thyera?

Shqipëria ka nevojë për një kushtetutë të re dhe për një qasje tjetër të shtetit, që duhet të fillojë me zgjedhjet e të mbarojë tek insistucioni më perfiferik, që derivon nga vota e sovranit. A kemi vullnet, dëshirë dhe këllqe për ta bërë këtë?

Atëherë po, mund të flasim për një stad të ri në evolucionin demokratik të vendit. Dikush mund ë thotë se kjo është një Republikë e re. Nuk më intereson fare emri që do t’i vihet, mjafton që të bëhet. Sipas meje është e vetmja rrugë për të shpëtuar një vend që po rrokuliset cdo ditë drejt humnerës dhe që braktiset cdo ditë nga qyettarët e vet, për shkak të një depresioni, që buron kryesisht prej kësaj salle.

Kisha menduar se rekordet tona për azilantë në Gjermani nuk do të thyheshin kurrë, por ja që nën këtë qeveri të rrëzuar e keqja nuk paska fund. Janë mbi 200 mijë shqiptarët që kanë aplikuar për llotarinë amërikanë. Po si ka mundësi që ne të jemi të qetë pas këtij lajmi rrëqethës? Po ne jemi katandisur në një popull, që në letra kemi mbetur më pak se 3 milion, por ë realitet duhet të jemi shumë më pak. I bie një e dhjeta e jonë ka shënuar emrin për të ikur një herë e përgjithmonë nga Shqipëria. Po të llogaritësh edhe familjet e tyre, i takon që një në cdo katër shqiptarë, dëshiron të ikë nga sytë këmbët prej këtej. Jam shumë i sigurt se asnjë luftë dhe asnjë epidemi nuk do ta shkaktonte këtë eksod me përmasa biblike.

Dhe kam bindjen e thellë se e gjitha kjo që po ndodh është edhe pasojë e një qeverie të rrëzuar, që po zgjat me serum agoninë e saj, e cila sikur të mos mjaftonte kjo, drejtohet de jure nga një kryeministër totalisht jashtë kontrollit.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Blushi: Pa politikanë në burg, do mbetemi këta që jemi. Në vend të shqiptarëve duhet të ikim ne
Tahiri: Të dënojmë një herë ata që nuk janë dënuar asnjëherë »
Article Logic
Execution time: 0.024187088012695
array(1) { ["section"]=> string(47) "patozi-edi-rama-ka-dale-jashte-kontrollit-25277" }