PD-Metës: Vendos “CEZ”-in në kalendar, harresë e paqëllimshme nga ana juaj

Publikuar tek: politike, më 20:54 13-10-2015 PD-Metës: Vendos “CEZ”-in në kalendar, harresë e paqëllimshme nga ana juaj

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, në emër të kësaj partie me anë të një kërkese i është drejtuar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Metës, për t’i kërkuar përfshrijen në Projekt-kalendarin e Punimeve 3 javore të këtij institucioni, projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur  ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi  cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””.

PD e cilëson emergjente nevojën e miratimit të këtij ligji, pasi sipas saj është e domosdoshme t’i hapet rruga hetimit të pavarur dhe gjithëpërfshirës së aferës “CEZ”.

Në kërkesë, partia opozitare e konsideron si të paqëllimshëm nga ana e Metës mospërfshirjen e këtij projektligji në draft kalendarin e shpërndarë tashmë tek anëtarët e Konferencës së Kryetarëve, pasi në të kundërt do të kishte mungesë koherence në veprimet dhe qendrimet e kreut të Kuvendit.

Kërkesa e PD drejtuar Metës:

Z. Meta,

Me shkresën nr. 3026 Prot., datë 28.09.2015, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””. Duke e vlerësuar si emergjente nevojën e miratimit të këtij ligji, për shkak se duhet t’i hapë rrugë një hetimi të shpejtë, të plotë, gjithëpëfshirës dhe të pavarur të aferës së cështjes “CEZ Shpërndarje”, në mbështetje të nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, kërkuam shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpjetuar. Kjo kërkesë u refuzua fatkeqësisht me forcën e kartonit të shumicës parlamentare. Në këto kushte, zgjidhja e vetme ishte përfshirja e saj në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit dhe vijimi i procedurës normale për shqyrtimin e këtij projektligji.

Mirëpo, edhe pse ju personalisht, në cilësinë tuaj si Kryetar i Kuvendit, votuat pro shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji, duke vlerësuar në këtë mënyrë, njëlloj si Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, natyrën urgjente që paraqet miratimi i këtij ligji, me keqardhje konstatojmë se në draft Kalendarin e Punimeve të Kuvendit për 3 javët në vijim nuk është përfshirë projektligji “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””. Duke qenë se ju personalisht e cilësuat emergjente nevojën për miratimin e këtij ligji (duke votuar pro shqyrtimit të tij me procedurë të përshpejtuar), si dhe duke qenë se hartimi dhe propozimi i draft Kalendarit 3 javor të Punimeve të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 27 të Rregullores së Kuvendit, është kompetencë ekskluzive e Kryetarit të Kuvendit, duam të besojmë se mospërfshirja e këtij projektligji në draft kalendarin e shpërndarë tashmë tek anëtarët e Konferencës së Kryetarëve, ka qenë një harresë e paqëllimshme nga ana juaj!

Kjo për faktin se mospërfshirja e qëllimshme në Kalendarin 3 javor të Punimeve të Kuvendit e projektligjit “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””, nënkupton mungesë koherence në veprimet tuaja si Kryetar i Kuvendit, mungesë sinqeriteti institucional dhe politik nga ana juaj në votimin pro shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar, si dhe mungesë të plotë të vullnetit politik tuajin personalisht dhe të mazhorancës parlamentare, në zgjidhjen dhe zbardhjen e plotë, të shpejtë dhe të paanshme të aferës “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.”.

Në këtë pikë, sjellim në vëmendjen tuaj se asnjë justifikim i ligjshëm nuk ekziston për mospërfshirjen e këtij projektligji në Kalendarin e Punimeve 3 javore të Kuvendit, në kushtet kur miratimi i tij është cilësuar si urgjent nga propozuesit dhe lidhet drejtëpërdrejtë me një cështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe që ka një interes të lartë publik. Neni 69 i Rregullores së Kuvendit parashikon se projektligjet nuk mund të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre. Dëshirojmë të kujtojmë se projektligji është depozituar nga ana jonë më datë 28 Shtator 2015 dhe tashmë kanë kaluar më shumë se 2 javë nga momenti i depozitimit.

Në këto kushte, duke ripërsëritur se miratimi i ligjit është emergjencë dhe se natyra urgjente ka të bëjë me nevojën që ekziston për nisjen e hetimit menjëherë dhe pa asnjë vonesë, për shkak se vetëm një hetim i tillë, i pamundëson personave të përfshirë në veprimtari të mundshme kriminale, të dëmtojnë ose asgjesojnë provat/dokumentet, apo të manipulojnë ose shantazhojnë dëshmitarë potencial të kësaj cështje, kërkojmë nga ana juaj që në mbështetje të nenit 27 të Rregullores së Kuvendit të përfshini në Kalendarin 3 javor të Punimeve projktligjin  “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””.

Në përfundim, risjellim në vëmendje se cdo vonesë në miratimin e këtij ligji, është në dëm të hetimit të plotë dhe gjithëpërfshirës, si dhe potencialisht pamundëson zbulimin e të vërtetës dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Deputetja e PD-së i shkruan ministrit Gjiknuri: Ul këstet e borxhit të energjisë për familjet në nevojë
Berisha sqaron foton me Metën: Erdhi te unë, s’mund t’i ktheja shpinën »
Article Logic
Execution time: 0.023882150650024
array(1) { ["section"]=> string(76) "pd-metes-vendos-cez-in-ne-kalendar-harrese-e-paqellimshme-nga-ana-juaj-23054" }