Për çudinë e simotrave të mia drejtoresha

Publikuar tek: analiza-komente, më 16:46 07-03-2015 Për çudinë e simotrave të mia drejtoresha

Im bir zgjohet çdo mëngjes në orën pesë. Pashmangshmërisht zgjohemi të gjithë (dhe me këtë nënkuptoj shpesh edhe dy fqinjët e mi të të njëjtit kat),në të njëjtën orë. E thënë ndryshe, unë kam vetëm tre orë kohë mëngjeseve me tim bir, pasi unë, për çudinë e simotrave të mia drejtoresha, dhe pse grua,dhe pse nënë, punoj!

Mëngjeseve, teksa lyej syrin e majtë në ashensor, gjej luksin të kontrolloj nëse dukem mjaftueshëm komune për t`u cilësuar të paktën banore e planetit Tokë. Më kuptoni drejt, unë nuk jam drejtoreshë doganash, kështu që edhe nëse syri im i majtë nuk korrespondon tërësisht me të djathin pas lyerjes së shpejtë, Qafë Morina, Hani i Hotit, madje thellëthellë edhe Muriqani, do të vazhdonin aktivitetin e tyre normalisht. Kaq gjë e them me bindje pasi, sërish për çudinë e simotrave të mia drejtoresha, edhe pas lindjes së tim biri, unë ende besoj në forcën e deduksionit logjik.

Thënë kjo, për tetë orë rresht (në ditë të mira pune),unë  jam e detyruar të mjaftohem me një foto të tim biri të vendosur në portofol dhe me dy telefonata të përvjedhura tinëzisht (tre,në rast se bëhet fjalë për zgjidhje të emergjencave akute të lidhura me dobishmërinë e përdorimit të uturakut).

Më lejoni të shpjegoj këtë punën e telefonatës së tretë. Në këtë pikë, qëndrimi im kokëfortë mbi përdorimin e uturakut, korrespondon tërësisht me mendimin e simotrave të mia drejtoresha të shprehur para fare pak kohe, se një fëmijë nuk duhet rritur as qibar, por as spartance, përkundrazi, një fëmijë duhet mësuar që herët të jetojë thjesht e me dinjitet, të mësojë e të punojë shumë për Shqipërinë, ashtu sikurse kanë vepruar e do të vepronin simotrat e mia drejtoresha. Për shkak të këtij ideali sublim, unë insistoj në telefonatën time të tretë sa herë e do puna.

Problemi është që simotrat  e mia drejtoresha, të cilat premtuan se do të vazhdonin të ishin sa zonja në karrierë, aq edhe nën atë përkushtuara, që edhe në momentet e lindjes do ta kishin mendjen tek kamionët, anijet, e kontrollet për kontrabandë, që mbase do të merrnin disa ditë pushim, por nuk do të kishin kurrsesi kohë për muajra mjalti e javëra hëne, që do të ishin vetë shembulli më i mire për të rritur fëmijë që e duan punën dhe atdheun, tetë sekonda pas ndërrimit të pelenës së pare dhe po çuditërisht tetë sekonda pasi Croën Agents lëshoi mediatikisht aromë pelene, dhanë dorëheqjen! Kjo zgjedhje, e cila u diktua nga fakti që logjikshëm fjala “punë” është antonim i fjalës “nënë”, jo vetëm që na ka prerë në besë mua dhe gjithë nënat e tjera të cilat syrin e majtë e lyejmë në ashensor, por na ka shembur përfundimisht të gjithë legjitimitetin moral dhe koherencën logjike të telefonatave tona të treta mbi dobishmërinë e përdorimit të uturakëve.

Përpos kësaj, sërish duke përdorur metodën famëkeqe të deduksionit logjik, edhe nëse do të pajtohesha me idenë e re të simotrave tëmia drejtoresha se, përjetimi individual i lindjes së fëmijës së parë, të çon në pamundësinë absolute të të punuarit, mua hesapet më dalin prapë keq. Llogaria këtu, ndryshe nga sa thonë drejtoreshat, në rastin tim është tërësisht egoiste dhe tërësisht llogari. Edhe pse unë dhe im bir, njësoj si drejtoreshat, nuk kemi salltanete, nëse unë rresht së punuari, im bir, ndryshe nga drejtoreshat, nuk do të ketë luksin të thotë një ditë se nuk bën dallim mes gatimeve të restoranteve të Milanos dhe byrekut  me hithra të Shkodrës. Jo vetëm kaq, por nëse unë rresht së punuari nëmënyrë që të jem “vetëm nënë”,  për çudinë e simotrave të mia drejtoresha, im bir nuk do të ketë dot mundësinë një ditë të thotë, sikurse drejtoreshat, se për të, fasulet dhe dhalla e katundeve tona janë më këndshëm se pjatat rrëzëllitëse të çdo “Hilton-i”apo “Sheraton-i”.

Nëse unë rresht së punuari, për çudinë e simotrave të mia drejtoresha, im bir nuk do të ketë mundësinë të thotë se për të, DisneyLand-i iParisit është po aq argëtues sa dhe lodrat e Rrugës së Elbasanit dhe as që Aqua parku i Floridës s`ka kurrfarrë dallimi nga pishinat e Mulletit.

Në planin makro, nëse unë rresht së punuari, im bir nuk  do  të ketë mundësinë një ditë të çojë letra mirëkuptimi tek Fondi Monetar Ndërkombëtar, për ta vënë në dijeni se puna me Croën Agents si konsulent i jashtëm në administratën doganore, do të vazhdojë,dhe pse rritja e madhe e të ardhurave të pritshme në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, nuk është realizuar ende. Im bir nuk do të ketë luksin e krahasimeve të pakrahasueshme dhe as modestinë që me qetësi të mirëkuptojë cedimet nga një kontratë  8.5 milionëeuroshe!

Modestia e tim biri, për çudinë e simotrave të mia drejtoresha, kushton!  Në fakt kushton aq shtrenjtë, sa po për çudinë e tyre, nëse unë rresht së punuari, edhe vetë mikrodilema ime për telefonatën time të tretë mbi dobishmërinë e përdorimit të uturakut, do të zgjidhej në mënyrë tërësisht rurale, në mungesë sigurisht si të telefonit,po ashtu edhe të uturakut.

E thënë shkurt, unë, nëna që syrin e majtë e lyej në ashensor, nuk e kam luksin e një përjetimi të tillë transformues nga lindja e parë, e për pasojë do të vazhdoj të kem vetëm tre orë kohë mëngjeseve me tim bir, pasi po unë, për çudinë e simotrave të mia drejtoresha, dhe pse grua,dhe pse nënë, punoj!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.035019159317017
array(1) { ["section"]=> string(46) "per-cudine-e-simotrave-te-mia-drejtoresha-5243" }