Për Julinda Dhamen dhe ushtrinë e piranjave

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:13 16-04-2015 Për Julinda Dhamen dhe ushtrinë e piranjave Une dhe Julinda Dhame duke organizuar nje nga ceremonite e Rally Albania

Julinda Dhamen, vajzën me kaçurrela të kuqe, apo të garave Rally në Shqipëri, e njoh që prej 20 vitesh tashmë.

Sot, është në detyrën e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe prapë, nuk e kemi kufizuar kohën e konsultimit e miqësisë. 

Se çfarë është bërë me Turizmin në Shqipëri këto dy vite, nuk mendoj se ka kush dilema (flas në aspektin e promocionit të Shqipërisë, dhe bashkëpunimin me operatorët turistikë në vend). Shqipëria është prezantuar denjësisht në Panairet jashtë vendit. Interesimi i agjencive ndërkombëtare për të sjellë turistë në Shqipëri, ka qenë i madh, falë punës së palodhur të një grupi djemsh e vajzash që fillimisht e kanë pasion atë që po bëjnë, dhe më pas përgjegjësi. Numri i turistëve vitin e kaluar u rrit ndjeshëm, dhe Shqipëria, edhe për shkak të disa reformave pozitive si çlirimi i hapësirave publike dhe vendosja e rregullit në territor, pati më shumë turistë dhe më shumë jehonë ndërkombëtare sesa vitet e tjera.

Sezonin turistik të kaluar, po falë punës së palodhur të djemve dhe vajzave në Agjencinë Kombëtare të Turizmit, arritën të detyrojnë hotelet më prestigjoze në zonën bregdetare, të afishojnë çmimet zyrtare të tyre që në hyrje të hoteleve, ashtu sikurse ndodh në gjithë botën, duke garantuar kështu një punë më të lehtë edhe për organet tatimore.

Sa i përket panaireve nëpër botë, më mirë sesa të flas unë, mund të flasin tour operatorët që janë prezantuar, nën kordinimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit: që nga Londra në Pekin, nga Berlini në Tokio, nga Roma në Madrid, nga Amsterdami në Paris, stendat shqiptare kanë shkëlqyer, jo vetëm nga pamja vizive e prezantimit të Shqipërisë sonë, por edhe nga fluksi i madh i të interesuarve për t’u lidhur me agjencitë shqiptare.

Shkurt, duhet thënë se Agjencia Kombëtare e Turizmit, nuk është ndonjë agjenci që ka fonde, bën tendera, e jep lekë. Eshtë një agjenci që prodhon imazh, për një produkt që tjetër kush e ka në dorë.

Tani që i thashë këto fjalë për Agjencinë, po kthehem te drejtoresha, znj Julinda Dhame, e përfolur këto dy ditët e fundit, si asnjëherë tjetër me fjalor banal, si pasojë e një kronike të televizionit Klan, që e shpallte “Non grata” drejtoreshën shqiptare për të shkuar në Angli.

Julinda Dhame në tetor 2013 mori detyrën dhe në nëntor zhvillohej panairi i Londrës. Të gjithë e dinë se vizat angleze nuk merren më në ambasadë, por në një qendër në Poloni. Për Julinda Dhamen, që e ka vizituar Londrën shumë shpesh, edhe kur nuk ka qenë drejtore e shtetit, ishte e çuditshme mosmarrja e vizës me argumentin e arsyeve teknike (që për këdo që ka plotësuar formularin e kupton fare mirë se ç’është).

Në kronikën e TV Klan, mosdhënia e vizës në vitin 2013 u trumbetua si shpallje “Non Grata” e drejtoreshës së Turizmit, e lidhur kjo dhe me dekriminalizimin.

Kaq ka mjaftuar që ushtria e njerëzve anonimë në rrjetet sociale të tregojnë për aktivitetin si prostitutë të drejtores së turizmit në Angli!!!!!! Apo të tjerë, ta lidhin me drejtoreshat që i përzgjedh Rama për punë të tjera dhe jo për punë, duke nënkuptuar, madje duke e thënë shpesh për arsye seksuale!!!!

Banaliteti dhe perversiteti i gjithë ushtrisë së “piranjave” u përcoll me lajme e komente të tipit “hajdute”, “zorraxhie” e lloj lloj fjalësh që i përmban fjalori i ndyrë shqiptar.

Julinda Dhame, është vajzë e dy prindërve të nderuar, që ndihen të fyer në këtë moment; është nëna e një djali që shkon në shkollë dhe shokët mund ta shohin edhe me dyshim; është shoqe e mike për shumë e shumë shqiptarë e të huaj që e kanë takuar në rrugëtimin e saj.

Banaliteti i ushtrisë së piranjave do jetë çudia tre ditore e lajmeve që përcillen që nga kandidatët e deri tek viza e Julit.

Mua personalisht, nuk më duket ndonjë çudi, se kam fituar imunitet. Para tre ditësh më bënë drejtuese të një televizioni, madje komentet ishin të tipit “zhgarravina”, “sumë-madhja”, “transvestitja”, etj.

Gazetarja Iva Tiço më ankohej njëherë se ushtria e piranjave në kometet e Temës e kishte quajtur edhe “kurvë”. I thashë se kjo fjalë nuk më bën më përshtypje mua, se në karrierën time 20 vjeçare, për ushtrinë e piranjave, unë kam kurvëruar natë e ditë dhe për këtë arsye jam këtu ku jam. Një nga piranjat që komentonte lajmin e vizës së Julit shkruante: “Paç fatin e kurvës”.

Atëherë, duhet ta kenë të qartë “ushtria e piranjave” të rrjeteve sociale: Që kemi probleme të mëdha dhe jemi të ndrydhur si popull, kjo dihet; Por që ta ulim nivelin deri në fyerje të tilla, kjo ju bën shumë të vegjël dhe prostituta në shpirt e mentalitet.

Kaq, për çështjen e vizës së Julit dhe për ushtrinë e Piranjave.

PS: Dy fjalë për kolegët e Klanit. Të djelën, Juli Dhame shfaqej në Klan duke gatuar, te emisioni i Arditit. Tre ditë më vonë sulmohet në edicionin e lajmeve. Se Juli Dhame është në atë pozicion, dhe dikush tjetër u shkarkua nga detyra para dy vitesh, kjo nuk është zgjedhje e zonjës Dhame, por është përgjegjësi e qeverisë. Nëse do të ishte një inat i vjetër, kjo do të ishte më e pakta. Sepse nuk do të doja kurrë të besoja se mund të jetë edhe luftë brenda llojit sepse dhe kjo nuk më duket çudi. Dhe nuk besoj se do ndryshojmë shumë shpejt: kjo shoqëri kërkon të shfryjë shumë, nga politika deri te njerëzit. Dhe këtë do ta bëj edhe kur ne, vajzave të sotme, të na kenë dalë thinjat. Sepse tranzicioni në Shqipëri, kurrë s’ka për të mbaruar. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021876096725464
array(1) { ["section"]=> string(48) "per-julinda-dhamen-dhe-ushtrine-e-piranjave-8880" }