Perëndimi nuk mund të dështojë në Shqipëri

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:53 16-12-2015 Perëndimi nuk mund të dështojë në Shqipëri Afrim Krasniqi, politolog

Afrim Krasniqi

Në historinë pluraliste të Shqipërisë nuk është rasti i parë kur ambasadori amerikan përfshihet direkt në debatet politike në vend dhe që artikulon ide e teza që gjejnë mbështetje qytetare, por krijojnë pakënaqësi politike. Rajerson më 1992 e orientoi dukshëm votën tek ndryshimi i sistemit, Lino më 1996 ishte kritike e ashpër e autoritarizmit të mazhorancës së atëhershme, Xhefri inkurajoi nismat civile kundër korrupsionit, Withers e përshkallëzoi kritikën deri në mosmarrëveshje publike me qeverinë, Arvizu njohu dashuri e urrejtje majtas e djathtas, kurse Lu po mban një kurs publik kritik në sinkron me shumicën kritike qytetare kundër elitës së korruptuar politike. Praktika të tilla nga shteti më i madh demokratik në botë dhe njëherësh, shteti me ndikimin më të madh politik e publik në Shqipëri janë tashmë praktika pune, kanë bilancet e tyre dhe në thelb, kanë skicuar kuadrin e perceptimit qytetar tek shteti amerikan dhe përfaqësuesi zyrtar i tij.

Donald Lu e nisi misionin e tij me Shqipërinë me dy veçori: me vonesë kohore për shkak të problemeve të brendshme administrative të konfirmimit, si dhe me aftësinë të flasë shqip në kontaktin e parë me qytetarët shqiptarë. E para u keqkuptua në Tiranë duke krijuar përshtypjen e gabuar të provincës se vonesa do të thoshte mungesë vëmendjeje të SHBA ndaj Shqipërisë, e dyta u interpretua po ashtu gabim, - si sjellje diplomatike dhe jo si gjest domethënës respekti e interesi. Tashmë Donald Lu është i njohur për të gjithë qytetarët dhe shumica e tyre e portretizojnë si njeriun e fortë që ka vendosur të investohet në problemin tonë kryesore, - shkallën e lartë të korrupsionit dhe kriminalitetit në vendimmarrjen politike dhe publike. Disa e quajnë “nun” të reformave, disa “zëdhënës të duarve të pastra”, kritikët flasin për modelin e guvernatorëve të emëruar apo për nëpunësin besnik që vepron në interes të shtetit të tij.

Në kulturën e vendeve para-demokratike ku mendjet e lira janë pakicë dhe ku zëri i arsyeshëm kritik ndeshet në murin konsensual të shurdhërisë, kërcënimit apo zhvleftësimit të fjalës, - Donald Lu përmes të zakonshmes bën të jashtëzakonshmen: ai flet shpesh, shkurt, qartë, direkt, “shqip”, përmend raste e emra, dhe kështu, - mban gjallë shpresën se në fundin e tunelit ende ka dritë. E tillë është investimi i tij i shumëfishtë për reformën në drejtësi, - një proces jetik dhe interes madhor i vendit. Ajo duhet të votohet sa më parë dhe nga të gjithë, pa alibi dhe pa veto shantazhi. Nga ana tjetër, me gjithë pritshmërinë dhe ofertën e madhe, nëse kjo reformë nuk realizohet dhe sidomos nëse nuk aplikohet në standarde më të lartë sesa praktikat e mëparshme, mund të jetë sa pikë kthese në historinë e këtij vendi, aq edhe një eksperiment tjetër në listën e gjatë të eksperimenteve. E tillë ishte dhe është edhe artikulimi kundër të inkriminuarve në politikë, - një turp kombëtar falë përgjegjësisë direkte të 2-3 liderëve politikë, - por që nuk arriti të bindë liderit të tërheqin mbështetjen politike për listën e zezë dhe as qytetarët ti refuzojnë përmes votës. E tillë është investimi për më shumë qytetari aktive, shoqëri civile aktive, debate publike e akte konkrete kundër korrupsionit, - sfidë jetike për interesat e vendit, - por e rrezikuar të mbetet retorikë përderisa cikli domino i vendimmarrjes abuzive nuk lejon dhe as mundëson ndryshimin e sistemit korruptiv. E tillë ishte dhe është forma e tij e komunikimit me qytetarët, - një praktikë e re, dubluese me raportin midis shtetit-pushtetit e qytetarëve, një formë e re e pushtetit moral paralel që kërkon, gjen e përcjell mesazhe të cilat pamundësohen nga vetë sistemi i mbyllur i vendimmarrjes konsensuale.

I kam pyetur studentët e mi se çfarë mendojnë kur shohin kontrastin e thellë midis faktorit ndërkombëtar që bën presion për reforma dhe anti-korrupsion, si dhe elitës politike vendore që vijon format tradicionale të sjelljes bardh e zi, arrogant me qytetarët dhe xheloz hakmarrës ndaj kritikave të jashtme. Ata janë pjesërisht mosbesues, por ata nuk e dinë se unë jam shumëfish më skeptik. Ata thonë se ikja e të inkriminuarve është lajm i mirë, por sistemi i emërimit të tyre mbetet i njëjtë; se politikat klienteliste janë të gabuara, por javë oferta e vetme në treg;  se çlirimi i drejtësisë nga korrupsioni është çlirim i dytë, por drejtësia e pavarur dhe efektive mbetet ëndërr e largët; se sado të ndryshojnë pushtete apo segmente të tjera mbipushteti i partive mbetet i paprekur, kërcënues dhe përcaktues. Ata e dinë se drejtësia duhet reformuar, me çdo kusht, por ata kërkojnë më shumë se kaq, - kërkojnë reformimin e sistemit politik përfaqësues, sepse e dinë se drejtësia e korruptuar nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse produkt dhe derivat i një politike të korruptuar. Ata janë të shqetësuar për problemet e ditës, por më shumë se kaq, janë shumëfish të shqetësuar për krizën e identitetit që po kalon sistemi arsimor, sistemi i edukimit, sistemi i promovimit dhe sistemi i vlerave në një vend ku piramida e vlerave prej kohësh ndodhet e përmbysur. Për të rinjtë, pra për ata që duhet të jenë zëri ndryshe, qytetari ndryshe, e ardhmja ndryshe, - problemi ynë është kompleks dhe sfidë afatgjatë. Ata e dinë se qytetari sot duhet të hyjë në sistemin e ligjit, të paguajë çdo faturë dhe të japë llogari për të ardhurat e tij, por partitë nuk e kanë këtë detyrim, nuk e aplikojnë këtë detyrim kushtetues edhe pse janë poseduesit më të mëdhenj të të mirave materiale, financiare dhe influencës. Ata e dinë se qytetari civil e kurajoz mund të ftohet të përcaktojë me votë mandatorin më të mirë, ofertën më të mirë politike, të monitorojë qeverisjen dhe politikën, porde factoqytetari nuk e gëzon asnjë prej këtyre përgjegjësive dhe të drejtave, - vota administrohet nga palët në konkurrim, nuk ka shanse për demokraci direkt dhe as mekanizma që sigurojnë transparencë ndaj qytetarëve.

Në këto rrethana investimet zyrtare, publike, të përsëritura dhe unike të ambasadorëve Lu, Vlahutin, Hoffmann apo Cannon, janë injeksion pozitiv, janë shprehje të shqetësimit të shumicës qytetare, por janë njëherësh një deja vu e pamjaftueshme. Recetat? Ndofta një distancë kritike si ndaj gjyqtarëve të korruptuar, ashtu edhe ndaj politikanëve të korruptuar, OJF-ve të korruptuara, mediave të korruptuara, segmenteve të tjera të korruptuara, - pra në thelb, ndaj të gjithë atyre që de facto vijojnë të jenë vizitor të rregullt të paradhomave politike e diplomatike për interesa e tyre të tjera nga interesi publik. Natyrisht, do ishte utopi nëse zgjidhja pritet vetëm nga jashtë, një “deus ex machina” ideale nuk funksionon, do të duhet reflektim dhe akte përgjegjësie nga brenda, reagim, vullnet e presion nga brenda, megjithëse në kushtet ku ndodhet Shqipëria ndryshimi nga brenda mbetet utopik, edhe pse shumica qytetare, siç vetë Lu dje e konfirmoi “janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshime”. Pra, në thelb, do duhet edhe diçka tjetër, diçka më konkrete në terma dhe afate, diçka më e adresuar dhe e shoqëruar me “paralajmërime politike”, diçka më horizontale që ta bëjë sistemin e reagimit të besueshëm dhe t’i japë mbështetje afatgjatë. Sepse në fund të fundit, nëse ne dështuam kjo nuk është hera e parë dhe as do ishte e fundit në listën e shanseve të humbura, por “Perëndimi” dhe gjithçka përfaqëson ai, në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk duhet të dështojë në Shqipëri.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.046761035919189
array(1) { ["section"]=> string(48) "perendimi-nuk-mund-te-deshtoje-ne-shqiperi-27893" }