Përjashtimi i Doshit/ Baze: Fitore e spikatur e Edi Ramës, Bushati: Sakrifikimi i Tomës kërkon të tjerë pas tij

Publikuar tek: politike, më 08:53 03-03-2015 Përjashtimi i Doshit/ Baze: Fitore e spikatur e Edi Ramës, Bushati: Sakrifikimi i Tomës kërkon të tjerë pas tij Mero Baze dhe andi Bushati

Analistët e medias kanë komentuar ngjarjet e djeshme në Partinë Socialiste, ku deputeti Tom Doshi u përjashtua por edhe bëri akuza shumë të ashpra, sipas të cilit, Meta dhe Rama kanë dashur ta vrasin. Mero Baze, botues I gazetës Tema e cilëson përjashtimin e djeshëm si një fitore të spikatur politike të Edi Ramës. Por një tjetër qasje ka analisti Andi Bushati. Në analizën e tij ‘’Pse na zhgënjeu Edi Rama’’, Bushati thotë se Rama duhet të sakrifikojë të tjerë veç Doshit dhe po nuk e bëri, ky do të ishte zhgënjimi real.

‘’Kryeministri Edi Rama ka arritur një fitore politike të spikatur, duke marrë një qëndrim politik parimor ndaj një presioni ordiner që vinte nga nëntoka e politikës shqiptare. Ai ka guxuar të përballet me një prej deputetëve të tij, gjeografikisht të rëndësishëm, i cili i dha fund konfliktit të heshtur me të, duke e përjashtuar nga radhët e Grupit Parlamentar dhe duke marrë përgjegjësinë për bashkëpunimin e derisotshëm politik me të. Përballja e kryeministrit Edi Rama dhe mospranimi i shantazhit politik prej deputetit Doshi, është një pikë e fortë kthese në raportet e qeverisë me deputetët problematikë të Kuvendit dhe një guxim politik, për të dëshmuar se qeveria i ka duart e lira për të vepruar në emër të ligjit. Kjo i jep fund debatit për gjërat që do trondisnin vendin dhe rikthen vëmendjen tek ata që janë mërzitur realisht nga përballja e guximshme politike.’’, shkruan Baze.

“Edi Rama na ka zhgënjyer sot të gjithë ne skeptikëve ndaj tij që dyshonim se ai ishte i paaftë të përballonte shantazhin. Megjithëse u vu përpara një sprove të rëndë, megjithëse u kërcënua me fakte që mund “ta tundnin nga themelet mazhorancën e tij”, ai vendosi të veprojë. Me siguri që ai ka qenë në dijeni të akuzave për kërcënime me vrasje, (njerëzit e tij më të afërt e kanë paralajmëruar) të akuzave për korrupsion dhe të nxjerrjes së fakteve të pathëna për 21 Janarin. Por megjithatë, ai ka marrë guximin t'i japë “Tom Doshit lirinë për t'u shkëputur nga barra e kontratës me PS-në”.’’, shkruan Bushati.

Sipas Bushatit, Edi Rama ka zhgënjyer gjithashtu edhe një pjesë të madhe të atyre që kishin shndërruar në të mirqenë një bestydni kolektive sipas të cilës ai ishte peng i “të fortëve”.

“Prej vitesh në mjediset e politikës dhe më gjërë, ekzistonte ideja se ndryshe nga liderët historikë Nano dhe Berisha, që e kishin përdorur rëndom këtë takëm për qëllimet e tyre politike, Edi Rama ishte një shkallë më poshtë, pra se ndryshe nga të parët, ai nuk i kishte përdorur ata, por se më keq akoma, ishte një marionetë e pafuqishme në duart e tyre. Me rastin Doshi, Edi Rama e ka rrëzuar edhe këtë bestytni. Prandaj pasi dolën të shokuar, të heshtur e gojëkycur, shumë socialistë kanë pasur rastin sot të tregoheshin të gëzuar për faktin e thjeshtë se këtë ditë kishin fituar një lider të vendosur dhe të çliruar nga prangat e rënda për të cilat e kishin akuzuar. Koha mund të qe për të thirrur fitore dhe për të festuar një nga ato lëvizje që e përmirësojnë ndjeshëm imazhin publik të një politikani.”, mendon Bushati.

Vëmendjen më tek Baze e çon tek personazhe të tjerë, sipas të cilit kanë ndjerë mërzitje për ngjarjet e ndodhura në PS, siç është Blushi.

“Deri më sot Blushi ka pasur si tezë themelore bashkëpunimin Rama-Doshi dhe ka shpjeguar çdo mos-sukses të tij ndaj Ramës, me faktin që Rama kishte afër njerëz të fortë si Doshi. Këtë e ka pasur objekt debatesh dhe me diplomatë të huaj. Nuk është se nuk ka pasur shumë të drejtë, megjithë ekzagjerimin për ndikimin e Doshit tek Rama. Ajo që ka pritur Blushi, është në fakt ajo që kemi pasur frikë të gjithë, që Rama nuk do guxonte të përballej me Doshin. Fakti, që e bëri me guxim dhe mori vet përgjegjësitë, ka çarmatosur praktikisht kundërshtarët e tij brenda partisë, ashtu si dhe skeptikët e tij. Pas kësaj, Blushi tentoi ta sfumojë anën parimore të kësaj lufte dhe ta banalizojë si prishje të dy shokëve që kishin folur për vrasje’’, shkruan Baze për Blushin.

Por ndryshe nga Baze, Bushati mendon se Blushi me fjalët e tij, zbuloi dy të vërteta të mëdha për Ramën.

“Dhe kështu do të kish qenë nëse nën trysninë e këtij memecllëku mbytës nuk do të kishte marrë guximin të fliste Ben Blushi. Me pak fjalë, por tejet të goditura deputetit socialist i kujtoi shefit të tij një të vërtetë të dhimbshme. “Kjo është historia e dy miqve të ngushtë, që ende s'dihet se përse janë prishur”, tha me pak fjalë ai. E vetëm me këtë frazë zbërtheu njëherësh dy të vërteta të mëdha. E para është ajo e historisë së shkuar të ngjitjes së Ramës në kreun e PS-së. Eshtë historia e flirtimit të tij me të fortët, me klientelën e ndërtuesve të Tiranës, me njerëzit e dyshimtë që mbante rreth vetes. Ishte pikërisht kjo klientelë që i shërbeu më pas për t'u ngjitur në krye të Partisë Socialiste, për të eleminuar prej saj kundërshtarët e më së fundi për të fituar zgjedhjet. Me kolegun e tyre Doshi, Blushi, Malaj, Islami e Taulant Dedja kanë më shumë se një histori. Toma i shërbeu Ramës jo vetëm në zgjedhje, por dhe për të përdhunuar me hir dhe pahir, zërat e kundërshtarëve brenda llojit. Ndaj ai thërret sot me forcë për një partner “mosmirënjohës dhe bukëshkalë”., thekson Bushati.

Kur për Bazen, vendimi I Ramës shënoi një nga ditët më të mira politike të së majtës, për Bushatin Rama duhet të sakrifikojë të tjerë veç Doshit dhe po nuk e bëri, ky do të ishte zhgënjimi real.

 “Sot të gjithë janë më të lirë nga paranojat dhe më të qartë nga veprimi. Është një nga ditët më të mira politike të së majtës, që ka mundur të shmangë një KPD si ajo e viti 2001 dhe i ka kthyer dinjitetin shtetit shqiptar.’’, përfundon Baze.

“Në tryezën e Edi Ramës, nga miqtë e tij ndërkombëtarë, është e shkruar tashmë harta e rrugës që duhet të ndjekë. Njihen emrat, bëmat dhe e shkuara nga e cila ai do duhej të zhvishej. Sepse sakrifikimi i Tomës kërkon të tjerë pas tij. Nëse nuk do të ndodhte kështu, ai do të ishte i kotë dhe i padobishëm. Ai do i krijonte Ramës një armik më shumë, grupit të PS-së thjesht një deputet më pak dhe të gjithë atyre që besuan në këtë ditë, një zhgënjim më tepër. Këtë herë një zhgënjim real, nga ato që Rama di të prodhojë më së miri.’’, argumenton Bushati.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Akuzat e Doshit/ Basha: Meta të dorëhiqet, Rama dëshmitar në krim
Grupi Socialist diskuton deklaratat e Doshit, Kokëdhima: Nuk do priten koka »
Article Logic
Execution time: 0.026360988616943
array(1) { ["section"]=> string(112) "perjashtimi-i-doshit-baze-fitore-e-spikatur-e-edi-rames-bushati-sakrifikimi-i-tomes-kerkon-te-tjere-pas-tij-4829" }