Përmbaruesi, ‘’fëmija jolegjitim’’ i sistemit

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:19 17-10-2015 Përmbaruesi, ‘’fëmija jolegjitim’’ i sistemit

Nga Tedi Malaveci*

Përshëndetje të gjithëve dhe ju falënderoj që na u bashkuat sot, në këtë datë simbolike për ne, për të gjithë ne që përpiqemi çdo ditë të mos e lëmë drejtësinë thjesht në duart e atij iluzionit juridik apo shkresor! Edhe pse s’mund të jem aq epik sa zëri në klipin që dëgjuam, do përpiqem të them disa të vërteta të thjeshta për të gjithë Ju që besuat se ne duhet të mblidhemi sot, për një kauzë më tepër sesa për një festë; apo për të gjithë Ju, që besoni se edhe një event si ky mund të kthehet në një foltore profesionistësh, që nuk garojnë apo konkurrojnë me njëri-tjetrin, por vetëm evidentojnë kundërshtarin e përbashkët ose kundërshtarin e te gjithëve: Drejtësinë e Munguar!

Këto që do përpiqem të them, nuk do jenë fjalët e një përfaqësuesi entuziast, i cili do të zgjidhte shprehje të bukura, mesazhe të fryra apo statistika patetike për rastin, por do të jenë fjalët e thjeshta dhe të papërzgjedhura të një përmbaruesi gjyqësor shqiptar, i cili punon çdo ditë, këtu, në këtë terren problematik, polemik dhe shumë shpesh konfliktual, të një konteksti kaotik dhe të  paorientuar sistemi. Dhe kur përmend sistemin, kam parasysh edhe aktorët e tij, si ata ekonomikë ashtu edhe të tjerët juridikë. Ata, që të gjithë së bashku e krijuan dhe kultivuan në shoqërinë tonë atë mendësinë e drunjtë për ekzekutimin apo ekzekutorin përmbarimor.

Le të jemi të hapur dhe do më lejoni ta them po kështu atë që ne e dimë mirë, kur e bisedojmë shumë ndërmjet nesh dhe për më tepër e vuajmë atë që diskutojmë me njëri-tjetrin: Ne përmbaruesit jemi parë gjithnjë si një element fundor, mekanik dhe krejt i parëndësishëm brenda sistemit të dhënies së drejtësisë. Ne duhet të ekzekutonim thjesht, ftohtë dhe vetëm brenda një orientimi të kufizuar të interpretimit ligjor, vendimet gjyqësore të cilat supozohej se nuk kishin më nevojë për dorën e një juristi. Madje, prej kohësh, që kur përmbarimi lindi si shërbim gjyqësor më vete, 15 vite më parë, gjithnjë ai u mbajt i ndrydhur si një “fëmije jolegjitim” i sistemit të drejtësisë. Konsideroheshin vetëm avokati, prokurori, gjyqtari apo noteri, si funksionarë të vërtetë të drejtësisë së shkruar e të certifikuar... të asaj drejtësie që supozohej se mund ta kuptonin apo preknin të gjithë.

 

aktiviteti3ok

Por çfarë ndodhi? Me keqardhje duhet të konstatoj që ky është tipikisht rasti se si një botëkuptim mund të shndërrohet në kërcënimin serioz të mbarëvajtjes se vetë Demokracisë dhe të të Drejtave në tërësi.

Shikojmë të gjithë çfarë po ndodh sot, ku po të gjithë kanë nevojë për Atë që duhet t’u ekzekutojë detyrimet, kundërshtimet, gjobat apo vendimet… madje edhe vetë Drejtësia me aktet që nxjerr e që i shpie në rrugën e duhur avokati, i disponon gjyqtari apo i vulos noteri, bashkë me Shtetin, tek i njëjti emër e mbiemër kanë përfunduar për “ndihmë”: tek ai që nuk e konsideruan më parë – tek përmbaruesi gjyqësor.

Askush nga ata që prodhojnë pushtet, për vite me radhë nuk patën interesin të kuptonin apo të lejonin të kuptohej, se përmbaruesi Gjyqësor është një figurë qendrore e kompleksit të Drejtësisë, madje një figurë protagoniste e tij, i pajisur me të gjithë mekanizmin institucional dhe praktik, i cili, po nuk funksionoi, mund të shkatërrojë edhe vetë ekuilibrat e sistemit të një shteti, duke destabilizuar të Drejtën bashkë me Ekonominë.

Dhe këtë nuk e themi Ne, por janë të gjitha demokracitë progresive perëndimore që e kanë quajtur dhe po e përdorin këtë funksionar apo shërbim gjyqësor si zgjidhjen më efikase të progresit të tyre ekonomik, por edhe atij social-juridik.

Neve s’na mbetet veçse ta përqafojmë eksperiencën dhe parimin, duke përdorur gjithë trupën e përmbaruesve gjyqësorë, me gjithë kapacitetet e saj… dhe nuk jemi pak… Jemi sot mbi 200 funksionarë të tillë, që kemi tagrin të ekzekutojmë tituj, borxhe apo detyrime, s’ka rendësi, sa të  emëruar shtetërorë apo të licencuar privatë janë, sepse jemi të gjithë një shërbim publik!

Madje sot, gjej rastin të solidarizohem me të gjithë kolegët e mi të së njëjtës detyrë, por që i quajnë “përmbarues të zyrave shtetërore”, të cilët janë lënë në shpërfillje të plotë në paga e përkujdesje, për një profesion kaq të vështirë juridik dhe kaq ekzistencial për vetë shtetin.

Ne jemi pothuajse të gjithë juristë në këtë sallë dhe kjo na bën të kuptojmë qartë problemin që kemi në sistem: në atë të drejtësisë – atë ekonomik - dhe për rrjedhojë edhe atë social.

E si mundet të funksionojë një shtet kur nuk ka dëshirë apo fuqi të ekzekutojë detyrimet e veta?!

aktivitet4ok

- Miliona lekë vlera detyrimesh duhet të mbledhë shteti ynë, që të funksionojë normalisht, ku vetëm borxhi tatimor dhe doganor është mbi 1 miliard euro e ku çdo ditë e vit që kalon, ky borxh parashkruhet d.m.th. humbet - vetëm se askush nuk përdor mjetin ligjor për mbledhjen e tij: përmbaruesin gjyqësor.

Me qindra e mijëra gjoba apo detyrime administrative flenë, derisa humbasin në zyrat shtetërore apo entet publike, pasi askush ende nuk kupton se ato s'mund të jenë vetëm ca aksione të kronikuara televizive, porse akte që duhet të ekzekutojnë vullnetin shtetëror dhe këtë vullnet vetëm një përmbarues mundet ta përmbushë.

Nuk ka funksionarë të tjerë në Republikën e Shqipërisë përveç nesh këtu, në këtë sallë dhe 50 kolegëve që punojnë në zyrat shtetërore, të cilët kemi një tagër ligjor për të kryer detyra dhe akte të mbledhjes së borxheve apo detyrimeve. Dhe prapë shteti kreditor “fle”, duke mos e përdorur “armën” e vetme ligjore që ka… madje në raste më të shëmtuara ka gjetur të ashtuquajturit operatorë apo kolektorë ekstraproceduralë që tashmë janë kthyer edhe në subjekte të një komedie politike.

Ne jemi këtu, dhe jemi pjesë e këtij sistemi drejtësie, dhe natyrisht që s’mundemi të glorifikojmë profesionalizmin tonë, aftësitë apo moralin e ndryshëm, i cili s’ka si të jetë më i lartë krahasuar me të gjithë sistemin. Kjo është arsyeja që sot, në këtë event, nuk mendova të rreshtoja shifra,arritje apo suksese përmbarimore. Ne apo ndër ne, kanë pjesën e tyre të fajit apo të mospasjes së një Sistemi Ekzekutues Ligjor Efiçent, që do t’i shërbente shtetit dhe shoqërisë sonë.Por edhe këtu duhet të jemi të qartë e të sinqertë me veten dhe publikun. Nuk mund të jetë i gjithë sistemi, me gjithë përmbaruesit e tij, i vendosur nën gishtin tregues apo në targetin e fjalëve “të korruptuar” e “të paaftë”.

Fjalë apo shprehje të tilla, që dënojnë kolektivisht profesione të tëra, madje pa gjyq, i dëgjojmë sot kudo në këtë vend. Opinione që vrasin edhe ato vlera morale e profesionale që janë brenda jush në këtë sallë, por edhe jashtë saj. Por më shumë dhe më keq në lidhje me këtë linçim kolektiv besoj se ndihemi ne, përmbaruesit gjyqësorë. Mendoj se pas 5 viteve ka ardhur koha dhe ne do ta kërkojmë fort, që shprehja e fillim-demokracisë sonë “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” të mos shërbejë më si referencë morale. Ka ardhur koha, kur ata syresh që e denigrojnë profesionin të quhen “fajtorë dhe përgjegjës” e t’i hapin rrugën asaj pjese të shëndoshë të profesionistëve që sigurisht janë shumica.

Doja të ndaja edhe diçka me kolegët e mi të punës së përditshme:Ne që i shohim duke i prekur plagët më të thella të shoqërisë sonë, e cila po kthehet çdo ditë e më tepër në një komunitet debitor, do të duhet të jemi më të kujdesshëm kur “t’u shërbejmë interesave të kreditorëve, duke treguar po aq zell e respekt për dinjitetin e debitorëve”. Kjo është një sentencë e detyrimit të profesionit tonë, por jo pa qëllim po e përmend, për një arsye morale. Ne që ushtrojmë një nga profesionet më të vështira, por edhe më të papëlqyera të botës, s’mund të jemi indiferentë ndaj aspektit social që hasim, gjithnjë brenda korrektesës juridike. Ndaj, na lind detyrimi të mos jemi thjesht lexues apo ekzekutues të verbër të vendimeve gjyqësore, evazive ose të paargumentuara apo të kontratave bankare me interesa e penalitete hiperbolike që s’mbarojnë kurrë... pasi një popull debitor nuk mund të ekzekutohet as nga vendimet e padrejta, e as nga përmbaruesit e tij.

Ne, mbi të gjitha, jemi juristë dhe, si të tillë, do të duhet të ndërtojmë një model përmbaruesi që i duhet Drejtësisë, me parametrat e një funksionari ndërmjetës midis ligjit dhe ekonomisë.

Dhe më lejoni që në këtë kontekst, të konstatoj me kënaqësi atë që shoh:Ne jemi sot të gjithë bashkë! Në frymën e një grupi solid profesionistësh, ekspertësh e përfaqësuesish institucionalë dhe ndërkombëtarë; dhe nëse kërkoj arsyet e kësaj, kuptoj se prania juaj këtu i referohet vetëm një institucioni e asgjëje tjetër: Institucionit të Ekzekutimit të Detyruar dhe dëshirës për ta parë atë tërësisht në funksion të Drejtësisë!

 

*Kryetar i Dhomës së Përmbaruesve Shqiptarë

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029865026473999
array(1) { ["section"]=> string(46) "permbaruesi-femija-jolegjitim-i-sistemit-23325" }