Përplasja e analistëve, Andi Bushati vs Mustafa Nano për Aleancën Rama-Meta

Publikuar tek: politike, më 13:00 14-12-2015 Përplasja e analistëve, Andi Bushati vs Mustafa Nano për Aleancën Rama-Meta Mustafa Nano dhe Andi Bushati

Debat mes dy analistëve Mustafa Nano dhe Andi Bushati për qeverisjen e Edi Ramës dhe aleancës së tij.

Mustafa Nano duket se e ka hapur i pari debatin kur në gazetën ‘’Shqip’’ shkruante:

“Prit, prit, aleanca e qelbësirave është e jotja”, mund të thotë ndokush. Ok, po rri pak te ky argument. Do t’i kthehem Ramës sërish, por po mbetem pak te kjo e fundit, tek aleanca e qelbësirave, që po, është një tezë e imja e vjetër e sintetizuar dhe e pagëzuar në këtë mënyrë nga të tjerët, që nga Topalli e deri te Lubonja.

Po zhgënjej shpet e shpejt këdo që është duke pritur ndonjë mea culpa: Nuk jam penduar që e kam promovuar këtë aleancë qelbësirash. Ende jo. Jam i kënaqur që vendi nuk është më nën hyqmin e atij delinkuentit psikopat, tek i cili Plasari ka pritur njëzetepesë vjet për të parë, ose ndoshta thjesht për ta thënë, se “Zoti i ka dhënë dhuntinë për të qenë politikan”.

Por Plasari ka ca syze të çuditshme (“21 janari u bë për bllokun e Ilir Metës”, ia bëri ai këto ditë, duke ngatërruar 21 janarin me protestën, e jo me gjakun që u derdh në bulevard), e prandaj unë nuk jam në gjendje ta ndjek. Ndoshta, nuk arrij të dalloj që edhe atij Zoti mund t’i ketë dhënë talent analitik më të mirë se shumë të tjerëve, s’ka gjë se e aplikon shumë rrallë.

Duhet bërë ndonjë saktësim. Unë sot jetoj në një Shqipëri të korruptuar, po aq të korruptuar sa ajo e para vitit 2013, por unë nuk jetoj në një vend, ku gjërat duan si përgjigje ndonjë “dhunë shkatërrimtare” e ku “neveria prej mazhorancës e kryeministrit kanë kapur kulme që mund të krahasohen vetëm me periudhat më të errëta të periudhës postkomuniste”. Çfarë është në thonjëza është e Lubonjës, që fare mirë mund të thoshte që kjo është qeveria më dobët e periudhës postkomuniste, e nuk është çudi që të jetë vërtet kështu, fare mirë mund të thoshte edhe se neveria sot do duhej të ishte e niveleve më të errëta të periudhës postkomuniste, por jo, ai thotë që këtë neveri “ia dëgjojnë veshët e ia shohin sytë” sot.

Ja, kjo është t’ia mbysësh kot. Kjo mazhorancë, kjo aleancë qelbësirash, vetëm pak muaj më parë u mor në provim, dhe komisioni i provimit, zgjedhësit shqiptarë pra, i dhanë një alamet note, që mua të parit më la pa gojë e pa frymë. Kut më të mirë se sa ky unë nuk njoh për të matur qëndrimin ndaj një qeverie”.

Por pas tij e menjëhershme ka qenë replika e Andi Bushatit, i cili shkruan sot:

Lexova dje një shkrim polemik të Muç Nanos i cili, përpos yshtjes automatike të përmendjes së emrit tim, më bëri të reagoj për tre gjëra që zor se mund të kalohen në heshtje.

Më bëri përshtypje guximi i kolegut tim që pasi e nxinte Ramën si një politikan pa ideale, të prirur të sundojë, që afron rreth vetes bufonë, që nuk përfill ligjet, që pushtetin e sheh jo si mjet, por si qëllim dhe që po ngre një qeverisje të korruptuar, përsëri refuzonte të bënte një “Mea culpa”, për tezën e tij tashmë të famshme për pushtetin e qelbësirave.

Argumenti i dytë, ishte një lloj replike e tërthortë me ata që mendojnë se sot është me keq sesa dje, ose dhe me të tjerët që pretendojnë se është njësoj. Kolegu im Nano, mendon se megjithëse sot jetojmë nën një regjim të kalbur e të korruptuar, përsëri krahasim me kohën e Berishës nuk mund të ketë. Nuk të vret njeri po protestove si në 21 janar dhe sot nuk ka askush më frikë nga kryeministri, janë argumentat e tij të përmbledhura në pak fjalë.

Por ajo ç’ka më pezmatoi më shumë ishte dorëzimi i Nanos përballë idesë se në në Shqipëri është e pamundur të lindë diçka e re: një lëvizje, një parti, një revolucion, që të përmbysë këtë kastë të korruptuar dhe të urryer, që po e vendos vendin nën thundrën e një grushti oligarkësh.

Pra, duke e lexuar edhe këtë herë, si gjithnjë me vëmendje artikullin e Muç Nanos, pyetjet që më lindën mund t’i përmbledh kështu:

A ishte e drejtë thirrja për bashkimin e qelbësirave për të hequr me çdo lloj çmimi Berishën? A ka vlerë ajo më sot?

A ka sjellë ndryshim rrotacioni i pushtetit nga Berisha tek Rama? A ka më shumë liri dhe më pak frikë?

Dhe së fundi, a ka shpresë se kjo gjendje mund të ndryshojë?

Le t’i marrim me rradhë.

Që ditën e parë që e kam dëgjuar idenë e kolegut tim për të mbledhur të gjithë hajdutët e banditët kudo që janë, kam qenë kundër tij. Kemi debatuar gjatë sy më sy dhe i’a kam thënë këtë gjë edhe publikisht. Natyrisht e kuptoja dhe atëherë, në periudhën e errët të pas 21 janarit dhe të rrëmbimit të votave me gjykatë, se rrotacioni ishte më i mirë sesa stanjacioni. Se Sali Berisha duhej të largohej me çdo kusht. Se një mandati i tij i tretë do të kishte qenë katastrofal për ekonominë e vendit, për izolimin e tij ndërkombëtar, për mediat e futura nën thundër, për gjyqtarët kamikazë të vendosur nga familja që vetëm drejtësi nuk imagjinonin të jepnin më.

Po, i dija të gjitha këto dhe megjithatë nuk isha dakord me Nanon në një pikë. Pasi mendoja se si unë dhe ai (ndryshe nga ata që e kërkonin ndryshimin e pushtetit për të marrë ndonjë lek nga LSI-a apo për të marrë ndonjë post në administratë nga Rama), nuk mund të përligjnim publikisht ardhjen e një grupimi tek i cili nuk besonim. Nuk mund të militonim për të keqen më të vogël. Sepse shpejt, shumë shpejt, ajo do të bëhej një e keqe po aq e madhe.

Rënia në këtë kurth, pra çarku i të keqes më të vogël nuk përshtatej, sipas meje, me dikë që do ta kryejë me integritet “detyrën” e pushtetit të katërt. Më shumë sesa kalamendja se kush është më i mirë dhe kush pak më shumë, besoj se është i dobishëm një këndvështrim tjetër: të shkruajmë dhe të mbajmë qëndrim nëse ofertat që na japin palët në garë, janë apo jo të pranueshme, ndjellin apo jo besim, krijojnë dot shpresë dhe ëndërr.

Në këtë këndvështrim mund të na rezultonte se asnjëra nga partitë e mëdha nuk do të ishte në nivelin që meritojnë shqiptarët.

Po a nuk do të ishte më mirë që, nëse mendojmë vërtet kështu, ta themi troç, me zë dhe me shkrim, pa u futur në sofistikimet kalkuluese të së keqes më të vogël? A nuk jemi kështu më të ndershëm, më të vërtetë dhe i shërbejmë më shumë publikut?

Unë e kam menduar atëherë kështu dhe vazhdoj të mendoj po njëlloj. Ndaj nuk kam asnjë zhgënjim kur vëzhgoj se ç’po bën sot “pushteti i qelbësirave”.

Nuk deziluzionohem aspak kur shoh gjysmën e pushtetit të Berishës të katapultuar në qeverisjen e Rilindjes, as kur shoh klientët e ish-kryeministrit të bëhen të preferuarit e Ramës, as kur shoh mediat e djeshme me hanxhar në dorë, që sot kanë filluar t’i shërbejnë padronit të ri, as kur shoh se Edi dhe kriminelët e tij, nuk humbasin më procese me gjykatësit e Berishës, as kur shoh se shumë nga deputetët e opozitës kanë rënë squk, pasi kanë filluar të flirtojnë me pushtetin.

Jo, nuk kam asnjë iluzion, se e dija që këto do të ndodhnin me krijimin e një aleance qelbësirash. Ishte vetëm çështje kohe.

E di gjithashtu se justifikimi i vetëm i atyre që e mbrojtën ngjizjen e kësaj aleance, ashtu sikurse thotë edhe Muçi, është fakti se ky pushtet është më tolerant, se ai nuk të vret kur proteston, se ne sot (përfishirë edhe unë – thotë kolegu im) nuk e kemi më frikë kryeministrin.

Por a është e mjaftueshme kjo?

A e ndryshon kjo diferencë thelbin e sistemit? A e bën ajo njërin më të mirë dhe tjetrin më të keq?

Unë mendoj se jo. Sepse të dyja palët përdorin mjete të ndryshme për të arritur të njëjtat qëllime.

Berisha përdorte arrogancën dhe forcën. E bënte këtë për të ndarë shoqërinë, për të dobësuar opozitarizmin, për të friksuar kritikët dhe trembur kundërshtarët. Dhe shpesh ia arrinte megjithëse me kosto të lartë.

Rama dhe Meta kanë tjetër rrugë. Eshtë e vërtetë që nuk qëllojnë në bulevard. Por në vend të plumbave, ata përdorin një armë tjetër: paranë. Ata nuk të friksojë, ata të blejnë. Ata nuk të kërcënojnë ata të joshin. Ata nuk të burgosin, ata të rekrutojnë.

Dhe qëllimin e arrijnë po njëlloj. Pushtetet që Berisha i mundte me dhunë ata i mundin me para. Prandaj sot nuk ka më media të mëdha kundër Ramës. Nuk ka gjykatës që jep vendime kundër qeverisë. Nuk ka kundërpushtet që kryen misionin e tij.

Ja pra që, sipas meje, edhe alibia e diferencës mes njërit dhe tjetrit nuk qëndron. Ajo të gënjen vetëm në formë, por është e njëjta në thelb. Pavarësisht se duket sikur ka më pak frikë, shoqëria po nënshtrohet me shpejtësi, po njëlloj.

Dhe ky degradim, i cili ka shumë shkaqe, vjen edhe prej nesh, vjen edhe prej pjesës më të madhe të mediave që gjithnjë e fusin veten në garën e zgjedhjes mes dy të këqiave.

Në ujrat e këtij kurthi kam frikë se ka rënë edhe kolegu im Nano: ai e përligji dje ardhjen e hajdutëve të mundshëm në pushtet, në emër të së keqes më të vogël dhe po i justifikon mëkatet e tyre reale, po me të njëjtin parim.

Dhe prandaj (e këtu vijmë tek pyetja e tretë që ngrita në fillim), ai nuk sheh dritë në fund të tunelit. Ai nuk sheh mundësinë e një force, partie apo lëvizjeje të re që mund ta përmbyste kastën aktuale.

Këtë pesimizëm unë ia mvesh edhe angazhimit të tij për të vënë gishtin gjithnjë mbi atë që i duket pak më mirë. Nëse zhytesh në këtë hulli, nuk mundesh kurrë të shohësh përtej saj.

Unë mendoj ndryshe, mendoj se duhet denoncuar çdo lloj e keqeje. Me të njëjtën ashpërsi dhe me të njëjtën këmbëngulje. Pa kalkulime se kush fiton dhe kush humbet. Kush vjen në pushtet dhe kush bie prej tij.

Vetëm kështu, vetëm duke u thënë të gjithëve se jeni njëlloj, se mbështeteni me radhë nga të njëjtët oligarkë, se lustroheni sipas pushtetit nga të njëjtat media, se flirtoni me të njëjtët banditë, pra vetëm kështu, ne mund t’ua përplasim në fytyrë të gjithëve të vërtetën: jo vetëm jeni të padobishëm, por më shumë. Jeni armiq të këtij vendi.

Sepse vetëm nëse bëjmë këtë, ne kryejmë detyrën tonë për t’i hapur rrugën krijimit të diçkaje të re.

Dhe kjo e re (për të cilën Muçi me sa duket e ka humbur shpresën) nuk mund të vijë kurrë duke mbështetur me radhë një palë me qelbësira që rrëzon tjetrën.

Nëse ndodh, ajo do të vijë vetëm kur të kemi arritur t’i denoncojmë dhe t’i refuzojmë këta që janë “në bllok”. Pa justifikime dhe pa alibira se kush është pak më i mirë.”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “10 sekserët deputetë e ministra të Edi Ramës”, PD publikon emrat dhe dokumentin konfidencial
Sarkozy fiton zgjedhjet rajonale në Francë, Basha deklaratë: Ngadhënjim i të djathtës »
Article Logic
Execution time: 0.05922794342041
array(1) { ["section"]=> string(80) "perplasja-e-analisteve-andi-bushati-vs-mustafa-nano-per-aleancen-rama-meta-27741" }