Përralla me tatime…berberët dhe aksioni i kasave

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:39 13-09-2015 Përralla me tatime…berberët dhe aksioni i kasave Anila Basha, drejtore e newsbomb.al

Dje, në paraditen e bukur të së shtunës, u mbajt një konferencë shypi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në lidhje me aksionin e “kasave fiskale”, berberin e arrestuar dhe planin e (pa)realizuar.

Lajtmotivi i gjithë shpjegimit të drejtores përmblidhej në një togfjalësh shumë elokuent dhe korrekt: “Po pse kështu, po pse ashtu..!” Ishte një formë pyetjeje që përngjante me kërkesën e llogarisë, që titullarja e Tatimeve, i bëri publikut në përgjithësi, gazetarëve të pranishëm të (pa)përgatitur për ato pyetje, si edhe mbarë ekspertëve ekonomikë të vendit. E gjitha nën një grimasë të dukshme nervozizmi, që fshihej prapa buzëqeshjes së sforcuar. Por, nëse herë të tjera do më duhej të solidarizohesha fort (si dikur me Jozefinën), edhe kur femrat në karrierë bënin dukshëm gabimet e burrave, kësaj here nuk mund të qëndroj në të njëjtat pozita feministe.

Nuk mundem për vetë faktin kur dëgjoj dhe shoh “live” se si një drejtuese institucioni delikat si ky i Tatimeve, i drejtohet në formë e gjeste kryeministrore gjithë publikut me shprehjen: “Ku ishit Ju..?!”, duke na fajësuar të gjithëve për tatimet që nuk i paguanin apo paguajnë, të gjithë kolektivisht.

Nuk mundem të dëgjoj një drejtuese institucioni kyç dhe jetësor fiskal të marrë pozat e një shpëtimtareje kombëtare: “Lashë punën që kisha me trefish rrogë...dhe erdha këtu, se doja të besoja se ky vend bëhet!”. Në këtë rast referohem në CV-në e paraqitur në web-in e Drejtorisë Tatimore dhe bëj pyetjen që të gjithë bëjnë nën dhe mbi zë, duke u gajasur: “Më mirë arkëtare ose punonjëse banke, apo Drejtore e Përgjithshme Tatimesh në Shqipëri?”. Sigurisht që, më mirë atje ku ishte znj. Shehaj - ku dhe gjej rastin të kritikoj Kryeministrin e vendit tim që e mori këtë kuadër të lartë ekonomik nga banka dhe “desk”-u i vogël i saj, për ta sjellë te Drejtoria “hallemadhe” e Tatimeve - që nuk bëhet… bashkë me ne shqiptarët, që duam shkolla, rrugë, rend dhe ushqime…por jo të paguajmë tatime.

Përralla me tatime vazhdoi, si në kohën e “Berisha 1”, e “Berisha 2”, duke iu referuar të dyve bashkë me shifra dhe suksese, përveç, dividentit dhe tatimit të pasurive, që drejtorja “nuk ka çu’ bon… se nuk i detyron dot kompanitë të ndajnë fitime”.

Si në kohën “Berisha 1” dhe “Berisha 2”, u dhanë shifra dhe rritje, bashkë me arritje, deri aty sa… Shqipëria është vendi Nr.1 në rajon, për sistemin e menaxhimit elekronik tatimor të të dhënave, si atëherë kur ishim “lokomotiva” e Ballkanit në ekonomi pas Gjermanisë në botë, madje, brenda vitit do bëhet një sistem, ku çdo tatimor do të dalë me “tablet” në dorë, si në Pukë ashtu, edhe në Gjirokastër, për të matur xhiron e bizneseve me kasë e kupon, duke i hedhur të dhënat direkt në një server qëndror tatimor. Mrekulli! Shqipëria në moshën e internetit! Madje, në këtë moshë mund të dëgjosh dhe të kënaqesh ende me përralla tatimesh…!

Dëgjova dhe kuptova, sepse u shpjegua me pasion dhe saktë historia e kasave fiskale që masin xhiron e biznesit të vogël, që duhet të marrin një faturë nga furnizuesit (biznesi i madh) dhe kështu asgjë nuk humbet dhe të gjithë bien në rrjetë... Shpjegimi ishte aq i mirë sa të krijohej përshtypja që vetë drejtorja e kishte mësuar rishtazi, për herë të parë. Këtu patëm ilustrimin e berberëve që nuk ishin “big deal” për arsyen e kuponit, porse ata kishin dhunuar një inspektor tatimesh, që kishte hyrë në një berberhanë-lagjeje, për të kërkuar kuponin, për t’u qethur pa radhë apo për të kërkuar ndonjë lekë, këtë nuk e morrëm vesh asnjëherë…ta zgjidhë Prokuroria, e më pas gjykata. Sidomos, ajo gjykatë e korruptuar, që na i kthen përmbys të gjitha gjyqet. “Gjykatat e korruptuara” dhe gishti i drejtores tundej sikur të shihje Kryeministrin në një version të pazbutur, por gjithsesi femëror.

Duke u përpjekur të mbledhë info, për çfarë dëgjova hapa website-in e Tatimeve dhe nuk gjeta asgjë nga aksioni tatimor për kasat. Asgjë!. As njoftim, as paralajmërim, as argumentim se përse do bëhej, po bëhej, apo nuk ishte bërë “që në krye të herës”, kur erdhi “bankieria” në drejtim dhe qeveria në emërim. E gjithë ajo histori që dje në diellin vjeshtor na u tregua në formën e përrallës, u lançua thjesht dhe vetëm politikisht dhe në disa deklarime të tilla të Kryeministrit, të cilat kulmuan me një faturë kafeje te ish-Blloku...

Duke pyetur shpejt disa ekspertë të fushës fillimisht u thashë: “Ku jeni, ku ishit ju deri dje… perse nuk e shpikët më parë aksionin e kasave, ku biznesi i madh faturon të voglin dhe këtij të fundit i matet xhiroja reale?”. Ata më thanë, që kjo është një risi tatimore dhe novatorizëm në fushën e fiskut nga ana e drejtueses së re në moshë, por të vjetër në zanat.

Më informuan, gjithashtu, që Shqipëria po “mbytet” nga borxhi tatimor dhe doganor që po menaxhohet me “korrektesë dhe dashuri” nga zyrat juridike të Tatimeve dhe Doganave; ky i pari (pra borxhi tatimor) mbi 1miliard euro, vazhdon të mos mblidhet dhe të rritet apo humbasë çdo vit, por për këtë pritet një shpikje tjetër e drejtueses në fund të mandatit tatimor dhe qeveritar bashkë.

Ditën e djeshme patëm një përrallë me tatime, ku populli dëgjonte, populli s’paguante dhe populli duhet të paguajë, që po ky popull të prosperojë dhe drejtuesit e tij të kënaqen më në fund që ata nuk e zhgënjyen pritshmërinë e tyre për këtë popull, se Ky bëhet.

Së fundi, shpresoj që, edhe Kryeministri ta ketë dëgjuar jehonën e kësaj përralle me popull dhe tatime, ku “bletët” e tij punëtore po na e servirin mjaltin e ëmbël nëpër konferenca e tryeza në formën e ushqimit jetik, të pazëvendesueshëm.

A.Basha / Newsbomb.al

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026455163955688
array(1) { ["section"]=> string(54) "perralla-me-tatime-berberet-dhe-aksioni-i-kasave-20658" }