Personazhet realë të romanit të Ben Blushit. Çfarë thotë për Fevziun, Çilin, Bushatin dhe Shkullakun...

Publikuar tek: politike, më 13:12 27-10-2015 Personazhet realë të romanit të Ben Blushit. Çfarë thotë për Fevziun, Çilin, Bushatin dhe Shkullakun...

 Për Blendi Fevziun të cilin e ka quajtur Henri në roman

 “E dija që njeriu që do ta intervistonte, ishte kapriçoz. Gjatë viteve të fundit, kishte fituar famën e gazetarit, të cilin, askush nuk mund ta refuzonte. Të shkoje në emisionin e tij, ishte status, njëlloj si celularët Vertu, këpucët Christian Louboutin,ose syzet Miu Miu. Politikanë, balerina, gjeneralë, pasunarë, vrasës, blogera, aventurierë, sportistë,stilistë, modele dhe vajza me kotele, parakalonin çdo natë nëpër studion e tij, të lyer me blu kobalti. Me një fjalë, kushdo që donte të shkëlqente duhej t’i kalonte poshtë ylberit që, ai e lustronte pa pushim, me pendët e të ftuarve të zgjedhur. Ata që e përçmonin dhe që nuk ishin pak, thoshin se, ai nuk ishte më gazetar, por pronari i një dyqani mode. E megjithatë, shihej më shumë se të tjerët, sepse, kur vendoste ta përdorte dhuntinë e vet, mund t’i kthente pyetjet, në mjete torture. Sikur të ishte më modest, mund të ishte bërë një detektiv i përsosur.

 ...Henri kishte fituar imunitet ndaj talljeve dhe shpesh, në emision i provokonte njerëzit, duke ukërkuar të shkruanin sa më keq për të... Ai kishte dy pasione, të cilat nuk i tradhtonte. Historinë dhe gratë. Kishte shkruar disa libra dhe njeri prej tyre më kishte habitur. Nuk e kuptoja si e gjente kohën për të gërmuar aq shumë në arkiva dhe për t’i lidhur fijet e historisë, si të ishin lidhëse këpucësh. Për pasionin e dytë, natyrisht, shpenzonte më shumë kohë. Vajzat që ftonte në emision, i trajtonte si pronë. Ua shpërndante tapitë çdo mbrëmje, megjithëse nuk i ndante me miqtë,siç kisha dëgjuar.”

 Përshkrimi që i përkon Henri Çilit:

 “Kishte një emër poetik. Quhej Henri. Kalemat e kryeqytetit, përfshi dhe shkrimtarin që punonte pesimist, pretendonin se, ky nuk ishte emri i tij i vërtetë dhe se në fëmijëri kishte pasur një emër më oriental. Tingëllonte si emër sendi dhe për mua kishte bërë mirë që e kishte ndërruar. Në dyqanin e tij prej floriri, emri i vjetër, do të llamburinte me ndryshkjen e vet. Henri vetë, mbrohej duke thënë se emrin, fenë dhe pyetjet, njeriu duhet t’i zgjedhë vetë dhe guximi për të ndryshuar ishte talenti i tij.”

 

Për origjinën e tij nga Elbasani

 

“Baseni me ishte dukur një qytet i pabesë. Jetonin shumë keq për ta mbajtur fjalën. Gratë përtonin të zbukuroheshin, ndërsa burrat e kalonin kohën duke pirë në lokale të lira. Me siguri këtu shitej më shumë mish se sapun. Por ajo që më kishte vënë në mendime ishte sesa pak kishte punuar Kadim Sedini. Ai nuk kishte bërë pothuajse asgjë për ta parfumosur qytetin. Ndoshta nuk e kishte pasur të nevojshme sepse nuk ishte kjo arsyeja pse fitonte. Në Basen pushimi nuk ishte koha mes dy punëve, por puna ishte koha mes dy pushimeve, siç thoshte një shkrimtar shëtitës për njerëzit e orientit. Baseni ishte një grumbull njerëzish që jetonin buzë rrugës me shpresën se uji i përroit do t’ua pastronte këmbët. Këtë fjali e kisha dëgjuar shpesh nga gjyshja ime që nuk e di pse e përçmonte këtë qytet ku gjyshi im kishte lindur. Diku afër shtëpisë së Nef Nosit ishte shtëpia e tij. Ai kishte ikur para Luftës dhe pothuajse nuk kishte ardhur më përveçse në raste vdekjesh. Motrat e tij e kishin shitur shtëpinë dhe unë nuk kisha asnjë dëshirë për ta parë. Edhe unë isha një kalajs. Kur dëgjoja Zeron që thoshte se kalajsit mendojnë se bota ka vetëm dy qenie, kalajs dhe të tjerë, me duket sikur shihja tim atë. Ai kishte një përçmim për shqiptarët që ndoshta ma kishte ngjitur dhe mua.”

 Për Bushatin dhe Shkullakun –kalemi.al

 “Dy njerëzit që e kishin, dhe që e përdornin si një SPA politike, ishin dy gazetarë që i shihje në çdo restorant të njohur. Pinin gjithë kohën me politikanë, aktorë dhe biznesmenë. Me siguri një pjesë të lajmeve i botonin duke ngrëne drekë. Herën e fundit që i kisha parë, ishin në një tavolinë me shkrimtarin që kishte qejf gruaja ime. Nëse ky kishte arritur të infektonte njeri, me pesimizmin e tij praktik, ishin pa dyshim ata të dy.

Të tre i bashkonte e njëjta mënyrë jetese: hedonizmin e shisnin për pesimizëm, ndërsa pesimizmin e quanin punë. Nëse shkrimtarin do ta pyeste njeri çfarë pune bën, me siguri do të thoshte: punoj pesimist. Ndërsa dy të tjerët ishin pesimistë part time, sepse kur shkruanin ishin realistë të hidhur. Ndryshe nga shkrimtari nuk kishin asnjë ankth dhe jetonin duke shijuar veset e të tjerëve.”

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Satira e Ben Blushit, reagon Qazim Sejdini: Unë kam bllokuar shitjen e librit?! Blushi ka fyer Elbasanin
Meta në SHBA, takohet me Benjamin: Instituti Demokratik Amerikan, rol të veçantë në punën e parlamentit »