Përtej dritave shumëngjyrëshe, kamerave, fotove e dukjes... LAJMI I DITËS dje ishte BLERINA SHALARI

Publikuar tek: kulture-art, më 16:33 08-09-2017 Përtej dritave shumëngjyrëshe, kamerave, fotove e dukjes... LAJMI I DITËS dje ishte BLERINA SHALARI

Nga Anta Muçaku

Ditën e djeshme, përtej ceremonisë festive maratonë të 20 vjetorit të “Opinion” nga Blendi Fevziu, ngjarja e ditës ishte Blerina Shalari, kompozitorja e cila nuk iu nënshtrua verbërisë së syve por përmes forcës së shpirtit, syve të zemrës, e punës së pandërprerë 5 vjeçare, ia doli të mbrojë doktoraturën. Ky është një rast unikal për Etnologjinë e Folklorin shqiptar ashtu sikurse edhe vetë Blerina e cila reflekton kaq shumë forcë, besim e optimizëm.

“Pse vendosët të shkruani për mua?” më pyet natyrshëm Blerina teksa e shkëpus pak nga puna në Institutin e Antropologjisë dhe Studimit të Artit ku kompozitorja transkripton këngët popullore, i merr nga audio dhe i kthen në pentagrame e tekste, në mënyrë që të ruhen në arkiv dhe të botohen.

“Nuk ishte një vendim nga ato për të cilit të duhet të mendohesh gjatë. Sapo e pashë qe kishe mbrojtur doktoraturën, mezi prisja të të kontaktoja sepse për të bërë gjithë atë punë duhen vërtet sytë e zemrës dhe më beso, jo të gjithë i kanë...” i përgjigjem duke sjellë ndërmend profesor Vasil Tolen, postimi i të cilit më shkëputi nga prozhektorët reflektues të sheshit “Nënë Tereza” e më sollën te Blerina e studimi i saj i doktoraturës.

Blerina është diplomuar në "Akademinë e Arteve të Bukura" në fushën e kompozicionit ndërsa ditën e djeshme mori titullin: DOKTOR përmes studimit me temë “Polifonia Labe dhe Muzika e Kultivuar Shqiptare”.

Kur e pyes nëse ndokush nga zyrtarët e politikës ishte dje në këtë ditë të rëndësishme të saj, më thotë:

“Përse duhen politikanët? Apo për të ndezur nja tre a katër kamera, që, veç fotove dhe opinioneve korente, të bëjnë edhe reklamë. S'më vjen mirë që ndodh, që ku ka politikanë, ka edhe reklamë, ku s'ka politikanë, s'ka as reklamë. Ata, kur i fton nëpër koncerte, të thonë që jemi të zënë.”

INTERVISTA- Anta Muçaku për newsbomb.al

Si ia dole është pyetja e parë që më vjen të bëj natyrshëm. Ishin jo pak, 5 vite...

Sigurisht, në të tilla raste thuhet ka qenë e veshtirë, etj, etj, por realisht ka qenë kështu. Unë kam një pajisje kompiuterike,  e cila çdo gjë që shkruaj ma flet me zë dhe kështu mundem të shkruaj, të lexoj, dhe të të përgjigjem edhe ty këtu. Por më teper se kjo, është diçka më tepër që “rëndon”, dashuria ime për artin e muzikës, përzierë kjo me një pasion tjetër për të shkruar dhe për letërsinë gjithashtu!

Cila ishte vështirësia më e madhe që hase gjatë këtij rrugëtimi?

Vështirësia ishte tek kthimi i librave fizike në elektronike, pasi vetëm kështu mund t'i aksesoja dhe t'i citoja aty ku duheshin në teme. Kurse lehetësia, përkundrazi ishte që udhëheqësi im, prof. Dr, Vasil Tole nuk paragjykoi aspak që dikush që ka një mungesë të kryejë studime doktorate, dhe për më tepër realisht, jo thjeshtë për të pasur një diplomë siç ka ndodhur rëndom.

b2.jpg

Tema me të cilën mbrojte doktoraturën ishte: “Polifonia labe dhe muzika e kultivuar shqiptare”! Dua të më thuash gjënë më të bukur të këtij punimi, atë që do mbesë gjatë në kujtesën tënde...

Gjëja më e bukur e punimit, përveç kapitullit mbi muzikën e kultivuar dhe ndikimi nga folklori, ishte hyrja e cila përmbante nje lloj pathosi, nje lloj inspirimi gati gati fëminor në lidhje me artin muzikor shqiptar, dhe dashurisë që duhet të kemi për të. Ka qenë ky art, ky idil ndjellës, siç e kam thënë në studim, që më bën të rri këtu, të punoj e të mendoj këtu, po pse jo, edhe të kem optimizëm se jeta bëhet edhe këtu, dhe e bukur madje. Këtë ua kam thënë edhe miqve të mi artistë, që dëshpërohen shpesh, por këtu ka shumë për të zbuluar, qoftë natyra, qoftë edhe dielli ndrin më shumë. Më vjen të them se ne sot mburremi me rivierën e jugut, me të drejtë sigurisht, por kemi harruar rivierën tonë shpirtërore, ç'ka është muzika jonë e pakrahasueshme popullore.

Cili është njeriu që të ka mbeshtetur gjatë kësaj kohe, të cilit ia dedikon gjithë suksesin?

Suksesin? Ka shumë... Më kanë ndihmuar prindërit si dhe profesorët e mi, udhëheqësi Vasil Tole, profesori Roland Çene, si dhe shumë studiues të tjerë...

Profesor Vaso thotë se i yti ishte një studim i zemrës, veshit e syve të mendjes. Si të bën të ndihesh kjo?

E prekur, e emocionuar, e trazuar, po për mirë, sigurisht. Profesor Vaso është një njeri i veçantë. Të gjithë verbin që përdor e ka shumë shpirtëror, dhe kjo e bën të jetë kështu. Këto fjalë nuk i them për t’i kthyer atë që ka thënë, por vërtetë është keshtu. Që kur isha ne fakultetin e muzikës, studente, ai kështu ka qenë, dhe jo vetëm me mua. Madje faqen e tij në internet ai e ka kthyer në një memorial virtual për të gjithë artistët shqiptarë, dhe kjo është një nga vlerat e tij të tjera. Kjo që ka thënë më në fund, ma shton përgjegjesine për të punuar më tej.

A ishte ndokush nga zyrtarët e politikës në mbrojtjen e doktoraturës, të uroi ndokush prej tyre?

Përse duhen politikanët? Apo për të ndezur nja tre a katër kamera, që, veç fotove dhe opinioneve korente, të bëjnë edhe reklamë. S'më vjen mirë që ndodh, që ku ka politikanë, ka edhe reklamë, ku s'ka politikanë, s'ka as reklamë. Ata, kur i fton nëpër koncerte, të thonë që jemi të zënë. Dhe merret me mend fundi i përgjigjes!

Në një artikull të disa ditëve më parë lidhur me Akademinë e Shkencave ti ngre retorikisht pyetjen nëse duhet përkrahur shkenca në Shqipëri. Pa dashur ta politizojmë këtë bisedë, dua të di mendimin tënd si dok. e Etnomuzikologjisë tashmë, për qendrimin e kryeministrit Rama?

Pyetja është e bukur por edhe e vështire. Unë mendoj se kryeministri kur është shprehur ka pasur si qëllim, jo ta godase Akademinë e Shkencave, siç edhe u interpretua, por, ai ka dashur të zgjojë ndërgjegjen e atyre profesoreve, ka dashur t’i shkundë nga një lloj letargjie që ua ka krijuar në fakt, politizimi i tejskajshem në këtë vend, dhe rrokopuja e jetës këtu. Sigurisht që edhe shkenca do t’i vuante këto pasoja, sepse ajo mbillet dhe rritet ketu. Une jam fëmije në shkencë, në krahasim me ata profesorë, por siç thuhet diku, mund të mesosh edhe nga fëmijet. Ndaj, them se kur kryeministri u bë i ashpër ose më mirë, qortues, ai ka rrezatuar në fakt, një revolte prej intelektuali, të cilit i dhemb me shumë se kushdo ajo çerdhe e dijes. Gjithesesi, une jam optimiste, se profesorët, vetë institucioni do të hapet, do të demokratizohet dhe do t’i thotë pjesës tjetër të elites se duhet të qarkullojë intelekti, duhet të rrjedhë, ashtu si uji i një lumi. Kështu do të kemi shpresë për të nesërmen, dhe të pretendojmë të prodhojme dijetare, pse jo? Vendi i ka të gjitha potencialet. Sic e thotë edhe Kadareja i madh, ne jemi  popull si çdo popull, që do të thotë se kemi inteligjencën tonë, por kemi edhe defektet tona.

Në morinë e postimeve të tua ku ndalova me kënaqësi gjatë e u mbusha me plot pozitivitet,  ndër të tjera lexova të shkruaje: “ Ti do bëhesh ai që synon të bëhesh’. Çfarë synon Blerina?

Unë synoj t’i shërbej vendit tim, ta ndërtoj jetën time këtu, ndryshe nga shumë të tjerë. Sigurisht që këtu s'dua të marr pozën e patriotit meskin, por vërtetë e ndjej kështu. Dua të ushtroj profesionin e kompozitorit, për të cilin edhe e ndjej se kam pasion, si dhe punën që bëj ketu në Institut, t’i ruaj e të kujdesem fort për këngën popullore shqiptare, që ajo të ruhet, dhe pse jo, të shndërrohet në një muze shpirtëror i cili të vizitohet nga të gjithë!

Hapi i rradhës pas doktoraturës?

Kam dëshirë të publikoj disa vepra orkestrale me prirje simfonike. Le të shpresojmë për këtë sepse nuk është e lehtë. Kur del diçka në publik duhet të mendohesh mirë.

Në mbyllje, diçka që të mbeti pa thënë...

Pa thënë? Gjithmone kam pershtypjen se s'do të thuhen të gjitha por, dua tiu them njerëzve, opinionit, se, kur ndeshen me raste si ky imi, duhet të kuptojne se së pari duhet të besojne tek vlerat që mund të kenë për këta njerez, pa menduar të parin problemin, sepse dikush ka menduar: Do tia kenë dhene titullin, sepse duhet përkrahur, por ua them me përgjegjësi, nuk ka qenë e lehtë, as për titullin, dhe as për shkollimin tim. Une kam dhënë provime edhe në vjeshtë për t’i permirësuar, sepse profesorët e mi kanë qenë objektive në vleresimin tim. Kështu duhet të jenë edhe të zakonshmit, ata që ndeshim përdite në rruge, të sjellshëm, të degjueshem, po pse jo, edhe të ndjeshëm ndaj dikujt që mund të mos ecë vetëm tek në rruge,  ama, rrugën e jetës di ta ndriçojë shumë mirë.

Ndoshta duhet një logjikë edhe më e ftohtë për të kuptuar se ç'ka ndodhur vërtetë me graden time shkencore. Arsyeja që pranova të të jap një intervistë është se kam dëshirë që njerëz të tjere, të ditur po edhe më të ditur se unë, të frymëzohen, ta bëjnë studimin realisht, të jenë të përgjegjshëm për atë që mësojnë në shkolle. Ata duhet ta dinë se të kulturohesh është gjëja kryesore në jetë, dhe ajo të hap rrugën dhe t’i jep kuptim jetës./ Newsbomb.al

bbb.jpg

b1.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vajza e çiftit shkodran rrëmben publikun suedez, shikoni interpretimin fantastik që la pa fjalë jurinë (VIDEO)
ERIONA e Mirditës, ekselente e shkencave kompjuterike në Greqi »
Article Logic
Execution time: 0.032856941223145
array(1) { ["section"]=> string(100) "pertej-dritave-shumengjyreshe-kamerave-fotove-e-dukjes-lajmi-i-dites-dje-ishte-blerina-shalari-91592" }