Policia pa staf dhe hard-disqe; hetimet kundër krimit të organizuar në rrezik

Publikuar tek: politike, më 19:01 07-12-2015 Policia pa staf dhe hard-disqe; hetimet kundër krimit të organizuar në rrezik

Një letërkëmbim mes dy zyrtarëve të lartë të policisë shqiptare zbulon degradimin e laboratorit të ekzaminimeve kompjuterike; një sektor që punon në mungesë stafi dhe fondesh, duke vënë në rrezik hetime të komplikuara kundër krimit të organizuar.

Beteja kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit trumbetohet si prioritet kryesor i policisë dhe politikës shqiptare, por një sektor kyç i këtij fronti është paralizuar nga mungesa e stafit, e fondeve dhe e vëmendjes.

Sektori i ekzaminimeve kompjuterike- një nga shtatë sektorët e drejtorisë së Policisë Shkencore operon në dy vitet e fundit me staf të reduktuar dhe mungesa të shumta të bazës materiale, ndërkohë që në zyrat e tij janë grumbulluar dhjetra vendime të zvarritura për vepra penale të krimit të organizuar, akteve terroriste, pedofilisë, krimeve kibernetike apo vrasjeve dhe grabitjeve me dhunë.

Paralizimi i këtij sektori të rëndësishëm në sigurimin e provave për procese hetimore të krimit të organizuar zbulohet përmes një letre që drejtori i policisë shkencore, Dritan Zoto i dërgon kreut të drejtorisë së krimit të organizuar në policinë e shtetit, Ardian Çipa, letër të cilën BIRN e disponon.

E shkruar më 20 tetor 2015, letra zbulon një zinxhir arsyesh që e bëjnë punën në laborator thuajse të pamundur, për shkak të numrit të paktë të ekspertëve, mungesës së pajisjeve bazike, shtimit të volumit të kërkesave për ekspertime kompjuterike dhe rënies në vesh të shurdhër të ankesave të vazhdueshme.

Letërkëmbimi mes Zotos dhe Çipës-të dy zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit merr shkas nga një kërkesë për përshpejtimin e një ekspertimi kompjuterik mbi një procedim penal të nisur në vitin 2014 për krimet e “mashtrimit kompjuterik” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Zoto i përgjigjet Çipës se jo vetëm nuk ka asnjë mundësi për përshpejtimin e ekspertimit, por as për realizimin e tij në një kohë të gjatë të pacaktuar. Sipas drejtorit të policisë shkencore, Dritan Zoto, sektori i ekzaminimeve kompjuterike operon me 3 ekspertë mbi një volum çështjesh, që sipas tij do të duhej të kryhej nga 13 ekspertë.

Zoto ngre gjithashtu shqetësimin se mungesa e stafit bashkohet me mungesën e bazës materiale, duke sjellë bllokim të punës në sektorin e ekzaminimeve kompjuterike dhe duke i ekspozuar ekspertët e kësaj zyre ndaj përgjegjësive ligjore për moskryerjen në kohë të detyrës.

“Pa përfunduar ekspertimet, çështjet nuk shkojnë në gjykim e për rrjedhojë ne bëhemi shkaktarë të problemeve serioze në mbarëvajtjen e procedimeve penale dhe kjo përbën përgjegjësi penale,” paralajmëron Zoto eprorin e tij në policinë e shtetit.

Letra zbulon se shumica e vendimeve të mbartura i përkasin ngjarjeve shumë të rënda të botës së krimit të organizuar në Shqipëri. Provat dixhitale, sipas tij përmbajnë të dhëna që mund të përdoren si prova ligjore në proceset hetimore e në disa raste, ato janë provat e vetme kundër personave të dyshuar.

I pyetur nga BIRN për shqetësimet e ngritura në këtë letër, zëdhënësi i policisë së shtetit, Gentian Mullai u përgjigj se problemet do të marrin zgjidhje me strukturën e re të policisë së shtetit.

“Po punojmë për të bërë gati strukturën e re të policisë. Përmes saj do të trajtohen edhe sektorët që kanë nevojë për shtesë personeli dhe fondesh,” tha Mullai.

Hetimet drejt dështimit

Në sektorin e vogël me 3 ekspertë të ekzaminimeve kompjuterike kanë mbërritur 1040 vendime ekspertimi me 3238 prova dixhitale gjatë vitit 2014. Thuajse i njëjti volum pune është shënuar edhe në vitin 2015.

Drejtori i policisë shkencore, Dritan Zoto thotë në letrën drejtuar Çipës se deri në tetor 2015, në këtë sektor janë grumbulluar 250 vendime ekspertimi të parealizuara. 1200 prova dixhitale, të tilla si kompjuterë, telefonë celularë apo video-regjistrues presin të trajtohen përgjatë viteve 2014-2015.

Ekzaminimi i një kompjuteri kërkon 1-4 ditë kohë, i një telefoni celular 2-8 orë, ndërsa për një smart-phonë, ekspertëve u nevojitet nga 4 orë deri në tre ditë. I gjithë volumi i akumuluar në laborator, sipas drejtuesit Zoto kërkon të paktën një vit kohë, pa përfshirë kërkesat e reja që mbërrijnë çdo ditë në këtë zyrë.

Organika aktuale e këtij sektori përban 5 punonjës, por njëri prej tyre është larguar me kërkesë të tij në mesin e vitit 2014. Ndërsa dy ekspertet-gra kanë marrë njëra pas tjetrës lejen vjetore të lindjes, duke e lënë sektorin me vetëm 3 ekspertë.

Paralelisht me çështjet e mbartura, ekspertët duhet të trajtojnë edhe ngjarjen e rënda emergjente, të cilat sillen me urgjencë pranë këtij laboratori. Kjo sjell një zinxhir vonesash për provat e grumbulluara, të cilat duhen rifilluar nga e para.

Vonesat me ekzaminimet kompjuterike kanë shkaktuar tension dhe nervozitet tek prokurorët, të cilët për këtë arsye nuk i mbyllin hetimet në kohë, duke mbajtur në qeli tej afateve, njerëz të akuzuar për krime nga më të rëndat.

“Çdo ditë kemi dhjetra kërkesa me shkrim apo verbalisht nga prokurorë të ndryshëm ku kërkohen urgjent aktet e ekspertimit për shkak afatesh apo se janë çështje me të arrestuar, që mbahen në burg, në pritje të ekspertimeve tona”, shkruan Zoto.

Ai sqaron se kjo situatë i ka ekspozuar vartësit e tij përballë përgjegjësive penale dhe e ka vendosur gjithë strukturën nën presionin e prokurorive për shkak të afateve hetimore.

“Jemi nën presion nga prokuroritë. Madje, duke na kërcënuar me përgjegjësi penale, pasi kemi shkelur afatet e ekspertimit,” shpreh shqetësimin Zoto në letrën për Çipën. /Birn/

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rama: Më falni se jam i rënduar. Basha: Ky s’pastron dot hundën e tij, jo më Shqipërinë
Zbulohet SMS-ja e Bashës, ja çfarë i shkruan demokratëve për protestën »
Article Logic
Execution time: 0.061180830001831
array(1) { ["section"]=> string(82) "policia-pa-staf-dhe-hard-disqe-hetimet-kunder-krimit-te-organizuar-ne-rrezik-27181" }