PREKËSE/ Njihuni me Dhuratën, mësuesen që për 7 mars nuk shkoi në parukeri, por u organizoi nxënësve të saj diçka tjetër

Publikuar tek: kulture-art, më 16:20 07-03-2018 PREKËSE/ Njihuni me Dhuratën, mësuesen që për 7 mars nuk shkoi në parukeri, por u organizoi nxënësve të saj diçka tjetër

Dhurata Mullisi është mësuesja e cila për festën e 7 marsit nuk ka zgjedhur të festojë, por bashkë me nxënësit e saj ka zhvilluar një tjetër orë mësimore shumë të nevojshme për ta.

Mullisi është mësuese në Institutin e Fëmijëve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” në Tiranë dhe ndryshe nga koleget e saj që ditën e sotme zgjedhin të festojnë festën kushtuar atyre, ajo është përgatitur që mëngjes për t’u mësuar nxënësve të saj që nuk shikojnë, alfabetin Braille.

‘Vajzat për Shqipërinë’ kanë shkruar disa rreshta për mësuesen duke e veçuar punën e saj nga ajo e kolegeve të saj në shkollat e tjera. Sipas tyre puna e saj nuk ka vënd për shumë lukse, por ajo me profesionalizmin e saj arrin t’i përshtatet nxënëve të saj me të gjitha karakteristika dhe nevojat e tyre të veçanta.

“Dhe në krahasim me koleget e tjera të shkollave nëpër Shqipëri, Dhurata nuk e ka luksin të ketë “student tipik”, as brenda klasës, as nga viti në vit. Ata ndryshojnë dhe secili ka karakteristikat dhe nevojat e veta, të cilave Dhurata duhet t’iu përshtatet dhe t’i përmbushë.”
Duke përfolur rolin e mësuese Dhurata Mullisit në shoqëri, ‘Vajzat për Shqipërinë kanë uruar të gjithë mësuesit për festën e 7 marsit, duke i cilësuar si frymëzim për të gjithë.

POSTIMI I PLOTË:

Cilat mund të jenë gjërat më të thjeshta që bëni në mëngjes? Çoheni, shkoni në tualet, lani sytë, visheni, pastaj vijoni me mëngjesin.

Po sikur të mos ishit në gjendje t’i bënit këto gjëra kaq të thjeshta? Po, po. Kaq të thjeshta.

Ka mbi një mijë fëmijë në Shqipëri që nuk bëjnë dot asnjërën prej këtyre veprimeve pa ndihmën e dikujt, sepse nuk shikojnë. Në shtëpi duan prindërit, e në shkollë, nuk duan mësuese si të gjitha ato që urojmë me të drejtë sot në 7 Mars.

Të jesh mësuese në një shkollë posaçërisht për fëmijët që nuk arrijnë të shikojnë, është një përgjegjësi dhe detyrë që kërkon karakter të qëndrueshëm, durim të jashtëzakonshëm, trajnim të pandalshëm dhe një det të tërë me dashuri që ta bësh këtë punë.

E tillë është Dhurata Mullisi, përmes së cilës, përzgjodhëm sot t’i urojmë festën të gjithë mësuesve të mrekullueshëm që ka Shqipëria.

Do kishim zgjedhur një nga mësueset tona të fillores, apo nga ato që më shumë na kanë bërë për vete me mësimdhënien më lart e në gjimnaz. Por zgjodhëm Dhuratën, sepse i duam fëmijët që ajo mëson.

Dhurata është mësuese e klasës së parë që me siguri sot merr lule si 27820 koleget nëpër Shqipëri. Veçse ajo nuk është si të tjerat, sepse nxënësit e saj nuk janë si të tjerët. Dhurata nuk u mëson dot ABC-në e Abetares fëmijëve që nuk shikojnë. Alfabeti i saj është Braille, pika që lundrojnë nëpër gjashtë rrathë të vegjël. A-ja një rreth. B-ja dy vertikal, C-ja dy horizontal, D-ja dy horizontal e dy vertikal me këndin djathtas lart...Nuk është fare e thjeshtë.

Dhe nuk është vetëm vështirësia e mësimit. Dhurata atë e bën me përkushtim prej më shumë se 30 vjetësh. Por ajo duhet të punojë më shumë se kolegët sepse po i ndihmoi këta fëmijë për më tutje, ka ndikuar edhe në karakterin e tyre, drejtimin e jetës dhe të ardhmen në botën e tyre të pazakontë.

Duke e parë korridoreve gjithmonë energjike e gati për ndihmë, duke ndihmuar fëmijët e shpenzuar kohë pa fund me prindërit, në orët pa fund me dokumentacionin për secilin fëmijë e në përpjekjet për të bërë edhe mësuesen, edhe psikologen për fëmijët, e edhe këshilltaren për prindërit, e kuptojmë se sa pak i njohim e i vlerësojmë mësuesit që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.

Dhuarata nuk ka shkuar tek parukierja sot. Nuk ka blerë fustan të ri për 7 Mars. Thjesht ka ardhur në punë që para orës 7.00 dhe i jep dorën e fundit përgatitjeve për ditën e vështirë të mësimit që do ketë sot me Braille. Duhen bashkuar rrokjet në fjalë e fjalët në fjali.

Nuk është e thjeshtë për një fëmijë që nuk sheh gërmat. Nuk ka si të jetë e thjeshtë as për një mësuese që përpiqet pa u lodhur ta bëjë gërmën rrokje, rrokjen fjali, e fjalinë derë të hapur për të nesërmen e këtyre fëmijëve.

Nuk është fushë me lule puna e mësuesit. Aq më tepër për Dhuratën e kolegët e saj te Instituti i Fëmijëve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” në Tiranë.

Nuk ka rëndësi sa të talentuara apo të përkushtuara janë ato; puna në institucione të tilla arsimore kërkon cilësi njerëzore e profesionale mbi normalen e shkollave të tjera, që të jesh në gjendje të arrish më të mirën për fëmijën.

Plus, puna me prindërit është më specifike dhe kërkuese, sepse mësuesit janë të trajnuar të merren profesionalisht me fëmijën, kurse prindërit jo. Ndaj edhe koha e shpenzuar me ta është më e madhe.

Dhe në krahasim me koleget e tjera të shkollave nëpër Shqipëri, Dhurata nuk e ka luksin të ketë “student tipik”, as brenda klasës, as nga viti në vit. Ata ndryshojnë dhe secili ka karakteristikat dhe nevojat e veta, të cilave Dhurata duhet t’iu përshtatet dhe t’i përmbushë. Ndaj edhe dokumentacioni është më voluminoz, sepse përgjegjësia është edhe arsimore, edhe shëndetësore, edhe psikologjike.

Për të gjitha këto vështirësi, ajo ngelet mësuesja e thjeshtë, por aspak e zakontë që rezulton të ketë durimin më të skalitur që mund të ketë njeriu. Vijon e tillë, edhe pse rrugëtimi është shpesh i tatëpjetë nga vështirësitë që duhen kapërcyer çdo ditë.

“E gjitha ia vlen,-thotë ajo.- Nuk ka kënaqësi më të madhe kur shoh se pas çdo gërme, shenje apo numri që mësojnë, fëmijët ndjejnë ndryshim tek vetja dhe menjëherë iu rritet vetë-besimi dhe angazhimi. Jam e lumtur që jam në gjendje t’i ndihmoj këta fëmijë”.

Dhe ne jemi të lumtur e mirënjohës që e bën këtë punë fisnike, e nderuara Dhuaratë. Dhe përmes teje, urojmë sot çdo mësues shqiptar që kalon orët, javët, vitet e jetën e tij më fëmijët. Duke bërë maksimumin, edhe pse jo gjithmonë të vlerësuar siç e meritoni.

Gëzuar festën e mësuesit, Dhurata. Gëzuar, mësues e mësuese në të gjithë vendin. Jemi pafund mirënjohës dhe jeni frymëzim, siç dinë të jenë#VajzatperShqiperine.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “Fillikate, në një dhomë të humbur të pavionit të kancerit dha shpirt vajza 23-vjeçe”, botuesi kujton Drita Çomon: DITARI i saj është rrënqethës (E PLOTË)
Pesë vite pa Roland Trebickën, artisti: Lyp mirënjohjen e të gjithëve për gjithçka që la pas »
Article Logic
Execution time: 0.0048389434814453
array(1) { ["section"]=> string(124) "prekese-njihuni-me-dhuraten-mesuesen-qe-per-7-mars-nuk-shkoi-ne-parukeri-por-u-organizoi-nxenesve-te-saj-dicka-tjeter-112506" }