Presidenti EPO në Tiranë, Battistelli: Patentat, mjet i rëndësishëm në tërheqjen e investime të huaja në Shqipëri

Publikuar tek: ekonomi, më 11:14 16-06-2016 Presidenti EPO në Tiranë, Battistelli: Patentat, mjet i rëndësishëm në tërheqjen e investime të huaja në Shqipëri

Zyra Europiane e Patentave (EPO), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Markave dhe Patentave, janë duke organizuar sot, në Tiranë, takimin vjetor ku marrin pjesë 38 vende anëtare. Presidenti  i Zyrës Evropiane të Patentave, z. Benoit Battistelli, përpara çeljes së këtij takimi vjetor, zhvilloi një takim pune, në ambientet e MZHETTS, me Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi.

Në konferencën e përbashkët për median, Ministrja Ekonomi bëri këtë deklaratë.

Deklarata e Ministres:

Dua të falënderoj Presidentin e Zyrës Evropiane të Patentave, z. Battistelli, për vizitën e tij në Tiranë dhe për takimin e frytshëm që patëm. Jemi të nderuar që mbledhja e 10-të e Zyrës Evropiane të Patentave, e cila mbledh përfaqësues nga 38 shtete anëtare, është vendosur të mbahet në Tiranë.

Shqipëria është anëtare e Zyrës Evropiane të Patentave që prej vitit 2010. Gjatë kësaj periudhe, por edhe më herët, Shqipëria, e përfaqësuar në këtë organizatë nga Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave, ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me EPO-n dhe vendet e tjera anëtare, nëpërmjet mbështetjes për forcimin e kapaciteteve administrative për mbrojtjen e patentave të shpikjeve dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të biznesit, universiteteve dhe publikut në përgjithësi për mbrojtjen e patentave dhe nxitjen e inovacionit.

Gjatë takimit me z. Battistelli, folëm për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet shtetit shqiptar dhe Zyrës Evropiane të Patentave, rëndësinë që shteti shqiptar i kushton forcimit të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, jo vetëm si një kusht në rrugën e integrimit Evropian të Shqipërisë, por edhe si element kyç i nxitjes së një ekonomie inovative të bazuar në dije, thithjen e investimeve të huaja, rritjen e një konkurrence cilësore dhe të ndershme, si dhe për mbrojtjen e konsumatorëve.

Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2016-2020, që do të miratohet së shpejti nga Qeveria, i ka kushtuar rëndësi të veçantë nxitjes së inovacionit, ndër të tjera, nëpërmjet ngritjes së qendrave të transferimit të teknologjisë pranë universiteteve apo organizmave shkencore dhe të zhvillimit, të cilat do të shërbejnë si ura lidhëse të dobishme të kërkesës me ofertën për rastet e shpikjeve teknike, pra ndërmjet bizneseve dhe qendrave kërkimore në universitete, duke krijuar dhe tregun e shitjes dhe blerjes së patentave.

Nga ana e Zyrës Evropiane të Patentave, nëpërmjet bashkëpunimit me Drejtorinë e Patentave dhe Markave, do të kemi mbështetje të plotë në mënyrë që bizneset shqiptare të përfitojnë nga të gjitha mundësitë që ofron Zyra, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të inovative të bizneseve, shfrytëzimit të burimeve të disponueshme pa pagesë, por edhe për inkurajimin e transferimit të teknologjisë si dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e markave dhe patentave.

Presidenti  i Zyrës Evropiane të Patentave, z. Benoit Battistelli, në konferëncën për shtyp, tha:

Mirëmëngjesi zonja dhe zotërinj. Është një kënaqësi dhe nder i madh për mua që të jem sot këtu në Tiranë në vizitën time të dytë.

Ne jemi të kënaqur se, takimi i 10 vjetorit të zyrave kombëtare të patentave në Evropë do të zhvillohet gjatë dy ditëve të ardhshme në Tiranë dhe do të bashkë-organizohet nga partnerët tanë shqiptarë, Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave në Shqipëri (GDPT), në udhëheqjen e z. Elvin Lako (Drejtor i Përgjithshëm).

Shqipëria iu bashkua Organizatës Evropiane të Patentave më 1 maj 2010. Që prej asaj kohe, ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të frytshëm me zyrën shqiptare të patentave dhe shpresojmë që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim.

Me Ministren Ekonomi biseduam se si do të mundemi të ndihmojmë më shumë bizneset e vogla dhe të mesme. Për këtë, ne propozojmë të nënshkruajmë një marrëveshje nëpërmjet së cilës do të inkurajomë këto ndërmarrje, përmes asistencës tonë, në përfshirjen e asaj që njihet si garantim i patentës, duke paguar vetëm 20 % të kostos së përgjithshme.

Vendimi për ta organizuar eventin këtu, në një nga shtete më të reja anëtare, tregon rëndësinë që ne i kushtojmë këtij bashkëpunimi dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për të zhvilluar më tej sistemin IP. Nëpërmjet këtij takimi, ne shpresojmë të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët për përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të sistemit evropian të patentave, dhe për pasojë edhe një shërbim më të mirë ndaj shpikësve dhe industrisë. Unë do të doja të lëvdoja, gjithashtu, iniciativat e kohëve të fundit të shtetit, për të zhvilluar më tej sistemin shqiptar IP, për të cilin unë sapo pata mundësinë të diskutoj gjatë një takimi produktiv me Ministren e Ekonomisë.

Patentat janë një mjet i rëndësishëm për të tërhequr investime të huaja në Shqipëri dhe për të lehtësuar transferimin e teknologjisë në vendin tuaj. Është e rëndësishme që të rritet ndërgjegjësimi ndërmjet SME-ve dhe universiteteve në Shqipëri, mbi rëndësinë e mbrojtjes ligjore të shpikjeve të tyre.

Prandaj, ZEP vlerëson në veçanti përpjekjet që GDPT ndërmerr për ndërgjegjësimin l​idhur me patentat, synimin e kërkuesve, studentëve të universitetit dhe SME-ve. Sistemi evropian i patentave vepron si një burim parësor i informacionit teknik në Shqipëri: Të gjitha aplikimet për patenta që mbërrijnë në ZEP publikohen automatikisht këtu, dhe mund të konsultohen nga çdokush. Ato ofrojnë informacion origjinal për progresin në të gjitha teknologjitë. Një numër i konsiderueshëm i këtyre aplikimeve bëhen, gjithashtu, patenta të vlefshme në Shqipëri, duke mbështetur rrjedhën e inovacioneve të reja në shtetin tuaj.  ZEP ofron për shpikësit shqiptarë një portë tërheqëse dhe me kosto efikase për tregun evropian, duke ofruar një pikë të vetme aksesi për mbrojtjen e patentave në shtetet e saj anëtare.   

Pyetje: Çfarë duhet të bëjë më shumë Shqipëria për të rritur numrin e patentave të regjistruara?

Z. Battistelli: Së pari, që patenta të identifikohet si e tillë, duhet që të keni kritere mjaft strikte. Kriteri i parë është që të jetë e re, risia e saj, dhe duhet që të keni një Zyrë të Patentave, e cila të performojë përmes shpikjeve të përditësuara dhe më të mira. Ndaj duhet që Zyra Shqiptare e Patentave të ketë mjetet e duhura, për të pasur kapacitet e duhura në këtë drejtim, në vlerësimin e patentave. Patentat janë të dobishme për ekonominë në dy drejtime, së pari tregojnë se si ju i keni shfrytëzuar burimet tuaja në kërkim dhe në zhvillim dhe që këto i keni kryer vetë.  Së dy, që është një aspekt mjaft i rëndësishëm, ne i publikojmë të gjithë patentat dhe aplikimet. Ne kemi database, me rreth 90 milionë dokumente, në lidhje me patentat, i cili është i aksesueshëm në ëebsitin tonë.  Kështu që, kontribuon edhe për të tjerët, sepse shpikjet e kryera mund t’ju ndihmojë në shpikjet tuaja, për t’i çuar më tej.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.078497171401978
array(1) { ["section"]=> string(116) "presidenti-epo-ne-tirane-battistelli-patentat-mjet-i-rendesishem-ne-terheqjen-e-investime-te-huaja-ne-shqiperi-43682" }