Prezantohet aplikacioni “Tirana Ime Outdoor”, Veliaj: Paketë aktivitetesh për çdo moshë dhe pasion

Publikuar tek: politike, më 13:36 04-10-2017 Prezantohet aplikacioni “Tirana Ime Outdoor”, Veliaj: Paketë aktivitetesh për çdo moshë dhe pasion

Qytetarët do të kenë mundësi që të marrin informacion në kohë reale për aktivitetet kulturore, sportive e argëtuese, por edhe për destinacionet e itineraret turistike e historike të Tiranës.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me UNDP-në prezantuan sot aplikacionin “Tirana Ime Outdoor” (TIO), duke i dhënë komunitetit urban dhe të gjithë vizitorëve një çelës hyrjeje në një botë outdoor.

I pranishëm në promovimin e këtij aplikacioni ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i çili deklaroi se tashmë Bashkia e Tiranës ka mundësi që t’u ofrojë grupeve të ndryshme mundësi të larmishme për të kaluar kohën e lirë dhe për të bërë një jetë të shëndetshme. “Kemi pasur një konceptim të ndarjes së dy punëve, nëqoftëse “Tirana Ime” është agregatori i halleve të qytetit, ne do të donim që “Tirana Ime Outdoor” të ishte një agregator, që injekton një tjetër lloj pasioni për gjërat e bukura të qytetit. Sot e kemi mundësinë që për ata që kanë një pasion, që mund të jenë sportet e ujit, të kemi mundësi ta ofrojmë; për dikë që ka mundësi sportet e ajrit , për ata që duan off road, kemi mundësi; për ata që janë familjarë etj. Dhe unë besoj se tani çdo paketë e aktiviteteve në natyrë, po bëhet sipas masës dhe pasionit që një njeri ka”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se këto aktivitete ishin të paimagjinueshme për qytetarët dy vite, ndërsa vlerësoi vullnetin e treguar për të jetëzuar këto projekte të reja . “Me pak ambicie, me pak nikoqirllëk, por me një vullnet shumë të mirë, jo vetëm të APR-së, por të gjithë të këtij komuniteti, sepse çdo foto është një komunitet. Është më vete komuniteti që kërcen salsa, është më vete komuniteti i Yoga-s, është më vete komuniteti i crossfit, komuniteti i çiklistëve, pastaj really albania, pastaj krejt papritur një mozaik i madh njerëzish ka gjeneruar një buqetë aktivitetesh të paimagjinueshme 2 vite më përpara. Sa që nganjëherë kur shikoj aktivitete që ndodhin në pamundësi për të qenë  tek të gjitha them, ore nga dalin gjithë këta njerëz?! Ku ishin këta njerëz më përpara? Mesa duket njerëzit ishin gjithmonë  aty, por duhet një katalizator”, tha Veliaj duke shtuar se që nga ngritja e saj, Agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit, është shndërruar në një katalizator për zhvillimin e këtyre aktiviteteve dhe afrimin e qytetarëve me sportin dhe natyrën.

Veliaj deklaroi se falë përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe rritjes së numrit të organizimeve të ndryshme social-kulturore, është ulur dhe numri i atyre që frekuentojnë kafenetë apo bingot. “Ne kemi 10 mije kafe dhe pika bastesh në Tiranë dhe për herë të parë ka rënë numri i pikave të basteve dhe është rritur numri i këndeve të lodrave dhe i këndeve sportive. Kjo është ajo që quhet pika e kthesës, ku qyteti po kthen dhe nga ambicia e dikujt që të rritet.  Nuk ka rëndësi bindjet politike,  për kë votuam. Unë besoj se ky instrument i jep tani shpejtësi tjetër kësaj pike kthese dhe unë jam këtu që ti hap luftë kafeve”, tha ai

Kryetari I Bashkisë u ndal dhe në Maratonën e Tiranës e cila tashmë ka nisur rrugën e krijimit të një tradite sportive në kryeqytet. Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të regjistrohen dhe të nisin përgatitjet për të marrë pjesë në garën e 15 tetorit, e cila do ta kthejë Tiranën në kryeqendrën e atletikës botërore.  “Nuk është vetëm aktivitet sportiv. Është një tjetër produkt turistik për Tiranën. Vetëm fakti që ne do të kemi disa qindra të huaj, nga Afrika, nga Azia, nga Amerika Latine, nga Amerika Qendrore, Amerika e Veriut, nga e gjithë Europa, është një mënyrë për të sjellë njerëz në Tiranë, por secili prej 1 mijë vrapuesve profesionistë, secili prej tyre sjell bashkëshorten, pastaj edhe fëmijët. Pra është një mënyrë që Tirana të shesë 3 mijë shtretër hotelesh, por pastaj edhe 3 mijë mëngjese, edhe 3 mijë dreka, edhe 3 mijë suvenire, edhe 3 mijë shëtitje. Ndaj më vjen mirë që jo vetëm e kemi aplikacionin anglisht, por edhe aktivitetet që njerëzit mund të planifikojnë”, u shpreh Veliaj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku ftoi dhe organizatat dhe bizneset e ndryshme që të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë për shtimin e gjelbërimit në qytet, duke dhënë një impakt tepër pozitiv në cilësinë e jetesës së qytetarëve. “Unë besoj që edhe filantropinë po e çojmë në një nivel tjetër. Ne mund të bëjmë një kënd lodrash  që do jetë aty 10 vjet dhe falë APR-së që ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen. Unë besoj që është pjekur sot shoqëria dhe biznesi, ku filantropia të marrë këtë lloj forme. Ne sigurisht do të vëmë duke filluar nga ky vit, një buxhet, edhe do të donim që të gjithë, siç filluam kompanitë e para, në parcelat që ne kemi parashikuar të na bashkoheshit në këtë iniciativë të Pyllit Orbital”, deklaroi ai.

Përmes aplikacionit “Tirana Ime Outdoor” (TIO), qytetarët do të mund të marrin informacion për  aktivitetet në natyrë, destinacionet historike turistike të Tiranës, shtigje pedonale dhe çiklistike, informacione mbi kalendarin e aktiviteteve në qytet, mundësi prenotimi për zhvillimin e aktiviteteve në Parkun Sportiv Multidisiplinor, Reja etj. Në këtë kuadër,  është ndërhyrë edhe për rikonstruksionin e Info-Pointit në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial dhe për vendosjen e hartës treguese me sinjalistikën e nevojshme, si një vlerë e shtuar e shërbimit që i ofrohet qytetarëve në kuadër të rritjes së cilësisë dhe promovimit të jetesës së gjelbër e të shëndetshme.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Denoncon zyrtari i lartë i LSI: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm me gradë më të ulët se vartësit
Platforma për ringritjen e PD, flet një nga firmëtarët e rëndësishëm: “S’kërkojmë fraksione, por kjo i bën mirë Bashës »
Article Logic
Execution time: 0.027719974517822
array(1) { ["section"]=> string(100) "prezantohet-aplikacioni-tirana-ime-outdoor-veliaj-pakete-aktivitetesh-per-cdo-moshe-dhe-pasion-94695" }