Prezantohet projekti rrugor Skrapar-Përmet, Meta: I jep fund izolimit

Publikuar tek: politike, më 17:56 26-04-2016 Prezantohet projekti rrugor Skrapar-Përmet, Meta: I jep fund izolimit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e projektit rrugor që do të lidhë Skraparin me Përmetin.

Në aktivitetin e zhvilluar në Çorovodë morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu, Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani, Kryetari i Bashkisë së Përmetit, z. Niko Shupuli, deputetët, Gledion Rehovica dhe Fidel Ylli, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.

Duke folur para qytetarëve të pranishëm në këtë prezantim, Kryetari i Kuvendit vlerësoi këtë projekt të rëndësishëm që afron shumë Skraparin dhe Përmetin, duke theksuar se e rëndësishme është qëndrueshmëria e kësaj vepre infrastrukturore dhe kostoja sa më e ulët pa cenuar cilësinë.

“Personalisht kam pasur vetëm një shqetësim, që rruga të jetë e fortë, të jetë e qëndrueshme, pra nga ana gjeologjike të mos rrezikohet. E dyta të kushtojë sa më pak sepse nuk është e lehtë për të gjetur fonde. Të gjithë po flasin për të gjetur fonde, por kjo nuk është e thjeshtë, sepse nuk ka nevojë vetëm Skrapari dhe Përmeti për rrugë, e gjithë Shqipëria ka nevojë për rrugë, për t’i zgjeruar dhe për të zhvilluar më tej rrjetin infrastrukturor”, - tha Meta.

Më tej, Kryetari i Kuvendit u shpreh se kjo rrugë e rëndësishme ka nevojë për një transparencë maksimale. “Jam shumë i kënaqur që në krye të këtij projekti është profesor Faruk Kaba dhe shumë profesorë të tjerë që i njohin më mirë se askush tjetër rrugët e Shqipërisë. Jam këshilluar personalisht, por besoj edhe ata dhe me inxhinierë të tjerë që i njohin shumë mirë këto rrugë. Problemi është vetëm një, që ky të jetë një projekt sa më i sigurt, sa më i besueshëm, të kushtojë sa më pak dhe jo në dëm të cilësisë dhe të qëndrueshmërisë së rrugës. Nuk do të jetë si standard vazhdimi i rrugës nga Çorovoda në Urën e Lapanit. Përkundrazi, do të jetë një standard krejt tjetër, shumë më i lartë dhe më pas kjo rrugë, e cila sot i kënaq ato nevojat e këtij komuniteti dhe të atyre që vijnë për rafting apo për kanionet, kjo rrugë do të kalojë në standardet e rrugës që iu prezantua tani nga Ura e Lapanit deri në Përmet”, - theksoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendi deklaroi se përmes kësaj rruge i jepet fund izolimit të Skraparit dhe njëkohësisht, krijohet korridor i ri për të gjithë zonën jugore dhe juglindore të vendit.

“Krijon shumë mundësi edhe për banorët e Beratit dhe të shumë rretheve të tjera, pra jo vetëm të Skraparit dhe të Përmetit. Dhe natyrisht që rruga që do të lidhë Skraparin me Përmetin, është një rrugë me vlera të shumëfishta sepse në radhë të parë bashkon dy nga luginat më të bukura të Shqipërisë, Luginën e Osumit me Luginën e Vjosës. Së dyti bashkon në një ofertë të re turistike dy kryeqendrat të kulturës dhe të historisë sonë që janë dhe pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën, por dhe turizmin e aventurës që ofrojnë si kanionet e Skraparit, ashtu edhe ato të Përmetit”, - shtoi z. Meta.

Duke vlerësuar potencialet e jashtëzakonshme që ka kjo zonë, z. Ilir Meta deklaroi se rruga e re është një mundësi për zhvillimin e turizmit dhe të agro-turizmit.

“Padyshim që është një mundësi për të zhvilluar bujqësinë, blegtorinë dhe agro-përpunimin në të gjithë këtë hapësirë. Për të ulur kostot e prodhimit dhe transportit për të gjithë fermerët dhe natyrisht për ti dhënë një dimension të ri dhe më cilësor jetës në Skrapar dhe Përmet. Njëkohësisht edhe lidhja me Korçën që besoj që do të jetë më e afërt edhe falë punime infrastrukturore që po zhvillohen për realizimin e projektit madhor TAP, do të bëjnë të mundur që këto qendra të jenë vërtetë mjaft atraktive për të gjithë, për turistët vendas dhe për ata të huaj. Unë besoj se ajo që na mbetet të gjithëve është që punojmë më shumë për t’i kthyer këto avantazhe në një burim më të madh të mirëqenies për banorëve të këtyre zonave dhe të edukimit të fëmijëve tuaj”, - vijoi z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit theksoi se ky projekt synon të krijojë një korridor të ri në të ardhmen zhvillimi dhe mirëqenie për të gjithë banorët e këtyre zonave, ndërsa kërkoi prej grupit të punës që po merret me ndërtimin e kësaj rruge që të vazhdojnë komunikimin me të gjithë ata që kanë një mendim apo një ide tjetër për të kryer përmirësimet e nevojshme të projektit.

Gjatë prezantimit të projekti para qytetarëve inxhinieri Faruk Kaba tregoi kriteret që janë mbajtur në konsideratë për projektimin e kësaj rruge të rëndësishme. Z. Kaba sqaroi se nga analizat teknike-ekonomike, që është në bazën e vlerësimeve inxhinierike, rezultoi se varianti që kalon nga Qafa e Rogut është më i favorshmi.

“Ne këtu kemi në ekipin tonë një nga gjeologët më të mirë në Shqipëria që ka punuar në hidrocentralin e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Varianti që kalon nga Malindi sigurisht që është në konsideratë, por parametrat gjeologjik dhe problematika që mund të sjellë, mund të vënë një farë pikë pyetje këtë korridor shumë të rëndësishëm rrugor. E rëndësishme është që kostoja e mbajtjes të strukturave të cilat janë në kufirin e ekuilibrit, do të ishte shumë e lartë dhe kjo na detyroi që ne të impenjohemi dhe sigurisht edhe me parametrat e tjerë, që të vendosim për këtë variant që është zgjidhja më e mire”, - theksoi ndër të tjera z. Kaba.

IMG_0009.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Si iu ‘vetofrua’ Edi Rama dy muaj më parë anglezëve, të talleshin me të dhe me Shqipërinë (Video)
Edi Rama vazhdon “fushatën mediatike”, diskuton në Sky News për referendumin britanik »
Article Logic
Execution time: 0.029328107833862
array(1) { ["section"]=> string(73) "prezantohet-projekti-rrugor-skrapar-permet-meta-i-jep-fund-izolimit-38754" }