Pro-Llogje

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:18 20-06-2015 Pro-Llogje

Meqë Shqipëria është në prag zgjedhjesh, m’u duk koincidencë edhe pse jo doemos fatlume një faqe që lexova, nga Ditari i shkrimtarit polak Witold Gombrowitz*, dhe që po e sjell këtu të përkthyer prej meje nga anglishtja:

Zgjedhjet gjithnjë më lënë gojëhapur. Dita kur vota e analfabetit vlen po aq sa edhe vota e profesorit, vota e idiotit po aq sa edhe vota e të mençmit, vota e lakeut po aq sa edhe vota e sundimtarit, vota e kriminelit po aq sa edhe vota e njeriut të virtytshëm; kjo ditë, pra, është për mua më e pështjelluara prej ditëve. Nuk e kuptoj si ky akt fantastik mund të përcaktojë, për vjetët e ardhshëm, diçka kaq të rëndësishme sa qeverisja e një vendi. Mbi ç’lloj përralle e mbështet veten autoriteti? Si ndodh që kjo rrejshmëri të ofrojë bazën e qenies sociale?

Kritika të tilla kundër demokracisë i dëgjon shpesh; dhe Gombrowitz-i vetë nuk përfaqëson ndonjë autoritet kushedi çfarë, në punë të politologjisë.

Nëse më bashkëtingëlloi me mendimet e mia ky pasazh, aq sa t’ia përcjell lexuesit këtu, kjo ndodhi për një numër arsyesh; ngaqë vetë nuk besoj se demokracia ka ndonjë kuptim në mungesë të qytetarisë dhe sidomos të qytetarëve; nuk besoj se demokracia mund të funksionojë si e tillë dhe normalisht, në shoqëritë moderne të dominuara nga mass mediat dhe teknikat e sofistikuara të manipulimit të mendimit; dhe nuk besoj në barazinë iluzore dhe statistikore, të sugjeruar nga parimi “një qytetar një votë.”

Gombrowitz-i shpreh një shqetësim të mirënjohur, që ka të bëjë me kontrastin midis pabarazisë mes individëve dhe barasvlerës së votës së gjithsecilit; por mua ky argument më bëri sakaq të pyes – retorikisht – se çfarë u duhet të bëjnë partive politike dhe shtabeve të propagandës elektorale, për t’u mbushur mendjen të gjithë atyre që, me logjikë, nuk do ta meritonin të votonin: ngaqë janë të painformuar, ose pa profil moral, ose duan veç të përfitojnë privatisht nga angazhimi publik i pjesëmarrjes në votim.

Çfarë budallallëqesh u duhet të thonë, çfarë gjepurash dhe gënjeshtrash, çfarë mirazhesh u duhet të premtojnë, çfarë teatri komik të luajnë para kamerave dhe me çfarë fytyre dhe maske u duhet të dalin para votuesve të transformuar në turma!

Pa folur pastaj se të gjithë këta analfabetë, idiotë, qelbësira dhe batakçinj, të cilët e shqetësojnë Gombrowitz-in, i gjen njëlloj të përfaqësuar si në masën e votuesve, ashtu edhe në emrat e atyre që do të votohen…

(*) Gombrowitz i ka shkruar këto radhë kur ende jetonte gjysmë i mërguar në Argjentinë, dhe pikërisht në 1958.

Nga Ardian Vehbiu / Peizazhe.com

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026697158813477
array(1) { ["section"]=> string(16) "pro-llogje-14137" }