Projektbuxheti i 2017-s, Panariti: Synojmë investimet në bujqësi dhe futjen e 13 mijë fermerëve në skemat e financimit

Publikuar tek: ekonomi, më 19:12 15-11-2016 Projektbuxheti i 2017-s, Panariti: Synojmë investimet në bujqësi dhe futjen e 13 mijë fermerëve në skemat e financimit

Projektbuxheti i vitit 2017 për Bujqësinë u diskutua sot në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, mbledhje kjo ku mori pjesë Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave,Edmond Panariti. 

 Ministri Panariti, duke shprehur rëndësinë e investimeve në bujqësi dhe nevojave të mëdha që ka ky sektor, deklaroi se, “bujqësia ka njohur rritje të madhe, të pamenduar vite më parë”.

“Jua thashë këtë, për të ditur se, në çfarë situate është sot bujqësia dhe sa e rëndësishme është ajo. Janë rritur prodhimet e brendshme, janë rritur eksportet në bujqësi e prodhime blegtorale. Po ashtu, rritje e zhvillim ka pasur edhe agroindustria. Vetëm në 9-mujorin e parë të këtij viti, kanë hyrë në ekonominë shqiptare 50 milionë dollarë më shumë sesa i gjithë viti 2015 nga eksportet dhe këto shifra nuk janë të kalkuluara as nga ne e as nga INSTAT, por nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila përllogarit çdo kilogram prodhim, për të cilin hap traun për eksport”, deklaroi Ministri Panariti.

Duke folur për nevojat e investimeve në bujqësi, ministri theksoi se, projektbuxheti i vitit 2017 është 0,2 për qind më i vogel se aktuali. Eshtë ulje e vogël, por bujqësia ka nevoja për investime në të gjitha drejtimet. “Ajo që për mendimin tim, ka ulje të madhe, janë investimet e brendshme në masën 40 për qind dhe rritje e financimeve të huaja. Në total, kjo e fundit amortizon të parën, duke e çuar thuajse në ato nivele”, deklaroi Panariti.

Sipas tij, buxheti i këtij viti ishte 10 miliardë e 188 milionë lekë, ndërsa projektbuxheti për vitin 2017 është 10 miliardë e 171 milionë lekë. Ky buxhet sipas ministrit, është i ndarë në 8 programe buxhetore, ku më të rëndësishmit dhe prioritarët janë infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, siguria ushqimore, zhvillimi rural e agroindustria dhe menaxhimi i peshkimit.

“Përsa i përket projektbuxhetit për vitin 2017, të domosdoshme janë fondet shtesë për shpenzime personeli, në vlerën 76 milion lekë; shpenzime për skemën mbështetëse, 564 milion lekë për dëmshpërblime, subvensionim interesash, asistencë teknike për shkrim projektesh, fonde për promovimin e fondit të garancisë. Po ashtu, do të donim shtesë edhe 3 miliardë e 130 milionë lek për investime të brendshme, të ndara në; infrastrukturë ujitje e kullim, investim i brendshem 1 miliard e 460 milionë lekë për tvsh, IBRD, mbrojtje nga përmbytja, hidrovore dhe ujitje; bashkëfinancim i BERZH, investim i brendshem me 1 miliard e 670 milionë lekë; Financim i huaj kërkohen 2 miliardë e 260 milionë lekë, IBRD shtesë për 1 miliard lekë dhe IPARD II  (projekti për bujqësinë dhe zhvillimin rural i BE-së) shtesë, 1 miliardë e160 milionë lekë”, deklaroi Panariti para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese.

Sipas ministrit, ku buxhet synon të rrisë edhe skemat e financimit për fermerët, pasi ne do të mbështesim 13 mijë fermerë në skema financimi. “Me fondet e buxhetit synojmë edhe futjen e teknologjive të reja, që fillojnë që nga sistemet e reja të ngrohjes në sera, ruajtja e magazinimi. Njëkohësisht, me fondet e kërkuara do të investohet, veç bujqësisë që është prioritet, eshte sektori i peshkimit, duke synuar dhe ruajtjen e burimeve natyrore dhe kontrollin e praktikave të peshkimit. Për ujitjen e kullimin, përmiresimet do të konsistojnë në tavanet e buxhetit. Njëkohësisht, do të mundësohet thellimi i rrjedhave kryesore për kanalet e kullimit, veçanarisht në Torovicë dhe zonën e Maliqit. Po ashtu, do të jetë prioritet i investimeve të Ministrisë së Bujqësisë edhe përmirësimi e të gjithë sektorëve të bujqesisë dhe blegrtorisë”, deklaroi Z.Panariti.

Në lidhje me kullimin dhe ujitjet, Ministrin i Bujqësisë tha se, gjatë këtij vitit dhe viteve të kaluara, por veçanarisht gjatë vitit 2016, aty ku ndërhymë me punime në argjinatura, diga e shtrate lumenjsh, u duk qartë puna dhe s’pati përmbytje. “Ne kemi kërkuar 1 miliard e 460 milionë lekë për investime në sisteme kullimi, vaditje dhe ndërhyrje në infrastrukturen ujore, si diga e argjinatura. Ne do të ndërhyjme dhe do fusim për herë të parë rreth 10 mije hektarë tokë në sistemin e vaditjes. Ajo që dua të theksoj, është dhe nevoja e një fondi, gjë që e kemi propozuar, me vlerën e 280 milionë lekëve, për interesat e kredive të fermerëve, të cilat mund të shërbejnë që t’u jepen bankave si interesa dhe kredimarrësve fermerë t’u zbuten ato, duke shkuar gati drejt principalit”, shtoi Panariti, duke përmendur edhe nevojën e një fondi prej 94 milionë lekësh si dëmshpërblim për fermerët, kafshët e të cilëve u demtuan nga Dermatoza Nodulare dhe sipas ministrit, do të kompensohen po me kafshë të gjalla, me rraca të përzgjedhura.

Më pas, deputetët anëtarë të komisionit parlamentar ku ndodhej Ministri Panariti, pyetën dhe morën përgjigje edhe në lidhje me problematikat e ditëve të fundit, siç janë përmbytjet, investimet e bëra dhe të parashikuara për muajin dhe vitin në vazhdim, si dhe për çështje të tjera që lidhen me bujqësinë, kullimin, vaditjen etj.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020986080169678
array(1) { ["section"]=> string(122) "projektbuxheti-i-2017-s-panariti-synojme-investimet-ne-bujqesi-dhe-futjen-e-13-mije-fermereve-ne-skemat-e-financimit-59608" }