Projektligji detyron familjet të paguajnë 50 euro për sigurimin e banesës, gazetari: Nevoja për të ndalur këtë akt grabitqar

Publikuar tek: ekonomi, më 12:19 26-08-2016 Projektligji detyron familjet të paguajnë 50 euro për sigurimin e banesës, gazetari: Nevoja për të ndalur këtë akt grabitqar

Nga Klodian Tomorri

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare dhe Banka Botërore kanë përgatitur një projektligj, i cili detyron çdo familje të paguajë një tarifë 50 euro për të siguruar shtëpinë nga katastrofat. Për ndërtesat e biznesit tarifa do të jetë edhe më e lartë.

Mediat raportojnë se skema do jetë private. Pra paratë do u paguhen me detyrim shoqërive të sigurimit njësoj si paguhet sigurimi i automjeteve. 
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë praktikisht ky projektligj krijon një skemë të pastër rentiere, që merr para me dhunën e ligjit nga familjet e varfra për tja transferuar një grushti korporatash private. Dhe shifrat janë stratosferike.

Sipas censusit të banesave, në vitin 2011, në Shqipëri numëroheshin 1 milionë e 75 mijë banesa. (Burimi INSTAT). Pra që në vitin e parë vetëm nga apartamentet, familjeve do u merren 51 milionë euro. Nëse shtohen dhe ndërtesat e biznesit, për të cilat tarifa me gjasa do të jetë edhe më e lartë, nuk është çudi që skema të arrijë 100 milionë euro që vitin e parë.

I gjithë ky projekt tinzar do të argumentohet me faktin se buxheti nuk mund të përballojë dot më zhdëmtimin e katastrofave, se si këto ngjarje janë shtuar për shkak të ndryshimit të klimës etj etj.

Por Shqipëria nuk u krijua sot. Në 20 vitet e fundit, fatura më e madhe që ka paguar buxheti për zhdëmtimin e katastrofave në një vit ka qenë vetëm 6 milionë euro, kur ndodhën përmbytjet e mëdha. Pra për të mbuluar 6 milionë euro dëme, po duan të marrin 100 milionë nga familjet.

Së dyti, do justifikohen se po e bëjnë për t'i paraprirë ndonjë katastrofe madhore që mund të ndodh potencialisht. Edhe ky është një justifikim qesharak. 
Nëse ka njeri që mendon se në rastin e një katastrofe madhore, (larg qoftë), mund të ketë kompani sigurimesh që të marrë përsipër zhdëmtimet, në rastin më të mirë ai është naiv.

Një ditë më parë qeveria e Matteo Renzit disbursoi 50 milionë euro nga buxheti për të përballuar fazën e emergjencës në Italinë Qendrore. Më vonë qeveria italiane do të disbursojë edhe 230 milionë euro të tjera nga fondi i kontigjencës për familjet e dëmtuara, ndërkohë që paralelisht do të vazhdojë vlerësimi i dëmeve. 
Në Japoni, qeveria disbursoi nga buxheti, 150 miliardë dollarë për të zhdëmtuar banorët e prekur nga cunami vrastar i vitit 2011. Dhe kështu me radhë. Ku ishin kompanitë e sigurimeve?

Morali? Katastrofat madhore përballohen vetëm nga mobilizimi i kapitaleve publike. Vetëm buxheti mund të mbajë peshën e ngjarjeve të tilla. Kështu që skema të tilla kanë vetëm një qëllim të marrin para me ligj për tja transferuar një grushti të ngushtë privatësh. Sepse në fund barra e dëmeve do të bjerë gjithmonë mbi buxhetin dhe qytetarët.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.032025098800659
array(1) { ["section"]=> string(128) "projektligji-detyron-familjet-te-paguajne-50-euro-per-sigurimin-e-baneses-gazetari-nevoja-per-te-ndalur-kete-akt-grabitqar-50925" }