Protesta e PD-së/ Basha: Ka nisur numërimi mbrapsht për dyshen Rama-Meta

Publikuar tek: politike, më 18:23 08-03-2015 Protesta e PD-së/ Basha: Ka nisur numërimi mbrapsht për dyshen Rama-Meta

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një deklaratë për mediat u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen protestës së 12 marsit kundër krimit, pasi siç tha ai për dyshen Rama-Meta ka nisur numërimi mbrapsht.

Basha ka thënë se pavarësisht se varfëria dhe mjerimi janë rritur, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk reflektojnë.

“Kur ekonomia është në kolaps, kur nuk ka një investim, nuk ka një vend të ri pune, çdo ditë Rama dhe Meta nënshkruajnë kontrata e koncesione, tendera dhe shërbime për miqtë e klientët e tyre, me një korrupsion të përbindshëm. Mjerim, varfëri dhe papunësi kudo për qytetarët, por ata, oligarkët po mbushin xhepat e trastat me paratë e taksapaguesve, nga shëndetësia, tek mbrojtja, nga rendi tek ekonomia, nga mjedisi tek çështjet sociale, nga financat tek doganat. Kudo ku ka një zyrë të qeverisjes, ka vjedhje, përvetësim, makutëri për pasurim të shpejtë”, ka deklaruar Basha.

Për Bashën, maxhoranca është një klikë me ADN kriminale, të cilët nuk pyesin për ligj dhe Kushtetutë. “Janë një klikë me ADN kriminale, që po bëjnë krejt të kundërtën e asaj me të cilën erdhën në pushtet. A do t’i lëmë këta kumbarë që nuk pyesin për ligj e Kushtetutë, as për partnerët ndërkombëtarë, që nuk e vënë në defter popullin e tyre, që ta çojnë vendin në greminë teksa vetë kapardisen mbi dhimbjen, varfërinë e dëshpërimin e qytetarëve? Jo nuk do ti lëmë. Janë të pamëshirshëm e mizorë me pushtetin absolut që gëzojnë aktualisht, por janë frikamanë e tartabiqë, se e kanë kuptuar që ka nisur numërimi mbrapsht”, u shpreh kreu i opozitës.

Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 12 marsit për t’i treguar qeverisë se çdo të thotë të braktisësh popullin.

“Shqiptarët do ta ndalin të keqen. Po afron ora e drejtësisë. Të enjten e 12 marsit, në ora 11.00 nga sheshi Skënderbej të nisim së bashku marshimin tonë kundër krimit në krye të shtetit, kundër padrejtësisë, kundër varfërisë dhe papunësisë. Le të bashkohemi të enjten në sheshin Skënderbej pa dallime moshe, bindje politike, prejardhje krahinore apo sociale në një betejë pa kthim për rrëzimin e krimit në krye të shtetit, për rrëzimin e diktatit të krimit, për Shqipërinë e ëndrrave tona europiane”, tha Basha në përfundim të deklaratës së tij.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Newsbomb.al sjell sondazhin e parë në Shqipëri në facebook. Votoni kandidatin tuaj në rrjetet sociale
Tom Doshi dhe Mark Frroku? Si lindi miqësia nga biznesi e politika, dhe pse u prish kur s’u hap telefoni »
Article Logic
Execution time: 0.026315927505493
array(1) { ["section"]=> string(75) "protesta-e-pd-se-basha-ka-nisur-numerimi-mbrapsht-per-dyshen-rama-meta-5307" }