Protesta e studentëve, profesori i përgjigjet Nikollës: Ke nxjerrë një deklaratë plot me dokrra

Publikuar tek: fcb-bomb, më 18:05 24-01-2018 Protesta e studentëve, profesori i përgjigjet Nikollës: Ke nxjerrë një deklaratë plot me dokrra

Profesori dhe aktivisti i Lëvizjes Për Universitetin Arlind Qori, i përgjigjet deklaratës së Ministrisë së Arsimit pas protestës së studentëve ditën e sotme përpara kryeministrisë.

Pedagogu Qori rrëzon të katërta argumentet e ministrisë duke i cilësuar si dokrra.

KOMENTI I PLOTË i Arlind Qorit:

Ministria e Arsimit ka nxjerrë një deklaratë plot me dokrra. Ajo pretendon se:

1. “Tarifat nuk i vendos qeveria, por universitetet.” – Në fakt, neni 7, pika f e ligjit të arsimit të lartë thotë se me propozim të Ministrisë Këshilli i Ministrave vendos për tarifën maksimale të studimeve. Pra qeveria vendos tavanin, i cili mund të jetë sa një shtëpi qerpiçi ose sa grataçelat e Veliajt. Qeveria anon nga alternativa e dytë. 
Përveç kësaj, në vitin 2014 kjo qeveria ka miratuar rritje tarifash në universitetet publike që kanë shkuar nga 11% në 39%, sa shumë e shumë vite akademike të bëra bashkë. 
Nga ana tjetër, sipas ligjit të arsimit të lartë, të iniciuar nga po kjo qeveri dhe votuar nga parlamenti i të njëjtës shumicë parlamentare, është vendosur që fondet në mbështetje të arsimit publik të shkojnë edhe për financimin e universiteteve private (fitimprurëse ose jo), çka do të thotë ulje e mbështetjes financiare për universitetet publike dhe rritje e pritshme e tarifave.
I njëjti ligj vendos se pjesa më e madhe e studimeve master nuk subvencionohen nga buxheti i shtetit, rrjedhimisht tarifat kapin majat. 
Ligji nuk është i shenjtë. Ata e kanë bërë, ata mund ta zhbëjnë.

2. “Studentët e masterave paguajnë vetëm një shumë “minimaliste” (ec e kuptoje shqipen!) për provimet e mbetura.” Në fakt, me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 15.10.2014, i cili nuk është shfuqizuar asnjëherë, studentëve që mbartin provimet në ciklin master u duhet të paguajnë dyfishin e tarifës për kredit. Në shumë degë kjo nënkupton se një student që mbart qoftë edhe një provim pas dyvjeçarit të studimeve duhet të paguajë 10.000 lekë të reja ose më shumë.

3. “Certifikimi i gjuhës së huaj për studimet master është vendosur që në vitin 2010”. Po pastaj?! Ligji i arsimit të lartë i 2015, në nenin 79, pika 4, e ka rivendosur kushtin e certifikimit të gjuhës së huaj për ndjekjen e studimeve master (shkencor). Në dy udhëzime të saj – nr. 52, 03.12.2015 dhe nr. 5 06.02.2017 – Ministria e Arsimit ka rivendosur kriteret e mbrojtjes së gjuhës së huaj në institucione private, për të cilat mijëra studentë paguajnë qindra mijëra euro në vit (në mos më tepër).
Paturpësisht ministria pretendon se ky haraç është vendosur për të mirën e studentëve, që të jenë më konkurrues në tregun e punës. Nëse do ta dëshironte vërtet diçka të tillë, Ministria e Arsimit do ta kishte marrë seriozisht mësimdhënien cilësore të gjuhëve të huaja nga arsimi 9-vjeçar në atë universitar.

4. “Studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Gjeologji-Minierave u është premtuar që në vitin 2014 që nuk do të dëbohen nga godina.” Llogje pazari me një fjalë. Me vendim të kësaj qeverie të datës 05.11.2014 është vendosur që godina të kalojë në administrimin e Ministrisë së Drejtësisë për të zhvendosur aty Gjykatën e Lartë. Deri më tash ky vendim nuk është prapësuar dhe studentët dhe pedagogët gjenden përpara presionit të vazhdueshëm se do t’i zhvendosin në Sharrë ose prapa diellit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023480176925659
array(1) { ["section"]=> string(100) "protesta-e-studenteve-profesori-i-pergjigjet-nikolles-ke-nxjerre-nje-deklarate-plot-me-dokrra-107775" }