PUBLIKIMI I DOSJES SEKRETE, shpërthen Maks Velo: Dritëro Agolli duhet të kishte dhënë dorëheqjen

Publikuar tek: kulture-art, më 14:57 27-07-2018 PUBLIKIMI I DOSJES SEKRETE, shpërthen Maks Velo: Dritëro Agolli duhet të kishte dhënë dorëheqjen Maks Velo, artist

Dosja sekrete e përndjekjes së Maks Velos nga Sigurimi i Shtetit ka ardhur në një libër nga Alda Bardhyli dhe botimet UET PRESS.

“Për herë të parë në historinë e vëndeve që jetuan komunizmin botohet dosja e plotë e përndjekjes së një artisti”, tha Bardhyli. Në libër janë 106 dokumente një pjesë e së cilave shoqërohen me një histori tjetër të treguar nga Velo. Në ceremoninë e promovimit Velo u shpreh ashpër duke thënë se “Lidhja e Shkrimtarëve ishte një tmerr”.

“Unë mendoj që libri është I rëndësishëm për disa arsye. Unë kam insistuar vazhdimisht këto vite, kam thënë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr dhe kur e thoja këtë gjë mua të gjithë më dilnin kundër. Dhe tani kur tëlexoni librin do kuptoni që kjo është e vërtetë, po ashtu edhe dokumenti që doli pardje ke Panorama për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shabllo dhe Llazari për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg mqs personazhet thonë këto gjëra. Nuk futet piktori në burg sepse vizatimi nuk të pëlqen. Kjo ishte lidhja, Ky ishte Dritëro Agolli. Duhet ta kemi të qartë unë I kam thënë sepse më thonin ti Maksi sillesh keq. Jo Dritëroi potë ishte kishte dhënë dorëheqjen. Ishte larguar, ai I dinte të gjitha, ekspertizat janë bërë nga lidhja. Ekspertizat e gjyqit. Lidhja ishte qendër arti e nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit kur ajo merrte në analizë dhe kontrrollonte gjithë artisttët një për një, kur ishte qendër e rekrutimit të agjentëve”, tha Velo. 27 denoncime në libër janë vetëm nga Llambi Blido. “Si është e mundur? Llambi Blido, 27 denoncime, edhe duke gënjyer. Sepse vetë sigurimi I shtetit thotë që “Këto informacione që na jep Llambi nuk na vërtetohen me anët e tjera” ose I jep Llambit çantën që të vijë ke studioja ime dhe Llambi do jepte informacione, njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta, të vërtetohej kush gënjente”.

Nga emrat e përmëndur në libër si denoncues Maksi shprehet: “Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz dhe Edison Gjergo, për Edisonin më ka ardhur keq. Nuk e besoja. Unë Edisonin e njihja, që ishte në atë kohë i dobët por e doja. DHe më erdhi keq kur lëshoi ato deklaratat edhe u ndamë keq në Spaç.

37840483_10216772353371374_9158650539016192000_n (1).jpg

Pjesë nga libri:

Dokumenti 18

       Tiranë, më 17.02.1976

Relacion përmbledhës mbi materialet e objektit në 2/A Maks Velo

 Maks Sotir Velo me punë në Ndroq si inxhinier arkitekt dhe me banim në lagjen Nr. 2, rruga “Hoxha Tahsim” Nr. 57/2 është marrë për herë të parë në P. P. në vitin 1973, por është hequr se në drejtim të tij nuk u vërtetua ndonjë gjë me rëndësi. Më datë 03.II.1975 i përmenduri merret përsëri në P. Paraprak, pasi implikohej dhe i arrestuari Edison Gjergo me aktivitet të përbashkët armiqësor në fushën e artit e letërsisë. Maksi i ka thënë Edison Gjergos se piktura nuk duhet të shpjegohet me fjalë, ajo duhet të jetë e pavarur, se kuptohet vetëm nga një numër i caktuar njerëzish etj. Më datë 04.08.1975 Maksi u ngrit nga P. P. në 2/A për propagandë armiqësore në fushën e krijimtarisë artistike. Gjatë përpunimit që i është bërë është vërtetuar se Maksi ka qenë në lidhje miqësore shumë të ngushtë me Fadil Paçramin. Ky i fundit e ka përkrahur mjaft Maksin në krijimtarinë e tij artistike. Maksi në kohën e Fadil Paçramit ka qenë një nga elementët më liberalistë, i cili luftonte me të gjitha mënyrat dhe mjetet piktorët e shëndoshë dhe realistë si Flamur Haxhiun etj. Krijimtaria artistike e Maks Velos në atë kohë është përshkuar nga modernizmi dhe më vonë ai u kritikua ashpër për këtë krijimtari, madje u hoq edhe nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës ku punonte si arkitekt dhe nga Instituti i Lartë i Arteve ku punonte pedagog i jashtëm. Duhet thënë se agjentura e kualifikuar për të përpunuar Maksin ka munguar për njëfarë kohe. Tani kohët e fundit është tërhequr në bashkëpunim të organeve tona me material shtrëngues agjenti “Semani”, i cili ka dhënë dy të dhëna me vlerë në drejtim të Maksit dhe ka mundësi ta përpunojë thellë atë.

Deri tani për Maks Velon janë siguruar tri procese kallëzime, në të cilat bëhet fjalë për pikëpamjet armiqësore të Maks Velos në fushën e artit dhe krijimtarisë artistike.

 Maksi ka qenë martuar me Luçiana Naraçin, e cila e ka të ëmën austriake. Me këtë grua Maksi ka lindur një djalë. Ka më se një vit që ata nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe puna ka shkuar në gjyq për t’u ndarë.

Maksi është tip shumë negativ. Ai është takuar disa herë me turiste të huaja franceze e gjermane në plazhin e Durrësit për të kryer me to marrëdhënie seksuale. Maksi njihet si një njeri feminist. Ai është dhe tip psikopati, por kjo nuk do të thotë se veprimet armiqësore që ai kryen i bën në mënyrë të pandërgjegjshme. Përkundrazi, ai është një njeri me mendime reaksionare, borgjeze e revizioniste, prandaj në qoftë se mund t’i arrihet arrestimit të tij është shumë e nevojshme që të bëhet demaskimi i tij para masës së artistëve dhe shkrimtarëve, pasi edhe nga vetë artistët ai njihet si njeri ultramodernist në art etj.

 Për të çuar më përpara këtë përpunim mendoj se duhen kryer edhe këto gjëra:

 1) Të aktivizohet në drejtim të tij agjenti “Semani”, që mbahet në lidhje nga shoku Filat Malaj, për t’u futur më thellë në përpunimin e Maks Velos etj.

 2) Të merret proces kallëzimi i agjentit “Energjiku” që mban në lidhje shoku Kadri Gojashi (lidhje formale, pasi “Energjiku” është vetë në pozita armiqësore), pasi të merret dhe aprovimi për një gjë të tillë.

 Në rast se do të merret proces nga agjenti “Energjiku”, atëherë ky objekt mund të propozohet për goditje, arrestim ose demaskim, pasi ka prova të mjaftueshme dhe çdo veprim yni në drejtim të tij do të miratohet nga një masë e gjerë njerëzish. Sepse Maks Velo, siç u theksua dhe më sipër, njihet si njeri negativ e imoral etj.

                                      Punëtori operativ

                                      / Ropi Postoli /

Dokumenti 19

                             Marrë nga p. op. F. Malaj

                             Dhënë nga agjenti “Semani”

                             Tiranë, më 14.02.1976

                     Ekstrakt

Nxjerrë nga e thëna e agjentit “Semani” datë 14.02.1976

… Ai njofton se më datë 5 shkurt 1976 shkoi në Ndroq ku u takua me Maks Velon dhe pasi u përshëndetën, Maksi e pyeti atë: “A e ke lexuar ‘Nëntorin’?” “Jo”, ‒ i përgjigjet ai. Maksi ia kthen: “Lexoje, lexoje unë mendoj se për atë që është kritikuar Ismaili nuk janë gjë, ato të tjerat, ajo është”. “Për çfarë e kishe fjalën a mund ta di?” Maksi nuk ia tregoi atij. Por me sa kuptoi burimi e kishte fjalën për një poemë. Ai, në bisedë e sipër i thotë Maksit: “A e more vesh se Fadili është në burg dhe nuk na pëlqen të na dalë emri”. “Ashtu është pra dhe pikërisht tani që bie dhe rrufeja.” E kishte fjalën për rrëzimin e një stalle të projektuar nga vetë Maksi dhe që ditët e fundit u shkatërrua duke vrarë dhe dy viça të kooperativës, për të cilën Maksi është shumë i trembur se mos e arrestojnë. Më andej ra biseda, për të cilin Maksi i thotë atij “që ai ka të drejtë të ketë frikë i ka bërë të gjitha të këqijat, pasi kanë ambicie personale, edhe shkrimtarëve të tjerë ai ua bën”. Më vonë ai e pyet se sa është norma e këtij procesi të punës që bëjnë kooperativistët. Maksi tha: “1200 në ditë, e për çfarë për 130 lekë. Është lodhje e madhe dhe të ardhurat janë të pakta”. Fshatarët e kësaj zone janë të ligj për ne qytetarët, është e vështirë që të ikësh me karakteristika të mira që këtej.

 Me datën 07.II.1976 Maks Velo shkoi në shkollën e natës të Liceut Artistik dhe gjatë bisedave me atë i thotë se: “Jam duke lexuar një libër me historinë e arkitekturës, ku del qartë se nuk mund të bësh arkitekturë pa njohur kubizmin, pa njohur pikturën moderne të fillimit të shekullit. Arkitektët tanë nuk e njohin pikturën deri në fund të shekullit XIX. Ishin ligjet e gjeometrisë së Euklinit, tani duhet një gjeometri e re, përndryshe nuk mund të bësh arkitekturë të kohës dhe sot në botë bëhet një arkitekturë që të detyron të jetosh në një mënyrë të re. Kam parë një revistë italiane, aty shikon vila shumë të bukura që i kanë bërë gjeometrat. Në Itali janë gjeometrat në një nivel më të lartë se arkitektët tanë”.

                                           “Semani”

Vlerësimi i së dhënës:

 E dhëna ka vlerë operative për arsye se:

Maks Velo, megjithëse është kritikuar dhe hapur për pikëpamje moderniste në art e kulturë, përsëri vazhdon t’i shprehë këto, pra është një person që vazhdon të jetë i pakënaqur. Nga ana jonë ndiqet në 2/A.

Detyrë: Maks Velos thuaji se e lexova “Nëntorin” dhe nuk pashë ndonjë gjë interesante, megjithëse ju më flisni për fraza të shkëputura dhe nuk i vini kokë muhabetit. Nganjëherë më vjen mirë që ruani sekretet se kështu duhet, por nga ana tjetër më vjen keq, pasi ne jemi shokë e unë shokut ia hap zemrën. Ismail Kadareja megjithëse është kritikuar disa herë, ai përsëri vetë meritë në lidhje dhe nuk ma merr mendja që të ketë kontradikta me Dritëroin. E di ai se në profesionin tonë ekziston egoja personale. Për sa i përket arkitekturës sonë ato që më the ti janë të drejta, tani kanë ardhur kohë të tjera dhe vetë populli i pëlqen këto të tanishmet. Pastaj bisedo rreth jetës në fshat, pikturës e artit në përgjithësi shiko çfarë mendimesh ka.

Masa operative: E dhëna të shtypet në një kopje dhe të futet në dosjen e Maks Velos. Të realizohet përpunimi i tij.

                                      Punëtori operativ

                                      / Filat Malaj /

Dokumenti 20

                                      Marrë p. op. Piro Katro

                                 Asiston shefi i Seksionit

                                  V, Filat Malaj

                                  Dhënë agj. “Semani”

                                  Datë 08.I.1976

RAPORT

 Ai njofton se njeh prej kohësh Maksim Velon arkitekt dhe piktor. Lidhur me këtë person ai thotë: “Është snob, i përkëdhelur nga Fadil Paçrami, madje e mbante dhe e përkrahte vazhdimisht si arkitekturën dhe pikturën e tij edhe pse ato ishin formaliste, impresioniste e ekstraksioniste. Një ditë ai shkoi në shtëpinë e Maks Velos dhe konstatoi se kishte shumë piktura të tilla (data se kur ka qenë nuk i kujtohet, por vetë Maksi e ftoi atë). Gjatë bisedave me Maksin, ky i fundit i është shprehur atij se: “Në pikturë nuk të lejojnë të bësh ato që bëhen në letërsi”, e kishte fjalën për rrymën natyraliste. P.sh. thoshte Maksi “në disa romane të njërit prej shkrimtarëve është vërejtur shpesh kjo rrymë, por këtij ia lejojnë, pasi e përkrah i madhi i Partisë. Unë kam mendimin që kjo rrymë është më konkretisht në pikturë, prandaj është e vështirë ta fusësh”. Kur ai i thotë se Fadil Paçrami e përkrah shumë Ismailin, po ty pse nuk të përkrah, Maksi i përgjigjet: “Fadil Paçrami ka frikë për veten e tij (ishte koha kur Fadili nuk ishte kritikuar). Maksi shpesh ka injoruar piktorët tanë realistë, si F. Haxhiun, N. Zajmin etj., duke thënë se këta nuk janë gjë dhe nuk është pikturë ajo që bëjnë këta. Kohët e fundit ai u takua me Maksin dhe e këshilloi që të punonte mirë atje ku shkoi. Maksi iu përgjigj: “Sado mirë që të punosh nuk ta njeh kush punën”. Në një rast kur te hoteli i “Drinit”, Maksit që prej bakri, ky ishte i pakënaqur dhe shprehej se janë të mira, moderne, të kohës, pikërisht për këtë edhe i heqin. Në fakt këto ishin ekspresioniste.

                                           “SEMANI”

Vlerësimi i së dhënës: Bëhet fjalë për Maks Velon, ku del një karakter i tij dhe disa mendime e pikëpamje për artin, si dhe lidhjet e tij me Fadil Paçramin. Kjo është e dhëna e parë e tij.

Detyrë bp.: Të takohet me Maks Velon dhe të hyjë me të në bisedë në lidhje me problemet e artit. Ç’mendime e pikëpamje armiqësore ka për artin tonë, në lidhje me dënimin (fq. 35………) për arrestimin e Fadil Paçramit, për jetën ekonomike në vendin tonë, për rrethin shoqëror të Maksit, si e shikon jetën në fshat etj.

 Me qëllim për t’i fituar besimin duhet ta këshilloni që të ketë kujdes tani se ne të dy edhe jemi kritikuar dhe mos marrim ndonjë masë, prandaj edhe unë me kujdes takohem me ty.

Masa operative: Këtij agjenti t’i përçojmë një vijë a një alibi. Të shtypet e dhëna dhe t’i kalohet p. op. Ropi Postoli.

                                      PUNËTORI OPERATIV

                                       / PIRO KATRO /

Dokumenti 21

MIRATOHET                                  SEKRET

DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME        Ekzemplar i vetëm

 / NYSRET DAUTAJ /                   Tiranë, më 10.07.1976

VENDIM

     MBI DEMASKIMIN E OBJEKTIT NË 2/A MAKS VELO

 Unë p. operativ Ropi Postoli, efektiv i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, pasi studiova materialet e dosjes në ngarkim të objektit në 2/A Maksim Velo

GJETA

 Se Maks Velo është i biri i Sotirit dhe i Anies, i datëlindjes 1935, lindur në Paris, banues në Tiranë, lagjja Nr. 2, rruga “Hoxha Tahsim”, Nr. 57/2, me profesion inxhinier arkitekt, me punë në kooperativën bujqësore të bashkuar Ndroq, i paorganizuar, i divorcuar, i padënuar ndonjëherë, me arsim të lartë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.

 I përmenduri rrjedh nga një familje nëpunësish të lartë të regjimeve të kaluara. Babai i tij studimet e larta i ka mbaruar në Francë para Çlirimit për mjek okulist. Familja e Maksit ka qenë një familje e privilegjuar në regjimet e kaluara. Gjatë okupacionit fashist dhe pas Çlirimit ka mbajtur dhe mban qëndrim indiferent, nuk aktivizohet në aktivitetet e ndryshme të lagjes, njihet si familje me edukatë borgjeze.

 Vetë Maksi njihet si njeri i shthurur në jetë e imoral. Qëndrimi i tij moralo-politik që nga koha që ka qenë në shkollën e mesme, në atë të lartë dhe gjatë kohës që ka punuar në ndërmarrje dhe institucione të ndryshme nuk ka qenë i mirë.

 Maks Velo ka pasur lidhje me turiste të huaja gjermane e franceze. Për këto takime të tij me turistet e huaja i është tërhequr disa herë vëmendje, por ai përsëri ka vazhduar të takohet me to. Për të vërtetuar marrëdhëniet e tij me turistet e huaja, Maksi është marrë në P. P. në vitin 1973, por nuk doli gjë me rëndësi. Ai takohej me turistet e huaja si njeri i degjeneruar për të kryer marrëdhënie seksuale.

 Gjatë kohës që ka qenë me punë si arkitekt në Komitetin Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tiranës, në të njëjtën kohë ka qenë pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve ku jepte lëndën e perspektivës (pasi Maksi ushtrohet në fushën e pikturës). Maksi është karakterizuar si njeri me tendencë moderniste e i shthurur. Ai ka qenë i pasionuar pas artit dekadent, borgjez e revizionist, abstraksionist e surrealist dhe në këtë fushë ka gjetur përkrahjen dhe ndihmën e Fadil Paçramit, me të cilin ka pasur njohje e shoqëri. Këto tendenca moderniste Maksi i reflektoi dhe në krijimtarinë e tij në fushën e pikturës ku krijoi disa tablo etj. Për këto arsye ai u hoq nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës me motivacionin si njeri me tendenca moderniste borgjezo-revizioniste dhe u caktua me punë në kooperativën bujqësore të bashkuar Ndroq, ku vazhdon të jetë edhe sot.

 Me datë 03.II.1975 Maksi është rimarrë në P. P. nga ana jonë, sepse implikohej nga i pandehuri Edison Gjergo për aktivitet të përbashkët armiqësor në art dhe letërsi.

 Edison Gjergo në deponimet e tij e ka implikuar Maks Velon si vijon: “Maks Velo më ka thënë se piktura nuk ka asgjë të përbashkët me letërsinë, piktura nuk duhet të shpjegohet me fjalë, ajo duhet të jetë e pavarur se kuptohet vetëm nga një numër i caktuar njerëzish. Ai më ka cituar mua citate të ndryshme të filozofëve të huaj si Kamy etj., dhe më ka frymëzuar në rrugën time armiqësore që kisha filluar në krijimtari”.

 I përmenduri është implikuar edhe në procesin e tërheqjes në shërbimin sekret të agjentit “Energjiku”, i cili thotë se: “Unë dhe Maksi kemi shkëmbyer mendime armiqësore me njëri-tjetrin. Kemi folur për mbledhjen e Partive Komuniste e Punëtore që u mbajt në Moskë më 1960-n dhe kemi thënë se udhëheqja sovjetike ka dashur të ndërrojë qeverinë shqiptare dhe prandaj do të ndërhyjë ushtarakisht në vendin tonë, se duke ardhur BS këtu do të jemi më mirë, se udhëheqja shqiptare nuk do t’i përballonte dot vështirësitë ekonomike etj.”. Po kështu gjatë kohës që e kemi pasur në P. P., në ngarkim të Maks Velos na kanë dalë dhe materiale të tjera që kanë të bëjnë me figurën e tij moralo-politike, prandaj duke u bazuar në këto materiale në datën 04.08.1975, bëmë ngritjen e tij nga P. P. në përpunim aktiv 2/A për agjitacion e propagandë armiqësore në fushën e letërsisë e të arteve.

 Gjatë kohës që vazhdon të jetë në 2/A në drejtim të tij kemi grumbulluar këto materiale:

  1. 1. Të dhënat e agjentit “Semani”, i cili thotë: “Maks Velo është i përkëdheluri i Fadil Paçramit, që e mbante atë afër dhe e përkrahte atë vazhdimisht, edhe pse si arkitektura dhe piktura e Maksit ishte formaliste, impresioniste dhe ekspresioniste (me tendenca të huaja). Maksi më ka thënë se në pikturë nuk të lejojnë të bësh ato që bëhen në letërsi (e kishte fjalën për rrymën surrealiste). Për piktorët tanë realistë si F. Haxhiun, N. Zajmin etj., Maksi është shprehur se nuk është pikturë kjo që bëjnë këta etj. Duke bërë fjalë për fshatarët e Tiranës, Maksi më ka thënë se: ‘Këta janë të ligj, për ne qytetarët është vështirë të ikësh me karakteristika të mira që këtej. Jeta në fshat është e vështirë, ndërtimet atje mezi bëhen, sepse mungojnë materialet dhe shteti nuk i furnizon me lëndë të parë, sepse nuk ka, ai mezi furnizon industrinë etj. Pikaso është gjenial dhe ato që ai ka zbuluar para shumë dekadash po i vërteton shkenca sot etj.’”.
  2. 2. Denoncuesi Genc Hajdari, thotë se: “Maks Velon e kam pasur pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ku na jepte lëndën e perspektivës artistike, lëndë kjo mjaft e vështirë dhe e rëndësishme për formimin e studentëve. Gjatë mësimit, Maksi për ta bërë mësimin ‘interesant’ na citonte citate të filozofëve reaksionarë si Dideron, Pikaso, Hegel e Niçe (filozof nazist), për teoritë e tyre në lidhje me artin. Këto teori janë reaksionare dhe i kundërvihen teorisë sonë mbi artin socialist. Citatet e këtyre autorëve, Maksi i përkthente nga literatura e huaj meqenëse di frëngjisht e italisht. Duke vlerësuar pikturën e një studenti, i cili kishte bërë një pikturë abstraksioniste. Maksi ka thënë se ‘më pëlqen shumë kjo pikturë pikërisht se është surrealiste’. Në fushën e krijimtarisë Maksi ka qenë një formalist i theksuar që injoronte përmbajtjen e veprës dhe kapej pas formës dhe ka paraqitur disa vepra, piktura me karakter të tillë etj.”.
  3. 3. Denoncuesi Milto Jorgji, thotë se: “Te Maksi kam konstatuar se ai gjithmonë është prirur për një art dekadent-borgjez dhe këtë e ka shprehur në pikturat që bënte. Në ekspozitën e 30-vjetorit të themelimit të Partisë ishte paraqitur një tablo, ku demaskohej Balli Kombëtar nga udhëheqësi kryesor. Për këtë tablo Maksi u shpreh se: ‘Para kësaj vepre ne kalojmë indiferentë dhe ndalemi te disa tablo të vogla’ (piktura të Edison Gjergos etj., që u kritikuan si të gabuara). Duke bërë fjalë për një ftesë që i kishte ardhur Maksit për të marrë pjesë në një mbledhje, ku në ftesë ishte stema e pushkës dhe e kazmës, Maksi ka thënë: ‘Kjo është një ftesë banale, me ç’shije të tillë mund të edukojmë ne masën e publikut, edhe në gjërat e vogla si kjo duhet pasqyruar shija moderniste’. Në një rast tjetër e kam gjetur Maksin, vazhdon Milto, në studion e Edison Gjergos, kur po shikonte një tablo të Ilia Rjepinit, themelues i realizmit socialist në pikturë. Lidhur me këtë Maksi u shpreh: ‘Ja dhe një pikturë banale pa vlerë artistike’. Maksi e inkurajonte gjithmonë Edisonin për pikturat moderniste të këtij të fundit. Edisoni më ka thënë, thotë Milto, se kur ka qenë në studion e Maksit, kishte parë piktura ‘shumë të bukura’ (moderniste) dhe i kishte pëlqyer në mënyrë të veçantë një pikturë me varreza dhe kafka”.
  4. 4. Denoncuesja Gertrudë Buchales (me kombësi austriake) ish-vjehrra e Maks Velos, thotë se: “Maks Velo është një njeri me botëkuptim borgjez, ai është pa karakter, stimulant, egoist etj. Edhe familja e tij është e tillë etj.”. Gertruda ka dorëzuar në Lidhjen e Shkrimtarëve një libër (roman) me përmbajtje pornografike të Maksit në gjuhën frënge me autor Zhyl Romen, i cili është reaksionar si në fushën politike ashtu dhe në krijimtarinë e tij letrare. Po kështu, Gertruda ka dorëzuar në organet tona një fotografi të Maks Velos me të vëllain e tij, në kohën e okupacionit fashist, ku kanë dalë të veshur me rroba fashiste, duke nderuar “allafashiste”.
  5. 5. Implikimi i të dënuarit Milto Vako, i cili thotë: “Shpeshherë Maksin e kam parë të shkojë në zyrën e Zhanit (njeri me tendenca të huaja, kritikuar nga partia) ku dëgjonte muzikë të huaj dekadente borgjeze, si dhe ka dëgjuar së bashku me të edhe operën ‘Porgi-Bes’ të një kompozitori amerikan, muzika e të cilit ka karakter të theksuar dekadent, borgjez etj.”. Maksi i ka thënë Zhanit në prezencën time: ‘Si nuk po na bëni ndonjë gjë të re për ta parë në skenë, por ngelët gjithmonë me reporterë’”.

 Duke u bazuar në materialet e mësipërme në ngarkim të Maks Velos, ku ai del si njeri i shthurur, i prirur pas artit modernist dekadent borgjez, me pikëpamje e koncepte, tip i ndreqshëm

VENDOSA

 Që të bëhet demaskimi i tij, nëpërmjet Komitetit të Partisë së Rajonit Nr. 4, para kolektivit punonjës të fshatit Ndroq për tendencat e mësipërme e duke asistuar në demaskime edhe një përfaqësues i Lidhjes së Shkrimtarëve. Pas demaskimit, Maksi të çohet të punojë direkt në prodhim, punë bujqësie për një periudhë kohe, në Tiranë ose jashtë Tiranës.

 PUNËTORI OPERATIV                SHEFI I SEK. V

 / ROPI POSTOLI /                 / FILAT MALAJ /

Dokumenti 22

                                    Dhënë agj. “Semani”

                               Marrë p. op., Sh. Meta

                                     Në bazën “Vjosa”

Raport dt. 06.09.1977

Burimi njofton se rreth dt. 25.08.1977 takoi Maks Velon në Pezë dhe gjatë bisedave me të ra fjala për Kongresin e PK Kineze. Maksi u shpreh: “Dëgjova në lajmet e jashtme se parulla e këtij kongresi ishte ‘Më pak llafe dhe më shumë punë’ dhe aty është deklaruar se revolucioni kultural mori fund në vitin 1976. Bandës së të katërtëve u janë krijuar kushte të mira, ku ata mund edhe t’i shkruajnë Komitetit Qendror për vërejtjet e tyre etj. Ata nuk i pushkatojnë dhe mirë bëjnë që s’i pushkatojnë. Punë është kjo, merr e pushkato udhëheqës! Në qoftë se udhëheqësi gabon lëre të lirë të jetojë. Së shpejti Titua do të shkojë në Kinë, por më interesante është vajtja e Venait në Kinë.”

Në një rast tjetër, Maksi është shprehur në lidhje me të rinjtë që shkojnë për të punuar në fshat: “Të rinjtë që shkojnë atje i fusin në punë të rënda” dhe përmendi një rast që një i ri për 20 ditë kishte marrë 100 lekë (të vjetra). “Kjo, tha Maksi, bën atë që ata të lënë fshatin dhe të kthehen në qytet. Këtu u qesin fletërrufe dhe në këtë mënyrë krijohet urrejtja.”

Po kështu, Maksi ka thënë se njeriu të punojë në art, të punojë shumë vjet me radhë, por kur vetë kjo punë kthehet në burim rreziku, ajo e humb kuptimin e saj.

                                     “Semani”

Vlerësimi i së dhënës: Raporti ka vlerë operative, pasi tregon reagimet e Maks Velos rreth situatës dhe vijës së Partisë dhe shtetit tonë. Qëndrimi i tyre është reaksionar dhe i papajtueshëm me vijën tonë.

Detyra: Në bisedat me Maks Velon hap biseda rreth situatës dhe ... së momenteve që të ndodhesh me të u thuaj nëse keni dëgjuar ndonjë lajm të ri, ç’bëhet, ç’thuhet për vizitat e Titos në Azi, shiko vlerësimin që ata i bëjnë Titos në këto vizita dhe mandej u ... se këta tanët qëndrojnë në pozitat e tyre dhe nuk duan ta dinë për asnjeri. Kjo duket në artikujt që kanë shkruar në gazetë e jo vetëm nuk pajtohen me vijën e tyre, por qëndrojnë konsekuentë për të mbrojtur M-L.

Masa operative: E dhëna për Maks Velon të jepet për buletin. Raporti t’i kalohet p. op. B. Shehu që ka në ndjekje Maks Velon.

                                      Punëtori operativ

                                      / Shefqet Meta /

Dokumenti 23

                                  Dhënë bp. “Semani”

                                   Marrë p. op., P. Katro

                                  Në bazën “Inani”

                Raport dt. 20.07.1977

 Burimi njofton se rreth dt. 10.07.1977 orë 18°° shkoi në shtëpinë e Maks Velos dhe bëri shëtitje në të. Gjatë bisedave ra fjala për artikullin “Teoria dhe praktika e revolucionit”. Maksi shfaqi mendimin duke thënë: “Këta tani do ta kenë shumë të vështirë në të gjitha drejtimet po u prishën me kinezët. Pse bëhet kështu siç po bëjnë këta? Po prishen me gjithë botën. Kinezët e panë se është absurde t’u qëndrosh besnik thënieve të Marksit ose të Engelsit të bëra para 100 vjetësh, kur bota ka ndryshuar kaq shumë, kurse këta duan t’i rrinë besnik pa marrë parasysh asgjë. Këta kudo po mbjellin urrejtjen, ndërsa duhet që njerëzimi të udhëhiqet nga dashuria. Një ndër arsyet që feja gjatë shekujve ka pasur qëndrueshmëri në ndërgjegjen e njerëzve është sepse ajo predikonte mirësinë midis njerëzve. Këta po organizojnë seminare mbi luftën e klasave, prite tani kur të fillojnë reperkusionet ndaj njerëzve. Në një revistë gjeografike amerikane që kam lexuar në Bibliotekën Kombëtare, një numër pasqyronte gjendjen e zezakëve në Amerikë. Ata nuk kanë frikë të tregojnë të vërtetën, sepse janë të interesuar të marrin masa për zgjidhjen e problemit. Dikur kam pasur një dashnore franceze, ishte fantastike. Femrat tona nuk janë kurrë në gjendje të jepen ashtu siç jepej ajo, sepse femra jonë ka gjithmonë halle dhe nuk mund ta ketë mendjen vetëm te dashuria. Femra jonë nuk mund ta ketë kurrë atë feminilitet që ka një femër e huaj, sepse si mund ta ketë kur ti vete dhe e çon atë në aksion dhe në punë fizike”. Më poshtë në bisedë Maksi më tha se atë ditë kishte mbledhur fasule gjithë mëngjesin për një vlerë prej 30 qindarkash. Ndërsa vetë fshatarët arrijnë të mbledhin 1/10 e normës, sepse norma është shumë e lartë.

 Burimi di se Maksi ka pasur dashnore, e cila e ka zyrën afër shtëpisë së Maksit. Gjithmonë ka pasur dhe një arsimtare të shkollës së Ndroqit, të shoqin e së cilës e njoftoi për marrëdhënien e tij, pasi ajo grua u nda nga Maksi.

                                           “SEMANI

Vlerësimi i së dhënës: E dhëna ka vlerë operative, sepse objekti 2/A Maksim Velo, megjithëse është demaskuar, vazhdon të zhvillojë veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit dhe propagandës. Nga kjo del se ai është armik i betuar.

Detyrë: Të dendësojë kontaktet me Maksim Velon. Në biseda me të, të hiqet si i persekutuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe për mossukseset që ka prekur në pikturë.

 Pastaj në bisedë të sqarojë:

  1. 1. Ç’mendime e pikëpamje ka objekti për qëndrimin parimor të PPSH-së ndaj marksizëm-leninizmit;
  2. 2. Çfarë thotë për politikën e jashtme e të brendshme të Partisë dhe shtetit tonë;
  3. 3. Ç’mendime ka për masat që janë marrë për mbrojtjen e atdheut dhe si e paraqet forcën tonë ushtarake;
  4. 4. Ç’thotë për gjendjen ekonomike te ne dhe jashtë;
  5. 5. Për të realizuar këto detyra të marrë shkas mbi faktin që në kolektiv do të punohet Komunikata e Gjykatës së Lartë për elementet antiparti në drejtim të ekonomisë.

Masa operative: E dhëna të shtypet dhe t’i kalohet p. op. Besnik Shehu që e ka ndjekur objektin Maks Velo. Të studiohet arsimtarja dhe sa janë dashnore të Maksit e t’u merret proces-kallëzim. Të dokumentohet veprimtaria e këtij objekti dhe të propozohet për arrestim.

                                  Punëtori operativ

                                   / Piro Katro /

Dokumenti 24

                                  Dhënë bp. “Semani”

                                  Marrë p. op., P. Katro

                                  Në bazën “Vjosa”

                  Raport 22.06.1977

… Më dt. 21.06.1977 burimi takoi Maks Velon dhe Maksi duke i treguar për jetën e Norman Betynit shprehu mendimin se në botën e tyre perëndimore vlerat e personit gjejnë vlerësimin e shoqërisë dhe personaliteti i njeriut gjen fushë të lirë zhvillimi. Më tej Maks Velo bëri vërejtjen se Ismail Kadareja shërben me një servilizëm të tepruar. Më dt. 22.06.1977 Maksi i tregoi se sidoqoftë në vendet revizioniste dhe sidomos në B. Sovjetik, është ndryshe toleranca klasore, p.sh. kohët e fundit u shkëmbyen një kilian me nja 13 të burgosur të Gj. Lindore.

                                     

                                      “Semani”

Vlerësimi i së dhënës: Maks Velo vazhdon përsëri të jetë në pozitë armiqësore.

Detyra: Ju dha si detyrë që të thellohet më tepër në bisedat me Maks Velon.

Masa operative: E dhëna t’i kalohet p. op. B. Shehu, që ka në ndjekje Maks Velon.

                                  Punëtori operativ

                                   / Piro Katro /

Dokumenti 25

Nga kontrolli që u bë në Kartotekën e KP del se Maksim Velo, rruga “Hoxha Tahsim” 57/2, Tiranë mban korrespondencë me:

 Spiro Demetre 8333-/2 TH.N.W. Seatle Washington (USA). Maksim ka dërguar vetëm një letër me datë 22.02.1965. Është lexuar nga ana jonë. Spiro nuk i ka dërguar asnjë letër Maksimit.

Dokumenti 26

 

                                  SEKRET

                                  Ekzemplar i vetëm

                                  Tiranë, më 01.10.1977

                   SHËNIM OPERATIV

 Në një bisedë që organizuam sot me qytetaren, kur e pyetëm për rrethin e saj shoqëror, na nxori si lidhje të saj dhe Maks Velon, për të cilin tha: “Me Maksin jemi njohur që kur kemi qenë fëmijë, pastaj shoqëria jonë u lidh më shumë, pasi si unë dhe ai ishim të dhënë pas pikturës. Më vonë kur unë punoja në Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve ku jam dhe sot, në zyrat e pikturës, të cilat janë afër shtëpisë së Maksit, e ëma më ftonte shpesh në shtëpinë e tyre. Këtu unë takohesha dhe me Maksin, me të cilin kemi biseduar shpesh dhe për pikturën dhe artin. Maksi një herë më tregonte disa piktura me përmbajtje krejtësisht abstraksioniste, të cilat i mbante në shtëpi. P.sh., në një rast më kujtohet një pikturë e tillë, ku tregohej një vesh i zmadhuar dhe brenda tij futej një gisht etj. Kur unë i thashë se ç’kuptim ka kjo, ai thoshte se kjo shpreh një ide timen ose një ndjenjë. Kurse në një rast tjetër më tregoi një portret të një të njohurës sime, i cili ishte pikturuar sipas rrymës abstraksioniste dhe që shumë pak i përngjante personit që paraqitej. Kur ia thashë këtë gjë, më tha që në këtë pikturë nuk ka rëndësi t’i përmbahesh realitetit, por në të duhet të shprehësh idenë tënde, ndjenjën tënde. Në përgjithësi me sa vija re unë ishte i pakënaqur, sidomos në drejtim të artit, për të cilin fliste më shumë.

 Në një bisedë tjetër me të më kujtohet se ai tregonte për marrëdhëniet që ka pasur me një turiste franceze, me të cilën ishte njohur në plazhin e Durrësit. Ai thoshte se me të i shkonte shumë muhabeti dhe mirëkuptoheshim, madje ajo i kishte falur dhe një abazhur.

 Pasi u hoq Maksi nga Komiteti Ekzekutiv, ku ka qenë me punë dhe shkoi në fshat, më tregonte një herë se si e kishin ngarkuar të projektonte një institucion kulturor, i cili si i tillë duhet të ishte i bukur dhe ‘unë (Maksi) e projektova atë, mirëpo gjatë ndërtimit u kaluan fondet e parashikuara dhe kur e mori vesh këtë udhëheqësi i shtetit nuk na dha fonde të tjera’. Lidhur me këtë Maksi u shpreh: ‘Këta duan gjëra të bukura pa para’. Në një bisedë që kam bërë me të ëmën e Maksit kohët e fundit ajo më tha se Maksi ka rënë në një gjendje depresioni shpirtëror dhe i ka grisur të gjitha pikturat abstraksioniste që kishte”.

 Punëtori operativ            Shefi i Sek. V

 / Besnik Shehu /             / Shefqet Metaj /

STUDIM I DOSJES FORMULARË TË MAKSIM VELOS

Vërehet:

 E vetmja e dhënë me vlerë operative gjatë gjithë përpunimit të tij është ajo me datë 20/VII/1977 e bp. “Semani”: “Do ta kenë të vështirë në të gjitha drejtimet po u prishën me kinezët. Kinezët panë se ishte e vështirë t’u qëndroje besnik thënieve të Marksit e Engelsit të bërë përpara 100 vitesh. Kudo ne mbjellim urrejtjen (me besnikërinë ndaj marksizëm-leninizmit)”. Por kjo nuk gjen vërtetim as me burim paralel, TO ose me provat e grumbulluara.

 Si përpara dhe pas demaskimit objekti del me ideale moderniste, të shfaqura në krijimtarinë e tij, si dhe duke frymëzuar me to persona të tjerë, duke cituar nga autorë reaksionarë, duke u përpjekur të ulë vlerën e veprave dhe autorëve të tjerë me përmbajtje të shëndoshë jorevolucionare.

 Provat bëjnë fjalë për veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit dhe propagandës përpara demaskimit të tij dhe jo në vazhdimësi.

Jam i mendimit:

  • Të vazhdojë në thellim përpunimi i tij tek agjenti bp. “Semani”;
  • Të verifikohet saktësia e të dhënave të tij me burim paralel ose TO;
  • Jam i mendimit të sigurohen prova që të bëjnë fjalë për aktivitetet armiqësore me të fshehta të tij, sidomos pas demaskimit, si dhe të rimerren ato ekzistuese për ta përcaktuar më mirë në kohë e për thellim të tyre.

Tiranë, më 18/II/1977                      Hetuesi

                                      / Fejzo Lloçi /

Shënim: Materiali u studiua edhe nga zv.kryetari i Degës në Drejtorinë e Hetuesisë, Dhimitër Beshiri, dhe këto mendime ishin edhe të tijat.

Dokumenti 27

MIRATOHET                            SEKRET

Drejtori i DP të Brendshme            Ekzemplar i vetëm

/ Nysret Dautaj /                    Tiranë, më 23.07.1977

PLAN MASASH

për ndjekjen dhe dokumentimin e veprimtarisë armiqësore të objektit 2/A MAKSIM SOTIR VELO

 Maksim Velo ndiqet nga ana jonë në 2/A për agjitacion e propagandë armiqësore. Është marrë 2/A më dt. 04.08.1975 dhe meqenëse aktiviteti i tij armiqësor u dokumentua më dt. 09.07.1976 është bërë demaskimi i tij në Kooperativën e Ndroqit, ku ndodhet me punë. Pas demaskimit nuk ka reaguar, por kohët e fundit rezulton që ky të jetë në pozita armiqësore dhe nga të dhënat e agjentit “Seman” del se agjiton kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor.

 Me qëllim për të dokumentuar më tej veprimtarinë e tij armiqësore nga ana jonë do të merren këto masa agjenturalo-operative:

  1. Do të vazhdojë aktivizimi me detyra konkrete i agjent “Semanit”, i cili kohët e fundit ka dhënë të dhëna të rëndësishme në drejtim të objektit. Për këtë do të përpilohen detyra me shkrim për bp.

                Kryen shefi i sek. P. Katro.

    Përpilon detyrat p. op., B. Shehu deri më 15.08.1977.

  1. Të futet me kujdes në përpunimin e këtij objekti bp. “Materia”, i cili ka njohje me objektin. Për të realizuar këtë do të drejtohet me detyra konkrete dhe me një vijë sjelljeje të studiuar.

              Kryen shefi i sek. P. Katro deri më 20.08.1977.

  1. 3. Të studiohen shpejt lidhjet e tij dhe të thirren të dyja për t’u marrë proces kallëzimi.

                  Kryen p. op., B. Shehu deri më 10.08.1977.

                 Kontrollon shefi i sek. P. Katro.

  1. 4. Të përsëriten proces-kallëzimet e Genc Hajdarit duke sheshuar dhe ndonjë kontradiktë që mund të ketë në procesin e parë.

        Kryen p. op., P. Katro dhe B. Shehu më 25.08.1977.

  1. Të shkohet në kampin e Ballshit dhe aty të pyetet Milto Vako për t’ia ripërtëritur procesin që ka dhënë, si dhe të pyetet i dënuari Ali Oseku, i cili ka qenë lidhje e Maksit në vitet 1971 ‒ 1974, duke synuar që t’i merret proces në ngarkim të objektit.

        Kryen p. op. P. Katro dhe B. Shehu deri më 25.08.1977.

  1. Të korrespondohet me Degën e P. të Brendshme Pukë, ku ka shkuar me punë bp. “Energjiku”, me qëllim që ky të aktivizohet sa herë vjen në Tiranë në drejtim të objektit Maks Velo.

                 Kryen p. op,. B. Shehu deri më 30.07.1977.

                 Kontrollon shefi i sek., P. Katro.

  1. Të shkohet në kampin e Spaçit dhe të ripërtërihet procesi i të dënuarit Edison Gjergo.

          Kryen p. op., P. Katro dhe B. Shehu më 31.08.1977.

  1. Do të organizohet një bisedë me shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të cilëve t’u kërkojmë se ç’teorizime ka bërë Maks Velo në periudhën kur nuk ishin dënuar armiqtë F. Paçrami dhe Todi Lubonja.

Kryejnë p. op., Arif Selmanhasko dhe B. Shehu më 10.09.1977.

Kontrollon shefi i sek., P. Katro.

  1. Të studiohet mundësia e përplasjes së objektit Maks Velo me agjent “Semanin” dhe biseda e tyre të përgjohet me TO.

    Kryejnë p. op., P. Katro dhe B. Shehu deri më 30.09.1977.

Brenda datës 10 tetor të grumbullohen provat dhe të propozohet për arrestim.

Punëtori operativ                     Shefi i Sek. V

/ Besnik Shehu /                      / Piro Katro /

Dokumenti 28

                                  Dhënë bp. “Semani”

                                  Marrë p. op., Sh. Metaj

                                  Tiranë, më 06.12.1977

Raport

 Burimi njofton se në një takim rreth dt. 20.11.1977 Maks Velo i tha: “Këta po lidhen me Greqinë, se në fund të fundit me dikë do të lidhen. Megjithatë unë akoma nuk marr letra nga xhaxhai”. Në një takim tjetër më dt. 05.12.1977 në kafe “Drini” Maks Velo i tha: “… Përshëndetja e kryeministrit drejtuar në fjalën e tij shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë ka rëndësi dhe se atij i bëri përshtypje”. Në këtë takim, Maksi ishte i shqetësuar, sepse ditët e fundit e kishte vizituar dy herë në shtëpinë e tij një grua franceze, me të cilën ka pasur raporte intime para pesë viteve. Maksi tha se “jam i shqetësuar ndonëse unë njoftova pas vizitës së dytë Raqi Ifticën, zëvendësministrin, të cilin e kam mik të familjes që në Korçë. 5 vite dhe ajo nuk ka ndryshuar aspak, ku ta dijë ajo (francezja) se në ç’gjendje jam unë tani. Këto gjërat tona janë të tilla që ajo as që mund t’i konceptojë”.

                    “Semani”

 Vlerësimi i së dhënës: Raporti ka vlerë operative dhe tregon për reagimet e Maks Velos, sidomos për shqetësimet e tij për takimin që ka pasur me francezen.

Detyrë: Do të takohesh sa më parë me Maksin dhe të bisedosh me të lidhur me francezen, pyete se çfarë thotë ajo, si i ka punët, përse ka ardhur në Shqipëri, çfarë thotë për vendin tonë. Indirekt mundohu të sqarosh bisedat që kanë bërë, interesimet e saj, si e koncepton Maksi qëndrimin e saj, si nuk ka frikë pasi është demaskuar për takime të tilla.

Masa operative: E dhëna t’i kalohet p. op. Besnik Shehu që ka në ndjekje Maks Velon.

                                   Punëtori operativ

                           / Shefqet Menaj /




 

Votoni kryebashkiakun tuaj: Kush punon mirë, kush është i korruptuar

Emri / Bashkia
Punoi mirë
I korruptuar

Ju lutem, për të votuar kryetarin e bashkisë klikoni Qarkun përkatës në hartë!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « E RRALLË/ Zbulohet tempulli helenik 2100 vjeçar në Turqi (FOTO)
‘Romeo dhe Zhulieta’ së bashku edhe në botën e përtejme, gjendet çifti i varrosur pranë njëri-tjetrit »
Article Logic
Execution time: 0.0088930130004883
array(1) { ["section"]=> string(101) "publikimi-i-dosjes-sekrete-shperthen-maks-velo-dritero-agolli-duhet-te-kishte-dhene-doreheqjen-129322" }