Peshëngritësi, Hysen Pulaku ka rezultuar pozitiv edhe në testin B anti-doping, por Federata e Peshëngritjes është munduar që të fsheh përgjigjien e analizave.
Në dokumentin e testit B, të siguruar nga Top Channel vihet re qartë se sportisti 22-vjeçar ka rezultuar pozitiv edhe në analizën e dytë.
Sipas dokumentit që mban firmën e doktor Schenzer, klinika e të cilit është e akredituar nga VADA, sportisti shqiptar Hysen Pulaku del se ka përdorur stanozolol, subtancë me të cilën ai u kap edhe para Lojrave Olimpike “Londër 2012”. E njëjta substancë doli edhe në dy testet e nënkampiones Romela Begaj dhe në testin A të kampionit Daniel Godelli.
Ky dokument ka ardhur në adresë të Federatës sonë të Peshëngritjes e cila bën dhe rolin e të paditurit që me datë 14 janar të këtij viti, pra 1 ditë pasi është bërë dhe testi B për sportistin Pulaku.
Por ndonëse kanë kaluar 20 ditë, Federata jonë nuk e ka bërë të ditur lajmin, madje ka tentuar disa herë që ta fsheh atë.