Që të nxjerrim më në fund një mësim nga dhuna

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:42 21-06-2016 Që të nxjerrim më në fund një mësim nga dhuna

Nga Blerina Gjoka

Këto kohët e fundit jemi shokuar nga skandalet me dhunën ndaj grave e fëmijëve, duke nisur nga dhuna tek fëmijët jetimë në Shkodër e mandej në Durrës…dhuna ndaj nënës me dy fëmijë në krah në mes të Vlorës e për të përfunduar (qoftë e fundit!) tek dhuna e drejtoreshës së një kopshti ndaj një fëmijë 3 vjeç.

Pas shokimit, nervozizmit, mllefit, dëshirës për ta vrarë e për ta grirë atë grua që qëllon një qenie aq të pambrojtur, një ëngjëll, le të ndalemi pak të marrim frymë e të pyesim veten; çfarë mësimi kemi marrë nga gjithë kjo dhunë?!

E di, ushtrimi i dhunës nuk të jep asnjë mësim, askujt…as një krimineli, jo më një fëmije….por po them një mësim për dhunën që pamë dhe na i rrudhi zemrat aq fort gjithë këto kohë.

Dhuna ndaj fëmijëve nuk u shpik sot, nuk ndodhi për herë të parë sot; ajo ka qenë aty që nga koha kur gjyshërit e prindërit tanë thonin; druri ka dalë prej xheneti; që nga koha kur mësuesit lëviznin me vizore në dorë në klasë gati për të qëlluar duart e ndonjë fëmije…dhuna ka qenë në jetimore, në shkolla, në kopshte e çerdhe dhe në familjet tona…pra mos të bëjmë si të çuditur, por le të arsyetojmë, të mendojmë e të nxjerrim një mësim që të na vlejë, secilit prej nesh, institucioneve shtetërore, shoqërisë në përgjithësi.

Nuk mjafton mllefi dhe zhurma, as dëshirat tona të shprehura lirshëm në rrjetet sociale, për linçimin një njeriu (mos e Zot nesër ajo do të jetë e lirë, siç ka gjasa të ndodhë dhe do punojë sërish me fëmijë)…por duhet reagim i pjekur, më shumë forcë, më shumë përgjegjësi.

Mësimi 1. Nëse ka një mësim që ne si prindër nxorrëm nga ajo video është se duhet të jemi më vigjilentë ku i besojmë fëmijët tanë; mos lakmoni muret e lyera me ngjyra dhe reklamat; mos u gënjeni nga fjalët e bukura; por tregohuni të kujdesshëm dhe vrojtues deri në detaj për njerëzit të cilëve u besoni fëmijën tuaj sepse po u besoni në fakt zemrën tuaj. Kërkoni më shumë o prindër, mos kërkoni vetëm një vend parkimi për fëmijët tuaj ku t’i lini 8 orë sa jeni në punë. Kërkoni një kopësht a çerdhe që ka një program të mirë edukimi, ku i kushtojnë vëmendje zhvillimit të tij psiko-emocional, jo vetëm t’u mbushin barkun me bukë. Flisni me drejtoreshat, pronaret, edukatoret, kërkoni që të ketë aty një psikologe, flisni me të, flisni me fëmijët tuaj, mos neglizhoni asnjë shenjë që mund të tregojë se ata nuk trajtohen ashtu siç duhet. Pra, bëhuni skifter për fëmijët tuaj sepse ju i keni sjellë në këtë botë dhe jeni të parët përgjegjës për ta deri sa bëhen 18 vjeç.

Mësimi 2. Ministria e Arsimit, Bashkia Tiranë dhe të gjitha bashkitë në mos nuk e kanë nxjerrë një mësim duhet ta nxjerrin urgjent sot nëse këto institucione i drejtojnë njerëz me arsye dhe me shpirt. Mësimi i tyre duhet të jetë ky; duhet të kërkohet llogari, të ketë kontrolle, të mbyllen, të dënohen, të denoncohen kopshtet e shkollat fantazëm, të mos jepen leje për biznese të tilla njerëzve që nuk kanë shkollimin e duhur dhe integritetin moral për t’u marrë me fëmijët. Të mos neglizhohet më as edhe një gjë e vogël që ka të bëjë me keqtrajtimin e fëmijëve. Shteti keshtu funksion. Shteti është përgjegjës për qytetarët e vet….për fëmijët më shumë se për këdo.

Mësimi 3. Gjykatat dhe ligjvënësit janë fajtorët e radhës. Janë ata që kanë në dorë të tregojnë drejtësi për të vendosur shembuj, për të vendosur kufinj. Ata duhet të tregojnë se dhuna nuk tolerohet, ajo dënohet. Për fat të keq edukatorët dhunuese të videos së jetimores në Shkodër janë liruar nga burgu dhe punojnë sërish edukatore….le të presim të shikojmë çdo të ndodhë me Anjeza Shabanajn, që dhunoi pa pikë mëshire, mostrueze, një fëmijë 3 vjeç….Në këtë moment është fjala për të kuptuar a ka mbetur një fije drejtësi në këtë vend.

Mësimi 4. Shoqëria, unë që po e shkruaj dhe ti që po e lexon këtë shkrim, të nxjerrim një mësim si pjesë e së tërës, e shoqërisë tonë. Të mos bëhemi indiferentë, vrojtues kur ndodh dhuna. Të reagojmë në çdo moment. Të telefonojmë policinë kur dëgjojmë gruan e komshiut që qan e ulëret kur po e rreh i shoqi, të njoftojmë organet përkatëse kur dyshojmë apo shohim që po dhunohet një fëmijë. Të gjejmë kohë e të ngrihemi në protesta, të firmosim peticione, të dalim para gjykatës e t’i bëjmë presion që ndëshkojë dhunuesit….të mos e ligjërojmë më dhunën si mjet edukimi. T’u themi prindërve e gjyshërve tanë; JO, druri nuk ka dalë nga xheneti, po ka dalë nga injoranca dhe e keqja se druri prodhon vetëm dru dhe vetëm të keqen!

Të ngulisim njëherë e mirë në kokë; Fëmijët kanë nevojë vetëm për dashuri dhe përkujdesje, asgjë më shumë o njerëz. Edhe po nuk hëngrën mirë, edhe po nuk u veshën me rroba të bukura, edhe po nuk vajtën në kopshte e shkolla luksoze, nëse kanë dashurinë i kanë të gjitha, sepse dashuria i rrit ata si njerëz!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.053974866867065
array(1) { ["section"]=> string(51) "qe-te-nxjerrim-me-ne-fund-nje-mesim-nga-dhuna-44186" }