Qeveria s’humbet kohë. Ngre Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, vendos edhe sa do t’i paguajë ekspertët e jashtëm

Publikuar tek: politike, më 13:02 18-12-2015 Qeveria s’humbet kohë. Ngre Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, vendos edhe sa do t’i paguajë ekspertët e jashtëm

Qeveria s’humbet kohë. Ngre Këshillin e Lartë të Kërkimit Shkencor, vendos edhe sa do t’i paguajë ekspertët e jashtëm, pas miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë që ka ndeshur në shumë kundërshtime.

Në një vendim të 9 dhjetorit Rama firmos ngritjen e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor(KALKSH) dhe njëkohësisht si do emërohen nga Lindita Nikolla anëtarët, për të cilët nuk janë përcaktuar kriteret. Këshilli kontrollon Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, titujt e gradat, mbylljen dhe akreditimin e universiteteve etj. Pra me një fjalë Arsimin e Lartë dhe Shkencën në Shqipëri.

Rama ka vendosur edhe pagesën prej 700 eurosh në ditë për ekspertët e jashtëm të cilët do të vlerësojnë arsimin në vendin tonë.

Ja vendimet e qeverisë:

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, KOHËZGJATJEN E QËNDRIMIT NË DETYRË DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË ARSIMIT TË LARTË DHE KËRKIMIT SHKENCOR (KALKSH)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

1. Ngritjen e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH), si organ këshillimor për politikat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, pranë ministrit përgjegjës për arsimin.

2. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ka në përbërje 12 anëtarë, të cilët duhet të jenë personalitete të njohura të fushave akademike.

3. Anëtarët e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor emërohen me urdhër nga ministri përgjegjës për arsimin për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtë riemërimi pa kufizim dhe shkarkohen prej tij.

4. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, sipas kërkesave apo propozimeve të ministrit përgjegjës për arsimin, shqyrton dhe këshillon ministrin lidhur me:

a) hartimin e strategjive e të programeve kombëtare për arsimin e lartë e kërkimin shkencor, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore;

b) fushat parësore dhe programet e kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik;

c) standardet për hapjen, riorganizimin, pezullimin, mbylljen dhe akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë ose programeve të studimeve;

ç) kriteret për dhënien e titujve dhe gradës shkencore;

d) zhvillimin e politikave të veçanta dhe mënyrat e financimit të tyre;

dh) statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik;

e) çdo çështje tjetër që kërkohet nga ministri përgjegjës për arsimin.

5. Ministri përgjegjës për arsimin, me qëllim realizimin e misionit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor me urdhër mund të ngrejë komisione të përhershme apo të përkohshme me anëtarët e këtij këshilli, për studimin e çështjeve e të problematikave të veçanta.

6. Ministri përgjegjës për arsimin, me qëllim realizimin e misionit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor me urdhër mund të caktojë nëpunës të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në cilësinë e sekretariatit teknik të KALKSH-it.

7. Kryetari i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor apo në mungesë një anëtar i caktuar prej tij me urdhër thërret mbledhjet dhe i drejton ato, cakton rendin e ditës, drejton diskutimet, bashkërendon punën, si dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara në rregulloren e funksionimit të brendshëm të KALKSH-it.

8. Njoftimi për mbledhjet, rendi i ditës, si dhe çdo ndryshim në datën e kohën e vendosur për mbledhjet i njoftohen çdo anëtari nga sekretariati i KALKSH-it ose nëpunës të ngarkuar me urdhër të ministrit.

9. Ministri përgjegjës për arsimin miraton me urdhër të tij rregulloren e funksionimit të brendshëm të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

10. Anëtarët e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor shpërblehen për pjesëmarrje në mbledhjet e këtij Këshilli, sipas akteve nënligjore në fuqi.

11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

12. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

    

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.424,  DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR SISTEMIN E AKREDITIMIT, ORGANIZIMIN DHE VEPRIMTARINË E INSTITUCIONEVE TË SIGURIMIT TË JASHTËM TË CILËSISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 60, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 138 e 142, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë, të miratuar me vendimin nr.424, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në nenin 5 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Në shërbim të politikave të arsimit të lartë ministria përgjegjëse për arsimin mund të kërkojë vlerësimin e jashtëm të cilësisë së institucioneve e të programeve të studimit nga agjenci të tjera vlerësimi, që janë anëtare me të drejta të plota të Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ose të Regjistrit Evropian të Agjencive të Sigurimit të Cilësisë (EQAR). Vlerësimi i jashtëm dhe konsulenca për kryerjen e këtij vlerësimi nga këto agjenci kryhet me qëllim akreditimin e programit/programeve të studimit apo të institucionit të arsimit të lartë. Vlerësimi i jashtëm nga këto agjenci kryhet në përputhje edhe me standardet e procedurat vendase për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.”.

b) Në fund të pikës 1, të nenit 5, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:

“1.1 Agjencia e huaj, pjesë e ENQA-s e EQAR-it, kontraktohet drejtpërdrejt nga ministria përgjegjëse për arsimin, në përputhje me tarifat e përcaktuara në këtë rregullore për vlerësim të jashtëm të cilësisë së programit/programeve të studimit apo të institucionit/institucioneve të arsimit të lartë dhe konsulencë për kryerjen e këtij vlerësimi.”.

2. Në nenin 9/1 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:

a) Në pikën 1, fjalët  “... tabelat nr.1 dhe nr.2, ...” zëvendësohen me   “... tabelat nr.1.1 dhe tabela nr.2.1 ...”.

b) Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

“3. Pagesat për konsulencë për agjencitë e huaja të vlerësimit kryhen në bazë të tarifës ditore 700 euro/dita për çdo ekspert të huaj të angazhuar, por jo më shumë sesa 10 ditë pune për çdo ekspert të huaj. Ekspertëve të huaj të angazhuar nga agjencia e huaj e vlerësimit u mbulohen shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë.

4. Pagesat për agjencitë e huaja të vlerësimit për akreditimin e programit/programeve të studimit apo të institucionit të arsimit të lartë bëhen mbështetur në pagesat mbi bazë eksperti, sipas pikës 2, të këtij neni, ku agjencia e huaj e vlerësimit mund të ketë shumicën e ekspertëve në grupet e vlerësimit. Ekspertëve të vlerësimit të angazhuar nga agjencia e huaj e vlerësimit u mbulohen shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë.”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « ‘’Pres me padurim të shoh kush janë kriminelët, SHQUP-i numëroi 19. Në janar momenti i së vërtetës’’, Rama flet për dekriminalizmin
‘’Vërtet mendoni o të mjerë vjedhës se ky revolucion do t’u shpëtojë?’’, Ngjela flet për Shqipërinë, Amerikën, Gjermaninë dhe Rusinë »
Article Logic
Execution time: 0.024590969085693
array(1) { ["section"]=> string(133) "qeveria-s-humbet-kohe-ngre-keshillin-e-arsimit-te-larte-dhe-kerkimit-shkencor-vendos-edhe-sa-do-t-i-paguaje-ekspertet-e-jashtem-28075" }