Studentët dhe politika

Publikuar tek: analiza-komente, më 21:39 21-12-2018 Studentët dhe politika Foto nga protesta e studenteve perpara Ministrise se Arsimit

Nga Niko PELESHI

Kjo ditë parlamenti ishte një shans për çdo deputet. Një shans për të treguar se çfarë kemi kuptuar nga protesta e studenteve.

Une jam i bindur se nga raporti që do të vendosim me këtë protestë mund te varet e ardhmja e partive tona politike. Kryeministri në seancën e kaluar e quajti protestën “shuplakë” për qeverinë dhe filloi një dialog aspak të lehtë me studentët. Pagimi i çmimit të këtij dialogu të vështirë është e vetmja rrugë e kthimit të energjisë së protestës në energji për ndërtim.

Jemi një vend në zhvillim, me shumë nevoja dhe me pak mundësi buxhetore, ndaj duhet pranuar që në çdo sektor, aq më tepër në arsim kemi probleme ende të pazgjidhura.

Investimi në arsim është investim për të sotmen dhe për të ardhmen ndaj çdo vëmendje e shtuar për arsimin nuk është asnjëherë e ekzagjeruar.

Këtë na kujtojnë studentët me zërin e lartë të protestës, këtë duhet të jetësojmë edhe ne si reagim i urtë dhe i përulur para një pjese të shoqërisë së cilës i kemi shumë borxhe.

Kristina eshte një studente e universitetit Fan Noli, që unë e kam njohur kur ishte gjimnaziste e shkëlqyer. E kam njohur kur së bashku me shoqet e shokët e vet ngritën një bibliotekë me rreth 10mijë libra në shkollën e mesme te përgjithshme Raqi Qirinxhi. Kristina nuk vazhdoi dot studimet në degën që donte për shkak të pamundësisë ekonomike. Zëri i ngritur i Kristinës në protestë do ti vleje jo vetem Kristinës, por edhe të rinjve të tjerë që do të shkojnë më pas në Universitet, nëse mesazhet e protestes kthehen në plan pune për ne.

Ndaj është ngritur një proces dialogu dhe një grup pune për të gjitha kërkesat e studentëve.

Pra zëri i Kristines na vlen pasi me gjithë perpjekjen për të ndërtuar një proces përfshirës gjatë hartimit të reformës, me sa duket nuk ia kemi dalë ende t’i bëjmë studentët dhe pedagoget ta ndjejnë këtë reformë plotësisht si reformën e tyre. Prej këtej lind nevoja për të bërë plotësime në kuadrin e reformës.

Duhet ta pranojmë se po të mos ishte protesta, disa çështjeve nuk do t’iu vinte rradha kaq shpejt.

Pra protesta ia vlejti. Filloi e drejtë dhe e pastër ndaj rrëmbeu shumë zemra, pavaresisht përkatësive politike.

Nëse opozita do të dinte ta lexonte protestën, protesta do të punonte edhe për opozitën. Por sot u duk se opozita s’ka kuptuar asgjë. Nuk e ka kuptuar se studentet nuk i nxorri në protestë vetëm një VKM.

Ka edhe një faktor tjetër që i ka nxjerrë studentet në protestë.

Janë motrat dhe vëllezërit e tyre që për shkak të një sistemi gjoja të liberalizuar jane në vështirësi për të gjetur një vend pune.

Janë shokët dhe shoqet e motrave dhe vëllezërve që pasi blenë një diplomë dhe moren një teser partie u bënë drejtorë pa pikë merite.

Pra problemi më i madh është trashëgimia e një modeli partizan jomeritokratik.

Për vite me rradhë brezi i ri ra në kurthin e modeleve të lehta, por të shtrembra, të suksesit. Modele të ndërtuara nga hileqarët e politikës së vjetër.

Nuk ka nevojë të thuhet që këtij modelimi nuk i ka shpëtuar dot asnjë politikan.

Ne kemi bërë përpjekje jo të vogla për të nxjerrë jashtë këtij modeli të kthyer në sistemi disa sektorë, diku me sukses (si portali i mësuesve, emërimet në polici e diplomaci) diku pa sukses sepse llogaria elektorale dhe lufta e paprinciptë partiake, i relativizon përpjekjet vullnetmira për ndryshim. Lexova dje ndjesën drejtuar studentëve të një pedagogu të Universitetit Fan Noli. Ishte ndjesa për rënien shpesh në konformizëm me traditën e keqe. Ishte ndjesa së cilës duhet ti bashkohemi të gjithë, sepse të gjithë, kush më shumë e kush më pak jemi konformuar me modelet e vjetra. Jemi votuar për të qënë termostat në shoqëri, pra për të rregulluar “temperaturën” e sistemit, por ndonjëherë kemi punuar si termometër duke marrë temperaturën e sistemit të trasheguar. Nuk kemi qënë çekiçi, por kudhra, siç thoshte Martin Luther King.

Për ironi, shpesh, të paktën deri para se studentët të ngrinin zërin e protestës, dukej se edhe vetë të rinjtë ishin konformuar dhe i mbronin modelet e vjetra nga thyerja.

Jo për fajin e tyre, por për shkak se duhet një forcë shumë e madhe e brendshme të mos joshesh nga lehtësia e gjetjes së një vendi pune në administratë me një gjoja-diplomë nga njëri xhep dhe teseren e partisë nga xhepi tjetër.

Eshtë e vështirë të gjesh motivin që të shtyn për të mesuar një zanat, që të jep mundësinë e të jetuarit me punë, ndërkohë që shoku yt jeton më mirë se ti, pa punë.

Eshte dekurajuese të punosh për një rroge modeste, kur dikush tjetër pasurohet lehtësisht nga paratë që rrjedhin nga sistemi i korruptuar.

Jo çdo student do të ishte në favor te masave dhe reformave që e bëjnë më të vështirë marrjen e provimeve, pavarësisht se të gjithë e kuptojnë nevojën për reformim të sistemit tonë arsimor.

Pra sistemi i merites u ndryshk për vite me rradhë dhe filloi të lëngojë. Çështja është si dilet nga ky degradim. Me thyerje apo me rregullim të brendshëm?

Une besoj se sistemet mund të rregullohen edhe nga brenda dhe Shqipëria ka majtas e djathtas politikanë që kanë forcën dhe dëshirën të punojnë për të korrigjuar sistemin.

Por forcat pozitive brenda sistemit kane nevojë për presionin pozitiv nga jashte tij. Kanë nevojë për “shuplakën” siç e artikuloi me një fjalë kryeministri.

E kam fjalën këtu për nevojen e mosadaptimit, nevojën e moskonfomimit të shoqërisë.

Mosadapimin me sistemin, moskonformimin me status quo-ne.

Zhvillimi nuk vjen nga adaptimi.

E kundërta është e vërtetë.

Mosadaptimi eshte nervi i zhvillimit thoshte Nebil Çika në vitet ‘30, ndaj protesta do te ishte një lajm më i mirë se një harmoni e qetë ndërmjet të vjetrës dhe të resë, të shkuarës dhe te tashmes.

Protesta e studentëve na tregoi se Shqipëria është vitale, e re dhe reaguese, ndaj ishtë një ogur i mirë për të gjithë, ndaj rrëmbeu shumë zemra pavarësisht përkatësive politike. Le te perpiqemi gjithsecili në punen e vet të reflektojmë dhe te punojmë per tu vetrregulluar në vend që të vetshkatërrohemi.

Politika e topave të baltës nuk ka fitues. Ka vetëm humbës. Humbës dhe neveritje të politikës. Prej saj ushqehet vetëm antipolitika. Lipset pra nje sjellje e re politike me bazë reflektimin dhe dialogun e vështirë në vend të arrogancës dhe bojkotit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.032741069793701
array(1) { ["section"]=> string(101) "rama-dialog-i-veshtire-me-studentet-nuk-ia-kemi-dale-qe-ata-dhe-pedagoget-t-a-ndjejne-reformen-146042" }