Rama: Edhe unë isha në protestën e PD, neveri nga 'hienat' e informacionit

Publikuar tek: politike, më 21:09 26-01-2015 Rama: Edhe unë isha në protestën e PD, neveri nga 'hienat' e informacionit

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Shqip” në Top Channel flet mbi situatën e fundit politike, krimin, dhe drejtësinë e munguar të 21 janarit. Ai sulmoi gjithashtu ato që i quajti "hiena" të informacionit.  

Por nisi debatin dhe mbi protestën e së hënës nga Partia Demokratike mbi çmimin e naftës. I pyetur mbi manifestimin opozitar në Tiranë dhe në disa qytete, kreu i ekzekutivit dha një përgjigje ironike:

“Edhe unë mora pjesë në protest pasi duke u kthyer nga aktiviteti në doganë, u bllokova nga të tjerët. Kjo është forma më e ulët e protestës, pasi mjaftojnë pak njerëz për të bllokuar të tjerët. Pa llogaritur vështirësinë e madhe për mjetet e urgjencës” tha Rama.

“Debati mbi naftën është i stisur dhe ka doza hileje, sepse çmimi ra 20% krahasuar me një vit më parë. Kjo lidhet me konjukturat ndërkombëtare dhe sot shqiptarët e paguajnë naftën më pak. Nëse në çmimin aktual nuk do ishte taksa e qarkullimit që ka futur PD në vitin 2012, atëherë cmimi do ishte më i ulët.  Asnjë vend nuk e ka në naftë, taksën e qarkullimit dhe të karbonit, por e kemi ne.  Çdo krahasim me vendet e tjera, përfshi rajonin, është pa vend sepse ata nuk kanë brenda, taksën e qarkullimit” tha Rama. 

Më pas debati u zhvendos në rezultatin e zgjedhjeve në Greqi me fitoren e partisë Syriza, dhe kryeministrit të sapobetuar, Alexis Tsipras. “Si të majtët dhe të djathtët paguan faturën e viteve të krizës. Papandreu pati fatkeqësinë që u gjend në krye të vendit kur “pilafi i madh grek” nuk mbante më ujë, sepse ishte ngarkuar me mashtrime dhe abuzime”.

Një temë e nxehtë ishte çështja e 21 Janarit, dhe kur kryeministri Rama u pyet mbi negociata të përfolura me familjet për dëmshpërblimin e familjeve të viktimave ai tha:

“Kjo është një idiotësi sepse qeveria nuk përcakton dëmshpërblimin që vendos gjykata. Familjet e të vrarëve këtë kërkesë do ta çojnë në rrugë gjyqësore. Asnjëherë nuk ka ardhur prej nesh dëshmpërblimi. E vetmja gjë që ata kërkojnë është drejtësia e munguar për tragjedinë. Në 21 janar 2011 ishte një krim politik, shtetëror që historia tregon se nuk është e lehtë të zgjidhet në rrugën e drejtësisë. Por drejtësia vonon por nuk harron. Jam i neveritur nga komentet e “hienave” që bëjnë propagandë dhe informacion që na veshin mëkate që nuk kemi. Mëkate që kemi harruar 21 Janarin, por është e pavërtetë. Kjo është bota e deformuar e informacionit” tha Rama.

“Do angazhojmë studio ndërkombëtare për këtë tragjedi, por nuk do të rreshtim së kërkuari rihapjen e çështjes për të nxjerrë të gjithë përgjegjësit e 21 janarit. Qëndrimi i Ilir Metës është ai publik, se drejtësia duhet të zbardhë 21 Janarin” tha Rama për aleatin e tij të LSI. 


Intervista e plotë e Edi Ramës me gazetaren Rudina Xhunga:

 

Sot ka pasur një protestë, një protestë të rëndësishme dhe shumica e pyetjeve në facebook dhe twitter kanë të bëjnë me naftën, me rritjen e çmimit të naftës. Domethënë përtej shqetësimit të opozitës, nëpërmjet protestës, ka një shqetësim të rritur publik për rritjen e çmimit të naftës...

Për sa i përket protestës, edhe unë kam marrë pjesë në protestë, për shkak se duke u kthyer nga Durrësi, ku shkuam për një aktivitet në doganë, u bllokova bashkë me të tjerët. Besoj që kjo është forma më e ulët e protestës, që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, pasi mjaftojnë pak njerëz për të bllokuar gjithë të tjerët. Pavarësisht se opozita i ka mundësitë të bëjë protesta edhe të mëdha në numër, në këtë rast ka numëruar me pahir si protestues edhe shumë të tjerë që kanë qenë në rrugë për punët e tyre. Pa llogaritur edhe vështirësinë e madhe që është krijuar për shërbimin e urgjencës.

Për sa i përket naftës është një debat mjaft i stisur dhe me një dozë të madhe hileje brenda, sepse çmimi i naftës në Shqipëri ka rënë 20%. Edhe dje, ka regjistruar një ulje tjetër. Ka rënë 20% krahasuar me një vit më parë.

Sigurisht, kjo lidhet me koniunkturën ndërkombëtare, padyshim. Por nga ana tjetër, kur koniunktura ndërkombëtare ishte e favorshme në të shkuarën për të bërë ulje të çmimit, ulja e çmimit nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kështu që, unë nuk besoj se është një debat që bën sens, pasi sot shqiptarët e paguajnë naftën më pak, falë koniunkturës ndërkombëtare. Ndërkohë, nëse në çmimin aktual të naftës në Shqipëri, nuk do të ishte e përfshirë në strukturën e çmimit dhe taksa e qarkullimit, të cilën e ka futur qeveria e PD në vitin 2012 në strukturën e çmimit...

Ju nuk e keni rritur?

Po ta përsëris, në qoftë se taksa e qarkullimit do të ikte nga struktura e çmimit dhe do të merrej nga xhepi i qytetarëve në një formë tjetër, siç merret në vendet e rajonit, asnjë vend i rajonit nuk e ka në strukturë taksën e qarkullimit, asnjë vend i rajonit nuk e ka në strukturë taksën e karbonit dhe mbi të gjitha, llogarinë duhet ta bëjmë edhe në një drejtim tjetër, mbi kontributin e përgjithshëm nga taksat në prodhimin e përgjithshëm të vendit, që Shqipëria e ka më të ulët sesa vendet e tjera të rajonit. Pra, është një llogari e bërë tërësisht pa hanxhinë.

Domethënë shqiptarët që pyesin sot në rrjetet sociale, pyesin në rrugë a do ulet çmimi i naftës, çfarë përgjigje do të kenë nga Kryeministri?

Çmimi i naftës është ulur. Shqiptarët duhet të kuptojnë se krahasimi me vendet e tjera të rajonit nuk vlen në mënyrë të drejtpërdrejtë për sa kohë shqiptarët brenda çmimit të naftës paguajnë edhe taksën e qarkullimit, edhe taksën e karbonit, të cilat në vendet e tjera të rajonit paguhen jashtë strukturës së çmimit. Në këndvështrimin tim, vendim i marrë nga qeveria paraardhëse me propozim të Ministrit të atëhershëm të Financave ka qenë i drejtë, për ta përfshirë taksën e qarkullimit në strukturën e çmimit. Madje, në rajon ka disa lëvizje që shkojnë në këtë drejtim për ta integruar në strukturën e çmimit, duke qenë se çmimi ka rënë në mënyrë të ndjeshme.

Domethënë nuk do bëni asnjë ndryshim. Çfarë ka bërë qeveria Berisha në lidhje me taksën e qarkullimit, nuk do bëni asnjë ndryshim?

Jo, nuk ka. Në këtë rast, përfshirja e taksës së qarkullimit në strukturën e çmimit është diçka e duhur. Shqiptarët duhet të kuptojnë se llogaria duhet bërë me çfarë nxjerrin nga xhepi. Nëse në vende të tjera të rajonit qytetarët paguajnë taksë qarkullimi dhe taksë karboni jashtë strukturës së çmimit, në vendin tonë është brenda strukturës së çmimit.

Pse është rritur taksa e qarkullimit, është një tjetër pyetje?

Nuk është rritur taksa e qarkullimit. Ju kujtohet që ne bëmë një rritje në vitin 2013. Bëmë edhe një tjetër në vitin 2014, në një masë minimale, për të mos ngarkuar barrën fiskale të të gjithë qytetarëve dhe duke e konsideruar ndërhyrjen në strukturën e çmimit të naftës si një ndërhyrje që është edhe në funksion të gjithë atyre parametrave shëndetësore dhe mjedisore që kihen parasysh kur vendoset një taksë tek nafta. Por, po jua përsëris edhe një herë tjetër, për të katërtën herë, që çdo krahasim me vendet e rajonit apo me vendet e tjera është tërësisht abuziv. Sepse, në vendet e tjera të rajonit taksa e qarkullimit paguhet jashtë strukturës së çmimit të naftës. Konkretisht, në Maqedoni ajo varion nga 100-400 euro, në varësi nga lloj i makinës, ndërkohë që në të përgjithshmen e tyre shqiptarët paguajnë më pak taksa, si kontribut i drejtpërdrejtë për buxhetin, sesa të gjithë të tjerët në rajon.

Nafta për bujqësinë?

Për naftën për bujqësinë e kemi thënë dhe e përsërisim; Ne jemi gati dhe rimbursojmë çdo litër naftë e cila vjen nga puna formale. Ne nuk kemi premtuar të shpërndajmë naftë obshe, për të shkuar pastaj nafta në rrugët e abuzimit dhe të korrupsionit si në të shkuarën, por kemi thënë dhe  e përsërisim që çdo fermer që kërkon rimbursim nafte të bazuar në një prodhim të formalizuar me faturë, merr rimbursimin e naftës.

Dua t’i largohem kësaj teme. Dua t’i largohem me një pyetje të fundit. Njerëzit që thonë nuk e përballojmë dot..

Çfarë nuk përballojnë?

Që thonë nuk e përballojmë dot makinën me këtë çmim naftës. Ju i thoni mbyll makinën dhe ec në këmbë?

Njerëzit sot, janë po ata që deri para një viti e paguanin naftën me 192-195 lekë/litër dhe sot e paguajnë me 160-157 lekë/litër. Pra, kemi një ulje shumë të konsiderueshme të  çmimit të naftës. Nga ana tjetër po kaq e rëndësishme politika në tërësi tek nafta është një politikë e cila mban parasysh domosdoshmërinë për të kontribuar në të njëjtën kohë për shoqërinë, sepse nga përdorimi i makinës vjen ndotja, nga përdorimi i makinës vjen mbingarkesa në qarkullim, nga përdorimi i makinës nuk vijnë vetëm të mira. Në vend se të taksojmë në drejtime të tjera dhe në vend se të taksojmë ata të cilat e kanë të pamundur të kenë një makinë, atëherë ne preferojmë që të ndjekim këtë logjikë. Por për të pestën herë e përsëris, shqiptarët nuk mund t’i marrë njeri për budallenj dhe as nuk mund t’i bëjë njeri budallenj. Sot ata paguajnë 20% naftën më lirë se një vit më parë, falë koniunkturës ndërkombëtare dhe nga ana tjetër, sot përmes çmimit të naftës ata paguajnë detyrime, të cilat në vende të tjera, paguhen, paguhen edhe më shumë, por paguhen veç. Është fare e thjeshtë llogaria.

Unë dua t’i largohem kësaj pyetje, por jam e sigurt se do të ketë mijëra pyetje të tjera do të vazhdojnë lidhur me naftën, për shkak të krahasimit me vendet e tjera të rajonit dhe me xhepat e shqiptarëve.

Edhe njëherë tjetër, krahasimi me rajonin nëse i marrim çmim për çmim është abuziv, është hileqar dhe nuk ka asnjë të vërtetë, sepse në rajon qytetarët paguajnë taksën e qarkullimit, paguajnë taksën e karbonit, madje paguajnë edhe detyrime të tjera lidhur me makinën, që në Shqipëri janë të përfshira në strukturën e çmimit të naftës.

Më falni, unë nuk kam makinë, por nëse do të kisha do të thosha ky nuk është problem im, është problem juaj, ndajeni.

Po çfarë do të fitojnë njerëzit nëse e ndajmë?

Do të paguajnë më pak.

Jo! Atëherë le ta shpjegojmë. Njerëzit paguajnë 10 lekë. Këtu i paguajnë nga një xhep, në rajon i paguajnë 5 nga xhepi i majtë, 5 nga xhepi i djathtë dhe kanë dyfish ngarkesë burokratike, dyfish ngarkesë kohe, e kështu me radhë.

Atëherë ata që thonë mos na trajtoni për budallenj, ky është shpjegimi. Njerëzit fillojnë e ulërijnë, thonë: Zoti Kryeministër mos na trajtoni për budallenj, është rritur nafta.

Nafta nuk është rritur, nafta është ulur. E paguanin 192-195 lekë, e paguajnë, 160-157 lekë. Pra, kjo është rritje apo ulje? Thonë që është rritur nga koniunktura ndërkombëtare. Patjetër! Nuk është qeveria që uli çmimin. Ne dimë këtë që ju thamë që ditën e parë kur u tha ‘meqë ju po shtoni një 10 lekësh taksë për karbonin në paketën fiskale, këtu do të bllokohet Shqipëria, nuk do të lëvizin makinat, nuk do të vijnë anijet, nuk do të punojnë furrat e bukës’, ne e thamë dhe janë të regjistruara, që çmimi i naftës nuk do të rritet, çmimi do të shkojë në ulje. Sigurisht që, ne kishim analizat tona.

Analizat nuk kanë të bëjnë me monopolet, kanë të bëjnë me..

Nuk ka situatë monopol në tregun e naftës sot. Po jua përsëris, mjafton të shikojmë strukturën e kostos dhe çmimin për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë me spekulim, por kemi të bëjmë, për të gjashtën herë po jua përsëris, me faktin që në Shqipëri, nëpërmjet naftës, nëpërmjet çmimit të naftës paguhen edhe të tjera detyrime. Në vende të tjera të rajonit këto detyrime janë jashtë strukturës së çmimit.

Pra, do paguajnë detyrimet?

Është njësoj vetëm se atje i paguajnë në 2-3 drejtime të ndryshme, këtu paguhen vetëm në një drejtim. Po ju përsëris që detyrimet në rajon janë më të larta sesa këtu. Po shtoj që po të marrim kontributin e përgjithshëm nga taksat të qytetarëve shqiptarë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar është më i ulët sesa kontributi nga taksat e të gjitha vendeve të tjera të rajonit.

Ndalojmë tek një moment tjetër i aktualitetit, fitorja e Tsipras në Greqi, një fitore e pritur në fakt. Dua t’ju pyes, kam lexuar sot, Lapsi.al shkruante për anulimin e së vizitës tij. Është përfolur se ju keni anuluar vizitën e Tsipras. Në 18 dhjetor ishte parashikuar vizita në Tiranë. Sot e lexova të shkruar se ju është kërkuar nga Kancelarja Merkel anulimi i kësaj vizite. Ky ishte shkaku që ju detyroi të tërhiqeni?

Po të rrish gjithë ditën me laps në dorë dhe të mos hapësh të lexosh jo libër, por asnjë informacion, flet idiotësira të këtij niveli, pasi e parafytyron politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare si një histori kafejene që ajo i tha atij shihe mos e lër atë tjetrin se nuk na duhet të na vijë tani tek kafja jonë.

Pse nuk erdhi?

Sepse në Greqi në momentin kur ishte planifikuar vizita e tij filloi kriza për zgjedhjen Presidentit dhe filloi procesi i zgjedhjes së Presidentit. Ai duhet ishte i pranishëm në parlament në një proces që pastaj solli pastaj zgjedhjet e parakohshme.

E anuloi ai?

Po patjetër.

E uruat Kryeministrin Tsipras sot?

Me shkrim, po.

Në fakt, çfarë është për ju kjo fitore? Kemi shumë shqiptarë në Greqi.

Është një zgjedhje e lirë e popullit grek, për shkak të një stërlodhjeje nga politika shumë e shtrënguar monetare dhe njëkohësisht, besoj unë, edhe nga një klasë politike që u ezurua për shkak të krizës që provokoi vetë në vite dhe sot, si majtas dhe djathtas, flas për të majtën e të djathtën tradicionale, paguan faturën e asaj që mbolli për vite të tëra buzuqi.

Keni preferuar në mënyrë të dukshme një politikan si Papandreu, i cili humbi. Ju vjen keq për këtë?

Çdo me thënë e kam preferuar?

E keni pëlqyer.

Papandreun e kam pasur dhe e kam mik. Pati fatkeqësinë që edhe ndodh, të gjendet në krye të vendit në një moment kur nuk mbante më asnjë pikë ujë pilafi i madh grek, i gatuar me vite të tëra mashtrimesh statistikore dhe mbingarkese të burokracisë, plus edhe abuzime të mëdha. Nga ana tjetër, në këndvështrimin tim, nuk arriti dot ta administrojë siç duhet atë moment jashtëzakonisht delikat.

Kthemi sërish në Shqipëri. Me 21 janarin, një nga temat më të ndjeshme. Dua t’ju bëj një pyetje që e ndesha sot në gazetën Panorama. Ishte një shkrim i marrë prej BIRN dhe ka të bëjë me faktin që një natë para përvjetorit të 4-t të 21 janarit, një përfaqësues i Qeverisë ka negociuar deri vonë me avokatin e familjarëve të viktimave, gjë e pohuar nga avokati për BIRN-in, për të arritur një marrëveshje për dëmshpërblimin e jetëve të humbura gjatë protestës. Negociata ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes dhe ka dështuar, pasi Qeveria ka refuzuar të paguajë 400 milionë lekë për familjet e  Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës.

Kjo është një tjetër idiotësi dhe i duhet vënë, në fakt, emri i duhur këtyre lloj idiotësive, sepse dihet fare mirë që Qeveria nuk ka në dorë të përcaktojë një dëmshpërblim që e përcakton gjykata. Praktikisht, familjet e të vrarëve të 21 janarit, këtë kërkesë do ta çojnë përpara në rrugë gjyqësore. Pra, asnjëherë nuk kanë ardhur të kërkojnë prej nesh shifra të tilla, apo të pretendojnë prej nesh dëmshpërblimin që shtetit shqiptar i takon t’ua japë bazuar në një vendim gjykate.

Nuk ju kanë kërkuar juve dëmshpërblim asnjëherë as atë natë?

As që bëhet fjalë. Përkundrazi. E vetmja gjë që ata kërkojnë është drejtësia, ende sot e gjithë ditën e munguar për 21 janarin.

Por të tjerë kërkojnë edhe diçka tjetër, kërkojnë që familjarët të vënë lule kur ka përvjetor, ju të vini drejtësi.

Këtë e thoni ju, ata nuk ma kanë thënë. Përkundrazi, në të dyja herët që kemi pasur mundësinë dhe detyrimin ta bëjmë këtë ritual të kujtimit të asaj tragjedie, më shumë sesa mirë, që këtë gjë e kemi bërë sëbashku.

Ju e drejtoni atë zyrë tani, që dikur ishte Kryeministër Sali Berisha. Kanë të drejtë shqiptarët të dinë se çfarë ndodhi atë ditë tamam në atë zyrë dhe dikush të marrë përgjegjësi, qoftë ku edhe ish Kryeministri Berisha?

Unë e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris prapë; 21 janari është një krim politik, është një krim shtetëror dhe është një krim që historia tregon se nuk është e lehtë të zgjidhet në rrugën e drejtësisë, por është një nga ato krime për të cilët drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Ndjehem i neveritur nga komentet e hijenave që jetojnë me një formë vërtetë të ulët të të bërit propagandë apo të të bërit informacion, nëse mund të quhet informacion, që në këtë 21 janar i veshën padrejtësisht qeverisë sonë një mëkat që qeveria jonë nuk e ka; Të mëkatit që ne e kemi harruar 21 janarin, që nuk kemi bërë asgjë për 21 janarin, që ne nuk po zbardhim 21 janarin apo që jemi të penguar për zbardhjen e 21 janarit.

Ju nuk e keni harruar, por ju nuk keni bërë asgjë.

Kjo është e pavërtetë!

I keni dhënë pension dhe kaq.

Kjo është e pavërtetë! Se kjo është, fatkeqësisht, bota e deformuar e informacionit dhe unë këto gjëra i kam thënë kur kam qenë në opozitë, i kam thënë edhe më parë dhe nuk kam ndërmend të mos i them tani. Edhe pse tani, për shkak të detyrës, përpiqem të jemi i rezervuar në kritikën time ndaj kësaj bote të deformuar të informacionit. Muaj më parë Ministria e Brendshme i është drejtuar Prokurorisë me një kërkesë konkrete, bazuar në pretendime konkrete për të rihapur çështjen e 21 janarit. Kjo është ajo që ne kemi mundur të bëjmë deri sot.

Sigurisht ne nuk jemi as prokuroria dhe as gjykata. Ajo çka mund të bëjmë ne është të këmbëngulim dhe të kërkojmë. Kemi gjetur një kënd për të bërë një hap përpara. Po punojmë edhe nga një kënd tjetër, për të angazhuar edhe një studio ndërkombëtare, çka nuk rezulton të jetë fortë e lehtë në kuadrin tonë legjislativ, por ne as kemi reshtur dhe as do të reshtim së kërkuari rihapjen e çështjes dhe gjykimin e saj në themel, për të nxjerrë të gjithë përgjegjësit lidhur me tragjedinë e 21 janarit.

E anashkaloni bisedën e 21 janarit me zotim Meta?

Ç’domethënë kjo?!

A flisni për 21 janarin?

Mund t’ju them, pa shtuar dhe hequr asnjë presje, se qëndrimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë është ai të cilin e ka bërë publik qysh në orët e para të krijimit të kësaj aleance, se me patjetër drejtësia duhet ta zbardhë deri në fund 21 janarin dhe çdo fajtor i gjendur si i tillë përpara drejtësisë duhet të ndëshkohet. Është një përpjekje shumë e ulët për të ngatërruar atë çka është sot,- sot për sot, se unë jam i bindur se nesër nuk do të jetë kështu,- një pengesë objektive përpara nesh, që është  ky sistem i drejtësisë, që kemi me Aleancën e PS me LSI, apo me bashkëpunimin tim me Ilir Metën. Gjë që për asnjë moment nuk ka qenë pengesë, përkundrazi!

Kur flisni për drejtësinë dhe për mundësinë që ajo të ndryshojë, njerëzit ngrenë duart përpara drejtësisë, e jo vetëm për faktin që duhet të paguajnë, por nuk e gjejnë dot kurrë të drejtën. Kryeministri gjithashtu kërkon të drejtën para drejtësisë. Duket se asgjë s’do të arrihet vetë, do të arrihet në bashkëpunim me Presidentin dhe në bashkëpunim me opozitën, e cila mungon.  Vetëm sot në një intervistë të gjatë në gazetën Panorama zoti Nishani ishte shprehur për faktin që ju nuk bini dakord për asgjë, përveçse doni ta trajtoni si noter të qeverisë.

Unë e kam bërë një zotim; Unë nuk bëj komente për Presidentin e Republikës në publik. Dhe nëse Presidenti i Republikës zgjedh të bëjë komente të tilla, kjo është zgjedhja e tij, në këndvështrimin tim, e gabuar. Pasi nuk është në profilin e autoritetit të kreut të shtetit që të bëjë komente kësaj natyre. Por nga ana tjetër, ne kemi në këtë pikë një qëllim shumë të qartë; të hapim një faqe të re në historinë e marrëdhënie institucionale mes Qeverisë dhe Presidentit. Kemi pasur kapituj jashtëzakonisht të shëmtuar ku nga selia e qeverisë është qëlluar me baltë mbi figurën e Presidentit, gjë që është tërësisht e pamundur të imagjinohet në një vend europian. Sot kemi hera – herës një President që qëllon Qeverinë, herë me baltë, herë me pambuk. Por ne duam t’i japim fund kësaj kulture bashkëjetese dhe bashkëpunimi mes institucioneve. Nuk jemi të detyruar të jemi dakord për çdo gjë me Presidentin, por ndjejmë detyrën të jemi etik në një marrëdhënie që ka të bëjë me një institucion dhe me një figurë qendrore, kushtetuese të shtetit.

Institucion është edhe kreu i opozitës, pse nuk e prishni praktikën, kreu i opozitës rivali është armik. Asnjë shtrëngim dore me Lulzim Bashën.

Nuk më ka rënë rasti t’i jap dorën. S’do e kisha problem t’i jepja dorën. Por e përsëris, nuk ka të krahasuar raporti institucional dhe kushtetues me autoritetin e kreut të shtetit, me raportin me kryetarin e opozitës, apo mes kryetarit të opozitës dhe Kryeministrit. Janë gjëra të ndryshme.

Ndalojmë tek akuzat e opozitës lidhur me një emër që u lakua gjatë, Emiljanio Shullazi. U fol për lidhet tuaja me Emiljano Shullazin. Dua të perifrazoj faqen zyrtare të PD, në fakt ka folur për faktin që Kryeministri i vendit Edi Rama nuk ka dënuar, ndërsa është kërcënuar Lulzim Basha, kreu i opozitës, nga Shullazi, ka folur për lidhjet e Shullazit me ju dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

 E di. Të mos humbasim kohën me këto gjëra, sepse është tanimë i hapur një proces civil dhe penal përmes një padie civile dhe penale që unë kam bërë ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, të cilët i kanë thënë të gjitha këto dhe për të cilat, unë i kam ftuar përmes padisë që të provojnë qoftë edhe vetëm njërën prej këtyre akuzave. E në rast se vetëm njëra nga këto akuza del e vërtetë, unë jo vetëm duhet dhe do të lë detyrën dhe politikën, por jam gati t’i nënshtrohem çdo gjykimi të drejtësisë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Ministri i Brendshëm, sepse besoj dhe besojmë që ka ardhur një kohë, që kjo politikë e ndyrë e përbaltjes pa asnjë kriter dhe pa asnjë karar, që nuk ka lidhje me asnjë lloj justifikimi për qëllime politike, të marrë ndëshkimin që meriton bazuar në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.  Ose, në rast se vërtetohet qoftë edhe diçka e vogël në gjithë këtë mal akuzash, atëherë Shqipëria nuk mund të ketë një Kryeministër apo Ministër të Brendshëm, që janë në shtrat me krimin apo me kriminelë me damkë.

Edhe nëse Shullazi ka qenë pjesë e stafit jo zyrtar elektoral të Saimir Tahirit, ju përsëri e quani akuzë të provuar, nëse kjo provohet me dëshmitarë të asaj kohe prej opozitës. Është akuzë për të cilën ju përsëri jepni dorëheqjen?

Kjo është një shfaqje shumë e turpshme. Pjesë e këtij turpi janë edhe të gjitha ato media dhe të gjithë ata gazetarë e analistë, që jo vetëm nuk bëjnë asnjë përpjekje për të hetuar dhe për të provuar njërën apo tjetrën, duke i vënë me shpatulla për muri përballë opinionit publik, akuzuesit apo të akuzuarit, por përkundrazi, sorollatin miletin, miletin që i ndjek dhe i lexon apo i dëgjon, duke u marrë me tjerrjen e këtyre lloj pocaqirave, që janë turpe të cilat nuk kanë të ngjashëm në gjithë bashkëjetesën mes qeverisë dhe opozitës në BE.

Që droga e zbuluar në Elbasan ka lidhje me luftën brenda llojit të së majtës, është një pocaqi, ta quajmë me gjuhën që ju përmendët, apo ka indicie? 

Ne jemi shumë krenarë që pak më shumë se një vit, nga përfaqësuesit e një vendi rëndshëm të njollosur me hijen e vendit që prodhonte drogë ditën për diell dhe të pafuqisë së përfaqësuesve të vetë për ta luftuar, sepse ishin pjesë e kësaj historie, e kemi kthyer Shqipërinë në një vend që sot dhe këtë jua them me siguri të plotë, admirohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë për luftën e vendosur kundër krimit dhe kundër drogës, në mënyrë të veçantë.

Partnerët gjermanë nuk u tmerruan me këtë që panë në Elbasan?

Partnerët gjermanë më kanë shprehur falenderimin dhe konsideratën më të lartë për atë çka ka bërë Policia e Shtetit shqiptar.

Nuk e zbuluan ata?

Jo nuk e zbuluan ata. Ky është një tjetër mit i ulët, sepse vetëm në një vend ku opozita kujton se mund ta bëjë për budalla popullin dhe ku i ndihmuar nga media dhe nga gazetarë e analistë që i fryjnë zjarrit të këtij budallallëku, mund të ndodhë që një qeveri të akuzohet pse po kap drogën, që një qeveri të akuzohet si bashkëfajtore me trafikantët pse po i kap ata. Më lejoni t’ju them që edhe sikur të ishte e vërtetë që pjesë e atyre që kapen të jenë pjesë e familjes sonë politike, more të jenë dhe pjesë edhe e parlamentit tonë, unë do të isha dyfish krenar që kjo Qeveri dhe kjo Polici e Shtetit nuk bën dallime dhe nuk fal askënd dhe nuk shkon të kërcënojë dëshmitarët që të mos dalin dëshmitarë, siç ndodhte deri dje, por kush i del përpara ballafaqohet dhe sa herë që ia arrin i vë prangat.

Çfarë lidhje keni me familjen e Enver hoxhës, e Ilir Hoxhës në këtë rast?

Çfarë njohjeje kam unë me familjen e Ilir Hoxhës? Pyesni avokatin e Ilir Hoxhës që është Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, se ai duhet ta dijë më mirë.

Përderisa kanë thënë se ju keni njohje, i bie ai të ketë thënë diçka?

Pyeteni Sekretarin e Përgjithshëm e PD-së, këtë që e solli rilindja në PD, ai që ngatërronte kutitë e zgjedhjeve, se ai ka qenë avokati i Ilir Hoxhës. Dhe, të mos hyjmë në këtë botë të ulët thashethemesh. Më lejoni t’ju them për gjithë publikun, ne nuk kemi preferuar t’i hyjmë këtij debati, se ky është një debat idiotik që idiotizon gjithkënd që e dëgjon. Por Policia e Shtetit është lajmëruar nga partnerët në mesin e nëntorit të vitit të shkuar, për një person, i cili në gjykimin dhe mbi provat e partnerëve merrej me trafik dhe vetëm mbi bazën e këtij informacioni, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat përkatëse kanë zbuluar të gjithë fillin. Zyrtarisht në mes të dhjetorit, mbi bazën e një hapjeje të një procesi ligjërisht të vlefshëm, bazuar në gjithë punën parakërkimore është arritur që në një kohë rekord të zbulohet i gjithë rrjeti. Dhe, edhe sikur të ishte ajo që thuhet që një polici partnere apo një vend partner pati gjithë këtë informacion dhe mbi bazën e këtij informacioni u bë gjithë ky operacion, përsëri ne do të ishim shumë krenarë. Sepse sot, ndryshe nga ç’ishte përpara 23 qershorit, të gjitha policitë partnere janë në bashkëpunim intensiv me Policinë e Shtetit dhe këtë unë kam mundur ta konstatoj në takimet e drejtpërdrejta me Ministrin e Brendshëm të Italisë, me Ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, me Ministrin e Brendshëm të Francës, të cilët më kanë shprehur kënaqësinë e madhe që kanë rigjetur partnerin e humbur shqiptar të viteve të shkuara.

 

Përsa i përket krimit, opinionet janë të  ndryshme. Akuzon opozita, akuzojnë të tjerë njerëz, të tjerë kanë mendim për shifra më të ulëta krimi. Pra, është subjektiv.

 

Nuk ka këtu as subjektive, as objektive. Krimi ka shifra. Unë mund t’ju them shumë thjesht dy gjëra;

Së pari sot ne kemi 10.4 % më pak vrasje në 2014 sesa në 2013 dhe nëse marrim vrasjet për 100 mijë banorë, atëherë në 2010 kishim 2.99 vrasje për 100 mijë banorë, në 2011 3.11 vrasje për 100 mijë banorë, në 2012 3.11 vrasje për 100 mijë banorë. Këto janë shifrat e qeverisë së mëparshme. Në 2013 kishte 2.38 dhe në 2014  kishte 2.24. Kjo është njëra anë, por nga ana tjetër brenda vrasjeve, brenda strukturës së motiveve, kemi 60 % të vrasjeve për motive familjare. Pra, kemi krimin në familje si dhe grindjet e çastit dhe motive pronësie. Këto janë pjesa më e madhe e vrasjeve. Ndërkohë që, vrasjet për motive të mirëfilltë kriminale zënë 11% dhe nëse kemi rreth 20% të panjohura, edhe sikur këto t’i përfshijmë, pra jemi në një raport të tillë.

 

Kur je njeri nuk e sheh veten përmes shifrave. Pyetja është a jam i sigurt unë në këtë vend, tani që jeni ju Kryeministër dhe Saimir Tahiri Ministër i Punëve të Brendshme ?

 

Jo tani që jam unë Kryeministër, por sot për sot, - se këtu po dëgjojmë komente që po futen në burg fukarenj, kjo është një tjetër mitologji e ngritur në pabesi të plotë ndaj të vërtetës dhe publikut. Se unë jam shumë krenar sot që 322 efektiva policie janë ndaluar, arrestuar dhe proceduar penalisht. Ndërkohë që janë më tepër 1200 efektivë policie që janë larguar për arsye korrupsioni, abuzimi, bakshishe etj.

 

Njerëz në rrugë janë zoti Rama.

 

Unë po flas për një polici shteti që është rikthyer në krye të detyrës, që ka bërë operacione që nuk mund të imagjinoheshin para 23 qershorit, që nga Lazarati deri tek kjo historia e fundit e kokainës. Sepse, po të shikojmë sasitë e kokainës, janë marramëndëse raportet. Kjo tregon që nuk mund ta blesh më policin, apo Policinë e Shtetit siç bëhej deri dje, dhe nuk është më e lehtë që të ndash me Policinë e Shtetit, paratë e kokainës. Pra, jemi në kushte kur kemi hyrë në një fazë të re dhe krahasimet ne do t’i bëjmë me rajonin dhe me vende të tjera. E më lejoni t’ju them se sot aktualisht ne kemi një mesatare vrasjesh që është më e ulët se e Malit të Zi, krahasuar me vitin e shkuar. Është më e ulët se sa e Lituanisë. Është më e lartë se sa e Bullgarisë dhe e Rumanisë.

 

Tani meqë s’krahasuam naftën të mos krahasojmë as vrasjet me vendet e rajonit.

 

Për të thënë të qartë një gjë, që zotimi ynë ka qenë dhe mbetet që në fund të këtij 4 vjeçari në çështjet e krimit ne do të jemi në standardet e BE. E nga ana tjetër për t’ju thënë se vrasje ka patur, ka dhe do të ketë. Ajo çka është themelore është siguria e qytetarëve. Ajo çka është themelore është që Policia e Shtetit është në krahun e qytetarëve.

 

Këto makinat që hidhen në erë nuk të japin idenë e sigurisë. Përmendët burgun. Unë dua t’u kujtoj një njeri, Qamil Zela 52 vjeç, 35 mijë lekë të vjetra debitor. Rilidhi energjinë. U fut në burg, vrau veten, u tha nga depresioni. Vdiq në burg për 35 mijë lekë të vjetra.

 

Kjo është e pavërtetë! Është përsëri pjesë e një historie pabesie të madhe në raport me të vërtetën dhe me publikun e të gjithë atyre që i propagandojnë këto histori dhe atyre që kanë përgjegjësinë që i përçojnë këto histori pa bërë asnjë lloj verifikimi dhe asnjë lloj prove.

A vdiq në burg?

 

Edhe njëherë po e sqaroj; Askush nuk hyn në burg se ka borxhe ndaj kompanisë.

 

Jo ai e rilidhi energjinë, pra vodhi, por vdiq në burg.

 

Në burg sipas Kodit Penal shkohet kur e vjedh energjinë, jo kur ke borxhe. Kur ke borxhe të pritet energjia që të paguash, por jo të shkosh në burg. Pra, shkoi në burg se kishte 35 mijë lekë borxh, kjo është një mitologji. Kjo është një histori kot. Fatura e borxhit nuk është arsye as 35 mijë, as 350 mijë që njeriu të ndalohet dhe të shkojë në ndjekje penale dhe të përfundojë në burg. Vjedhja është e sanksionuar në Kodon Penal të Republikës së Shqipërisë. Në këtë aspekt, policia dhe shteti thjeshtë zbatojnë ligjin. Pastaj të mos harrojmë dhe një gjë tjetër. Kushdo që i nënshtrohet një procesi dhe përfundon prapa hekurave, kalon nëpërmjet prokurorisë, kalon nëpërmjet gjykatës. Pra, janë këto gjykata që i japin ato dënime.

 

Por sistemin ju e ngritët, sistemin e futjes në burg nëse vjedh energjinë, ju e ngritët, deri tani nuk ka qenë, të gjithë vidhnin.

 

Të gjithë vidhnin dhe në Kodin Penal u hoq mundësia që të ndëshkohej me gjobë dhe u përcaktua qartë se kush vjedh energjinë shkon në burg nga 3 deri në 5 vjet kush është në bashkëpunim. Janë mbi 30 raste, të rasteve brenda kompanisë, që nga drejtues të kompanisë, faturistë e me radhë që kanë patur të njëjtin fat, për vjedhje në bashkëpunim.

 

A është burgu zgjidhje?

 

Kjo është një tjetër lojë e madhe. Çdo të thotë a është burgu zgjidhja! Burgun nuk e shpikëm ne dhe as nuk i përcaktuam ne rrugët që të çojnë drejt burgut. Burgu është për ata që shkelin ligjin dhe që kryejnë vepra penale. Mjafton që të mos bësh të tilla dhe askush nuk vjen të të kapë dhe të thotë do shkosh në burg.

 

Është një numër i madh njerëzish që shkruajnë se nuk e paguajnë dot energjinë elektrike. Nuk kanë të ardhura.

 

Unë njoh për veten time ata që nuk kanë FB, nuk kanë internet, nuk kanë telefon celular, që janë pensionistë të vetmuar, që janë persona me aftësi të kufizuara dhe që janë njerëzit më në vështirësi në këtë vend. E pra, në qoftë se pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar janë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike nuk ka jo vetëm justifikim, por duhet të shkundemi të gjithë dhe të kuptojmë se mjaft më me këtë alibi, mjaft më se është turp për një shoqëri europiane, për një popull që ka ambicien të behët pjesë e BE, për një popull që ka një detyrim shumë të madh që të mos t’ju trashëgojë fëmijëve të vegjël sot, atë që na trashëgoi ky 20 vjeçar rrokopuje i një politike që u nis vetëm nga interesat  e pushtetit dhe kurrë nuk mendoi që të ndërtojë shtet që të bëjë këtë justifikimin e tmerrshëm që nuk e paguaj dot, prandaj do ta vjedh. Kjo është një gjë e paimagjinueshme. E mbi të gjitha po të shikojmë statistikat, pjesa dërrmuese e atyre që kanë shkuar prapa hekurave për energjinë elektrike nuk janë as pensionistë, as persona me aftësi të kufizuar, as fukarenj, janë njerëz me biznese. Sot para se të vija këtu, madje, një nga punonjëset  e kryeministrisë më thotë jemi habitur se na ka ardhura fatura e energjisë 40% më e ulët se sa më parë dhe u shqetësuam se thamë mos është bërë ndonjë gabim dhe do na vijnë më vonë e do na e thonë. Pra, çfarë ka ndodhur dhe kjo është një gjë që ka ndodhur në Tiranë dhe që me siguri ka plot raste të tilla. Të gjithë shkallës i ka ndodhur e njëjta gjë, do t’ju them dhe vendin dhe mund të shkoni ta verifikoni. Iu është ulur fatura të gjithë shkallës sepse janë prerë vjedhjet që i behëshin sistemit të ndriçimit të përbashkët nga lokalet poshtë. Tani e kuptoni se në çfarë bote kemi pranuar që të jetojmë në të gjithë këto vite?

Më lejoni t’u jap një shifër e cila është shumë domethënëse, besoj unë, dhe që provon se çfarë mund të bëjmë ne së bashku, sepse shumë njerëz e ngatërrojnë çështjen energjisë dhe e quajnë taksë. Ai është një detyrim për një mall që ti e konsumon, por është një investim. Nëse të gjithë paguajmë energjinë i japim mundësinë këtij vendi që të investojë shumë më tepër për të gjitha gjërat që kemi nevojë, se me të drejtë njerëzit mund të thonë spitale më të mira, shkolla më të mira, shërbime më të mira, por të gjitha këto duan para dhe këto para nga vinë? Mjafton që të kuptojmë boll mos ta vjedhim energjinë dhe i kemi dhënë vetes menjëherë mundësinë që të kemi 150 milionë euro në vit për të investuar, për të marrë vesh se çfarë i kemi bërë ne vetes gjithë këto vite. Po ju them që në muajin dhjetor janë kryer 67 112 aktmarrëveshje të reja me OSHE. Është një shifër fantastike. Njerëzit duhet të kuptojnë që çka ata po paguajnë sot për energjinë do të kthehet në një shërbim më të mirë, edhe të vetë energjisë. E dini që edhe 80%  sistemi ynë i shpërndarjes është akoma i Enver hoxhës, është 35-40-45 vjeç.

 

Kur do të përkthehet?

 

Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm që jemi duke operuar një trup me kancer. Kush e njeh kancerin e di që nuk mund t’i shpëtosh dot kancerit duke lyer fytyrën, duke e çuar të sëmurin në cirk, duke i tërhequr vëmendjen me përralla apo duke i dhënë aspirina. Duhet terapi intensive. Duhet operacion për të shpëtuar nga e keqja që ke brenda. Pastaj mbi këtë bazë që ne po vendosim, paralelisht do të fillojmë të bëjmë rikuperimin. Për herë të parë po bëjmë investime në sektor, masive. Do të kalojmë, besoj, në muajin shkurt në një lajm të mirë, por që kemi disa muaj që po punojmë. Është e papranueshme që qytetarët të rrinë me orë të tëra nëpër radha dhe që njerëzve në fshat hajdutët e postës t’ju vjedhin lekët. Atëherë do të bëjmë të mundur që energjia të mund të paguhet nga shtëpia, për ata që kanë internet. Të mund të paguhet jo vetëm nëpërmjet postës, por edhe nëpërmjet bankave të tjera, por edhe nëpërmjet shërbimeve të tjera, në mënyrë që njerëzit të mund ta paguajnë rehat.

 

Shëndetësia, një tjetër kancer i sistemit. Njerëzit do të kishin durim të prisnin nëse do j’u thuhet se spitalet do të rregullohen shkurtin tjetër. Njerëzit nuk durojnë t’u thuhet se spitalet janë rregulluar dhe më lejoni t’ju përmend faktin që thuhet në rrjetet sociale që ju personalisht e çoni nënën tuaj në spital privat, dmth nuk besoni te shtetërori.

 

Për fat të mirë, ime më e ka mundësinë të shkojë në një spital privat, për të bërë një operacion i cili ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe që zgjati 7 orë e gjysmë. E dyta, qytetarët që shkojnë në spitalet private e kanë këtë mundësi dhe s’kanë pse të mos shkojnë. Ndërkohë që, unë e jam në këtë detyrë për të bërë të mundur që edhe spitalet publike të arrijnë të performojnë njësoj siç performojnë spitalet private. Kjo është e mundur. Ama edhe në këtë rast, unë dua të përsëris që çka është shkatërruar për vite të tëra nuk mund të vihet në lëvizje dhe të shkojë në drejtimin e duhur dhe të japë rezultatet e dëshiruara në një kohë paarsyeshmërisht kaq të shkurtër. Ndërkohë që, po, unë i qëndroj asaj që kam thënë, përsëri, që sot shërbimi në spitale është shumë më i mirë se ç’ishte një vit e gjysmë më parë. Mjafton një fakt; sot spitalet janë të furnizuara rregullisht me ilaçe. Të mos harrojmë që ne e gjetëm këtë vend në një ditë aq të zezë saqë spitalet ishin të zhytura në borxhe dhe furnizuesit nuk pranonin t’u jepnin më ilaçe, kishin mbi 40 mln dollarë borxhe për ilaçe që i kishin marrë dhe nuk i kishin paguar. Sot ne kemi arritur ta ulim çmimin e ilaçeve, siç kemi premtuar. Kemi arritur të kemi më shumë se një alternativë për rimbursimin e tyre. Kështu që a janë këto gjithçka? Jo, nuk janë këto gjithçka.

 

Pyetja është kur flisni për spitalet private, le të shkojnë ata që kanë mundësi. Kur zoti Naço flet për burgje private, kur flitet për arsim privat, mos ndoshta ju keni ide të tjera mbi çfarë ne mendojmë për ju, që jeni i majtë dhe mendoni për publikun më shumë sesa privatin?

 

E majta që thoshte që shteti di t’i bëjë të gjitha dhe privati është armiku, ka vdekur. Shyqyr që ka vdekur dhe shyqyr që ka vdekur në shekullin e kaluar.

 

Ç’i majtë jeni ju atëherë?

 

Unë i përkas dhe ne i përkasim asaj të majte që është e majta e Toni Blair-it dhe që i dhanë sens të majtës, pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas rënies së utopisë së shtetit padron dhe të shtetit Zot, që i ka në dorë të gjitha dhe që nisemi nga një parim shumë i thjeshtë, jo çdo gjë që quhet e majtë funksionon dhe për këtë arsye çfarë nuk funksionon nuk duhet bërë dhe nëse diçka që quhet e djathtë funksionon, duhet bërë pavarësisht se quhet e djathtë.

 

Mos jeni i djathtë dhe nuk e pranoni?

 

Unë nuk jam i djathë! Unë jam i majtë i shekullit të ri. Kështu është qeveria jonë, kështu është e majta shqiptare dhe për këtë arsye ne sot po arrijmë të bëjmë gjëra që nuk janë bërë në 20 vjet. Për këtë arsye ne do të arrijmë të realizojmë për këtë vend atë që të gjithë e kanë dëshiruar, por që nuk arritën dot ta kenë në 20 e kusur vite. Sepse ne kemi sensin e të drejtës dhe të mënyrës sesi përmes reformave ne mund të arrijmë të realizojmë barazinë e mundësive dhe konkurrencën e lirë.

 

Kam 100 mesazhe për 100 njerëz që ankohen për specializimet në mjekësi. Unë nuk mund t’jua lexoj mesazhet se m’u bllokua celulari, por janë vërtet njerëz me emër dhe mbiemër që akuzojnë Ministrinë e Shëndetësisë për specializimet.

 

Gabojnë dhe nuk pranojnë që kanë humbur për meritë, ose për faktin se nuk kanë llogaritur kushtin e tre kërkesave. Pra, gjithkush ka pasur të drejtë të ketë tre preferenca dhe mbi bazën e atyre tre preferencave, pastaj është bërë gjithë renditja. Në këtë drejtim, unë kam një mendim tërësisht të kundërt. Dua ta falënderoj me gjithë zemër, Mira Racollin, dekanen, si dhe ta përgëzoj publikisht ministren e Arsimit për një proces që ka shkulur nga rrënjët korrupsionin me specializimet. Një korrupsion, që kutërbonte aq shumë, saqë për një periudhë kohe, specializimet u bllokuan krejtësisht. Kështu që, kanë fituar me meritë ata që kanë fituar, ndërkohë që kush pretendon se ka marrë pikë më shumë dhe nuk ka hyrë se ka hyrë një tjetër që ka marrë pikë më pak, kjo ka të bëjë me preferencat e vendosura nga secili prej specializantëve. Ndërsa kush pretendon se kanë hyrë njerëz me nën 400 pikë apo sa është kuota e ulët, ngatërron një gjë; ata që janë nën atë kuotë janë shqiptarët që vijnë nga trojet shqiptare, nga Lugina e Preshevës në radhë të parë e me radhë, për të cilët ka një specifikë të caktuar, të cilës ne do t’i qëndrojmë deri në fund dhe askush nuk ka pse i ngatërron këto dy gjëra.

 

Janë nga Presheva, nuk janë nga LSI-ja? Jo, vërtet, do doja të tregoja një ndjeshmëri popullore të tipit që LSI hyn pa konkurse, konkurset janë për PS-në, ndjeshmëri shumë e përhapur.  

 

Këtë lloj ndjeshmërie popullore ruajeni për në kafenenë e thashethemeve. Aty funksionon perfekt kjo. Këtu unë po jap një përgjigje serioze për një proces shumë serioz, i cili është një tjetër proces i suksesshëm, mbas testimit kombëtar të mësuesve, që na ka çuar drejt ndërtimit të një sistemi që realizon atë që kam thënë gjithmonë, përmes modernizimit të sistemit, ne do të shkojmë duke e zmbrapsur korrupsionin, sepse hiq njërin dhe vër tjetrin në të njëjtin sistem, nuk ka gjasë të ndryshojë ndonjë gjë e madhe. Ndërsa duke ndryshuar sistemin, siç kemi filluar ta ndryshojmë në shumë fragmente, do të arrijmë në fund të kemi gjithë atë ngrehinë që quhet shtet.

 

Në këtë ngrehinë që quhet shtet, derisa ky të ndërtohet, a keni ju të dhëna...

 

Po për të ndërtuar një shtëpi pa leje, që nuk kërkon asnjë procedurë, të gjithë atyre që po marrin sot legalizimet falas ju është dashur jo një, por një sasi e tërë vitesh. Ata janë të parët që e kuptojnë se çdo të thotë të ndërtosh diçka me mund e me punë. Nuk mund të ndërtohet shteti modern që duan shqiptarët, me shërbimet moderne, me institucionet moderne, me shëndetësinë, arsimin e të gjitha me radhë moderne, sa hap e mbyll sytë, mbasi për 20 e kusur vite është shkuar në drejtimin kundërt dhe është shkuar aq keq, sidomos në vitet që e pararendën fitoren e 23 qershorit, saqë vetëm një fakt: nga janari i 2013 në gusht të 2013, pra, viti i mbrapshtë elektoral dhe postelektoral, u rrit borxhi i kompanisë së shpërndarjes së energjisë, 200 milionë. Pra, u bë batërdia. I’u tha të gjithëve vidhni vetëm na jepni votat dhe pas zgjedhjeve, o burra dhe një vjedhje tjetër, sepse ne ikëm dhe të marrim çfarë të marrim.

 

Shqiptarët duan të përfshihen në ndërtimin e shtetit, duan të japin një dorë, duan të punojnë. Nuk ka punë, është një tjetër ankesë.

 

Unë jam i bindur se shumica dërrmuese e shqiptarëve janë shpirtërisht të përfshirë në këtë projekt. Jam i bindur që kjo pakicë e zhurmshme jo vetëm nuk do të arrijë dot të na ndalë në rrugën e reformave, por nuk ka asnjë shans që të torolisi edhe një herë nga e para shqiptarët, siç i torolisi kur ishte në pushtet, më parë. Kurse atyre që thonë se këtu nuk është hapur asnjë vend pune, unë mund t’ju them vetëm se mjafton të shikojmë rritjen e eksporteve, mjafton të shikojmë rritjen e prodhimit, mjafton të shikojmë rritjen e konsumit. Konsumi, i cili në 9-mujorin e parë të vitit të shkuar është rritur me 7%, çfarë treguesi është? Është treguesi i fuqisë blerëse. Pra, ka një Shqipëri, e cila pa asnjë dyshim është në një proçes rilindjeje. Nuk ka lindje, ju e dini më mirë se unë, pa dhimbje dhe aq më pak rilindjeje pa dhimbje, por ama, ne i kemi ulur taksat për 97% të shqiptarëve.

 

Ky 3% po bërtet atëherë?

 

Jo, jo, se nuk janë të gjithë shqiptarët që paguajnë taksat. Unë besoj se shumica e atyre që bërtasin për rritje taksash nuk kanë paguar ndonjë taksë në jetën e tyre, ndërkohë që të gjithë ata që paratë i fitojnë përmes punës dhe të gjithë ata që marrin nën 1.5 milionë lekë, që janë një shumicë dërrmuese, kanë përfituar nga ulja e taksave dhe kanë më shumë para në xhepin e tyre. 15 milionë dollarë në muaj mbeten në xhepat e shqiptarëve nga ulja e çmimit të naftës. 15 milionë dollarë në muaj. Sa janë në një vit dhe çfarë janë këto para që mbeten në xhep, sepse është ulur çmimi? Janë para që shkojnë për konsum, edhe këto. Sa i përket punësimit, unë mund t’ju them me shifra, jo të miat, por që dalin nga llogaritë e shtetit. Mbi 81 mijë e disa qindra ishin përpara 2 apo 3 muajsh, njerëz të shtuar në librat e llogarisë së shtetit. Çfarë janë këta? Atëherë, në qoftë se këtu nuk ka punë, në qoftë se këtu nuk punon askush, atëherë nga xhiron gjithë tregtia, nga dalin eksportet dhe nga dalin gjithë këto veprimtari dhe si ka mundësi që kemi një rritje të konsiderueshme në vitin e shkuar, të importit të makinerive. Rritja importit të makinerive për prodhim tregon se ka një kthim të tendencës në këtë drejtim. Sigurisht, nuk po ju flas për një Shqipëri si ajo që unë jam i bindur do të arrijmë ta tregojmë me gisht këtu, kudo, kur ne të dalim përpara gjykimit të njerëzve, por po ju flas për një Shqipëri që është rivënë në lëvizje. Është rivënë në lëvizje dhe është në një periudhë të rëndësishme historike shtetndërtimi.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Balla: Kemi prova që elementë kriminalë strehohen në Bashkinë e Tiranës
Malltezi: Humbja e PD-së, për shkak të shkëputjes nga qytetari »
Article Logic
Execution time: 0.038160800933838
array(1) { ["section"]=> string(75) "rama-edhe-une-isha-ne-protesten-e-pd-neveri-nga-hienat-e-informacionit-1563" }