Rama i rrëfen Obamës premtimin që i bëri Endri Fugës në vitin 2008

Publikuar tek: politike, më 21:47 14-04-2016 Rama i rrëfen Obamës premtimin që i bëri Endri Fugës në vitin 2008 Endri Fuga duke takuar Barack Obamën

Në takimin e zhvilluar sot në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri Edi Rama i ka rrëfyer ndër të tjera presidentit të SHBA-së, Barack Obama-s, premtimin që i kishte dhënë këshilltarit të tij, Endri Fugës, 8 vite më parë.

“Do zoti fiton Barack Obama”, ishte dëshira që kishte shprehur me zë në vitin 2008 Endri Fuga në Denver të SHBA-së, kur dëgjonte pikërisht presidentin aktual të SHBA-së, dhe në atë moment Rama ka ndërhyrë për t'i dhënë premtimin: “Ky do të fitojë dhe do të bëhet President i SHBA dhe ti do të jesh me mua kur ta takojmë në Shtëpinë e Bardhë.”

Rama e ka treguar për premtimin e mbajtur gjatë intervistës për emisionin “Top Story” në Top-Channel, i transmetuar sot nga Uashingtoni.

Intervista:

Sokol Balla: Besoj që ishte një takim i rëndësishëm për karrierën tuaj politike dhe për vendin?

Edi Rama: Është një takim i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse një vizitë në Shtëpinë e Bardhë nuk bëhet përditë. Fakti që kaloi kohën dhe pritshmërinë për nga atmosfera, e bën edhe më të paharrueshme këtë vizitë.

Sokol Balla:Raportuam që pati një thyerje protokollare, kur erdhi në fillim të takimit dhe vizita në zyrën ovale.

Edi Rama: Po, presidenti duhej të vinte në mes të takimit me Joe Biden, por erdhi që në fillim dhe në fund më mori dhe më tha hajde shkojmë në Zyrën Ovale.

Sokol Balla: Më folët për një batutë?

Edi Rama: Shkëmbyem disa batuta, por nuk kam marrë autorizim nga protokolli i Shtëpisë së Bardhë për t’i ndarë me publikun.

Sokol Balla: I keni marrë dorën duke u përzier me punët e brendshme të SHBA...

Edi Rama: Nuk jam përzier në punët e SHBA. Jam i habitur nga ata që zgjedhin mes meje dhe Donald Trump, zgjedhin Donald Trump. Nuk është më punë e brendshme Donald Trump. Ai ka thënë gjëra të papranueshme për shqiptarët, Kosovën dhe një histori të lavdishme bashkëpunimi mes SHBA dhe Shqipërisë, por “patriotët e Tiranës” e harrojnë këtë për fat të keq se janë të verbuar nga mllefi anti-qeveritar dhe janë gati që mes meje dhe Trump të zgjedhin Trump.

Sokol Balla: Le të flasim pak për vizitën, mediat në Tiranë raportuan që u pritet me protesta.

Edi Rama: Nuk pashë asnjë protestues, por është pjesë e jetës që të ketë edhe protesta dhe nuk ka asgjë të keqe. U prita me shumë ngrohtësi dhe ua kam borxh të gjithë atyre që do të ndodhte një takim kaq i madh nga diaspora, ku edhe prezantova fillesën e projektit të samitit të madh të diasporës në Tiranë. Nuk është çudi që të presim bashkë me shumë njerëz që duan të të përqafojnë edhe protestues. Çudi është kur proteston Presidenti për një kend lojrash. Ky është lajm, e para nuk është lajm.

Sokol Balla: Është diskutuar me Obaman reforma në drejtësi, byroja, siguria dhe roli strategjik i Shqipërisë...

Edi Rama: Me Presidentin kemi folur për reformat, progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria dhe rolin e madh dhe shumë të vlerësuar që Shqipëria luan si një shembull në rajon. Besoj që kemi marrë aq shumë vlerësime sa jemi të karikuar me energji për të gjithë pjesën e mbetur të këtij mandati dhe për një tjetër energjia na tepron edhe për një mandat tjetër.

Sokol Balla: Nuk ka patur një transparencë sa i takon axhendës. Edhe formati ka qenë ndryshe.

Edi Rama: Ata që kërkojnë transparencë nga Shqipëria nuk dinë çfarë kërkojnë pasi harrojnë që unë nuk jam Presidenti i Shqipërisë, jam kryeministri dhe takimi nga pikëpamja protokollare zhvillohet me pritjen nga zv.presidenti dhe pastaj Presidenti bëhet pjesë e takimit. Kjo nuk ndodh vetëm me këtë rast. Takimet janë me këtë rend. Kjo ka shumë pak rëndësi. Në Shqipëri jemi mësuar, ka një pjesë që jetojnë për të nxjerrë bishta nga çdo gjë, por kjo është pjesë e lulëzimit të lirisë dhe nuk ka asnjë problem. Ajo që ka ndodhur është një vizitë me shumë rëndësi, një moment me shumë rëndësi për një bilanc me 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Zona ku ne jetojmë është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane, nisi me bomba dhe ka mbërritur në pikën kur të gjithë janë ulur në një tryezë. E kam ftuar Presidentin që të vijë në Shqipëri. Më ka premtuar që gjatë këtyre 10 muajve, ose pas tyre do ta vizitojë Shqipërinë. Ka treguar shumë interes për rajonin dhe Shqipërinë dhe më ka habitur që ka dijeni të plotë për gjithçka.

Sokol Balla: Ju e keni takuar disa herë Obaman...

Edi Rama: E kam takuar dhe sot në momentet në Zyrën Ovale i mbante mend dy herët e mëparshme dhe nuk mendoja që një njeri që takon kaq shumë njerëz të mbante mend detajet, detaje që lidhen me basketbollin apo praninë time në Denver kur mori nominimin si kandidat për President.

Sokol Balla: Më kujtohet takimi i 2012, u fol për një foto që nuk u publikua kurrë, nuk e keni shpjeguar kurrë këtë?

Edi Rama: Faktikisht, sot ka qenë një ditë e bukur dhe jo vetëm takimi im me Presidentin, por ka qenë një takim miqësor si një mik.

Sokol Balla: Këtu keni të drejtë sepse pas 21 Janarit raportet me SHBA nuk ishin nga më pozitivet, një raport që u ngrit me vështirësi, pastaj erdhi kriza e armëve siriane.

Edi Rama: Nuk ka asnjë lidhje kjo. Nuk është e vërtetë që politika amerikane vlerëson pa kushte partnerët apo u jep mbështetje pa kushte servilëve, politika amerikane vlerëson shumë argumentat, sjelljen dhe qëndrimet inteligjente dhe të qënit të drejtpërdrejtë. Përsëri i kam patur rastin të konstatoj që ndryshe nga si padashje apo me dashje në Tiranë përpiqen të interpretojnë qëndrimet e mia si eksese të dikujt që nuk duhet të flasë për gjëra të mëdha. Në fakt nëse gjërat që thua bëjnë sens respekti i më të mëdhenjve rritet. Historia e armëve kimike nuk është ashtu siç mendohet në përfundim të kësaj. Kam qenë në kontakt me Sekretarin e Shtetit gjatë atyre ditëve dhe ju siguroj që nga ajo histori dhe episod në marrëdhënien tonë raporti ynë ka dalë i fortë nga respekti, jo i cënuar.

Sokol Balla: Ju e dini shumë mirë që në nëntor 2013 ju dërgoi një letër që ju falenderonte dhe ju priste në pranverën e 2014 në Shtëpinë e Bardhë, pra u shty me dy vite vizita.

Edi Rama: Nuk është kështu. Mos mendojmë që Shtëpia e Bardhë është një fushë-kalimi paradash protokollare. Axhenda është e ngjeshur sepse të gjithë duan të takojnë Presidentin e SHBA dhe fakti që në këto 25 vite nuk është se udhëheqësit e Shqipërisë kanë kaluar çdo mandat në Shtëpinë e Bardhë, flet për të vërtetën që të jesh në Shtëpinë e bardhë do të thotë shumë.

Sokol Balla: Është folur shumë që është një vizitë e shtyrë në kohë. Ju duhet të kishit ardhur më herët në Uashignton dhe me një shfaqje të përbashkët me Vuçiç?

Edi Rama: Unë nuk kontestoj burimet tuaja, por me burimet e mia modeste historia është ndryshe. Nuk jam në dijeni të një plani të tillë. Në vizitën e Vuçiç Presidenti nuk mori pjesë.

Sokol Balla: Ka një investim amerikan, jo të përbashkët, ka një investim për promovimin e dy figurave, tuajën dhe Vuçiç, këtë se mohoni dot?

Edi Rama: Nuk dua të personalizoj asgjë dhe pse nuk kam aspak dëshirë ta fsheh që ardhja këtu dhe ky takim është provë për shqiptarët që sigurisht vlerësohen shumë marrëdhëniet me ta, por vlerësohen shumë marrëdhëniet me qeverinë e sotme në Shqipëri. Ballkani është një histori suksesi dhe unë kam kontributin modest, Vuçiç po ashtu, SHBA kanë kontributin e padiskutueshëm. Ajo që sot mund të thuhet, që e dëgjuam edhe në takimin me shefin e Bankës Botërore, që tha për një bisedë me kancelaren Merkel, që kishte folur me superlativa për Shqipërinë. Po ashtu edhe me Kryeministrin e Izraelit që bashkë me mbretin e Jordanisë mbështesin integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit duke e konsideruar shembull. Të gjithë kanë dhënë nga pak kontribute, por është e sigurtë që kjo që për shumë ngjan si proces i natyrshëm, për disa në Shqipëri ngjan si një rast i radhës për të hedhur baltë e për të përqeshur siç ndodh kur mllefi provincial prevalon mbi inteligjencën mesatare. 

Sokol Balla: Raporti i DASH kritikonte qeverinë shqiptare për mënyrën sesi janë trajtuar 2 mijë refugjatë sirianë që janë kthyer mbrapsht. Keni dy standarde, një për emigrantët muxhahedinë dhe një tjetër për ata sirianë.

Edi Rama: Nuk kemi dy standarde. Në raport me opozitën iraniane është qëndrim që i bën nder qeverive shqiptare. Nuk është qëndrim i yni, e ka mbajtur edhe qeveria e mëparshme dhe është produkt i natyrshëm i solidaritetit që kemi me ata që janë viktima të persekutimit. Historia tjetër, ajo e krizës së përgjithshme të refugjatëve është ndryshe. Shqipëria nuk mund të luajë një rol shpëtimtari të Europës, Shqipëria mund të luajë një rol aq sa i mbajnë shpatullat. Ka një respekt të plotë për Shqipërinë në Berlin, Bruksel lidhur me këtë qasje. Ne e kemi thënë që duam të marrim pjesën tonë, por brenda një plani europian. Nuk mund t’i marrim ne në një kohë që ca ngrenë mure dhe ca bëjnë deklarata të pabesueshme për BE. 

Sokol Balla: A ka ndikuar fakti që arritët një marrëveshje të gjerë për muxhahedinët?

Edi Rama: Nuk kemi arritur asnjë marrëveshja, ka qenë vazhdimësi. Nuk është ky shkaku, kjo ka qenë një arsye prej së cilës Shqipëria është respektuar edhe më shumë, por jo se këtu ka patur ndonjë pazar.

Sokol Balla: Më bënë përshtypje batutat për basketbollin me Presidentin Obama, ndërsa kryeministri Berisha iu ka anatemuar mbi praninë e një koshi pranë zyrave tuaja në Kryeministri. Ka edhe një foto për këtë.

Edi Rama: Nuk jam friend me Saliun në Facebook dhe nuk jam i informuar në lidhje me orgazmat virtuale të tij, por ajo që mund të them është se bëmë shaka me presidentin, sepse ai vuri një kosh basketbolli dhe më tha se si shkoja unë me këtë sport. Nuk besoj se ai e ndjek Saliun. Gjithashtu nuk besoj se duke vendosur një gjë të tillë cënohet një institucion. Është një mungesë dije, kulture dhe haberi, sepse Shtëpia e Bardhë, Kancelaria dhe shtëpitë e pushtetit nuk janë të personave, por mjedise ku çdo person lë gjurmët e veta. Kjo ruhet përgjithësisht në vendet e tjera, por në Shqipëri ndodh e kundërta. Pse zyra është e shtruar me mermer, siç ndodhi në Bashkinë e Tiranës, vjen tjetri i vë kazmën dhe e shtron me parket fals.

Sokol Balla: Kryeministër flasim për çështjen e reformës në drejtësi. Dy ditë më parë Xhafa tha se PS nuk pret më dhe se drafti i korrigjuar do të shkojë në komision. A do të thotë kjo se PS do të tentojë ta kalojë reformën me çdo kosto dhe sa përkrahje morët nga Uashingtoni zyrtar?

Edi Rama: Nuk është nevoja të hysh në Shtëpinë e Bardhë për të konstatuar mbështetjen amerikane në këtë aspekt, sepse ata janë përfshirë dhe investuar vet në këtë reformë. Duhet të them se ne nuk kemi më kohë për të humbur dhe kemi qenë partia që nuk ka bërë asnjë lloj oponence apo rezistence për të penguar apo vonuar procesin e reformës, sipas këndvështrimit partiak, por kemi mbështetur komisionin e ekspertëve, Komisionin e Venecias dhe të tjerë, dhe tashmë jemi një shumicë që duam të përfundojë reforma në drejtësi. Historitë që e lidhin këtë me çdo lloj fantazie apo trillimesh, që shpiken nga opozita, nuk i ha askush, as në Bruksel, as në Paris, Uashington apo asgjëkundi.

Sokol Balla: Si mund ta thoni këtë kur keni një vendim të Kushtetueses që duhet ta respektoni për dy deputetë tuaj?

Edi Rama: Nuk ka asnjë lidhje ai vendim me gjërat e tjera dhe që opozita kërkon të përfshijë Kushtetuesen me reformën në drejtësi. Është si të lidhësh kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës me parkun e lodrave në Liqenin Artificial. E njëjta gjë është edhe me reformën në drejtësi.

Sokol Balla: Keni nënshkruar një marrëveshje me FBI-në, për çfarë bëhet fjalë?

Edi Rama: Për një marrëveshje dhe bashkëpunim që e kam bërë të ditur që kur jam bërë kryeministër. Që FBI të na mbështesë dhe të na ndihmojë me Shkollën e Policisë, ku të merret një ekspertizë e posaçme dijesh. Sikurse edhe për Byronë. Një marrëveshje kuadër e qeverisë së Shqipërisë me Byronë Federale të Hetimit.

Sokol Balla: Sa mendoni se reforma në drejtësi do të bëhet?

Edi Rama: Është çështje kohe dhe duhej bërë që në mars, por e penguan dhe po e pengojnë edhe tashmë që po ikën prilli. Nuk duam të bëjmë një betejë se kush e do dhe kush nuk e do reformën, sepse shqiptarët kanë sy e veshë të dëgjojnë e kuptojnë këtë gjë. Reforma do të bëhet, sepse është e qartë se ndryshe nga të gjitha reformat e tjera dhe debatet e tjera, për këtë reformë partnerët nuk do të heshtin, as nuk do të thonë që palët duhej të gjenin konsensusin. Por do t’u shpjegojnë popullit shqiptar që, pse nuk kalon reforma dhe kush janë përgjegjësit, nëse kjo ndodh. Përtej faktit që shqiptarët do ta përvëlojnë vet këtë pengim deri në asgjësim të reformës në drejtësi.

Sokol Balla: Pak ditë më parë pati një sondazh me një perceptim shumë të lartë të njerëzve që kjo reformë të kalojë. Do të ishte ky një argument i nevojshëm dhe i mjaftueshëm që, nëse reforma nuk kalon, të kalojmë në zgjedhje të parakohshme?

Edi Rama: Para se të mendojmë për zgjedhjet, duhet të dimë se i gjithë reputacioni që kemi fituar nga ndërkombëtarët, do të përfundojë me hapjen e negociatave në fund të këtij viti. Kjo gjë do të thotë që edhe vendi ynë do të kalojë në një stad tjetër me Bashkimin Europian, duke pasur përfitime të ndryshme politike e financiare të rëndësishme, nëse kemi statusin e vendit që negocion.

Sokol Balla: Edhe nëse reforma kalon, mendoj se do të kemi një situatë hibride. Nuk e di pse duhet të ketë marrëveshje për diçka që ta lejon Kushtetuta, përfshi këtu komisionet hetimore për CEZ-in. Frika është që do të filloni të lëshoni ndaj njëri-tjetrit dhe në fund do të dalë një minë nga mali.

Edi Rama: Nëse unë do të krijoj bindjen që për shkak se kërkohet vota e palës tjetër, reforma duhet të cënohet në thelbin e vet, unë do të dal dhe do t’u them shqiptarëve që nuk ia vlen ta bëjmë reformën siç e duan këta. Unë dua një reformë që nuk do të shkaktojë tërmet në sistemin tonë të drejtësisë. Kjo sepse në draft parashikohet që i gjithë stafi i gjyqtarëve do të kalojë në procesin e vetingut për të përcaktuar nëse do të jenë të aftë për ta bërë këtë punë apo jo. Zyra e vetingut do të ketë 100-150 persona që do të merren me këtë proces. Prandaj ka dhe shumë frikë e rezistencë për këtë reformë, e përdorin flamurin e opozitës për të ngritur kauza që nuk kanë asnjë lidhje me thelbin kryesor të shqetësimit të madh të popullit tonë. Reforma në drejtësi është e rëndësishme sepse i jep një mbështetje të madhe të gjithë sektorëve të tjerë ku ndërmerren reforma, ose do të minojë të gjithë sektorët e tjerë.

Sokol Balla: Kur ju mbërritët në Uashington, DASH publikoi raportin e të drejtave të njeriut. Korrupsioni ishte çështja kryesore.

Edi Rama: Korrupsioni është fjalë kyçe në të gjitha raportet që lidhen jo vetëm me rajonin tonë, por me të gjitha vendet e reja të Bashkimit Europian. Modernizimi dhe demokratizimi ende nuk ka përfunduar në shumë vende, por ky është një problem me të cilin ne përballemi ndaj dhe në Shqipërinë e sotme duhet parë sesa po i hedhim bazat për ta luftuar korrupsionin përmes ngritjes së sistemeve të reja. Kemi më shumë apo më pak në energji, në shëndetësi, në arsim? Në të gjitha sektorët e lidhur me reformat tona e them me përgjegjësi se kemi më pak. Reformat gjithsesi do ta japin hap pas hapi efektin e tyre. Mënyra sesi kalon nga një fazë ku sistemet korruptojnë njerëzit, në një fazë ku njerëzit kanë të bëjnë me sisteme që nuk korruptohen.

Sokol Balla: Citoj raporton e DASH, që deri diku vinte në dyshim seriozitetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin në dy sektorë: drejtësi e shëndetësi. Thuhet se autoritetet morën masa për ndëshkimin e zyrtarëve të nivelit të ulët, por në nivelin e lartë u ndërprenë nga Prokuroria. Edhe portali qeveritar, sipas DASH keni pasur 8700 denoncime, por vetëm 52 morën rrugët drejt organeve të drejtësisë. Këtu vihet në diskutim serioziteti i qeverisë.

Edi Rama: Jo, morën rrugën drejt drejtësisë do të thotë që shkuan drejt ndëshkimit. Ne ua kemi dërguar të gjitha drejtësisë. Në dy vite e gjysmë qeverisjeje, një vend i rrënuar dhe i korruptuar si Shqipëria do të kthehej në një vend pa korrupsion. Ne kemi tentuar ta rilindim vendin, por ky është një proces që kërkon reforma, këto masa, dhe masat zbatim, gjë që kërkon gjithashtu kohë. Ka njerëz që thonë se 2 vite e gjysmë më parë Shqipëria ka qenë më mirë, por shifrat tregojnë të kundërtën. Sot në Shqipëri ka më shumë rend ligjor në rrugë dhe ekonomi, sfidat janë aty nuk kanë mbaruar, por njerëzit do të gjykojnë jo vetëm fjalët e shifrat tona, por mbi atë që ndiejnë dhe kuptojnë. Jam i bindur që njerëzit nuk hanë as raporte, fjalime, statistika, por tresin përmes të gjithë aparatit të gjykimit të tyre të gjitha këto dhe në fund japin vendimin e tyre.

Sokol Balla: Ju thatë se nëse do të prekej thelbi i reformës në drejtësi, PS nuk do ta votojë. Cfarë do të ndodhë më pas?

Edi Rama: Nuk flas me nëse, jam i bindur që reforma do të kalojë dhe nuk e diskutoj këtë.

Sokol Balla: Folët për futjen e dijeve fetare në sistemin arsimor. Keni hasur me kundërshti e me lavdërime. Kemi të bëjmë me edukatë fetare apo mësime fetare?

Edi Rama: Kundërshtitë vijnë nga ata që s’kanë çfarë presin. Nuk kanë kuptuar thelbin. Këtu bëhet fjalë për të futur në hapësirën e dijeve edhe dije mbi fenë, jo praktikën fetare. Kjo nuk ka lidhje as me priftërinjtë, hoxhallarët, apo këdo. Kjo ka lidhje me shkollën laike. Sfida që na vjen si rezultat i ekstremizmit islamik nga njëra anë, që flet në emër të Kuranit dhe është shkelësi më brutal i Kuranit, dhe nga Donald Trumpët e shoqërive demokratike, që janë dy anë të së njëjtës medalje, e cila në një pjesë të madhe e merr shkëlqimin nga injoranca e padija. Është shumë e thjeshtë. Cfarë thotë Trump: Myslimanët janë problemi ynë? Pse marrin vota këta njerëz, sapo ndodh një sulm terrorist? Sepse njerëzit që i ndjekin janë të paditur dhe bëjnë një lidhje të drejtpërdrejtë me ata që bënë aktin terrorist, si myslimanë, dhe fesë myslimane. Në jetën tonë ne dimë për fenë vetëm nëse interesohemi drejtpërdrejtë, por jo nëse nuk interesohemi. Kjo na lë të paarmatosur përballë kësaj propagande. Ky është një trend që do të shkojë duke u forcuar në të gjitha vendet, sepse kudo është e rëndësishme që fëmijët të mësohen të respektojnë fenë e njëri-tjetrit. Nëse besojnë apo jo, këtë gjë nuk mund t’ua thotë shkolla.

Sokol Balla: Ju do t’i mësoni njerëzve se cili është versioni bazë i Kuranit?

Edi Rama: Jo këtë. Por do t’u mësojmë se kush janë myslimanët, të krishterët, etj. Kjo do të kërkojë shumë kohë e punë, analiza. Ne duhet të fillojmë dhe në këtë qasje them se Shqipëria është në avangard. Kjo po përhapet gjithnjë e më shumë. Në takimin me USAID dua të them se vet kjo organizatë do të merret me këtë proces. Nuk është çështje as e paralelizimit, të mbivendosjes, apo interferimit mes njerëzve që shërbejnë në vendet e kultit. Kjo do të shërbejë vlerave tona, kulturës sonë dhe për të mos ua hedhur njëri-tjetrit me padijen tonë. Shqipëria nuk e ka vuajtur deri më sot dhe duhet të bëjmë çmos që kjo rehati të mos prishet. Ne nuk kemi jetuar në botën ku fëmijët zhyteshin në oqeanin e pafund të Facebookut, ku ndeshesh me lloj lloj peshkaqeni. Duhet të bëjmë çmos që fëmijët e Shqipërisë të kuptojnë se ky është një thesar i madh dhe ta mbrojë duke qenë të pajisur me dije, që askush të mos i kthejë në xhihadistë të ISIS, apo të shkojnë pas Trumpeve që duan t’i fusin në telashe me njëri-tjetrin.

Sokol Balla: Mbrëmë keni patur një darkë me tre ambasadorët, Uithers, Arvizu dhe Lu, çfarë komentesh morët për deklaratën tuaj, të themi kontraverse për Trump?

Edi Rama: Kemi diskutuar shumë miqësisht. Ka qenë një darkë shumë e kendshme mes miqësh të cilët në pozicione të ndryshme nga njëri-tjetri me kujtimet dhe përvojën nga Shqipëria, ishin një shoqëri perfekte për të folur për të djeshmen, sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë nga perspektiva si ambasadorë të diplomacisë amerikane. Diskutuam edhe për zgjedhjet në SHBA, por ka qenë një darkë mes miqsh.

Sokol Balla: Çfarë mendoni se do të dëmtojë Shqipërinë në marrëdhëniet me SHBA nga zgjedhja e Trump? Mos harrojmë që sot dolët nga Zyra Ovale e SHBA, mendoni se do të futeni sërish nëse zgjidhet Trump?

Edi Rama: Atëherë Zoti e ruajtë Amerikën nëse zgjidhet

Sokol Balla: Zoti e ruajtë Shqipërinë edhe nga deklaratat tuaja...

Edi Rama: Si mund të rri indiferent ndaj deklaratave të tilla si kryeministër i Shqipërisë dhe mbi të gjitha kur pyetesh. Unë jam kryeministër i Shqipërisë që ka myslimanë me të cilët Amerika duhet të jetë krenare. Heroi ynë që u vra në frontin e përbashkët është mysliman. Si mund të lejohet një personazh i tillë që të hedhë baltë mbi myslimanët me një injorancë të paimgjinueshme? Nga ana tjetër, ka mbajtur qëndrime të papranueshme mbi Ballkanin dhe me qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë dhe DASH ndaj Millosheviçit, pasi sipas Trumpit Shtëpia e Bardhë dhe administrata amerikane duhet të mbështesnin Millosheviçin dhe nuk duhet të ndihmonin shqiptarët. Kemi të drejtën për të shprehur shqetësimet tona dhe nëse ky do të bëhet President i Amerikës, do të doja që politika shqiptare të ishte e qartë me këtë.

Sokol Balla: Çfarë qëndrimi do të mbante politika shqiptare nëse do të zgjidhej Donald Trump?

Edi Rama: Nëse do të ndodhte nuk do të pendohesha për asnjë nga fjalët që kam thënë që i besoj dhe kanë të bëjnë me dinjitetin. Mendoj që dinjiteti i vendit, kombit është kryesorja.

Sokol Balla: Vota e shqiptarëve nuk është se ka qenë e parëndësishme, ju keni patur takime me komunitetin shqiptar këtu, a u fol për këtë çështje, a i udhëzuat për këtë të votojnë?

Edi Rama: S’kam ardhur të bëj fushatë në SHBA. Ajo që mund të them është që më vjen keq që në Shqipëri ata që kanë në dorë të flasin apo të dëgjohen dhe që mund të kenë 1001 arsye që duan që një orë e më parë unë të zhdukem nga faqja e dheut bien në këtë nivel banaliteti dhe mungese dinjiteti dhe zgjedhin Donald Trump. Është skandal!

Sokol Balla: Çfarë fitoi Edi Rama dhe çfarë fitoi Shqipëria nga kjo vizitë?

Edi Rama: Besoj që Shqipëria sot ka marrë një shprehje spektakolare mirënjohjeje, mbështetjeje, miqësie ndërsa unë kam marrë një mbresë të pashlyeshme sepse e tillë është, besoj për të gjithë ata që hyjnë në këtë shtëpi të demokracisë botërore. Është edhe një kompliment që nuk mund të neglizhohet dhe një energjizim që do të më mbajë gjatë në përpjekjet për të çuar deri në fund reformat. Në Denver në 2008, isha bashkë me Endri Fugën dhe Fuga më thotë do Zoti fiton Barack Obama. Unë i thashë që ky do të fitojë dhe do të bëhet President i SHBA dhe t’i do të jesh me mua kur ta takojmë në Shtëpinë e Bardhë. Këtë i treguam Presidentit mbi Denverin.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zbardhet takimi në Shtëpinë e Bardhë, Obama-Ramës: Shqipëria nën lidershipin tuaj, pikë referimi
‘’Gjeni ndryshimin’’, si janë takuar me Obamën liderët e Gjermanisë, Italisë, Francës. Si u takua dje Rama (FOTOT) »
Article Logic
Execution time: 0.032282114028931
array(1) { ["section"]=> string(72) "rama-i-rrefen-obames-premtimin-qe-i-beri-endri-fuges-ne-vitin-2008-37716" }