Rama reagon pas goditjes me vezë: PD po i përdorë si armë opozitare. Basha: Në 3 vetë, 2 i ke kriminelë

Publikuar tek: politike, më 20:12 25-02-2016 Rama reagon pas goditjes me vezë: PD po i përdorë si armë opozitare. Basha: Në 3 vetë, 2 i ke kriminelë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në profilin e tij në “Facebook” pasi deputetët e opozitës e goditën sot me vezë gjatë zhvillimit të seancës plenare.

Por ndryshe nga kolegë të tij, Rama nuk beson se PD po përpiqet të bllokojë reformën në drejtësi nëpërmjet vezëve, por ato i ka kthyer në armë opozitare për shkak të shterrimit të saj si parti.

“Unë nuk bashkohem me miqtë e kolegët, ata besojnë se vezët u përdorën sot në parlament për të penguar reformën në drejtësi. Unë mendoj se vezët, u kthyen sot në armë opozitare, sepse Partia Demokratike ka ardhur në një pikë shterrimi për shkak se nuk mundi asnjëherë dot, të ringrihej realisht nga fusha e disfatës së 23 qershorit 2013. Aq sa disfatën e 21 qeshorit 2015 e përjetoi si fitore të cunguar nga regjimi kriminal”, shkruan Rama.

Sipas Ramës, kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë dhe i kanë shterruar idetë dhe arsyeja. Rama shprehet se degradimi i PD-së ka ardhur hap pas hapi, për dy vjet me radhë.

“Kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë. I kanë shterruar idetë dhe arsyeja. I kanë shterruar energjitë dhe durimi. I ka shterruar fuqia për të imagjinuar, pa të cilën jeta është një lëngatë e pafundme. Që një parti të katandiset në pikën që të përdorë vezët, duhet të ketë humbur kuptimin e vetvetes dhe çdo ndjenjë përgjegjësie për çka të tjerët mund të mendojnë për të. Fatkeqësisht kjo është opozita sot në Shqipëri. Dhe degradimi ka ardhur hap pas hapi, pa ndalim, dy vjet e kusur me radhë. Një parti që ka dy vjet e kusur që jep e merr me hijet dhe me objektet”, shkruan ndër të tjera kryeministri.

Pas deklaratës së Ramës ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili shkruan në “Facebook” se PS-ja në 3 vetë, dy i ka kriminelë, ndërsa i treti është hajdut i uritur. Për Bashën, PD-ja është sot e vetmja pengesë për Ramën që ta shndërrojë të gjithë vendin në Republikë të trafikantëve, gangsterëve dhe vrasësve.

Edi Rama, në 3 vetë, dy i ka kriminelë, sipas fushes ku kanë gjakuar, trafik droge, rrëmbim personi, prostitucion dhe vrasje. I treti është hajdut i uritur, por ama aq sa të mos ngopet shpejt, të zgrapë çdo ditë për Ramen së pari, e çtë mbetet për veten e tij. Partia Demokratike ështe sot e vetmja pengesë për Edi Ramen që ta shndërrojë tërë vendin në Republikë të trafikantëve, gangsterëve, vrasësve. Ai do të dontë që të kishte ‘Armando Prenga’, në vend të qytetarëve. Ai do donte të kishte ‘Armando Prenga’ në vend të opozitës. Ai do donte të kishte ‘Armando Prenga’ në vend të ndërkombëtarëve. Por projekti i tij është ndërprerë”, shkruan ndër të tjera Basha. 


Postimi i plotë i Edi Ramës:

Kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë. I kanë shterruar idetë dhe arsyeja. I kanë shterruar energjitë dhe durimi. I ka shterruar fuqia për të imagjinuar, pa të cilën jeta është një lëngatë e pafundme.

Që një parti të katandiset në pikën që të përdorë vezët, duhet të ketë humbur kuptimin e vetvetes dhe çdo ndjenjë përgjegjësie për çka të tjerët mund të mendojnë për të.

Fatkeqësisht kjo është opozita sot në Shqipëri. Dhe degradimi ka ardhur hap pas hapi, pa ndalim, dy vjet e kusur me radhë.

Një parti që ka dy vjet e kusur që jep e merr me hijet dhe me objektet.

Në çdo tre aktivitete, dy janë përkujtimore të sajuara për t’u kacafytur me hijen e Enver Hoxhës. Liria, të drejtat, demokracia, janë të gjitha sebepe; motivi është lufta qorre me një hije të qëmotit e cila vazhdon ta hipnotizojë Partinë Demokratike, duke i kushtëzuar axhendën.

Në çdo tre konferenca shtypi, dy janë kacafytje me libër shtëpie me hijen e pushtetit. Korrupsioni, krimi, parku, shëndetësia, Dia, papunësia, çatia e kryeministrisë, Siria, janë garnitura të rastit; motivi është lufta qorrazi me protagonistët e shumicës qeverisëse, si persona që lypset të përbalten, papushim, deri në fund, me çdo mjet.

Në çdo tre protesta, dy janë kacafytje fizike me objekte. Diktatura, gjelbërimi, komuniteti, persekutimet, betonizimi, liqeni, kushtetuta, sigurimi, janë llafe të rastit; motivi është shfryrja verbërisht e dufit mbi beton, tulla, dërrasa, mure, xhama, skulptura, gardhe dhe aq më mirë, kur rasti fatlum sjell përpara ndonjë eskavator ose, lëre pastaj, nëse fati të nxjerr përpara ndonjë aeroplani…

Dhe natyrisht që e gjithë kjo perpetum mobile, në një boshllëk që zgjerohet, ka një efekt shterrues për sytë, veshët, trurin, trupin e një partie politike të krijuar si alternativë qeverisëse, e të degraduar në një organizatë kakarisëse. Prandaj unë nuk bashkohem me miqtë e kolegët, ata besojnë se vezët u përdorën sot në parlament për të penguar reformën në drejtësi. Unë mendoj se vezët, u kthyen sot në armë opozitare, sepse Partia Demokratike ka ardhur në një pikë shterrimi për shkak se nuk mundi asnjëherë dot, të ringrihej realisht nga fusha e disfatës së 23 qershorit 2013. Aq sa disfatën e 21 qeshorit 2015 e përjetoi si fitore të cunguar nga regjimi kriminal!

Tanimë PD-ja sapo ka hyrë në një fazë ezaurimi nervor dhe mbushja e xhaketave e çantave të deputetëve me vezë, për të përmbushur detyrimin e përfaqësimit të zgjedhësve në seancën parlamentare, është tregues kuptimplotë i kësaj zbrazjeje nervore.

Edhe vetë histeria e 24 orëve të fundit, për një deputet të përjashtuar me kohë nga radhët e koalicionit qeverisës, i cili për më tepër u vetëpezullua nga aktiviteti i Kuvendit, është inercia e kacafytjes me hijet; në kushtet e shterrimit total të fuqisë për të imagjinuar të nesërmen. Çka e bën opozitarizmin e Partisë Demokratike një zvarritje në dëshpërim. Ku vezët janë thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit.

 

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Edi Rama, ne 3 vete, dy i ka kriminele, sipas fushes ku kane gjakuar, trafik droge, rrembim personi, prostitucion dhe vrasje. I treti eshte hajdut i uritur, por ama aq sa te mos ngopet shpejt, te zgrape cdo dite per Ramen se pari, e cte mbetet per veten e tij.

Nese ka nje fund te palavdishem te fantazise dhe krijimtarise eshte te besh minister ahmetajn e beqen, te cilet kane damken e hajdutit qe dallohet me kilometra larg. Fund i shemtuar i kreativitetit, te besh deputet armando prengen. Me keq, ta marresh ne mbrojtje ne te gjitha heret kur ky lac me kobure ne xhep, tregon veten.

Edhe sot kete beri. E mori ne mbrojtje edhe pse mbare opinioni jane te tronditur, dhe Brukseli ne alarm.

Thuhet se realiteti le pas cdo fantazi. Realiteti qe na solli Edi Rama kete ka bere. Ndaj habitet ambasadori pse Shullazi eshte i lire. Pse Frroku arratiset me kollajllek.

Ne habi jane kapur i madh e i vogel se si nje kryeminister i kapur ne shtrat me krimin, vazhdon ta riprodhoje ate, duke shtuar banditet kudo. E duke i mbrojtur ata deri ne fund. Aq sa sot nuk dallon dot nje ndryshim mes nje strukture kriminale dhe qeverise Rama. Nje ene e bashkuar qe merr e jep gjithe diten.

Partia Demokratike eshte sot e vetmja pengese per Edi Ramen qe ta shndrroje tere vendin ne Republike te trafikanteve, gangstereve, vrasesve.

Ai do te donte qe te kishte armando prenga, ne vend te qytetareve. Ai do donte te kishte armando prenga ne vend te opozites. Ai do donte te kishte armando prenga ne vend te nderkombetareve. Por projekti i tij eshte nderprere.

Eshte ne fundin e tij dhe zhgerryhet edhe ca kohe me krimin. Demokratet, qytetaret, socialistet e ndershem, te majte e te djathte do ta heqin kete ciban. Duke u majmur e ngrefur, thjesht po afron theqafjen e tij.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Meta i lodhur nga udhëtimet, e zë gjumi në fluturim (Foto)
Prenga i përgjigjet Blushit: Ke ndarë bukën me mua, mu lute të sulmoja Ramën »
Article Logic
Execution time: 0.017268896102905
array(1) { ["section"]=> string(105) "rama-reagon-pas-goditjes-me-veze-pd-po-i-perdore-si-arme-opozitare-basha-ne-3-vete-2-i-ke-kriminele-33535" }