Reagon koordinatori i PS-së, Cubi: U godita me thikë, qëllova për vetëmbrojtje

Publikuar tek: politike, më 17:17 20-12-2015 Reagon koordinatori i PS-së, Cubi: U godita me thikë, qëllova për vetëmbrojtje

Pas akuzave të PD-së dhe kreut të departamentit të sigurisë, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar vetë ish-kreu i komunës Pult në Shkodër, Martin Cubi i cili i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e Alibeaj, ndërsa tregon edhe për ngjarjen për të cilën akuzohet nga PD. Cubi thekson se asnjë qytetar nuk e njeh si person me rrezikshmëri të lartë.

“Z. Enkeled Alibeaj pa pikë turpi dhe i bindur dhe ai vetë se po gënjen merr guximin të dezinformojë publikun. Lidhur me deklaratën e pavërtetë të bërë nga z. Enkeled Alibejaj,  ndërsa më akuzoi si kriminel, bandit dhe person me rrezikshmëri të lartë, e shikoj të  arsyeshme të informoj mediat dhe opinionin publik për të vërtetën që duhet të dinë.

E para, as edhe një qytetar i këtij vendi nuk më njeh si person me rrezikshmëri shoqërore, por përkundrazi duke qenë prej 16 vitesh kryetar i komunës Pult në Dukagjin, një zonë që persekutohej nga Partia Demokratike pasi votonte majtas, kam qëndruar pranë  komunitetit në zgjidhjen e halleve të tyre”, shprehet Cubi.

 “E dyta, e vërteta për atë që gënjeshtari Alibeaj më çuan “vrasës”, “bandit”, është kjo: Më datën 27 prill të vitit 2009, pak metra larg spitalit Rajonal të Shkodrës, jam goditur rëndë me thikë në pjesën e qafës. Në kushtet e vetëmbrojtjes kur agresori tentoi të godiste sërish me thikë kam nxjerrë armën që mbaja me leje dhe kam qëlluar në drejtim të autorit, i cili për fat te keq humbi jetën. Unë kam shpëtuar nga kjo ngjarje vetëm falë faktit që ndodhesha fare pranë spitalit ku ndihma ishte e menjëhershme, pasi plaga ishte shumë serioze”, tregon koordinatori i PS-së.

Ai thekson se për këtë ngjarje, Gjykata e ka shpallur të pafajshëm, ndërsa i kujton Alibeaj se ky vendim është dhënë kur ka qenë ai ministër drejtësie.

“Lidhur me këtë ngjarje Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Gjykata e Apelit Shkodër në kohën kur Ministër i Drejtësisë ishte Enkelejd Alibeaj, më kanë shpallur të pafajshëm pasi ajo ka ndodhur në kushtet ekstreme të vetëmbrojtjes. Kjo deklaratë e juaj z Alibeaj më bën mua akoma më të pafajshëm, ndërsa juve tani do ju duhet të gjeni një avokat të mirë për t’i dalë për zot këtyre shpifjeve”, përfundon Martin Cubi letrën e tij drejtuar PD-së.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Një gjyqtar italian do të atashohet në Shqipëri
PD-ja këmbëngul: Martin Cubi është autor i vrasjes, vëllai i tij ka vrarë një sportist »
Article Logic
Execution time: 0.051612854003906
array(1) { ["section"]=> string(81) "reagon-koordinatori-i-ps-se-cubi-u-godita-me-thike-qellova-per-vetembrojtje-28208" }