Rebelohet shkrimtari: Harruat Frederik Rreshpjan, lexoni poezi që bëhen shpejt siç skuqen qoftët, por harroni LIRIKUN (TRAGJEDIA E NJE POETI)

Publikuar tek: kulture-art, më 12:23 21-02-2018 Rebelohet shkrimtari: Harruat Frederik Rreshpjan, lexoni poezi që bëhen shpejt siç skuqen qoftët, por harroni LIRIKUN (TRAGJEDIA E NJE POETI)

Rebelohet shkrimtari Mark Simoni këtë mëngjes. Shqetësimi I tij, vjen për shkak të kujtesës historiko-kulturore të brezit të ri por edhe njerëzve që merren me artin. Ka të bëjë me kujtesën për shkrimtarin Frederik Rreshpja.

“Më ka trishtuar një fakt rreth shkrimit të Albert Vatës për Frederik Rreshpen. Që në mëngjes në facebook ka marrë 28 like, një shkrim I shkëlqyer për një poet të madh. Dhe shoh që foto pa motiv, kot së koti, që s’kanë as ngjarje, as figura, as të inspirojnë, foto njerëzish me gotë rakije, me qofte e birra përpara, kanë 300-400 like. Këto të qofteve dhe rakisë më ngjajnë me dumbabistët e Haxhi Qamilit, ndërsa 28 lexuesit e shkrimit për Rreshpen, krejt e kundërta e tyre” shkruan Mark Simoni.

Mark Simoni evidenton faktin tragjik se poeti vdiq në mjerim prej njëmijë arsyeve. “Shumë pak njerëz ditën ti rrinë pranë atij gjeniu dhe e lanë vetëm, tamam si sot pas 9 vitesh që është nën tokë. Por edhe sot nga atje, nga lagështia e varreve të Rrmajlit, në periferi të Shkodrës, shkëlqen me vargun e tij mbi fodullëkun, mendjemadhësinë e mitomaninë e pseudopoetëve që sillen lart e poshtë në facebook me fotot e tyre nëpër ziafete dhe me poezitë që I shkruajnë aq shpejt sa ç’skuqet një qofte. E u gëzohen lajkave të atyre lexuesve (vlerësues poezish!) që as se dinin dhe as kanë për ta ditur kurre se kush ishte për letërsinë shqipe, Frederik Rreshpja” shkruan shkrimtari.

Frederik Rreshpja u nda nga jeta në 17 shkurt 2006. Gjatë regjimit komunist, në 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi nën akuzën e “rrezikshmërisë shoqërore për përmbysjen e rendit komunist”. U dënua disa herë me burgim. Në vitin 1992, ishte kandidat për deputet i PS, e më vonë, pati aktivitet në shtëpinë botuese “Europa”. Nga viti 2000, njohu një mjerim të tejskajshëm. Në 2001 kaloi ishemi cerebrale dhe u shua në mjerim në vitin 2006, ku u varros në varrezat e Rrëmajit ku gjendet edhe sot.

Pakohja e gjithmonshme e lirikut tragjik Frederik Rreshpja

Nga Albert Vataj

Sot mbushen 9 vite, që atë ditë të cergët shkurti të vitit 2006, ditë kur u këput të gjallët e lirikut tragjik Frederik Rreshpja. Në 66-vitet e jetës së tij, siç e pohuar më 1998-ën: “… kam qenë gjithmonë i braktisur. Kam kaluar nga një braktisje në tjetrën”. Në raste të tilla, thotë Ismail Kadare në një kapitull kushtuar Fredit në “Mëngjeset në Kafe Rostand”; mendimi i parë që të vjen lidhet me ndjesinë e fajit. Faji i vendit ku lindi, i vetë kohës, i një pjese të saj. Koha ka qenë jo e mëshirshme për Frederik Rreshpjen. Pasi ia mbylli herën e parë portat e saj, e sprapsi për herë të dytë, atëherë kur nuk pritej. Në poezinë e tij i kthehej e i rikthehej disa herë kohës. Jo për të marrë më të mirën, as për t’iu hakërryer: ç’ke që më spraps, por thjeshtë për t’i kushtuar një gjendje: marrëdhënien e tij me të” citon Kadare

Ky mishërim i së ithtës, i kujës dhe trishtimit, kjo gjënezë ndjeshmërie e formësuar nga tradita tragjike e kulturës botërore, nuk është i prirur shumë drejt së lehtës apo festives, megjithëse është i hapur ndaj mundësisë së kënaqësisë dhe misterit. Si mendje e formësuar nga mitet, nuk ka mënuar të mbrujë bashkësinë e tij ideale. Ai nget përnga terrenet e çaprazta duke dëshmuar shpirtin e vullnesës së drobitur. Ngulmon në paepjen e tij duke ndërruar më shpesh fushbetejat se sa kostumet. Prej zjarrit në shpuzë e përcëllon mishin, shpirtin e zhagit në vetmi si mbi zgarën e fatit të keq. Zoritet për gjithçka dhe askush nuk trandet ndërsa e trishta ku ka zgjedhur t’i mëkojë gjeninë e lirikut e kafshon ngadalë e papushim duke i’a shkoq dhëmbjet një e nga një e duke i lënë në shtatin e tij të drobitur plagët, plagët që e sëmbojnë po kaq sa dhe vargjet që i pikojnë si lot i njelmët në mishin e zhveshur prej mosbindjes për tu epur.

Ndësa sot në 9-vjetorin e ndarjes me poetin e ndërmendim në kujtime, ajo që rreket të mbushë këtë zgafellë të thellë të mungimit është vetmia, Zoti i tij tragjik. Është kjo fantazëm që tue na kujtu braktisjen, qaset të rrok një dhimbje që përtërihet prej zellit të modernitetit dhe shterrimit të shpirtit.

Fredi me mungimin e tij troket në portat e mbetura mbyllun; në zemrat e shkeluna prej zoritjes, hedh një çap të hutuem harrimi; në andjet e nderuna pezull, me një hukam të shterrun prej frymës që i’u këput këtu e 9 vite të shkuara, u ngrohë ftomën e ikjes; kushtron me kumbonën e përvajshme të Rrëmajve në çdo përvjetor e shterron në eshtnat e mpakuna hekash e mundimit. Prej ikjes vjen e ikjen na e kujton si shpagë të fatit që shkurem, shpresës që lëvduem e besimit që mëkuem. Vjen me ikjen e ikje na rrëfen si amshim.

Shkëndijat e përtëritjes së kujtesës që kryengrihet mbi harrimin:

Frederik Rreshpja për vete:

“Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjithë ç’kam dashur, e kam humbur. Por “Le të pyesim, nëse ai luftoi para se bota ta mundte”-, thoshte Pol Eluar. Pra, çdo gjë e kam humbur në mënyrën më serioze dhe nuk ankohem nga fati im. Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë”

Hans Joachim Lanksch:

“Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse”.

Moikom Zeqo thotë:

“Ai ndihej tragjikisht i vetmuar. Duket sikur arti i tij fshihet nën maskën e jetes së rëndë”

Robert Elsie :

“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“

Henri Izrael:

“… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“

Ivanov, kritik rus:

“… ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë”

Leo dë Rua, kritik francez:

“… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit”

Mark Simoni:

“Tragjik në fat dhe lirik në shpirt, i pasur dhe i varfër njëkohësisht, virtuali i qiellit të shtatë dhe trupi i shtratit të ftohtë të një dhome të humbur, i vetmuar nga të gjithë dhe njëherësh mik i të gjithëve, i burgosur prej kujtimeve dhe brengave të veta dhe nga keqkuptimet e të tjerëve, mitik dhe mistik, Rreshpja është sa pagan po aq dhe apostull”

Shpëtim Kelmendi:

” Frederik Rreshpja është një formë e lirë e skandalit, si krimi a poezia: ai nuk është i privuar nga lulëzimi. Si njeri, është larg çdo lapidariteti, si poet një rreth i përsosur kthjelltësie, me një impuls të rrallë për të krijuar imazhe. Për ta riformuluar, poeti te Frederik Rreshpja është një ekzistencë e përsosur në trup të ronitur. Po a nuk është shkrimi shkatërrim i fizikes?”

Sadik Bejko:

“Kur shkruante, ai i mbyllte krejt portat e reales, si për të shkuar në anën tjetër të gjërave, vetëm atje në terrenet e tij. Dhe ishte aq i trishtuar, melankolik ne këtë mjegullnajë të fantastikes. Ama dinte ta shpjegonte qartë të errtën e së paarsyeshmes, të imagjinares. Ishte me dy këmbët i ngulur brenda kësaj bote. Fredi ishte për vdekjen e reales, më mirë do të thoshim për transmigrimin e reales në imagjinatë”.

Azem Qazimi:

“Talenti poetik është dëshmia më e drejtpërdrejtë e një krijuesi. Shekulli XXI në të cilin sapo kemi hyrë, për poetët është më fatkeq se shekulli XX-të. Jeta edhe mbijetesa janë bërë simbolet e ekzistencës së artistëve. Këto simbole apoteozetike e dobësojnë njeriun, aq më tepër poetin Frederik Rreshpja, i cili i shkruan veprat e veta me një kthjelltësi aq të veçantë, aq të qetë dhe aq olimpike, a thua se që me gjallje jeton në “arkadinë” e poetëve të përjetshëm”.

Astrit Cani:

Ai jetoi me mundime të mëdha, por me çfarë rezultatesh? Nuk mund të thuhet se ai shkoi një jetë fatkeqe, sepse fatkeqësia nuk është rezultati i asaj jete: rezultati është se vepra e tij do u falë njerëzve lumturi kudo e kurdo që të lexohet. Lexuesi do gjejë prore te ai mikun e përjetshëm. Është e çuditshme, më se e çuditshme: është mitike, qysh shpirti i tij, i ndodhur në një realitet të gjymtë e kthente gjithçka në dritë. Me sa duket ai,aq ngrihej përmbi kohërat e komunikonte lirisht me etërit e tij, patriarkët e poezisë shqipe: Bogdani, Fishta, Mjeda e Migjeni. Si Dante me Virgjilin.

… E do shumë të tjerë u lëshuen me amëlcim me e kujtu këtë vetmitar që parakaloi pahiri mespërmes harrimit.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Televizioni kombëtar çek jehonë Shqipërisë turistike, flet Auron Tare (PROJEKTI- VIDEO)
Ndahet nga jeta aktori i njohur i teatrit shqiptar »
Article Logic
Execution time: 0.041754961013794
array(1) { ["section"]=> string(143) "rebelohet-shkrimtari-harruat-frederik-rreshpjan-lexoni-poezi-qe-behen-shpejt-sic-skuqen-qoftet-por-harroni-lirikun-tragjedia-e-nje-poeti-110975" }