Referendumi që (nuk) ofron zgjidhje

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:14 26-09-2016 Referendumi që (nuk) ofron zgjidhje

Afrim Krasniqi – Për Newsbomb.al

Ligji mbi “plehrat” ka rikthyer debatin politik mbi mundësinë e një referendumi qytetar. Partia më e madhe e opozitës, grupe të shoqërisë civile dhe dy deputetë të mazhorancës kanë deklaruar mbështetjen për referendumin dhe nisjen e procesit për jetësimin e tij. Nëse kjo ndodh, do të jetë hera e dytë në 3 vitet e fundit që qytetarët ftohen të nënshkruajnë formularët për një referendum kombëtar referuar nismave për importimin e plehrave. Më 2012-2013 grupe të shoqërisë civile të mbështetura edhe nga opozita e djeshme (mazhoranca e sotme) iniciuan referendum duke mbledhur më shumë se 60 mijë nënshkrime. Procesi kaloi rrugën ligjore dhe Presidenti dekretoi datën 22 dhjetor 2013 për zhvillimin e referendumit.

Më 22 dhjetor nuk ndodhi asgjë, as votim dhe as referendum. Në qershor pati zgjedhje dhe rotacion politik, mazhoranca e re në aktin e parë zyrtar në shtator anuloi nenin përkatës të ligjit për importimin e plehrave/mbetjeve, duke bërë de facto të pavlefshme objektin e referendumit. Zyrtarisht, dekreti mbeti në fuqi, grupi nismëtar nuk dha dorëheqje nga nisma, por me 22 dhjetor askush nuk mori pjesë në votim, dhe askush nuk u ankimua për mos-zhvillimin e tij. Palët politike ndryshuan qëndrim dhe në konsensus, zeruan shansin e vetëm historik për të pasur të parin referendum popullor me nismë qytetare në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar.

Tri vjet më vonë, më 2016 palët kanë ndryshuar qëndrim. Pala që më 2013 ishte kundër importimit të mbetjeve tani është pro, pala që ishte pro tani është kundër. Pala që anuloi nenin përkatës tani ka miratuar një ligj të ri që jetëson importin e plehrave, pala që inicioi ligjin më 2013 tani është kundër dhe kërcënon me referendum. Grupe të shoqërisë civile janë të përçarë, - pjesa e lidhur me pushtetin e ri ka ndryshuar qëndrim dhe është pro vijës zyrtare, pjesa tjetër është kundër, por është më e dobët në organizim sesa më 2013.

Politikisht ligji i ri i importit të plehrave/mbetjeve është një akt i gabuar dhe me kosto elektorale për mazhorancën. Kryeministri gabon dyfish kur ata që më 2013 i kishte në anën e tij, më shumë se gjysmën e shqiptarëve, sot i etiketon si fodullë, injorantë, papagall, etj, terma, të padenjë në politikë, në komunikim institucional dhe në ligjërim politik. Kosto politike ndaj kryeministrit pritet të jetë më e pakët sesa më 2013 kundër kryeministrit të djathtë: më 2013 pritej rotacion pushteti dhe plehrat ishin “qershia mbi tortë” kundër palës në qeveri. Më 2016 mazhoranca është më e fortë, është në mandatin e parë dhe zgjedhjet 2017 ende nuk kanë dhënë shenja për rotacion politik.

Ligjërisht referendumi është i mundur, por shumë larg entuziazmit aktual. Konkretisht, nëse ligji dekretohet nga Presidenti dhe publikohet në Fletoren Zyrtare, (me siguri, Presidenti do mendohet shumë përpara firmës ose rikthimit në Kuvend), do të duhet të pritet edhe një muaj kohë. Më pas sipas Kodit Zgjedhor mund të ketë një komision nismëtar adresuar KQZ për referendumin. Brenda 20 ditëve KQZ kthen përgjigje dhe nëse e miraton, komisioni autorizohet të mbledhë 50 mijë firmat e kërkuara. Për mbledhjen e firmave duhen të paktën dy muaj (edhe nëse opozita investohet me strukturat e saj horizontale), më pas dokumentacioni shkon në KQZ. Ky i fundit ka 90 ditë në dispozicion të marrë vendim mbi vlefshmërinë ligjore te dokumentacionit, pra nëse gjithçka shkon mirë, vendimi i KQZ merret në mars-prill 2017. Vendimi i kalon Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit ka edhe 60 ditë të tjera në dispozicion për vlerësimin e tij, pra deri në maj-qershor 2017.

Viti 2017 është vit elektoral për Presidentin dhe Parlamentin. Referuar nenit 119 të Kodit (2003, ende në fuqi në pjesën për Referendumet) “asnjë referendum kushtetues ose i përgjithshëm nuk mund të zhvillohet datën e zgjedhjeve për Kuvend ose për organet e qeverisjes vendore”, si dhe “nuk mund të zhvillohet referendum kushtetues ose i përgjithshëm gjatë periudhës nga gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri”. Pra, edhe nëse procedurat merr miratimin nga KQZ, nga 50 mijë zgjedhës dhe nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të ketë referendum deri 90 ditë pas mbledhjes së Kuvendit të ri, pra 90 ditë pas javës së parë të shtatorit 2017. Në këto rrethana, nëse gjithçka shkon mirë, atëherë rasti më i parë për referendum mund të jetë dhjetori 2017, pra më shumë se 14 muaj nga e sotmja.

Duke pasur parasysh këto “detaje” procedurale, si dhe faktin se në reformën e re Kushtetuese, e cila është në proces, parashihet hartimi dhe miratimi i një ligji të ri për Referendumet (mazhoranca ka votën përcaktuese dhe me siguri, nuk do jetë liberale në kriteret për një referendum kundër saj), atëherë shanset reale për një referendum për ligjin mbi plehrat/mbetjet janë vetëm teorike. Në aspektin politik, nëse opozita investohet për mbledhjen e firmave ajo do të duhet ta shndërrojë këtë aksion në axhendë prioritare, ndërkohë që në fakt ajo ka axhendë tjetër prioritare 9 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare. Gjithashtu ajo duhet të bëjë katarsis me veten, për shkak se më shumë se një e treta e deputetëve të saj kanë qenë pro ligjit të mbetjeve më 2013, pra kundër referendumit të atij viti, dhe sot, do jetë e vështirë të jenë bindës në një aksion politik për të kundërtën.

Në këto rrethana zgjidhjet praktike janë të kufizuara: ose mazhoranca mund të tërhiqet (me ligjin e kthyer nga Presidenti) për të bërë korrektime në pikat e kontestuara (gjë që ka pak gjasa të ndodhë, grupet sponsorizuese të ligjit janë më të forta sesa ndjeshmëria qytetare e mazhornacës), ose presioni publik me protesta civile mund të detyrojë palët të rishikojnë qëndrimin (në Shqipëri protestat civile nuk kanë sukses kurse protestat politike përfundojnë në akte dhune dhe kriza politike), ose grupi nismëtar i vitit 2013 mund të shqyrtojë klauzolat gjinore shqiptare dhe evropiane për të kërkuar zhvillimin e referendumit që nuk u bë atëherë (do të ishte rast unikal në kontinent), ose mblidhen firmat për referendum dhe palët e interesuara presin që kjo të ndodhë pas një viti (ka sens, por axhenda zgjedhore 2017 dhe debati mbi rezultatet, do të jetë injoruese ndaj referendumit, plehrave apo tematikave të tjera aktuale).

Zgjidhjet janë të menduara në një vend jonormal, me elitë të korruptuar politike dhe me deformime të mëdha në integritet e sens politik, si Shqipëria politike, sepse në një vend normal, me institucione, integritet dhe kulturë politike kjo situatë që imagjinohet të ndodhë. Ndaj, rrethanat tona specifike e bëjnë pesimiste pritshmërinë dhe janë një dëshmi tjetër se modelet amorale dhe korruptive gjejnë konsensus më lehtë me grupet kriminale sesa me qytetarët, dhe se qytetarët kanë rastin të mendojnë përsëri, jo për zgjedhjen e të keqes më të vogël në zgjedhjet e radhës, por për votë masive kundër elitës konsensuale e të korruptuar, majtas e djathtas, për një sistem vendimmarrës më direkt, më të hapur, më konkurrues dhe më me integritet.

Për këtë arsye, nëse ka diçka emergjente në këtë vend është nevoja e madhe për një nismë referendumi për hapjen e sistemit politik e përfaqësues, për përfshirjen e votës së emigracionit, për sistem të ri zgjedhor,  për kufizimin e mbi-pushtetit të partive politike si dhe për një republikë të re të bazuar tek institucionet, jo tek humori i atij që vjen në pushtet me premtimin për të shërbyer dhe bën gjithçka ta kthejë vendin e qytetarët në shërbëtorë të tij! Plehrat vetëm sa nxorën në pah sistemin kënetë ku ndodhemi dhe nevojën, për ndryshimin e tij si e vetmja rrugë për tu çliruar nga të gjitha llojet e plehrave, edhe atyre në politikë!/ Newsbomb.al

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.033299922943115
array(1) { ["section"]=> string(39) "referendumi-qe-nuk-ofron-zgjidhje-54165" }