Reforma në Drejtësi, përfundon tryeza me ekspertët e PS: Nesër afati i fundit

Publikuar tek: politike, më 20:50 10-01-2016 Reforma në Drejtësi, përfundon tryeza me ekspertët e PS: Nesër afati i fundit

Ekspertët e reformës në drejtësi pritet që deri ditën e hënë të mbyllin projektin për t’ia kaluar atë të martën Komisionit të Posaçëm të Kuvendit. Pas konsensusit të arritur të premten dhe rikthimit në tryezë edhe të ekspertëve të opozitës, pritet që projekti që do të marrë tryeza politike të përfshijë mendimet e të dyja palëve. Sipas këtyre ekspertëve, drafti do të diskutohet nga e para.

Gent Ibrahimi, një prej këtyre ekspertëve të njohur të jurisprudencës shqiptare dhe pjesë e tryezës tha dje për mediat se: “Çështjet do të rimerren nga e para, në mënyrë që të gjitha palët të kenë mendimin e tyre se cila është mënyra më e mirë për t’i shprehur, për t’i paraqitur vlerësimet dhe vërejtjet e Komisionit të Venecias në draft”, transmeton “BË”.

Sipas Ibrahimit, ka disa pika ku palët kanë kundërshti, ndaj të gjitha këto do t’i kalojnë tryezës politike. “Të martën është afati i fundit. Të hënën duhet të mbarojmë punë, në mënyrë që të martën të futet në lojë procesi politik, që ta marrë në dorë produktin Komisioni ad-hoc. Deri tani kemi ecur mirë. Ne po identifikojmë pozicionet, ku jemi dakord dhe pozicionet ku jemi në qëndrime të kundërta. Aty ku jemi në qëndrime të njëjta, formulimet i kemi të gatshme, aty ku ka qëndrime të kundërta, do të duhet që secili grup duhet të paraqesë formulimin e vet dhe do të përpiqemi t’i unifikojmë. Në rast të kundërt, do të shkohet me dy opsione”, sqaroi Ibrahimi.

Kundërshtitë sipas tij janë: “Formula e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të gjykatës kushtetuese, formula e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të këshillave gjyqësore dhe prokuroriale, çështje që kanë të bëjnë me mënyrën e krijimit dhe organizimit të njësisë së posaçme anti-korrupsion”. Pas katër orë diskutime, Gent Ibrahimi tha: “Iu rikthyem parimeve të mënyrës së të punuarit, në një kohë që kishim arritur diku me produktin. Është lodhje shtesë, por nëse i shërben marrëveshjes… Çështjet do të merren nga e para dhe të gjitha palët të kenë mendimin e tyre, se cila është mënyra më e mirë për të paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e Venecias në draft”, sqaroi ai për gazetarët.

Ndërkohë, eksperti i opozitës, Enkelejd Alibeaj sqaroi të premten pas arritjes së marrëveshjes mes palëve, nën mbikëqyrjen edhe të ndërkombëtarëve se në diskutimet e tryezës “u ra dakord së pari për tërheqjen e draftit të pakonsultuar që qarkulloi ditët e fundit”. Po kështu, sipas tij, “u ra dakord që dokumenti i vetëm që do të diskutohet për të arritur draftimin e reformës kushtetuese në drejtësi do të jetë ai i Opinioneve të Komisionit të Venecias”.

Alibeaj sqaron se u vendos që në kushte barazie, ekspertët e opozitës dhe të qeverisë të vijojnë punën e tyre të përbashkët për të draftuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, rekomandime të cilat mund të jenë të tilla që mund të ofrojnë disa variante që mund të jenë të përbashkëta me ekspertët e qeverisë dhe opozitës, opinione këto që duhet të respektojnë 100% opinionet e Komisionit të Venecias.

Opozita u rikthye në tryezën e ekspertëve me përfaqësuesit e saj, vetëm pas disa orë negociatash, mes ambasadorit amerikan, Donald Lu dhe drejtuesve të maxhorancës e opozitës. Tashmë procesi do të vijojë të mbetet nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ecuria e Reformës në Drejtësi, Xhafaj: Të angazhuar për një proces gjithëpërfshirës dhe transparent
Erion Veliaj pa dorashka në INTV: Pas çdo pusete kam një ndërhyrje, Tirana pas 4 vitesh më e mira në Ballkan »
Article Logic
Execution time: 0.011224031448364
array(1) { ["section"]=> string(81) "reforma-ne-drejtesi-perfundon-tryeza-me-ekspertet-e-ps-neser-afati-i-fundit-29634" }