REPORTAZH/ Në Salarinë e Selam Musait dhe Gramoz Ruçit... (Një Premtim për 12 gusht)

Publikuar tek: kulture-art, më 11:34 15-06-2018 REPORTAZH/ Në Salarinë e Selam Musait dhe Gramoz Ruçit... (Një Premtim për 12 gusht)

Salaria, Labëria e Tepelenës nuk ka nevojë për të treguar në gjuhën e fshatit të famshëm se ka vetëm disa personazhe, aty ku çdo vizitor ndalon e bën një foto tek busti i Selam Musait, apo kujton se në krye të vendit kanë një politikan që e ka shtëpinë në qendër të fshatit, Gramoz Ruçin.

Ministra ka pasur në kohë të ndryshme, madje që nga diktatura, fshati ka nxjerrë një ministër transporti. Dhe më vonë, veç emrit të Ruçit, Valentina Leskaj, Ethem Ruka, Luan Memushi apo Elmaz Sherifi, të gjithë politikanë të majtë, kanë dalë prej fshatit të famshëm.

35402472_10157342505133765_8994945528361910272_n.jpg

Rruga gjarpëroshe për të hyrë në labërinë e Tepelenës nuk i lë vend imagjinatës se ku do shkosh, e ç’do të bësh. Veç ngjitesh e ngjitesh deri në një farë vendi, thuajse tetë kilometra, në rrugë të asfaltuar, dhe ke mundësi të ngresh aparatin e të bësh foto.

35348048_10157342504503765_2267339327484723200_n.jpg

Deri në fshatin Dukaj, nuk ka nevojë për ajër të kondicionuar, makina ecën shpejt duke të dhënë përshtypjen se do t’i ngjitesh me po aq shpejtësi majave që ke përpara. Në mes të rrugës, njerëz me shkop në dorë, janë vendasit, duke ruajtur bagëtitë. Në Dukaj, sheh në qendër të fshatit shkollën, gjimnazin e fshatit, i vetmi i mbetur në atë zonë.

35265242_10157342505053765_806336593215356928_n.jpg

E si e ndarë më thikë, punimet e rrugës përfundojnë aty. Tetë kilometrat e tjerë që mbeten deri në fshatin e Selam Musait e të Gramoz Ruçit, do të duhet t’i bësh duke mbajtur mesin me dorë, apo të “nxjerrësh gurët” në veshka. Makinat e vogla e kanë të vështirë të hyjnë, të mëdhatë, hidhen e përdridhen për të mos lënë kënaqësinë e të shkrepurit të ndonjë fotoje.

35297198_10157342504933765_3992229108732919808_n.jpg

Salaria, është zona më e madhe e Labërisë, në gjithë Tepelenën. Me shtrirje, edhe më përtej sesa shkon vështrimi ndërsa ngre dorën mbi ballë për t’u mbrojtur nga dielli. Në dimër, mbulohet nga bora, në verë, mirë është të kesh diçka me mëngë të gjata hedhur krahëve për të mos mbërdhirë nga era që fryn e vjen mes maleve, rrugës kur shkon makina.

35285831_10157342504678765_6136757286657327104_n.jpg

Syri (nga lart ku po kalon për të shkuar drejt qendrës së fshatit ku gjendet edhe busti i heroit Selam Musai), të zë rrugën e bukur gjarpëroshe që të çon drejt Vlorës. Në gjendjen që është rruga e ndërtuar nga Italianët, të çon për katër orë, ndaj nuk ta leverdis të ikësh, për shpejtësi, ik nga rruga e asfaltuar. E ndërkohë rruga për Vlorë gjendet poshtë, sipër vazhdon rrugën drejt Salarisë.

Emrin fshati e ka të madh, por kur mbërrin te busti i Selam Musait, ku krijohet ideja se është qëndra e fshatit pyet me vete: “Kaq është”? Kanë mbetur fare pak shtëpi. Në qendër shquan një tyrbe, dhe Enriku (më la pa mend për emrin modern e për kohën që ka lindur meqë ishte mesoburrë), të tregon se të zotët, meqënëse janë pasardhës të shehëjve, kanë ngritur vetë tyrben.

salaaa.jpg

Vendos të shkosh deri tek Qafa e Kreshës, sepse aty ka një vend të mirë, një tyrbe tjetër që është e rregulluar, dhe që shumë shpejt do të përgatitet për një peligrinazh, në datën 12 gusht. Do të vijë edhe Baba Mondi, tregojnë gjithë qejf banorët. Aty priten kecat e qingjat dhe kryhen ritet bektashiane, ndërkohë që banorët tregojnë se është “vend i mirë” meqë gjendet fiks edhe pas majës së Tomorrit.

Enriku, kryeplaku beqar i Salarisë, nuk do ta hapë çështjen e rrugës, por të thotë se gjithmonë e kanë kërkuar, asnjëherë nuk është realizuar.

“Nuk kanë mbetur shumë njerëz. Pak shtëpi e pak banorë. Nga vitet ’90, kanë qenë 960-1000 vetë, por tani shumica kanë ikur” thotë ai gjatë rrugës duke u mbajtur fort nga hedhjet e makinës tek doreza e saj, si për t’u ngritur.

Po shkolla në Salari a është? Pyes me kuriozitetin pasi kaluam shkollën e Dukajt.

“Ka një shkollë të vogël, për pak fëmijë të mbetur, por siç të thashë, shumica kanë lëvizur.

Po në kohën e komunizmit si ia bënit? – vazhdoj pyetjen për arsimimin.

Kryeplaku thotë se shkonin në gjimnazin e Dukajt, ose në profesionalen e Tepelenës. Adoleshentët ngriheshin në 06.00 të mëngjesit, për të shkuar në 7.30 në shkollë, fiks një orë e gjysëm zgjaste rruga nga Salaria në Dukaj, në këmbë.

E mandej, duke parë kope të tëra bagetish, natyrshëm vjen pyetja se si rrojnë banorët e zonës dhe a ju dalin prodhimet për vete.

 

“Jo vetëm u dalin, por me to jetojnë. Duhet ta dini se salarjotët, nuk kanë vuajtur asnjëherë për ushqime. Të pasur kanë qenë gjithmonë. Dhe në kohën e diktaturës, familjeve këtu u lanë edhe gjedhë, pavarësisht se shumë u dorëzuan në kooperativa”.

Madje sot, ata që vijnë në Salari, vijnë për t’u kujdesur për pronat, gjedhët, apo çajin e malit, rigonin,  sherebelën, e bimë të tjera medicinale.

Përroi i Salarisë ka shtrat të gjerë. Kur “nxehet” në dimër, i merr të gjitha përpara. Siç ka marrë edhe pritat që kanë bërë banorët që uji të mos u futet nëpër shtëpia. Gurët e zallit, të bardhë borë si dhembet pasi i ke përfunduar te dentisti, shpeshherë janë përdorur që ata që banojnë aty të rikonstruktojnë ndonjë shtëpi.

Pjesa më e madhe e fshatarëve të Salarisë, fëmijët i kanë çuar në Tiranë e Gjirokastër. Pleqtë a moshat e mesme kanë mbetur në fshat (dhe më së shumti vijnë në verë) që kujdesen vetë për bagëtinë e bujqësinë.

Në dimër, shumica marrin çobenjtë që u kujdesen për gjënë e gjallë. Një prej tyre, që ruante lopët për llogari të një “agai” të Salarisë, e kishin sjellë që nga Fieri. Ai jetonte si çoban te stallat, afër tyre. 

Rrugës drejt “Vendit të Mirë” në Kreshë, ndalojmë të pimë një gotë dhallë tek Eqeremi. E ftojmë për të ardhur, por ai nuk lëviz vendit se ka hallin e bletëve, mos duan të ndahen dhe i ikin.

E meqë ka ardhur gazetarja nga Tirana, Eqeremi nxjerr një bidon me mjaltë e të thotë: “provoje”.

Aty kupton se mjalti që ke ngrënë deri dje poshtë e përpjetë, që të thonë me sheqer a pa sheqer, me lule a me gjethe, me lule maji a lule fushe, është….kot. Mjalti që kanë bërë bletët e Eqeremit, se ç’ka një erë të mirë, një shije ndryshe në gojë, nuk ka kokrriza siç shijojmë ndonjëherë mjaltë andej-këndej, vjen si brumë, e jo lëng në lugë siç e hamë hera-herës…pra thënë saktë e qartë, si MJALTI I SALARISË nuk kisha ngrënë ndonjëherë.

“Eshtë mjalt që bëhet me lulet e sherebelës dhe lulet e malit. Kur të vish në gusht për festën do të të ruaj një bidon” thotë Eqeremi, që të fut në kuzhinë e të vë përpara gjalpë, djathë nape, kos, dhallë e mjaltë e raki vendi. Se këtu në mal, nuk ka karamele, as gliko…ja me këto i qerasin miqtë. Dhe me mish.

Dhe kur mbërrin puna te bulmeti, Eqeremi thotë se ka nja dyqind lopë, edhe pse me vështirësi t’i tregojnë të vërtetat se kanë frikë se mos “i merr më sysh”.

“Hajde, hajde”, tund kokën unë…”nga një milionë për lopë, ti Eqerem je shumë i pasur” dhe duke lëpirë gishtat me mjaltë e një copë djathë nga ana tjetër, filloj e qesh.

Sikur t’i kisha pickuar të gjithë aty ku nuk do donin të pickoheshin më hidhen e më thonë se në Salari nuk ka të varfër. Se gjithsecili në shtëpi ka gjethë mjaftueshëm, dhe nëse punon sa do, edhe mali atypari i jep ushqim për gjithë kohën, po të duan të punojnë. Që do të thotë, bimë medicinale pa fund, edhe nëse nuk ke kope me cjepër, apo me dhenë e lopë.

“Nuk kam nevojë për asgjë nga qeveria. Fare, fare. Të na shtrojnë dhe këto tetë kilometra rrugë që të dalim në qytet e të shesim prodhimet, se as nuk mund t’i mbajmë dot këtu për shumë kohë” thotë Eqeremi, me të cilin ndahemi, e jo me duart bosh.

Makina vazhdon në rrugë të pashtruar, me leqe që hapen e mbyllen për t’u ngjitur drejt Kreshtës, aty pra te vendi i mirë. Ndonjëherë gomat shkasin në zall, por shoqëruesi ynë profesionist që njeh terrenin di ta kalojë aty ku duhet makinën. Sa më lart ngjitesh, aq më shumë afrohesh me retë që në një moment e nxijnë qiellin, a thua se do të shpërthejë ndonjë shi që të të lërë majë malit.

35299880_10157342504958765_9037773791186386944_n.jpg

Por përpara, gjysëm ore larg fshatit, të shfaqen fusha plot lule, çaj mali, rigon, bar pa fund…dhe në shumë vende stalla gjethësh.

Aty, ndalojmë se u afruam te Teqeja.

“O Astrit, Astrit” thërret Nikua për të afruar çobanin pranë nesh, se qeni i stanit, nuk të lë të bësh një hap përpara.

Mbi një shkëmb gurësh, cjapi i madh që prin kopenë, me një këmborë gjigande trekiloshe, sheh mysafirët.

“Astrit, pse nuk e çove këtë cjapin e bukur që paske te festivali i Panit që bëri Auron Tare e Tërmeti (T.Peçi, kryetar i Tepelenës), e pyes unë.

“Eh moj vajzë, ç’më thua”, thotë Astriti, që në një anë hedh krahëve xhaketën, e torbën e bukës nuk e ndan nga vetja.

 “Ku kemi kohë për këto gjëra. E njeh ti Auronin? Eeee, unë e kam çun teze”.

Astrit Skëndo nga Salarija kalon ditët e netët me bagëtinë e tij. Nuk ka kohë për t’u veshur bukur. Çunat i ka të rregulluar njërin në Tiranë e tjetrin në Gjirokastër. I ka futur dhe ata të përfshihen te biznesi i familjes.

35405009_10157342504323765_3664409734091374592_n.jpg

65-vjeçarit i mungon ndonjë dhëmb në gojë, por kur më çon në anën tjetër të fushës për të mbledhur çaj mali, e merr lëndinën me vrap si të jetë atlet, të merr frymën.

mbledj.jpg

Ai një hap, e unë tre. I rritur me ajrin e malit e ujin e burimit, me qumështin e dhive e vezët me rigon te frekët, pi një raki në mëngjes e çaj mali në darkë, mishin bio ua shet atyre të qytetit kur vjen koha të therë ndonjë gjeth të vetin…shkurt, nuk ka nevojë për ilaçe se ia ka dhënë natyra dhe mali atë që duhet për të jetuar shëndetshëm…dhe në fotografi s’do të dalë e unë i bëj ndonjë foto fshehtas.

35281892_10157342504408765_2244475923782959104_n.jpg

35329296_10157342505093765_179631483827257344_n.jpg

Kur akrepat kalojnë afër 4-rës, e ti ke bredhur me kilometra të tëra duke mbledhur çaj mali e rigon, këmbët janë bërë copa, e të ka marrë uria zbret në fshat.

 

35304538_10157342505123765_497128836580769792_n.jpg

Aty të pret një kec i pjekur mirë e ngadalë, sa kohë që shëtite poshtë e përpjetë. Jo më i madh se 5 muajsh. Në drekë, nuk ka salltanete, pjata të bukura, pirunj e thikë e peceta….Por ka qepë, hudhra, djath, mish, mjaltë e raki vendi.

35387779_10157342504983765_2376794649172901888_n.jpg

Që kur të ikësh nga SALARIA, t’u japësh premtimin atyre njerëzve të punës se do të kthehesh prapë, në 12 gusht, në vendin ku do të mblidhen pelegrinë…ndoshta nuk do të jetë festë e madhe, po salarjotët, janë nga janë, do të vijnë.

dfre.jpg

Me besimin se do të vijë edhe ndonjë qeveritar, që të mendojë seriozisht, t’i mbarojë edhe ato 8 kilometra të shkreta rrugë, që t’i japë frymëmarrje zonës. A.Basha /NEWSBOMB.AL/

dre1.jpg

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Arti shqiptar në zi, shuhet piktori i famshëm vlonjat
Roza Anagnosti kundër shembjes së Teatrit: Do të ishte mëkat i madh »
Article Logic
Execution time: 0.023483037948608
array(1) { ["section"]=> string(85) "reportazh-ne-salarine-e-selam-musait-dhe-gramoz-rucit-nje-premtim-per-12-gusht-124476" }