Rinegociohet marrëveshja me TAP, Shqipëria përfiton miliona euro shtesë

Publikuar tek: ekonomi, më 12:31 21-12-2016 Rinegociohet marrëveshja me TAP, Shqipëria përfiton miliona euro shtesë

Republika e Shqipërisë dhe Konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP AG) nënshkruan sot në Tiranë amendimin e Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) dhe marrëveshjet shoqëruese për përfitimet vendase dhe angazhimin për zhvillimin e tregut të gazit së bashku me Memorandumin e Mirëkuptimit që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes për sistemin e gazsjellësit TAP në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Këto dokumente do të ndjekin procedurat përkatëse ligjore për miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave dhe më pas Parlamenti i Shqipërisë.

Marrëveshjet për palën shqiptare u firmosën nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri ndërsa për konsorciumin TAP prej Drejtorit Menaxherial, z. Ian Bradshaw. Ato janë rezultat i shtatë muajsh negocime mes palëve.

Amendimet përkthehen në përfitime shtesë për Shqipërinë si:

  • Rishikimi i periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë Eurosh;
  • Rritja e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë Euro;
  • Dyfishim i fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350’000 Euro në 700’000 Euro;

Memorandumi i Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz, (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftesimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale;

Gjithashtu, nga ana e TAP u shpreh vullneti për të përmbushur disa detyrime të tjera për sa i përket:

1) sigurimit financiar të aktiviteteve në seksionin që shtrihet në territorin shqiptar;

2) mundësinë e kufizimit të kohëzgjatjes së MQVP-së në 25 vite në rastin e plotësimit të kushteve të përcaktuara;

3) zgjatjen e afatit të rimbursimit të TVSH-së nga 30 në 180 ditë;

4) dhënien e të drejtës palës shqiptare për të marrë të njëjtat përfitime nëse TAP lidh marrëveshje tjetër MQVP me një shtet tjetër prites.

“Kjo marrëveshje e amenduar i krijon mundësinë Shqipërisë që të trajtohet tashmë në mënyrën e duhur dhe të ribalancojë angazhimet e saj kontraktuale si vend pritës i gazsjellësit duke maksimalizuar përfitimet. Qeveria e Shqipërisë mirëpret angazhimin e TAP për vazhdimin e projekteve të investimit në dobi të komuniteteve lokale, në infrastrukturën energjitike dhe atë të transportit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Drejtori Manaxherial i TAP z. Ian Bradshaw u shpreh: “Dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Shqipërisë dhe popullin shqiptar që e kanë mirëpritur gazsjellësin TAP. Ne do të vijomë të jemi “fqinj” të mirë dhe një korporatë me përgjegjshmëri të lartë shoqërore e qytetare dhe do të mbështesim projekte Sociale dhe Mjedisore që sjellin përmirësime të qëndrueshme në cilësinë e jetës së komuniteteve që jetojnë pranë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri.” (Monitor)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.02160382270813
array(1) { ["section"]=> string(76) "rinegociohet-marreveshja-me-tap-shqiperia-perfiton-miliona-euro-shtese-63313" }