Rrëfen regjisori i filmave të komunizmit: Këto janë skenat erotike që i censurova në 1985-ën

Publikuar tek: kulture-art, më 06:43 27-03-2017 Rrëfen regjisori i filmave të komunizmit: Këto janë skenat erotike që i censurova në 1985-ën

Eshte pak e veshtire të mendosh që puthja pasionante te “Fernando Krafi” mes Yllka Mujos dhe Ndriçim Xhepës, dhe mollëzat e kuqe të Elvira Diamantit tek rrinte nën çadër, pa u prekur, me Viktor Zhustin te “Shi në plazh”, të jenë bërë nga i njëjti regjisor.

Puthjet, Gëzim Kame mund t’i përfshinte edhe në shfaqjet e përpara ’90­s dhe jo se nuk i shkonte mendja, por jetonte në një kohë që disa mendime ishte mirë t’i mbaje për vete. Kështu ndodhi edhe në shfaqen e vitit 1985, “Shtëpia e Bernarda Albës”. Gjithë nevojat seksuale të motrave që Garcia Lorka i kishte hedhur në letër, Kame mund t’i përfytyronte vetëm me veten ose e shumta t’i diskutonte me një shok të besuar. Në skenë nuk mund ta kalonte vijën e partisë. Mirëpo, këto janë rastet më pak të rënda që, tek e fundit, nuk kanë cenuar askënd, veçse kanë cunguar imagjinatën e regjisorit. Për filmat e periudhës së komunizmit, regjisori Gëzim Kame mendon pak më ndryshe nga kolegët e kohës së tij.  Nëse shumë prej tyre kanë qenë radikalë në kundërshtimin e një idesë që u hodh për ndalimin e tyre, Kame mendon se është e domosdoshme që filmat e politizuar duhen riparë dhe nuk duhen transmetuar në televizione kombëtare. Më gjatë i shpjegon edhe zgjidhjet gjatë intervistës për “Panorama”.

Asnjërit nga atyre që kanë qenë pjesë, nuk i ka shpëtuar debati rreth ndalimit të filmave në komunizëm. Ç’mendoni?

E para që duhet thënë në këtë histori e cila ka dalë tani, sipas mendimit tim, është e njëanshme të fokusohesh vetëm te filmi. Gjinitë e artit janë të shumta dhe të gjitha kanë qenë të politizuara dhe ideologjizuara. Duhet folur edhe për librin, edhe për pikturën, edhe për muzikën. Duhet trajtuar në tërësi problemi sepse e gjithë periudha kishte probleme në art, sistemi ndikonte absolutisht te të gjitha në mënyrë të barabartë.

Mendoni se ka një zgjidhje?

Unë e quaj të drejtë mendimin që aty ku ka shtrembërim të historisë në veprat artistike, të cilat janë ndikuar nga ideologjia e kohës e që janë transferuar në këtë sistem dhe që nuk i përgjigjen realitetit, duhet bërë diçka.

Çfarë duhet bërë pas 27 vitesh?

Për mua duhen klasifikuar. Ka disa vepra që nuk janë të politizuara, pavarësisht se ajrin e përgjithshëm e kanë të asaj periudhe. Për shembull veprat e luftës, duam s’duam, një pjesë e asaj përkatësie të cilët kanë luftuar në një mënyrë që nuk kanë luftuar apo që kanë qenë bashkëpunëtorë, këto nuk duhet të ndikojnë sepse është një epope e lavdishme, ku një pjesë e filmave e kanë përshkruar shumë bukur. Ato janë vepra arkivore, por nëse aty ka emra personazhesh realë që nuk i përkojnë atij momenti dhe që tjetërsojnë historinë, atëherë duhet ndërhyrë.

Cilët filma duhet të preken?

 Nga lufta duhen prekur ato personazhe historike që janë prekur padrejtësisht, kanë deformuar historinë. Shumë personazhe janë përdhosur, por këtu flasim për individë, flasim edhe për familjet e tyre.

Si mund të veprohet?

Duhen ndërmarrë iniciativa e të mos merren me gjëra të kota, por edhe këta që e kanë nisur këtë bisedë duhet të marrin autorë të ndryshëm, të shohin skenarët e vërtetë dhe të bëjnë një vepër artistike reale, mirëpo s’duket kështu. Nuk kanë mundësi sepse nuk është bërë asnjë vepër për luftën në këto 27 vjet.

Pra, të ribëjmë filma të rinj

Të themi të vërtetën që hedh poshtë këtë ekzistuesen. Është pak e vështirë për ta gjetur sepse ende sot, për çështje të caktuara të historisë, ka më shumë se 3 variante… Pra, edhe historianët janë të ndikuar… Kjo ndodh sepse ne nuk e kemi të fortë Akademinë e Shkencave. Po të jenë mendje të ndritura të fushave të ndryshme, nuk ke nevojë as për politikën sepse ata duhet të ndërtojnë platforma, të cilat u çohen në tryezë politikanëve dhe i miratojnë, ne nuk e kemi këtë gjë, bota kështu vepron. Nuk bëhet sipas tekave të kryeministrit apo ministrit të Kulturës. Pra, është i gjithë sistemi i pandërtuar sepse ne, edhe po përjashtuam 5 filma, nuk zgjidhim asgjë.

Përtej filmave të luftës, na thoni disa të tjerë që duhen riparë?

Nëse ka glorifikim të figurave të asaj periudhe e vazhdojnë të glorifikohen ende sot sepse vazhdojnë të transmetohen, kjo nuk është fare e bukur. Historia i ka hedhur poshtë ata personazhe bashkë me sistemin. Unë s’mund të shoh një vepër të nazizmit që mban portretin e Hitlerit në dorë sepse i ka bërë nder x familje. Janë mijëra të tjera që ai ka dëmtuar. Censurimi nuk duhet bërë, siç po e dëgjoj, pra të përjashtohen. Ndriçim Xhepa dhe Yllka Mujo në shfaqjen “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, me regji të Gëzim Kames, 1998

 Si duhet të bëhet?

 Së pari, të gjitha ato shërbejnë si arkiv dhe duhet të jenë aty. Për mua, këto filma në televizionet kombëtare nuk duhet të jepen ose të shpjegohen nga specialistë, historianë dhe artistë. Së dyti, asnjë nga këta filma nuk e ndalon dot sepse ato shiten nëpër kaseta e CD, janë në të gjitha familjet, janë në internet. Ti nuk ndalon dot askënd t’i shohë. Përderisa ti ke parti komuniste të ligjëruar, pse të mos jetë edhe filmi në qarkullim, mirë­ po në stacione kombëtare nuk duhen shfaqur.

Nuk mendoni se është pak vonë?

Nuk ka rëndësi, në një moment ndoshta do të bëhet. Nëse vazhdojnë, të mos toksikojmë brezat e ardhshëm me një periudhë që i ka mbaruar historia.

Ju vetë vazhdoni t’i shihni?

 Nuk i shoh sepse nuk kam kohë, por kur bie rasti ka disa filma që dua t’i shoh si “Përrallë nga e kaluara”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Koncert në vitin ‘36″. Pastaj duhet thënë që ka edhe filma të politizuar, por që janë tepër të arrirë nga pikëpamja artistike. Për shembull? Ka shumë. Po përmend për shembull, “Plagë të vjetra” i Anagnostit, ose “Ballë për ballë” i Çashkut e Milkanit. Ka disa filma të karakterit social e familjar, pra jepet mbarë edukata për çdo kohë. Nëse e mira e asaj kohe është edhe për sot, nuk ke pse e ndalon. Por nëse e mira e asaj kohe është e keqe sot, nuk ke pse e shfaq më. Pra, të shmangen disa vepra që janë shumë të ideologjizuara, që përcjellin atë frymë edhe sot, por që tregun e lirë nuk e ndalon dot asnjëherë.

Si bëhet kjo gjë? Për mua, vetë artistët duhet të deklarojnë veprat e tyre, pra ku e mendojnë ata që krijime të caktuara nuk janë të përshtatshme për këtë kohë. Me siguri që nuk u vjen mirë, por mentalitetet kanë ndryshuar dhe duke vepruar kështu ata mund t’i paraprijnë një faze tjetër që mund t’i bëjnë të ndihen edhe më keq. Kështu mund të nisë kufizimi që nga autori. Pastaj duhet të ketë një komision gjithëpërfshirës, i cili këto pretendime të autorëve të caktuar i merr në konsideratë dhe jep një vendim. Nuk është ndonjë hata e madhe. Tregut të lirë nuk ke çfarë i bën sepse ju shihni që vazhdojnë të shiten sot filxhanë me portretin e Enverit, të Saliut, secili ka të drejtë të blejë ç’të dojë. Pra, nuk është një censurë e rreptë, por disa rregulla morale që janë edhe për artistin, edhe për shoqërinë. Edhe që të jenë fare të lira, nuk më vjen mirë. Po të kisha unë babanë apo gjyshin që të ma përdhoste regjimi në një film, nuk do të më vinte fare mirë. Të degradohet Qazim Mulleti në atë lloj mënyre!… Të gjithë duhet të ndiejnë një përgjegjësi morale. Nga ana tjetër, vetë kjo kohë duhet të sjellë vepra artistike të fuqishme.

Kjo gjë që nuk po ndodh…

S’ka ndodhur akoma, por mund të ndodhë. Edhe Jugosllavia nuk ka bërë ndonjë luftë të madhe, ama filmat artistikë që ka bërë pas luftës i ka kaq të realizuara, saqë kanë një efekt emocional sa thua kushedi ç’kanë bërë e sa kanë luftuar. Vepra artistike ka ndikim të jashtëzakonshëm. Duhet theksuar që filmat nuk kanë pse veçohen nga letërsia, nga piktura apo zhanre të tjera të artit.

Ju vetë mund të na tregoni një episod, rast konkret, kur një regjisor nuk donte të bënte x film të udhëzuar nga partia dhe propozonte një skenar tjetër?

Unë vërtet kam qenë aktiv në regjisurë, por jam pak rast specifik sepse nuk kam qenë i detyruar të bëj atë që donte shteti, pasi kam qenë pedagog e dekan i fakultetit, ndërkohë isha edhe regjisor, vija shfaqe kudo. Pra, nuk më thoshin do të bësh këtë apo atë.

Megjithatë, kjo gjë ndodhte.

Sigurisht që ndodhte, por nuk mund t’i vë faj unë Pirro Manit që punoi në atë kohë që duheshin bërë politikat e partisë.

Vitet ’70 kanë qenë shumë të rënda, çfarë të bënin ata?

Do të hanin bukë, ai e të tjerë… Për qejfin e tij vinte Shekspirin ai, por ia që ka qenë i imponuar. Unë vetë nuk kam qenë i imponuar. Për shembull, “Shi në plazh” nuk prek asgjë. Megjithatë, “Shi në plazh” mund të kishte disa skena më tepër. Për shembull të mos mbyllej çadra, por Alberi me Jetën (Viktor Zhusti dhe Elvira Diamanti) të putheshin vërtetë. Jo, këtë nuk mund ta bënim sepse nuk e lejonte koha. Ato ishin tabu atëherë, mirëpo po unë jam që te “Fernando Krafi” fus një puthje mes Yllkës dhe Xhepës. Pikërisht, pra ju e mendonit edhe atëherë por nuk mundeshit? Sigurisht, por nuk ta pranonte askush, as aktori e as mentaliteti. Një rast tjetër ka qenë në vitin 1985 kur kam bërë shfaqen “Shtëpia e Bernarda Albës” nga Lorka. Është një skenë atje me pesë motrat që janë të mbyllura, të izoluara për tetë vjet në zi. Janë moshë fare e re, e nuk dalin as deri tek oborri. Ato tërboheshin… poshtë në bodrum ka pasur një mëz, që gjithashtu ishte i mbyllur. Ai kërkonte femrën e tërbohej dhe këto kur hanin darkat, e ishin gjithë kohës me idenë e seksit në kokë, diskutonin e donin lirinë e tyre, dëgjonin kalin e ndizeshin më tepër. Bernarda e trodhi edhe kalin. Gjithë kohës vinte rreth shtëpisë një mashkull që ishte i fejuar me njërën nga vajzat, por nuk donte atë, donte të voglën. Kjo i tërbonte të gjitha dhe dukej sidomos gjatë darkës. Unë kisha kaq imagjinatë për ta zhvilluar atë skenë nga pikëpamja seksuale, por e hoqa fare kalin. Kur kam bërë “Damën plakë”, një suedeze erdhi më takoi në përfundim të premierës e më thotë ku e keni gjetur fustanin kaq të mrekullueshëm. E kemi stilizuar vetë i thashë. U çudit.

A diskutonit ju me njëri­tjetrin për gjithë këto kufizime, apo as guximi për të bërë kaq nuk ishte?

 Patjetër që diskutonim. Nëse ka pasur mjedise intelektuale të ngrohta e interesante kanë qenë ato të artistëve. Sigurisht që ishin të seleksionuara, duhet të ishin miq te të cilët kishe besim, por flisnim nga mëngjesi deri në darkë, sepse liria brenda vetes ishte. Vetëm me Kadarenë sa biseda kam bërë. Dilnim gjithnjë pas orës 9 të darkës, kur binte xhiroja në Tiranë, çfarë nuk flisnim e për kë nuk flisnim. Nga politika e të gjithë. Kishim besim te njëri­tjetri. Me Viktor Zhustin, me Pëllumb Kullën, me Timo Fllokon, flisnim pafundësisht, tallnim sistemin me njëri­tjetrin sepse besonim e s’na ndodhi gjë as atyre, as mua. Madje, unë kam qenë edhe në strukturat e partisë.

A kujtoni ndonjë rast kur një aktor a regjisor i caktuar vinte i revoltuar pse e kishin detyruar të bënte diçka që nuk donte?

 Shumë, pafundësisht. Sidomos në Kinostudio që ka pasur censurë të tmerrshme sepse teatri ka qenë pak më ndryshe. Gjithë filmat duhet t’i shihte Byroja. Kinostudioja shihte si perëndi atë projektuesin që jepte filmat për Enverin, sepse vetëm ai ishte i pranishëm aty. Të nesërmen në mëngjes e priste gjithë Kinostudio dhe e shihte në sy për të kuptuar se si kishte reaguar Enveri. “Qeshi shoku Enver” apo “S’mu duk mirë”… Nuk kishte rrugë tjetër për të jetuar.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Të famshmit “The Simpson”, bëjnë pjesë të serialit Shqipërinë (Tematika dhe detaje)
Gërmimet për “Velierën”, ja ç’zbuluan arkeologët nga antikiteti (FOTO) »
Article Logic
Execution time: 0.026328086853027
array(1) { ["section"]=> string(97) "rrefen-regjisori-i-filmave-te-komunizmit-keto-jane-skenat-erotike-qe-i-censurova-ne-1985-en-73227" }